Connect with us

Hi, what are you looking for?

Analizë

Pasojat e racizmit institucional

Foto nga protesta “Drejtësi për Kujtimin”

Ndonëse jo të gjithë janë të informuar rreth rastit të Kujtim Veselit, djaloshit 11 vjeçar nga komuniteti ashkali, i cili pas abuzimit seksual të përsëritur nga një i rritur, më 11 korrik të vitit 2019 u gjet i vrarë në Fushë Kosovë, ky rast reflekton drejpërdrejt pasqyrën e errët të sisemit tonë të drejtësisë dhe qasjen selektive të institucioneve shtetërore të Kosovës në sjelljen e drejtësisë.

Rasti i Kujtimit, përveç që është i trishtë në vete, u përcoll edhe me parregullsi dhe vonesa të shumta të reagimit institucional, konkretisht nga Policia dhe Prokuroria e Kosovës, të cilat u treguan të paafta të ofrojnë ndihmën dhe mbrojtjen e duhur për Kujtimin.

Manifestimi i protestave në fund të korrikut për rastin e Kujtimit ishin mënyra e vemte për të shprehur zemërimin karshi qasjes raciste në trajnimin institucional të rastit të Kujtimit, ku aktivistë të dëshpëruar dhe të indinjuar kërkonin Drejtësi për Kujtimin dhe që të komunikohej më shumë për këtë çështje kaq të rëndësishme, por të lënë pas dore. Me anë të këtyre protestave, të rinjtë e ngopur nga shtypja sistematike që përjetonin si pjesëtarë të grupeve të margjinalizuara, ngritën zërin e tyre me parulla të ndryshme si “Racizmi vret,” “Më mbroj nga dhunimi,” “Deri kur ma?” etj, të cilat sulmojnë dhe vënë në pyetje drejtësinë e proklamuar kosovare dhe përfshirjen e grupeve minoritare.

Nuk merr shumë analizë të kuptosh që vdekja e Kujtimit ishte vdekje e shkaktuar nga neglizhenca institucionale. Ka ndodhur si pasojë e racizmit sistematik që ne shohim çdo ditë dhe e normalizojmë. Duke filluar nga shkollimi fillestar, statusi i ulët ekonomik, paragjykimet dhe diskriminimet ditore – e deri tek padrejtësitë institucionale (të cilat në fakt do të duhej të garantonin mbrojtje të plotë për to), grupet e margjinalizuara të shoqërisë tonë të japin përshtypjen që përballen me shtypje dhe diskriminim prej momentit të ardhjes në këtë botë.

Fatkeqësia e Kujtimit ishte e parandalueshme. Vdekja e tij do mund të parandalohej me kryerjen e obligimeve dhe detyrave nga Prokuroria dhe Polica e Kosovës, mirëpo kjo nuk ndodhi. Afati kohor i keqtrajtimit të Kujtimit dhe i dhunimit të përsëritur ndaj tij ishte shtatë muaj (nga janari deri në korrik, kur edhe u vra). Procesin nëpër të cilin ka kaluar rasti, e shpjegon më së miri Raporti i Avokatit të Popullit, si burimi më i fortë i informacionit për këtë rast. Raporti thekson qartësisht që më 4 prill 2019, i Akuzuari S.O e ka pranuar në Stacion Policor se kishte dhunuar seksualisht viktimën në janar 2019. Në këtë raport specifikohet edhe një numër i madh i aktakuzave aktive që i kishte patur paraprakisht i Akuzuari S.O, ndër to një vrasje dhe një tjetër lëndim të lehtë trupor. Pranimi për kryerjen e krimit dhe aktakuzat paraprake që i Akuzuari S.O i posedonte ishin haptazi flamuj të kuq, por që fatkeqsisht u shpërfillën. Policia dhe Prokuroria në këtë rast kanë qenë të mirinformuara se i dyshuari ka ushtruar dhunë ndaj fëmijës. Në raport theksohet se këto institicione ishin në dijeni për krimin e kryer nga katër burime: babai i të dyshuarit, nëna e viktimës, viktima dhe vetë i dyshuari. Megjithatë, këto fakte nuk mjaftuan që të ndërmerreshin masa të menjëhershme për të dyshuarin, anipse ai paraqiste rrezik tejet të madh për fëmijën dhe komunitetin në përgjithësi.

Pas raportimit për përdhunim në fund të janarit 2019 dhe arrestimit të të dyshuarit në prill 2019, prokurori i rastit Ruhan Salihu e kishte liruar të akuzuarin në procedurë të rregullt, duke ia mundësuar atij abuzimin seksual të vazhdueshëm të Kujtimit deri në vrasjen e tij brutale.  Këshilli Prokurorial i Kosovës e mbajti Prokurorin Ruhan Salihu përgjegjës për: mosparashtrimin e udhrit për ekzaminimin mjeko-ligjor të Kujtimit dhe për mosparashtrimin e kërkesës për caktimin e paraburgimit ndaj S.O.-së si masë disiplinore e shqiptuar ndaj prokurorit ishte ulja e pagës për 30% për gjashtë muaj dhe është konfirmuar nga Gjykata Supreme. I njëjti bëri ankesë në Gjykatën Supreme ndaj këtij dënimi, por ankesa iu u refuzua meqë u konsiderua  si e pabazë. Kur Këshilli Prokurorial filloi hetimet drejt prokurorit të rastit Ruhan Salihu dhe pastaj e sanksionuan me ulje të rrogës prej 30%, grupi i aktivistëve e cilësuan si shqetësues këtë masë disiplinoore, duke e konsideruar si disproporcional me nivelin e pasojave që neglizhimi profesional i tij shkaktoi.

Avokatja e familjes së Kujtim Veselit, Rina Kika ka theksuar për Sbunker që një ndër çështjet që duhet të merren për bazë gjatë shqiptimit të masës disiplinore është edhe pasojat e shkeljes disiplinore, që në rastin e Kujtimit janë dhunimi i tij i vazhdueshëm dhe vrasja e tij më 11 korrik 2019. Avokatja Kika dyshon se këto pasoja nuk përmenden fare në vendimin e shkallës së parë të Këshillit Prokurorial të Kosovës dhe se kjo është arsyeja e vërtetë se pse nuk po lejojnë qasje në këtë dokument, edhe pse sipas Ligjit për Përgjegjësinë Disiplinore për Gjyqtarë dhe Prokurorë e kanë për obligim ta bëjnë këtë.

Për më tepër, avokatja Kika shpreh dyshimin se rasti i Kujtimit nuk do të ishte neglizhuar deri në këtë masë po të kishte qenë Kujtimi shqiptar dhe në fakt, shumica e rasteve të trajtimeve institucionale nuk janë aspak të trajtuara njëjtë kur subjekt janë komunitetet pakicë dhe kur ato janë shumicë.

Ndërtimi i imazhit të Kosovës si vend i lirë, demokratik dhe ligjet e shumta qofshin për mbrojtjen kundër diskriminimit, mbrojtjen e të drejtave të komuniteteve dhe pjesëtarëve të tyre bëjnë pak përveç që ngushllojnë njerëzit e privilegjuar për të mos ndërmarrë veprime për të ndalur shtypjen që i bëhet grupeve të shumta minoritare. Shtypje shpesh në të cilën marrim pjesë shumë shqiptarë të Kosovës, ku marrim rolin e shtypësit dhe mohojmë të drejtat më njerëzore që i takojnë të gjithë popullatës. Shkeljet e shumta të të drejtave kështu fshihen prapa ideve irracionale që synojnë pastrimin e ndërgjegjes institucionale apo kolektive. E gjithë kjo hipokrizi bëhet më se e dukshme kur shohim diskriminimet dhe vështirësitë në sigurimin e një jetese të dinjitetshme nga pjesëtarët e grupeve të margjinalizuara.

Edhe pse sipërfaqësisht ekzistojnë plane të veprimit dhe rregullore që synojnë integrimin e komuniteteve pakicë në punësim dhe gjerësisht në shoqërinë kosovare, realiteti është substancialisht ndryshe. Pamundësia për qasje në arsim cilësor dhe në tregun e punës lë pak zgjedhje për sigurimin e jetesës për shumë pjesëtarë të komuniteteve pakicë. Duke parë këtë mungesë të përfshirjes dhe racizmin institucional, shumë pjesëtarë të komuniteteve detyrohen të kryejnë punë të rënda fizike të cilat përveç kësaj, rrezikojnë dhe dëmtojnë shëndetin e tyre. Duke mbetur kështu në margjinat e shoqërisë dhe larg mundësive për fuqizim ekonomik, ajo çka qartësisht ndodh i ngjan një segregimi.

Studime të shumta flasin edhe për racizmin mjedisor, si manifestim i skajshëm i diskriminimit të grupeve të margjinalizuara të shoqërisë, të cilët janë kryesisht të prirë të jetojnë në ambiente të cilat ulin cilësinë e jetës, për shembull banimi afër deponive të mbeturinave, erërave kundërmuese, mbetjeve të ndryshme toksike, etj. Të gjitha këto kushte janë jashtëzakonisht në disproporcion me mënyrën e jetesës së shumicës në shoqëri.

Fatin e njëjtë të racizmit mjedisor e kanë edhe komunitetet rome, ashkali dhe egjiptase në Kosovë. Për shembull, disa familje të këtyre komuniteteve që janë të vendosura me vendbanim në fshatin Plementin, i cili gjendet rreth 4 kilometra larg Obiliqit dhe ku shumica e banorëve i përkasin komunitetit rom, banojnë në një mjedis të mbushur me mbeturina dhe konteniere, ajër të ndotur, etj. Këto rrethana e dobësojnë dukshëm cilësinë e jetës dhe janë faktorë të rrezikshëm për shëndetin. E këtë më së miri e vërtetojnë raporte të shumta, të cilat tregojnë që mosha mesatare e vdekshmërisë në këto tri komunitete është shumë e re.

Kur flasim për diskriminimin dhe sistemin të mendësisë dhe bindjeve raciste që shumë shqiptarë përforcojnë, një ekzaminim i tërthortë i mediave vë në pah kontributin e mediave në këtë mirëmbajtje të sistemeve raciste të vlerave. Një shembull konkret se si media ka kontribuar në nxitjen e gjuhës së urrejtjes apo edhe e krimeve të urrjetjes ishte rasti i gruas rome, e cila u sulmua fizikisht në Lipjan dhe Ferizaj, si pasojë e raportimeve të rrejshme të mediave dhe postimeve në Facebook, të cilat shpërfaqnin një frikë të paarsyeshme ndaj gruas në fjalë, duke e etiketuar si ‘rrëmbyese të fëmijëve’, ‘e çuditshme’ e shumë tituj tjerë që i nxitën sulmimet fizike dhe publike ndaj saj.

Këtë raportim të mediave e ka konstatuar edhe Institucioni i Avokatit të Popullit si dhe Asocioni i Gazetarëve të Kosovës, të cilët e quajtën mungesë të ndjekjes së kodit etik dhe shkelje të të drejtave të njeriut. Duke bërë përpjekje për të kapitalizuar në situata ‘skandaloze’ të cilat mbërrijnë klikime të shumta; shumë portale tona lokale e kanë anashkaluar respektimin e dinjitetit njerëzor, duke e vendosur si më pak të rëndësishme sesa mbledhja e klikimeve, e rrjedhimisht e parave të fituara nga këto klikime. Kështu pra, rrjedhimisht, racizmi është integruar thellë në kulturën shqiptare.

Një element tjetër kulturor që kontribuon dhe vlen të përmendet është edhe përdorimi i stereotipeve raciste dhe paragjykuese në forma tjera mediale. Përmes skeçeve të ndryshme bëhet shaka me mënyrën e sigurimit të jetesës për anëtarë të komuniteteve, të cilët janë të detyruar të kryejnë punë të rënda me rreziqe shëndetësore (p. sh. mbledhja e mbeturinave për materiale të vlefshme për shitje).

Humori kosovar rrallëherë vlerësohet në mënyrë unanime nga të gjithë grupet shoqërore, sidomos kur disa prej këtyre skeçeve dhe humoreve bëjnë shaka në kurriz të grupeve të margjinalizuara. Këto skeçe me të drejtë vlerësohen si mungesë e kreativitetit, duke u varur në stereotipe të pabaza dhe paragjykime të padrejta për ta përçuar komedinë.

Të gjithë këta faktorë dhe shumë tjerë ilustrojnë qartë pabarazitë në shoqërinë tonë. Përkatësisht, normalizimin e racizmit dhe shpërfaqjen e tij në institucionet e Kosovës, në gjuhën tonë dhe produktet mediale që konsumojmë çdo ditë. Është përgjegjësi e qytetarëve të reflektojnë dhe veprojnë mbi situatat e krijuara dhe kontributin e gjithsecilit shqiptar të Kosovës në shtypjen shumëdimensionale, që pjesëtarët e grupeve të margjinalizuara përjetojnë. Nuk mjafton të themi se jemi kundër racizmit dhe të vazhdojmë të operojmë në mënyra diskriminuese dhe vetë të mos i sfidojmë ato. Kjo nënkupton se lufta kundër diskriminimit duhet të jetë diçka që ne e praktikojmë dhe tentojmë ta sfidojmë në të gjitha sferat e jetës, përfshirë përpjekjen kolektive për eliminimin e saj në institucionet kosovare.

Lexoni Gjithashtu

Disinfo

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Disinfo

Gjatë dy viteve të fundit, Kosova ishte cak i sulmeve kibernetike dhe kërcënimeve me bomba, që kishin për qëllim destabilizimin e vendit dhe krijimin...

Analizë

Memorandumi i mirëkuptimit midis Serbisë dhe BE-së, i nënshkruar më 19 korrik nën mbikëqyrjen e kancelarit gjerman, Olaf Scholz, e ka kristalizuar qasjen transaksionale...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.