Connect with us

Hi, what are you looking for?

Analizë

Çka kemi mësuar? E ardhmja e “e-learning” në Kosovë

Tashmë dy vjet në pandemi dhe mësimdhënësit e Kosovës ende përballen me vështirësi të angazhimit të nxënësve në mësimin digjital apo “e-learning”. Politikëbërësit janë duke e marrë parasysh këtë çështje dhe kuptojnë se mjetet në dispozicion të mësimdhënësve janë të mangëta. Përderisa kështu mendojnë edhe shumë njerëz të fushës, është me rëndësi të kuptohet se cila është perspektiva e vetë mësimdhënësit për rolin e “e-learning” në procesin mësimor. Kësaj pyetjeje ka tentuar t’i përgjigjet Qendra e Kosovës për Arsim në Distancë (KCDE), me ç’rast, në fillim të këtij viti, organizata u kërkoi mësimdhënësve të përshkruanin se si mësimi në distancë ndikoi në punën e tyre në raport me nxënësit. Gjetjet treguan se për të përfituar maksimalisht nga e-learning duhet krijuar një mjedis i favorshëm i të mësuarit. Kështu, meqë digjitalizimi i sektorit ka marrë vëmendje në Prishtinë, zyrtarët duhet të gjejnë kohë për të menduar se si mësimi online mund t’i shërbejë më mirë shoqërisë në të ardhmen.

Për sa u përket sfidave të mësimdhënësve në Kosovë me mësimin online, shumica shprehen se mungesa e pajisjeve ishte një prej sfidave kryesore. Megjithatë, mungesa e burimeve të shfrytëzueshme nuk ishte problemi i vetëm. Prej rreth 200 mësimdhënësve të anketuar nga KCDE, *46 kanë deklaruar se mosinteresimi i nxënësve ua ka vështirësuar punën. Kjo do të thotë se një e katërta e mësimdhënësve të anketuar menduan se nuk mund të tërhiqnin vëmendjen e nxënësve të tyre gjatë mësimit online. KCDE mendon se këto rezultate nuk janë befasuese meqë të shpenzuarit tërë ditën në Zoom ose Hangouts mund të zbehë entuziazmin në orë mësimore. Kjo njëherësh tregon se mësimi online është i limituar në video-konferenca dhe zyrtarët në Prishtinë ende nuk e kanë konkretizuar zgjerimin e përkufizimit të tyre për mësimin online apo “e-learning”. Përshtatja e një strategjie tjetër, si p.sh. mësimi përmes lojërave apo “gamifikimi”, ose personalizimi i kurrikulave, mund të ndihmojë në përmirësimin e rezultateve të të nxënit.

Pa menduar në mënyrë kreative, politikëbërësit nuk do të jenë në gjendje t’i korrin përfitimet e këtij formati mësimi.

Problemet me “e-learning” shkojnë përtej përqendrimit të nxënësve. Kur mësimdhënësit u pyetën se çfarë nuk u pëlqen nga eksperienca me mësimin online, ata theksuan varësinë në teknologji, e cila ul nivelin e interaktivitetit në klasë. Angazhimi i mangët dhe mospërfillja nga nxënësit është përmendur mjaft shpesh si një sfidë e hasur nga mësimdhënësit. Mirëpo, dihet se në rastin më të mirë nxënësit përfitojnë nga programet për “e-learning”, pasi teknologjitë bëhen një mjet me të cilin ata mund t’i shfaqin aftësitë e tyre në mënyrë kreative pa u varur në teste dhe detyra. Rezultatet e deritashme tregojnë se zgjidhjet e propozuara nuk janë të mjaftueshme për implementimin e mësimit online sipas standardeve bashkëkohore. Edhe pse rezultatet nga ky hulumtim janë të kuptueshme, duke konsideruar kufizimet e krijuara nga pandemia, të gjithë akterët relevantë të fushës së arsimit kanë të drejtë të presin më shumë nga qeveria. Teknologjitë duhet të integrohen në arsim në një mënyrë që e bën mësimin më dinamik, duke e shtyrë procesin e digjitalizimit në Kosovë.

Duke marrë parasysh problemet me mësimin online, shumë në këtë sektor pyesin veten se çfarë mund të bëhet për të përmirësuar përvojat e mësimdhënësve dhe nxënësve. Rezultatet nga sondazhi theksojnë nevojën për ndryshim, pasi të anketuarit renditën rekomandime të cilat variojnë nga përfshirja e mësimeve të përziera “hibride”, deri te përmirësimi i infrastrukturës digjitale. Megjithatë, një sugjerim që u përmend nga shumica të anketuarve, më saktësisht nga rreth 57.4% e individëve të përfshirë në studim, ishte trajnimi mbi metodat e mësimit online apo “e-learning”.

Nga këto rezultate fillestare mund të nxirren përfundimet në vijim:

1.Kriza e paprecedent ka krijuar nevojën emergjente për përkrahjen e mësimdhënësve në përdorimin e teknologjisë dhe mësimit online.

2.Nevojat mësimdhënësve për ngritjen e shkathtësive rreth mësimit online shkojnë përtej atyre bazike (si ngarkimi i materialeve në platforma online).

Me fjalë të tjera, një trajnim i strukturuar që inkurajon përdorimin e programeve për “e-learning” është zgjidhje duhur.

Nga këtu e tutje, pyetja mbetet se a do të mund politikëbërësit të mendojnë “përtej kornizave”, përderisa përpiqen të përhapin “e-learning” apo zgjidhjet digjitale gjithandej? Aktualisht, duket se liderët të cilët po merren me këtë çështje po lëvizin në drejtimin e duhur. Për shembull, është formuar një grup punues, i udhëhequr nga figura kyçe në Ministrinë e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MASHTI), për të diskutuar se si të digjitalizohet në mënyrë efektive sektori i arsimit. Pavarësisht vëmendjes që ka marrë mësimi online nga udhëheqësit në qeveri, mbetet për t’u parë nëse do të ndryshojë qasja ndaj mësimit online.

Qeveria duhet të mendojë për mënyrat se si këto teknologji mund të tërheqin vëmendjen e nxënësve dhe se si mund ta bëjnë mjedisin e të mësuarit më dinamik. Në mënyrë kritike, investimet në trajnime specifike do të ndihmonin në realizimin e këtyre synimeve. Situata me pandeminë i ka dhënë Kosovës mundësinë për të menduar se si mësimi online ose “e-learning” mund të angazhojë dhe frymëzojë nxënës nga të gjitha sferat e jetës.

Ky Oped është shkruar në kuadër të projektit “Avokimi për integrimin digjital në sistemin arsimor”, implementuar nga KCDE, si pjesë e programit “Rritja e Angazhimit Qytetar në Agjendën Digjitale – ICEDA” financuar nga Bashkimi Evropian – BE dhe zbatuar nga Fondacioni Metamorfosis (Maqedoni), Open Data Kosova (Kosovë), Akademia e Qeverisjes (Estoni), CRTA – Qendra për Kërkim, Transparencë dhe Përgjegjësi (Serbi), OJQ 35mm (Mali i Zi) dhe Lëvizja Mjaft! (Shqipëri).

*Të dhënat e këtij edicioni janë nxjerrë nga “Vlerësimi i matshëm i nevojave të mësimdhënësve rreth mësimit në distancë”, realizuar nga Qendra e Kosovës për Arsim në Distancë (KCDE).

Lexoni Gjithashtu

Disinfo

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Analizë

Memorandumi i mirëkuptimit midis Serbisë dhe BE-së, i nënshkruar më 19 korrik nën mbikëqyrjen e kancelarit gjerman, Olaf Scholz, e ka kristalizuar qasjen transaksionale...

Disinfo

Gjatë dy viteve të fundit, Kosova ishte cak i sulmeve kibernetike dhe kërcënimeve me bomba, që kishin për qëllim destabilizimin e vendit dhe krijimin...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.