Connect with us

Hi, what are you looking for?

Opinion

Roli i BE-së në Kosovë: Nuk ka të bëjë me paratë

Një nga çështjet që i kanë shqetësuar miqtë në Bruksel dhe kryeqytetet e tjera të BE është se si BE-ja nuk ka të njëjtin ndikim në Kosovë në krahasim me Sh.B.A., kur është një donator shumë më i madh për vendin. Këto deklarata nuk u dëgjuan kurrë më parë, sepse në praktikë në Kosovë të dy janë parë njësoj, të dy akterët shpesh kanë reaguar bashkërisht për një gamë të gjerë çështjesh, dhe shihen si partnerë jetikë për shtetësinë e Kosovës dhe të ardhmen e saj.

Vetëm nën IPA II, fondet indikative nga BE për Kosovën për periudhën 2014-2020 janë mbi 600 milionë euro. Përveç mbështetjes financiare, BE është partneri kryesor i qeverisë në mbështetjen e reformave sektoriale në kornizën e procesit të integrimit. Në nivelin burokratik BE është pa konkurrencë sa i përket qasjes, ndikimit dhe bashkëpunimit që ka me administratën vendore. Sa i përket nivelit politik, sidomos prej vitit 2011, Kosova ka qenë kryesisht duke shikuar kah Brukseli për udhëzime, me një çmim shumë të lartë politik për liderët vendorë, të cilët janë quajtur mes gjërave të tjera edhe tradhtarë ndërsa makinat e tyre janë sulmuar me domate.

Pra, nuk ka të bëjë me atë që BE ka më pak ndikim në Kosovë, por më shumë ka të bëjë me fushat ku kohët e fundit agjencia e saj është dobësuar. Më konkretisht kjo ka të bëjë me procesin e normalizimit të marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë. Çfarë ka ndryshuar? Duket se problemet e kohëve të fundit në marrëdhëniet transatlantike po imponohen padrejtësisht në marrëdhëniet BE-Kosovë, duke na nxitur në një farë mënyre të zgjedhim njërin prej tyre, gjë që është shumë e çuditshme. Në Dialogun e Brukselit Sh.B.A. ishte e pranishme gjatë gjithë kohës, madje u përdor nga Komisioni Evropian për të ushtruar ndikim mbi delegacionin e Kosovës për të pranuar kompromise, dhe kjo qasje kishte sukses. Sidoqoftë, muajt e fundit Kosova duket se ka shfrytëzuar një mundësi për të parandaluar strategjinë që “mungesa e zgjidhjes, është zgjidhje” në rastin e Kosovës të pranohet.

Është shumë e thjeshtë të thuhet se arsyet e telasheve të fundit në marrëdhëniet Kosovë-BE për ndërmjetësimin e dialogut kanë të bëjnë me pozicionin neutral të statusit të BE-së, sepse ekzistojnë pesë shtete anëtare që nuk e njohin pavarësinë e Kosovës. Sidoqoftë, situata nga këndvështrimi i Kosovës është më komplekse. Para së gjithash, ekziston një histori e dhimbshme e marrëdhënieve të rajonit me BE në lidhje me neutralitetin. Sipas Annemarie Peen Rodt dhe Stefan Wolff: “… përgjigja fillestare e Komunitetit Evropian (KE) ndaj krizës Jugosllave ishte të kërkonte të mbante shtetin Jugosllav të paprekur dhe në këtë mënyrë të përmbante problemin. […] KE mbështeti planin e Presidentit Milošević për të rindërtuar federatën Jugosllave brenda kufijve të saj ekzistues, dhe u përpoq të përdorte fuqinë e saj si një peshë e rëndë ekonomike për të ndërmjetësuar një marrëveshje paqeje duke ofruar ndihmë për ata që bashkëpunuan dhe duke kërcënuar ta ndalonte për ata që refuzuan.” (1) Kjo qasje e paqësimit drejt Millosheviqit dëmtoi seriozisht besueshmërinë e BE-së në sytë e akterëve vendas.

Neutraliteti ndaj statusit të Kosovës supozohet se nënkupton, që nuk është as për as kundër pavarësisë së Kosovës, por nga këndvështrimi i Kosovës në disa raste gjestet dhe praktikat e tjera nga ana e BE-së duket se tregojnë se neutraliteti ishte i njëanshëm. Shembulli më i fundit është takimi i Komisionerit për Fqinjësi dhe Zgjerim Z. Oliver Varhelyi me Presidentin serb Vuçiq ku shihet një libër propagandistik për Kosovën qëndron i ekspozuar në mënyrë transparente mes të dyve. Titulli i librit “Trashëgimia e Krishterë e Kosovës dhe Metohisë: Zemra historike dhe shpirtërore e popullit serb” mbart një mesazh të rëndësishëm politik, i ngjashëm me atë që është përhapur gjerësisht nga Millosheviqi, e që synon të portretizojë “luftën” e Serbisë me Kosovën si fetare dhe në mbrojtje të krishterimit, diçka që është absurde.  Duke pasur parasysh këtu gjithashtu faktin që kishat katolike shqiptare nuk u kursyen nga sulmet e koordinuara kundër trashëgimisë kulturore të Kosovës në vitet 1990 (p.sh., kisha e Shën Ndout në Gjakovë). Kjo ideologji vazhdon të nxisë grupet ekstremit të djathtë në Serbi dhe BE nuk duhet të shihet që pa dashje po validon pretendime të tilla.

Duke iu rikthyer pyetjes kryesore që diskuton ky artikull: çfarë i jep SHBA-së më shumë ndikim në Kosovë? Pra, nuk ka të bëjë me paratë. Bëhet fjalë për faktin që kosovarët ndjehen të refuzuar dhe të nënçmuar nga BE. Në kuadrin e procesit të liberalizimit të vizave, shumë kosovarë mendojnë se fakti që jemi të izoluar një dekadë, pasi të gjithë të tjerëve në rajon iu dha liberalizimi i vizave, përkundër faktit që kemi plotësuar dy herë më shumë kushte që u kërkuan nga vendet e tjera, është një shenjë se problemi aktual që disa shtete anëtare në BE mund të kenë me Kosovën ka të bëjë më shumë me stereotipet dhe paragjykimet.

Kjo nuk është një kritikë ndaj BE-së, por një apel për të kuptuar arsyet e situatës aktuale. BE mund të bëjë më shumë për të përmirësuar situatën. Arroganca nuk është përgjigjja e duhur. Forcimi i besueshmërisë në BE është thelbësore për procesin e transformimit demokratik të vendit.

Një pasazh nga libri i  “Identiteti Europian i Shqiptarëve” nga Ismail Kadare ofron një shënim të rëndësishëm për reflektim, si për akterët vendas ashtu edhe për BE-në: “Raportet me Europën s’mund të jenë veçse të qarta e pa dyfytyrësi. Mesazhi i Europës më 1997-ën dhe 1999-ën, ishte i qartë. Ajo na quante të vetët ashtu siç ishim, me atë identitet që kishim. E vetmja kërkesë e saj ishte ajo që iu bë gjithë popujve të tjerë të ish-Lindjes komuniste: emancipimi, demokracia”

——

(1) – Annemarie Peen Rodt and Stefan Wolff (2012) ‘EU conflict management in Bosnia and Herzegovina and Macedonia’, in The European Union as a Global Conflict Manager, 1st edition, eds. Richard Whitman and Stefan Wolff (Abingdon: Routledge, 2012), pp.138-139

Lexoni Gjithashtu

Disinfo

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Analizë

Memorandumi i mirëkuptimit midis Serbisë dhe BE-së, i nënshkruar më 19 korrik nën mbikëqyrjen e kancelarit gjerman, Olaf Scholz, e ka kristalizuar qasjen transaksionale...

Disinfo

Gjatë dy viteve të fundit, Kosova ishte cak i sulmeve kibernetike dhe kërcënimeve me bomba, që kishin për qëllim destabilizimin e vendit dhe krijimin...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.