Connect with us

Hi, what are you looking for?

Debunking

Daçiqi keqinformoi se nuk pati urdhërarrest ndaj Hajrizit, Policia ishte në kërkim të tij

Rasti i të arratisurit nga Kosova, Faton Hajrizi i cili u vra të premten e kaluar në Serbi, pasi paraprakisht kishte vrarë një polic serb dhe plagosur një tjetër, vazhdon të nxisë reagime e akuza nga zyrtarë serb. Ministri i Brendshëm i Serbisë, Ivica Daçiq ka vijuar me paraqitjet në televizionet e Serbisë ku ka keqinformuar lidhur me veprimet e ndërmarra pas arratisjes së Hajrizit nga burgu, i dënuar për disa vepra penale. 

Pasi implikoi strukturat e Kosovës për kinse planifikim në vrasjen e policit serb, ministri Daçiq në intervistat dhënë dy televizioneve serbe, “Blic” dhe “Kurir”, deklaroi se ndaj Hajrizit nuk ka pasur një fletarrest, rrethanë kjo që sipas tij, ia ka mundësuar atij të tentojë ikjen përmes territorit të Serbisë. 

Intervista e Daçiqit në “Kurir”

Ne nuk bashkëpunojmë me policinë e Kosovës sepse nuk e njohim Kosovën si shtet të pavarur. Bashkëpunimin policor e arrijmë përmes EULEX-it dhe organizatat tjera policore që kanë zyrat e tyre. Çfarë ndodhi atje, pse, kur ai iku? Ata u përgjigjën se nuk ishte lëshuar asnjë urdhër. Për të nuk është lëshuar asnjë urdhër”, tha Daçiq, pa sqaruar se për çfarë urdhri ka aluduar. 

Pas arratisjes së Hajrizit nga Qendra Korrektuese në Smrekonicë të Vushtrrisë, Policia e kishte shpallur atë në kërkim duke kërkuar edhe ndihmën e qytetarëve për ta zbuluar vendndodhjen. Përmes një njoftimi publik me datën 6 korrik, Policia pati publikuar edhe informacione mbi identitetin e Hajrizit, krahas kërkesës për bashkëpunim në arrestimin e tij. 

Policia e Kosovës-Drejtoria Rajonale e Policisë në Mitrovicën e Jugut, me autorizimin të prokurorit të  Prokurorisë Themelore në Mitrovicë,  është autorizuar të publikoj fotografinë e  të arratisurit të poshtë shënuar me shpresë se në bashkëpunim me mediat dhe qytetarët do të bëhet e mundur lokalizimi dhe arrestimi i personit  të shpallur në kërkim. Policia e Kosovës kërkon nga qytetarët e Republikës së Kosovës që për çdo informatë që ndërlidhet me personin në kërkim apo vendndodhjen e tij, të lajmëroj Policinë e Kosovës”, thuhej në njoftimin e Policisë.

Njoftimi i PK-së për shpalljen në kërkim të Hajrizit

Në të njëjtën intervistë për mediat serbe, Daçiqi, e ka përdor si argument politik atë se Hajrizi “po trajtohet si hero në Kosovë”, tek përmendi edhe UÇK-n për të shtuar se ndërmarrja për vrasjen e policëve serb ka qenë shumë më e gjerë. Por ai nuk ka ofruar fakte të cilat do ta implikonin përfshirjen e strukturave të Kosovës. 

Ai nuk erdhi me një çantë udhëtimi, por me një armë dhe dy karikaotër. Ai po përgatitej të bënte një punë të vështirë. Kur sulmohen institucione si policia, është akt terrorist. Cili është qëllimi i tij, ai donte të vriste më shumë policë, ndoshta do të vriste edhe civilë”, tha Daciq. 

Në linjë me këtë, edhe mediat serbe u kanë dhënë hapësirë profileve në rrjete sociale që kanë glorifikuar dhe i kanë kushtuar këngë Hajrizit pas vrasjes së policit serb. 

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka ftuar qytetarët që të mos bien pre e euforisë së heroizimit dhe romantizmit të Faton Hajrizit, tek kërkoi  hetim vendor e ndërkombëtar për të qartësuar gjithçka që ndodhi me Faton Hajrizin, që nga ikja drejt Serbisë deri në vrasjen e raportuar të tij.

Më 6 korrik, Faton Hajrizi u arratis nga Burgu i Smrekonicës. Kjo ishte hera e nëntë që ai arratiset nga burgjet në Kosovë, ndërsa pothuajse gjatë tërë periudhës së pasluftës ka qenë në burg. Hajrizi fillimisht ishte dënuar për vrasjen e një ushtari rus në Skënderaj dhe më pas për një numër tentim-vrasjesh e grabitjesh të armatosura. Cak i sulmeve të tij kanë qenë edhe policë të Kosovës. Pas arratisjes së fundit nga Burgu i Smrekonicës, ai paraqitej në rrjetet sociale duke përqeshur e akuzuar qeveritarët e Kosovës.

*Ky artikull publikohet në kuadër të Iniciativës Rajonale të Ballkanit Perëndimor kundër dezinformimit. “Qendra kundër dezinformatave në Ballkanin Perëndimor: ekspozimi i ndikimeve keqdashëse përmes gazetarisë mbikëqyrëse.”

Lexoni Gjithashtu

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Çelnaja

Në episodin e 30 të Çelnajës, së bashku me profesorin e antropologjisë Nebi Bardhoshin, trajtojmë disa koncepte me rëndësi që janë pjesë e korpusit...

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Analizë

Memorandumi i mirëkuptimit midis Serbisë dhe BE-së, i nënshkruar më 19 korrik nën mbikëqyrjen e kancelarit gjerman, Olaf Scholz, e ka kristalizuar qasjen transaksionale...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.