Connect with us

Hi, what are you looking for?

Analizë

Ndikimi i pandemisë COVID-19 në arsim dhe shëndetin mendor të fëmijëve

Ilustrimi nga: BigEye

Një nga problemet më të mëdha që ka shkaktuar pandemia COVID-19 ka qenë menaxhimi i situatave në mënyrë vetmitare. Kur them vetmitare, nuk e kam fjalën të jesh thjesht i vetëm në një dhomë, por të jesh i vetëm në vijimin e mësimeve në këtë rast, meqë e kemi të ngulitur se të mësosh është praktikë kolektive dhe publike.

Instalimi i një mediumi i cili është ndërmjetës i mësuesit e nxënësit – në këtë rast platformat e ndryshme virtuale të cilat kanë mundësuar këtë realitet – ka dëshmuar disa gjëra. Së pari, nuk duhet të jesh domosdoshmërisht i pranishëm fizikisht që të jesh nxënës. Së dyti, mësimi online ka transformuar konceptimin tonë të kohës që duhet të kalojmë në institucione arsimore. Ndonëse kjo mund të shpjegohet përmes shkollave të ndryshme të mendimit si Funksionalizmit Strukturor: ideja që shkolla, përveç si institucion që ka për detyrë t’i aftësojë nxënësit në fusha të ndryshme shkencore e shoqërore përmes dijes e shkathtësive, po ashtu ka për detyrë të na mësojë socializimin.

Ndërkaq, vitin e kaluar, socializimi ka kaluar në një proces ”kriminalizimi”. Distanca sociale ka qenë një nga fjalitë që kemi dëgjuar më së shpeshti, prandaj kthimi në shkollë ka rezultuar në një çarje mes asaj se si duhet t’i përshtatemi realitetit të ri dhe njëkohësisht të mos e harrojmë realitetin e vjetër. Pritej që nxënësit të ktheheshin në normalitet pa procesin e normalizimit. Ky proces i normalizimit është i lidhur drejtpërdrejt me gjendjen e shëndetit mendor të fëmijëve në shkollat ​​e Kosovës.

Por, shëndeti mendor vazhdon të mos trajtohet në shkollat tona. Stigmatizimi i vazhdueshëm i kësaj teme, që vjen si pasojë e mosdiskutimit publik, ndikon drejtpërdrejt në mënyrën se si trajtohet kjo temë në institucionet arsimore. Ata që janë përgjegjës në prodhimin e kurrikulës nacionale dhe teksteve shkollore, janë njëkohësisht përgjegjës për sigurimin e përfshirjes së të gjithëve në sistemin arsimor dhe në këtë rast është fjala për ata të cilët përpiqen çdo ditë me mirëqenien e tyre mendore të cilët shkollën si hapësirë ku ata kalojnë një kohë të konsiderueshme.

Shkollat në Kosovë vazhdojnë të kenë një numër tejet të vogël të psikologëve, rreth 87 gjithsej. Pra, ka shumë shkolla që nuk kanë fare psikolog. Përtej faktit që kjo vazhdon të jetë një situatë jashtëzakonisht shqetësuese, duhet të futet në ekuacion diçka e re, që shkon përtej bisedës me tjetrin si metodë që nxënësit mund të përdorin për shqetësimet e tyre. Shqyrtimi i shëndetit mendor përtej orëve specifike që mund t’u dedikohen nxënësve në veçanti duhet ta ketë një dimension të zgjeruar. Kjo bëhet e mundshme kur shëndeti mendor futet në diskursin e përditshëm jo vetëm të shkollave, por të institucioneve në përgjithësi.

Shëndeti mendor nuk duhet të trajtohet si temë e izoluar, duhet të jetë pjesë e diskutimeve të përditshme. Këto diskutime duhet të jenë të hapura dhe duhet t’i përfshijnë nxënësit, të mësuesit, stafin arsimor dhe prindërit.

Vitet e pandemisë kanë sfiduar çdonjërin, që izolimi, mungesa e sigurisë për të ardhmen, e panjohura në tërësi, kanë bërë që mendimet tona rreth vetes dhe ndaj tjetrit të riorganizohen. Pra, është gabim dhe njëkohësisht e pakuptimtë që një prej institucioneve bazë në shoqëri të vazhdojë thuajse asgjë nuk ka ndodhur. Tentativa e institucioneve arsimore ta fshijë këtë periudhë kohore në të cilën mijëra nxënës kanë kaluar jo që është e pamundur, por do të krijojë probleme të jashtëzakonshme në të ardhmen.

Prema Anna Freud National Centre for Children and Families, qendër e cila gjatë pandemisë ka publikuar të dhëna falas dhe mjete të ndryshme për të zbutur efektet e pandemisë në shëndetin mendor të fëmijëve, 54% e nxënësve të cilët tashmë kishin pasur probleme më shëndetin mendor u ishte përkeqësuar gjendja pas rifillimit të vijimit të mësimeve. Një nga problemet kyç që është shfaqur është riintegrimi i nxënësve në ambientet shkollore. Në mes të izolimit dhe kthimit në realitetin e përditshëm shkollor, ekziston një paradoks ku kemi nevojë për tjetrin por njëkohësisht ka rritje të ankthit në mungesë të vetmisë.

Një nga mësimet e dala nga pandemia është se ambienti shkollor na ndihmon, por njëkohësisht na izolon sepse funksionon si ”institucion total”. Ky koncept, që vjen nga Erving Goffman, shpjegon ”institucionet totale” si ambiente ku njerëzit kalojnë një kohë të caktuar, në një vend me rregulla të caktuara, të shkëputur nga pjesa e gjerë e shoqërisë. Për shkak se pandemia ka ndalur dhunshëm vijimin e këtij institucioni pavarësisht dëmit që ka shkaktuar paraprakisht, rikthimi në të ka provuar të jetë po ashtu problematik.

“Lirisë” që na ka dhënë heqja e masave të COVID-19, në kuptimin e asaj që tash sërish bëhemi pjesë e një kolektivi lehtësisht, duhet po ashtu t’i mbivendoset edhe një liri tjetër: liria për t’u rikthyer gradualisht në shkollë. Duke iu rikthyer ideve të mundshme që mund të materializojnë këtë liri, njëra prej tyre mund të jetë dhënia e studentëve një sërë ditësh të “shëndetit mendor” ku ata mund të zgjedhin të mos shkojnë në shkollë dhe të bëjnë çfarëdo që duan pa u ndier në faj apo në turp.

Për më tepër, për t’u ndërlidhur sërish me Anna Freud National Centre for Children and Families, një nga propozimet e kësaj qendre ishte futja e pushimeve në mes orëve mësimore, gjë që mund t’i ndihmojnë në ata në zbutjen e ankthit dhe shqetësimeve, duke krijuar një hapësirë të sigurt larg mësimeve. Gjithsesi, është e domosdoshme që hapa të ndërmerren menjëherë. Meqë transformimet e mëdha në sistemet arsimore janë ndërmarrje që marrin shumë kohë, duhet që së paku të ndërmerren hapa të vegjël që tregojnë se ndryshime të tjera janë diku në horizont.

Lexoni Gjithashtu

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Çelnaja

Në episodin e 30 të Çelnajës, së bashku me profesorin e antropologjisë Nebi Bardhoshin, trajtojmë disa koncepte me rëndësi që janë pjesë e korpusit...

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Analizë

Memorandumi i mirëkuptimit midis Serbisë dhe BE-së, i nënshkruar më 19 korrik nën mbikëqyrjen e kancelarit gjerman, Olaf Scholz, e ka kristalizuar qasjen transaksionale...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.