Në Samitin e Paqes dhe Demokracisë kërkohet nga Kosova dhe Serbia që të arrijnë nomalizimin e plotë të marrëdhënieve
Prishtinë, 21-22 shtator, 2022: Tre organizata të shoqërisë civile nga Kosova, Sbunker, New Social Initiative (NSI) dhe Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë (QKSS), me përkrahje të Atlantic Council dhe me mbështetjen bujare të National Endowment for Democracy (NED) dhe Rockefeller Brothers Fund (RBF), ka organizuar edicionin e parë të Samitit të Paqes dhe Demokracisë [Kosovo Peace and Democracy Summit – KPDS] më 21 dhe 22 shtator. Qëllimi i Samitit ishte qe të ndihmojë në krijimin e rrethanave pë normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë, që konsiderohet parakusht për zhvillim dhe integrim europian të Ballkanit Perëndimor.
Agon Maliqi, kryetar i bordit të Sbunkerit, shpjegoi në fjalimin hyrës arsyet e përzgjedhjes së kësaj teme për edicionin e parë të KPDS-së: “E para, ky është moment kyç në sigurinë europiane duke marrë parasysh luftën në Ukrainë. Kjo ndikon tek të gjithë ne dhe e bën adresimin e problemeve tona rajonale edhe më të rëndësishëm dhe urgjent. Ky nuk është problem që largohet, por i cili me gjasë do të përkeqësohet njëherë para se të bëhet më mirë. E dyta, është ndjenja jonë e përgjegjësisë për të bërë diçka si shoqëri civile që të adresojmë këto probleme.”
Jovana Radosavljeviq, drejtore ekzekutive e NSI-së, deklaroi se sektori i shoqërisë civile është ndër të paktët sektorë të shëndetshëm të marrëdhënieve serbo-shqiptare, por se bashkëpunimi nuk është pa sfida, dhe se NSI-ja punon për të krijuar ambientin për diskutime të sinqerta në të cilat nuk ka tabu dhe bën dallimin mes shtytjeve emocionale dhe dredhive politike. Për më tepër, ajo tha se është e rëndësishme për procesin e dialogut që të ketë mirëkuptim dhe të merren parasysh çështjet që ndikojnë në jetën e komuniteteve, dhe veçanërisht, në këtë rast, komunitetin serb: “Kjo është me rëndësi të veçantë sepse, mes të tjerash, procesi i dialogut në Bruksel e ka zhveshur komunitetin serb të Kosovës nga përfaqësimi politik. Mund të themi se ajo çfarë kemi dashur të themi nuk është marrë gjithmonë për bazë, por se jemi ndjerë se jemi dëgjuar dhe deri në një pikë – me ndikim. Kjo na shtyu që të vazhdojmë tutje, dhe kjo është arsyeja pse jemi këtu sot.”
Mentor Vrajolli, drejtor ekzekutiv i QKSS-së, deklaroi se “qëllimi ynë me këtë Samit është që të lehtësojmë dhe të ndërtojmë dialog publik dhe rajonal rreth sfidave dhe mundësive për të mirëmbajtur paqen dhe demokracinë në shoqëritë tona.” Tutje, Vrajolli tha se shoqëria civile kërkon zgjidhje të mosmarrëveshjeve dypalëshe në rajon, dhe “posaçërisht duam të shohim një zgjidhje të qëndrueshme të mosmarrëveshjeve mes Kosovës dhe Serbisë, dhe ne jemi të gatshëm që të ndihmojmë në arritjen e këtij qëllimi që të përafrojmë vendet tona me Bashkimin Europian”.
Në një fjalim për KPDS-në, Manuel Sarrazin – përfaqëues i posaçëm për vendet e Ballkanit Perëndimor i qeverisë gjermane – tha se “e kaluara dhe e tashmja e rajonit është e lidhur me premtimin europian dhe të gjitha përpjekjet tona shkojnë në favor të kësaj ideje”. Cynthia Cook, zëvendesshefe e politikës në ambasadën e SHBA-së në Kosovë, vërejti se “Ukraina ka krijuar një ndjenjë të urgjencës. Ne vazhdojmë të përkrahim dialogun e ndërmjetësuar nga BE- ja që bazohet në njohje të ndërsjellë. Integrimi europian do të sjellë më shumë mundësi për të dy vendet.” Në një bashkëbisedim me Maja Pisçeviqin nga Atlantic Council, Damon Wilson, president dhe drejtor ekzekutiv i NED-it, tha se “tash më shumë se asnjëherë, është kohë për lëvizje të guximshme, për të konsoliduar të ardhmen e shoqërive të Ballkanit Perëndimor”.
Gjatë dy ditëve të KPDS-së, u prezentua një punim i përgatitur nga NSI-ja dhe i bazuar në kontributin e 13 ekspertëve, në lidhje me katër skenarët e mundshëm për një marrëveshje të mundshme të paqes mes Kosovës dhe Serbisë deri në vitin 2027, punim i cili u përmblodh nga autorët Shpetim Gashi dhe Jovana Radosavljeviq. Qëllimi i këtij punimi ishte që të shqyrtojë skenarë të mundshëm të marrëdhënieve Kosovë-Serbi dhe të nxisë debat publik lidhur me supozimet kryesore që kërkohen për t’i sjellë këto marrëdhënie në vendin më të mirë të mundshëm dhe të tërheqë vëmendjen për ata skenarë që do të çonin në drejtimin e kundërt. Paneli qe i përbërë nga Blerim Shala, ish koordinator i Dialogut të Brukselit në zyrën e Presidentit të Kosovës, Sonja Licht, president e Fondaciont BFPE për Shoqëri të Përgjegjshme, dhe Damir Marusic nga Atlantic Council. Punimin mund ta shkarkoni këtu – https://newsocialinitiative.org/kosovo-serbia-by-2027-four-most-likely-scenarios/
Në një sesion tjetër u diskutua punimi “Perspektivat e hyrjes së Ballkanit Perëndimor në BE pas luftës në Ukrainë” i përgatitur nga Labinot Hoxha, nga një panel i përbërë nga Odeta Barbullushi, këshilltare e kryeministrit të Shqipërisë, Simonida Kacarska, drejtore e Institutit për Politika Europiane në Shkup, dhe Srdjan Majstorovic, kryetar i bordit të Qendrës për Politika Europiane në Beograd. Punimin mund ta shkarkoni këtu – https://sbunker.net/publikimet-organizata/91493/the-western-balkans-eu-accession-perspective-after-the-war-in-ukraine/
Paneli i fundit i ditës së parë të KPDS-së u përqendrua te “Zgjidhja e mosmarrëveshjeve dypalëshe rajonale: Ndryshimi i narrativës prej riskut te mundesitë”, i cili nisi me prezentimin e punimit të Sbunkerit “Kostot e mundësive të ngërçit Kosovë-Serbi” të përgatitur nga Marko Savkoviq dhe Bernard Nikaj. Në panel morën pjesë Ditmir Bushati, ish ministër i jashtëm i Shqipërisë, Nikola Dimitrov, ish zëvendëskryeministër i Maqedonisë së Veriut, Jovana Maroviq, zëvendëskryeministre e Malit të Zi, dhe Visar Ymeri, drejtor i Institutit për Politika Sociale “Musine Kokalari”. Punimin mund ta shkarkoni këtu –https://sbunker.net/publikimet-organizata/91494/opportunity-costs-of-the-kosovo-serbia-stalemate/
Dita e dytë e KPDS-së nisi me një diskutim mbi rolin e shoqërisë civile në parandalimin e konfliktit, dhe me prezentimin e punimit të Sbunkerit të titulluar “Identifikimi dhe analiza e mekanizmave institucionalë dhe nismave të shoqërisë civile që synojnë të parandalojnë mundësinë e konflikit” të përgatitur nga Ramadan Ilazi dhe Teuta Avdimetaj dhe i cili shqyrton institucionet dhe praktikat qeveritare dhe të shoqërisë civile që mundësojnë uljen e tensioneve ndëretnike në Kosovë, Maqedoni të Veriut dhe Serbi. Diskutimi mbi këtë temë u moderua nga Zana Cimili, korrespondente e N1, ndërkaq në panel ishin Belgzim Kamberi nga Instituti “Musine Kokalari”, Vlora Reçica nga Instituti për Demokraci në Maqedoninë e Veriut, dhe Sofija Todoroviq nga Nisma e të Rinjve për të Drejtat e Njeriut në Serbi. Punimin mund ta shkarkoni këtu – https://sbunker.net/publikimet-organizata/91492/mapping-and-analyzing-institutional-mechanisms-and-civil-society-initiatives-aimed-at-disrupting-conflict-potential/
Samiti i Paqes dhe Demokracisë (KPDS) u përmbyll me një deklaratë të përbashkët që i bën apel Kosovës dhe Serbisë që të normalizojnë marrëdhëniet dhe të promovojnë bashkëpunimin rajonal.