Connect with us

Hi, what are you looking for?

Opinion

Vlerësimi i qëndrimeve të Kosovës në dialogun me Serbinë

Ka kaluar më shumë se një dekadë që nga fillimi i dialogut për normalizimin e gjithanshëm të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Ky proces është karakterizuar me dështime, tensione dhe sukses modest.

Dinamika e negociatave është diktuar kryesisht nga zhvillimet e brendshme politike dhe ndërkombëtare, me ç’rast Kosova dhe Serbia janë gjetur në qendër të vëmendjes të ngjarjeve politike europiane.

Dialogu Kosovë-Serbi ka përjetuar dinamika të ndryshme: nga ndryshimet në delegacionet e vendeve përkatëse, rinovimet e përfaqësuesve të lartë të BE-së dhe ndërmjetësuesve, marrëveshja në Washington D.C. me sponsorizim të ish-presidentit Donald Trump, deri te shfaqja e temave si korrigjimi i mundshëm i kufijve ndërmjet të dyja vendeve.

Pavarësisht trajektores së paqëndrueshme të dialogut, në dy vjetët e fundit janë vënë re disa faktorë të ndryshëm që kanë ndryshuar ecurinë e dialogut.

Tashmë Kosova qeveriset nga një shumicë e fuqishme, me Lëvizjen Vetëvendosje që ka marrë 50.7 % të votave në zgjedhjet e përgjithshme nacionale, një rezultat i paprecedent në historinë politike të Kosovës.

Kjo shumicë parlamentare ka siguruar që çështja e përfaqësimit të vullnetit politik në dialog nuk është më në pikëpyetje, për dallim nga qeveritë e kaluara. Si rezultat, ky element i ofron kryeministrit Kurti legjitimitet të plotë në negociata.

Një zhvillim tjetër i rëndësishëm është koordinimi aktual transatlantik BE-ShBA, që është në nivel shumë më të mirë sesa gjatë administratës së Donald Trump.

Kësisoj, Kosova nuk gjendet në pozicione ‘zgjidh e merr’, siç ishte në periudhën 2018-2020. Ky koordinim i shërben pozitivisht dialogut dhe veçanërisht pozicionit kosovar në dialog.

Së treti, lufta në Ukrainë ka ndryshuar peizazhin gjeopolitik dhe paradigmën e stabilitetit në Europë. Në këtë drejtim, nevoja për shuarjen e konflikteve të ngrira dhe mospërsëritja e skenarëve të ngjashëm mbetet imperative për Perëndimin, gjë që shton nevojën për një zgjidhje përfundimtare mes Kosovës dhe Serbisë.

Duke marrë për bazë rrethanat aktuale, Hulumtimi i Grupit për Studime Juridike dhe Politike argumenton se pozicioni aktual i Kosovës në dialog është parimor.

Ky pozicionim ka rezultuar i suksesshëm në rastin e vendosjes së reciprocitetit në çështjen e targave dhe kartave të identitetit, por në anën tjetër ka krijuar pakënaqësi dhe bllokadë në rastin e implementimit të marrëveshjes për themelimin e Asociacionit të Komunave me shumicë Serbe (AKS).

Përgjithësisht, kryefjala e qeverisë Kurti në këtë proces ka qenë reciprociteti me Serbinë. Një parim tjetër që Qeveria Kurti po e ndjek në proces është kornizimi i dialogut drejt marrëveshjes finale dhe jo te marrëveshjet e tjera.

Sidoqoftë, ka disa marrëveshje që janë rinegociuar nga e kaluara, duke përfshirë targat, energjinë dhe personat e zhdukur. Përparim i dukshëm është arritur me marrëveshjen e përkohshme për targat, përmes së cilës u vendos një regjim ngjitësish dhe u garantua liria e lëvizjes.

Tutje, parimi i tretë që Kosova është duke ndjekur në dialog është se asgjë nuk mund të përfshihet në marrëveshjen përfundimtare, e cila vë në pikëpyetje sovranitetin, integritetin territorial e funksionalitetin e institucioneve shtetërore të Kosovës.

Së katërti, Kosova ka refuzuar çdo përpjekje për të pranuar formimin e AKS-së – premtim elektoral i LVV-së – përkundër vendimit të Gjykatës Kushtetuese dhe presionit publik nga përfaqësuesit e BE-së.

Racionalja e mospropozimit të ndonjë alternative për statutin e AKS-së, sipas Qeverisë, qëndron në faktin që Asociacioni praktikisht me vendimin e Gjykatës Kushtetuese është shndërruar në një organizatë joqeveritare (OJQ). Rrjedhimisht, Qeveria nuk themelon OJQ.

Në anën tjetër, është e rëndësishme të thuhet që dialogu tash e një dekadë po karakterizohet nga e ashtuquajtura ‘paqartësi konstruktive’ (‘constructive ambiguity’) nga BE-ja, qasje e cila e shteroi vetveten dhe nuk ishte në gjendje të arrinte një marrëveshje.

Pozicionet e ngurta të të dyja palëve në negociata dhe dështimi i BE-së për të krijuar stimuj për përparim të konsiderueshëm e kanë penguar procesin, i cili më pas u shoqërua me periudha ngërçi.

Në vlerësimin e qasjes së Qeverisë Kurti mund të nxjerrim përfundimin se Kosova ka qenë proaktive në proces dhe e angazhuar në mënyrë aktive në çështjet që kanë të bëjnë me dialogun.

Mund të thuhet se ka një diskurs të ri nga qeveria e Kurtit, diskurs i cili e  njeh rëndësinë e madhe që ka dialogu me Serbinë, por në të njëjtën kohë po ndërtohet një ligjërim i ri nga Qeveria Kurti, që dialogun e sheh në kuadër të ndërtimit të marrëdhënieve të mira fqinjësore me Serbinë si dy shtete të barabarta, e jo si proces që është i ndërlidhur me ekzistencën e shtetësisë së Kosovës.

Lexoni Gjithashtu

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Çelnaja

Në episodin e 30 të Çelnajës, së bashku me profesorin e antropologjisë Nebi Bardhoshin, trajtojmë disa koncepte me rëndësi që janë pjesë e korpusit...

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Analizë

Memorandumi i mirëkuptimit midis Serbisë dhe BE-së, i nënshkruar më 19 korrik nën mbikëqyrjen e kancelarit gjerman, Olaf Scholz, e ka kristalizuar qasjen transaksionale...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.