Connect with us

Hi, what are you looking for?

Disinfo

Bojkoti, vazhdim i “status quo-së”

Foto: Komuna e Zubin Potokut
Foto: Komuna e Zubin Potokut

Dështimi i iniciativës për largimin e kryetarëve shqiptarë pas bojkotimit të procesit nga serbët në veri është vazhdim i “status quo-së” në hapësirën që dy vitet e fundit e karakterizuan tensionet e dhuna. Votimi pro do t’u hapte rrugën serbëve që t’i zgjedhin përfaqësuesit e tyre legjitimë, një vit pasi vendosja e kryetarëve shqiptarë në këto komuna nxiti protesta në veri.

Nga 45 mijë votues me të drejtë vote në katër komunat veriore, vetëm 253 prej tyre votuan. Madje, në njërën prej komunave, atë të Zveçanit, nuk pati asnjë votues.

Për t’u konsideruar i vlefshëm shkarkimi i kryetarëve, nevojitej pjesëmarrja e mbi 50 për qind e votuesve.

Të udhëhequr nga partia më e madhe e serbëve e cila mbështetet zyrtarisht nga pushteti në Beograd, në janar të këtij viti, mijëra qytetarë nga katër komunat e veriut nënshkruan peticionin për organizimin e votimit për shkarkimin e kryetarëve në Mitrovicën e Veriut, Zveçan e Leposaviq.

Por, dy javë para votimit, Lista Serbe iu kthye bojkotit, duke përmendur si arsye vendimet që thelluan pakënaqësisë e tyre. Kjo u shoqërua edhe me narrativën konstante të muajve të fundit se Qeveria e Kosovës ka nisur një fushatë për spastrim etnik në veri.

Sipas Listës Serbe, që prej ardhjes së Qeverisë Kurti në pushtet, rreth 15 për qind e serbëve janë larguar nga veriu, shifër kjo që nuk është konfirmuar edhe nga institucionet zyrtare.

Numri i saktë i serbëve të larguar nga veriu vitet e fundit do të mund të bëhej pas përfundimit të regjistrimit të popullsisë, i cili po vazhdon. Por, Lista Serbe do ta bojkotojë edhe këtë proces, duke ua kërkuar të njëjtën qytetarëve serbë. Sipas Listës Serbe, pjesëmarrja vetëm sa do t’ia konfirmonte “suksesin” Qeverisë Kurti në dëbimin e serbëve nga Kosova.

Regjistrimi i fundit është mbajtur në vitin 2011, proces i realizuar nga komunat dhe jo sikurse tash nga Agjencia e Statistikave. Edhe atëbotë procesi ishte bojkotuar nga komunat me shumicë serbe në veri, si dhe komunat e Graçanicës dhe Shtërpcës në jug, që po ashtu popullohen kryesisht me serbë.

Arsye tjetër që u përmend nga Lista Serbe pas vendimit për bojkot është hyrja në fuqi e Rregullores së BQK-së që e ndalon dinarin si monedhë për operacione me para të gatshme. Megjithëse Kosovës iu njoh e drejta për vendosjen e ligjshmërisë në realizimin e transaksioneve financiare, shqetësimi ka të bëjë me ndikimin e rregullores veçanërisht për shkollat dhe spitalet, ku një zgjidhje alternative për momentin nuk duket e zbatueshme.

Të dështuara rezultuan përpjekjet e Brukselit që t’i japë zgjidhje kësaj çështjeje para votimit për shkarkimin e kryetarëve, edhe pse u mbajtën pesë takime mes Kosovës dhe Serbisë.

Dështimi i bojkotit bëri që dy kryetarët nga radhët e PDK-së, të cilët e ushtronin mandatin e tyre nga zyrat alternative, të zhvendosen në objektet komunale. Rikthimi i tyre dhe këshilltarëve komunalë kaloi pa zhurmë, ndryshe nga viti i kaluar kur tentimi i tyre për t’u futur në Komunën e Zveçanit dhe atë të Zubin Potokut ishte shoqëruar me protesta të dhunshme nga të cilat e pësuan pjesëtarë të Policisë së Kosovës, KFOR-it dhe gazetarë.

Zgjedhjet e reja në veri ishin pjesë e dakordimit mes Qeverisë së Kosovës dhe Bashkimit Evropian për shtensionimin e situatës. Megjithatë, rruga që vendosi Qeveria përmes peticionit nuk ishte e duhura për ndërkombëtarët që kërkonin dorëheqjet e kryetarëve shqiptarë.

Edhe pse Qeveria konsideron se iu përgjigj shqetësimeve të ndërkombëtarëve, për BE-në epilogu dështues i këtij procesi nuk i kontribuon shtensionimit. BE-ja e ShBA-ja shprehën keqardhje që serbët në veri humbën mundësinë për të ushtruar të drejtën e tyre të zgjedhin kryetarë komunash që do të ishin vërtet përfaqësues. Edhe pse situata në veri mbetet e qetë, potenciali për shpërthim të tensioneve është i madh dhe kjo nuk mohohet as nga zyrtarët qeveritarë. Madje, zëvendëskryeministri Besnik Bislimi, për një medium nga Ukraina, tha se “duhet të jemi gati për më të keqen”.

raportin vjetor të Zyrës së Drejtorit të Inteligjencës Kombëtare Amerikane (ODNI) përmendet rreziku për rritje të dhunës ndëretnike në Ballkanin Perëndimor.

Sipas raportit, liderët nacionalistë “ka të ngjarë të përkeqësojnë tensionet për avantazhet e tyre politike”, ndërsa akterët e jashtëm kërcënojnë të “përforcojnë dhe shfrytëzojnë dallimet etnike” për ta ruajtur ndikimin e tyre në rajon dhe për ta penguar integrimin e vendeve të Ballkanit Perëndimor në strukturat euroatlantike.

Raporti përmend edhe, siç i quan, “përleshjet mes nacionalistëve serbë dhe policisë kosovare vitin e kaluar, që çuan në vdekje dhe lëndime, përfshirë lëndimin e paqeruajtësve të NATO-s”.

Pas sulmit terrorist në Banjskë, KFOR-i shtoi trupat dhe rriti patrullimet përreth kufirit me Serbinë, për të parandaluar ndonjë sulm tjetër. NATO vazhdon të mbetet prezenca më e besueshme ndërkombëtare në vend, e cila nuk kontestohet as nga serbët, as nga shqiptarët.

Hapi i parë që Qeveria e Kosovës ia kërkoi BE-së pas dështimit të iniciativës për t’i larguar kryetarët shqiptarë ishte heqja e masave sanksionuese të cilat u vendosën pas tensioneve të vitit të kaluar.

Por, zyrtarë të BE-së thanë se Këshilli Evropian do ta diskutojë këtë çështje pas raportit të përfaqësuesit të lartë mbi përmbushjen e kërkesave. Me gjithë insistimin e Qeverisë, vendimmarrja e BE-së nuk u vë në lëvizje pasi masat ende shihen si mjet presioni ndaj Qeverisë në përmbushjen e obligimeve për shtensionimin e situatës.

*Ky artikull publikohet në kuadër të Iniciativës Rajonale të Ballkanit Perëndimor kundër dezinformimit. “Qendra kundër dezinformatave në Ballkanin Perëndimor: ekspozimi i ndikimeve keqdashëse përmes gazetarisë mbikëqyrëse.”

Lexoni Gjithashtu

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Çelnaja

Në episodin e 30 të Çelnajës, së bashku me profesorin e antropologjisë Nebi Bardhoshin, trajtojmë disa koncepte me rëndësi që janë pjesë e korpusit...

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Analizë

Memorandumi i mirëkuptimit midis Serbisë dhe BE-së, i nënshkruar më 19 korrik nën mbikëqyrjen e kancelarit gjerman, Olaf Scholz, e ka kristalizuar qasjen transaksionale...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.