Connect with us

Hi, what are you looking for?

Analizë

Sasha & Jeton: Letra VII

Departamenti i dhimbjes kombëtare

Sasha i dashur,

Gjergj Fishta, një shkrimtar i yni i njohur i Rilindjes kombëtare, ka lënë një shprehje thumbuese për shqiptarët, që në fakt më shumë më tingëllon si një mallkim. Ai thoshte se “më lehtë mund të mbushësh një thes me pleshta, sesa një grusht me shqiptarë”. Fishta duket se ka pasur të drejtë, ne shkrimtarët e artistët këtu në Prishtinë jemi bërë pikë e pesë, nuk dihet kush me kënd flet, kush do kënd e kush urren kënd. E më së shumti duket se urrejmë njëri-tjetrin! Por, Sashë, druaj se as ju në Beograd nuk jeni më mirë në këtë drejtim. Nuk e di a keni pasur edhe ju ndonjë shkrimtar që t’u ketë lënë ndonjë shprehje të tillë si kjo e Fishtës për ne! Ndoshta Vuk Karaxhiqi? Por, çfarë desha të thoja është se jam gjetur shpesh në situata të çuditshme, kur pyesja ndokend nga Beogradi për ndonjë mik të përbashkët, “hej, po si është filiani”, e pranoja pastaj përgjigje si “hiqju atij dështaku, nuk flas me të”, ose edhe më keq: “ia kam q… robt atij”.

Gjatë këtyre viteve shpesh madje kam provuar të sjell paqe në mes të disave prej jush atje, aq sa më dukej vetja si t’isha i biri i Budës. Kështu që, as tani në këtë letër-këmbim, s’di nëse mund të të pyes, si është Milosh Zhivanoviqi, Sasha Qiriqi e Toma Markoviqi? Po deshe, mos u përgjigj fare. Ju mbaj mend si një katërshe e shkëlqyeshme, shkrimtarë e kritikë të mrekullueshëm, progresistë, mendje-hapur dhe të shoqërueshëm. Megjithë mospajtimet që ju tani mund t’i keni mes vete, duhet ta pranoj që ne këtu kemi kaluar mirë me ju, dhe bashkarisht kemi bërë gjëra të mira. Ju për ne ishit “ata të guximshmit”, “djemtë e Beton-it”! Megjithatë, edhe betoni thyhet ndonjëherë, shkërmoqet nga koha, nga lagështia, nga myku e goditjet!

E rroka këtë temë sepse e mbaj mend që në letrën e parë e përmende Miki Manojloviqin dhe natyrisht unë e kapa ironinë. Siç e di, me të e kemi realizuar një projekt teatri të rëndësishëm. U bënë ca vjet nga ajo kohë, ndoshta 7 apo 8, por e mbaj mend që isha në Split, në rezidencën letrare që e drejtonte shkrimtari kroat Edi Matiq, kur Miki më mori në telefon. Nuk dha detaje, por më tha se bëhet fjalë për një “projekt të rëndësishëm”. Më pat fascinuar diskrecioni me të cilin i kumtonte gjërat në lidhje me këtë projekt, thua ti se bëhej fjalë për ndonjë mision sekret për shpëtimin e planetit. Kur pas ca javësh u takuam në shtëpinë e tij në Beograd, dikur vonë, pasi kishim ngrëne e pirë, ai, si në ndonjë ritual fetar, dukshëm i emocionuar, më tha se dëshironte ta realizonte “Romeo dhe Xhulietën” e Shekspirit, e ku do të luanin aktorë shqiptarë e serbë. E mbaj mend që më pat shkuar buza në gaz, jo fort i bindur me atë ndërmarrje që tingëllonte si shumë ambicioze. Gjithsesi, ai projekt u realizua dhe shfaqja u dha me mjaft sukses në Prishtinë, Beograd, Tiranë e Zagreb. Ishte hera e parë që në skenën e Teatrit Kombëtar të Beogradit po flitej shqip, flisnin aktorët e mrekullueshëm nga Kosova, por fliste shqip edhe Uliks Fehmiu i ardhur nga Nju Jorku, i biri i aktorit të famshëm Bekim Fehmiu. Ka shumë detaje ndërmjet, ka shumë histori që vlejnë për t’u rrëfyer, megjithatë, për to njëherë tjetër. Por gjatë këtyre viteve që pasuan, e kam kuptuar që në Serbi, plot njerëz thonë për Mikin se është i afërt me këtë apo atë filan politikan, dhe këto, e pranoj, janë dinamika të cilat një dikush që nuk jeton atje, vështirë se mund t’i kuptojë e t’i dijë.

Sidoqoftë, më duhet poashtu të konfirmoj që kështu ka qenë edhe sa punonim me Borka Paviqeviqin e ndjerë, me Vladimir Arsenijeviqin, ose me Biljana Srbljanoviqin, apo me Andrej Nosovin, me Zllatko Pakoviqin, e me të tjerë. Gjithmonë kam dëgjuar e dëgjoj zëra ankues e madje edhe përbuzës; që filiani apo filianja është i lidhur me këtë apo atë politikan, që ka këtë apo atë agjendë, që është i korruptuar apo që vjelë fonde e nuk bënë asgjë, që nuk ka parime apo se paranë e ka Zot. Pa fund gjëra të këtilla kam dëgjuar përgjatë këtyre viteve.

Kështu është edhe këtu tek ne, të kuptohemi. Shumëherë më ke treguar për atë takimin tënd me Mehmet Krajën dhe cilësimin e tij që disa prej nesh këtu në Prishtinë i përkisnim “mafisë kulturore”, ose diçka të ngjashme.  Çfarë dua të them është se, po, në këtë gamën e gjerë të shkëmbimeve kulturore Kosovë – Serbi të këtyre viteve, ka pasur edhe të tillë, aktivistë e artistë ‘sezonalë’, që janë përfshirë e angazhuar sporadikisht, për këtë ose atë arsye. Edhe këtu te ne, ta zëmë, ka zëra që thonë se festivali “Mirdita Dobardan”, më tepër sesa një angazhim i sinqertë për dialog kuluturor mes dy shoqërive, është një shou medial, një spektakël që synon vëmendje. Por unë nuk pajtohem më këto konstatime. Mendoj që ai megjithatë ngelet një aktivitet i rëndësishëm dhe i dobishëm, në krejt këtë pejsazhin jo fort optimist të raporteve sërbo-shqiptare.

Përgjatë këtyre viteve të bashkëpunimit kulturor Kosovë-Serbi, pyetjet më të shpeshta (dhe më të sikletshme, duhet ta pranoj) që më janë bërë kanë qenë: Përse? Pra, përse ky bashkëpunim? Kujt i shërben? Kush përfiton? Përse? Përse ti? Çka fshihet mbrapa? Kush e financon? Çka të shtyn të bësh këto gjëra? Kush qëndron prapa këtyre iniciativave? Sorosi? Rusët? UDBA serbe? Mafia? Ndërkombëtarët? Evropa?…  Njëherë po pija kafe (ose mbase raki) në byfenë e Teatrit Kombëtar, kur një regjisor i ri filmi, me të cilin krejt aksidentalisht mbeta vetëm në tavolinë, më bëri pyetje, por toni i tij ishte i atillë dhe pyetja e tij “pse i bën këto projekte”, nënkuptohej në fakt si “çfarë halli ke”! Nuk dija si t’i përgjigjem. Çfardo përgjigje që do t’i jepja, në sytë e tij nuk do t’isha bindës. Ai ishte në taborrin tjetër, të atyre që s’besonin në këso gjërash, nuk besonin që kemi ndonjë hall të përnjëmendtë të komunikonim mes vete, sërbë e shqiptarë, s’lodhej të mendonte më gjatë, më thellë për të ardhmën, për paqen, për rëndësinë e shkëmbimit të letërsisë, për nevojën e thyerjes së  paragjykimeve, për raportet sërbo-shqiptare që duhet të shtendosen, për normalitetin e domosdoshëm… etj. etj. Të gjitha këto do t’i dukeshin shpjegime të thata, fjalë boshe. Dhe fjalë boshe u janë dukur dhe plot të tjerëve me të cilët kam debatuar ndonjëherë. Duket sikur ky lloj njerëzish ka nevojë për rrëfime, të themi më personale, të tipit: “babai im është shqiptar e nëna serbe”, ose “gjyshi im ka jetuar në Beograd…”, e ngjajshëm. Ashtu ndoshta të pranojnë më kollaj, dhe ndoshta edhe ta falin. Ata nuk u besojnë bindjeve e parimeve humane, artistike a çkadoqoftë tjetër. Kush e di, ndoshta për t’i kënaqur apetitet e patriotëve tanë në Prishtinë e Beograd, mund të themi se gjyshi yt ka qenë shqiptar nga Drenica e gjyshi im serb nga Kraljeva. Paj, s’do ishte diçka e pamundur për këto vendet tona, ku njerëzit kanë lëvizur e janë dyndur vazhdimisht për shkak të luftrave apo në kërkim të tokave më pjellore.

Ti e thua me të drejtë dhe saktë, që “Takimet e [shkrimtarëve] serbë dhe shqiptarë nuk ishin pjesë e imponimit të ndonjë super narrative, por pjesë e vullnetit për barazi dhe emancipim, e që ishte pjesë e domosdoshme e procesit të njohjes së ndërsjellë”. Por këto nuk ishin fjalë me të cilat mund t’i qetësoje gjakrat e njerëzve që në ne shihnin tradhëtarët, të shiturit, që neve na shihnin si ata që po “shkelnim mbi gjakun e dëshmorëve dhe të rënëve”. Ato, s’ishin kohë ku fjalët kishin kuptim, e as kohë ku kuptimi eventual mund të bindte njeri. Ato ishin vite të dalldisë nacionaliste, të etjes së çoroditur për urrejtje, e ku e kaluara tragjike më shumë sesa nga vetë viktimat, nga ata që kishin humbur e vuajtur, vajtohej nga profiterët e dhimbjes.  Këta profiterë të dhimbjes kishin krijuar një departament fiktiv ku po e koleksiononin krejt dhimbjen nacionale, e të cilën ata dhe vetëm eksluzivisht ata, pastaj mund ta përdornin si armë për të ndjellë urrejtje, për të etiketuar njerëz, për të stigmatizuar e përqeshur çdo lloj iniciative që synonte të krijonte pak normalitet. Dhe këta zyrtarë të departamentit të dhimbjes kombëtare ishin aty, gardianë rezervë për të na kujtuar “dëshmorët”, “viktimat civile”, “vuajtjen” , “të dhunuarat”, “luftën tonë heroike”, “fëmijët e vrarë”, “të zhdukurit”… dhe na i kujtonin, jo pse ne nuk i dinim apo se i kishim harruar, por sepse kështu mund të kacavirreshin e të pozicionoheshin më kollaj në kampin e patriotëve, të dalëzotësve. E ky ishte kampi i të pamposhturve. Ata hynin si zyrtarë të thjeshtë në departamentin e tyre surreal të dhimbjes dhe dilnin me grada më të larta, e ngjiteshin pastaj në pozita shtetërore, e pakta, bëheshin drejtorë në ndonjë departament real, apo ‘koordinator nacionalë’ për… çfardoqoftë. Ata dilnin gjithmonë fitues edhe në publik. Kështu ishte te ne, atje te ju në Beograd me siguri ka qenë po kaq ngjajshëm, veçse fjalori e termonologjia mund të ketë qenë ndryshe.

Regjisorin zviceran Milo Rau thotë se “teatri është demokraci në variant të vogël” [Theatre is democracy in small]. Por këtë funksion të ngjashëm ka pasur edhe festivali ynë i letërsisë polip dhe në njëfarë mënyrë, krejt ky shkëmbim kulturor sërbo-shqiptar i këtyre viteve. Polip ka qenë një botë e vogël ku demokracia është ushtruar përmes fjalëve, tingujve, miqësive, mirëkuptimit, dëgjimit të njëri-tjetrit, historive të rrëfyera pa paragjykim, punës së përbashkët dhe të sinqertë, dhe para së gjithash prej dashurisë së pakushtëzuar për letërsinë. Dhe ajo demokraci e ushtruar në atë territor të vogël, mes njerëzish, gjuhësh, kulturash e religjonesh të ndryshme, ndoshta është shtrirë edhe jashtë, përtej atyre mureve me lagështi, tek njerëzit që kanë ardhur si vizitorë, tek ata që kanë lexuar ndonjë poezi a tregim në magazinën Beton, kanë parë ndonjë nga videot që kemi postuar, kanë lexuar ndonjërën nga intervistat e botuara me shkrimtarë… Diçka duhet të ketë depërtuar jashtë asaj bote “të vogël”, medemos, ndryshe, do t’isha shumë i pikëlluar.

Pak ditë para se të vdiste, miku ynë i letërsisë Kujtim Paçaku kërkoi të takoheshim në Prishtinë, në një takim (të pathënë) lamtumirës. Erdhi tek bodrumi i dikurshëm i Qendrës Multimedia, atje ku kishte ardhur dhjetra herë për lexime e për prova teatri, e nga aty shkuam tek restorant Dubrovniku. Sëmundja e kishte lodhur dhe vdekja i rrinte kërcënueshëm mbi qepalla. Të dytë e dinim që kjo ishte hera e fundit që po shiheshim. Kur u përshëndetëm, mes lotësh, me zërin që i dridhej, më pëshpëriti në vesh e më tha “t’kam pasë si vëlla”. Dhe unë mendoj që kjo ‘si vëlla’ është afërsia më e madhe që një rom mund ta krijojë me një jo-rom, me një gaxho.

Bashkëpunimi kulturor, iniciativat tona letrare e teatrore, shkëbimet artistike e diskutimet e sinqerta që kemi pasur për krejt këto vite na kanë bërë më njerëzor, na kanë bërë të shohim përtej kopshtëve tanë, të shohim përtej dhimbjeve tona, të shohim tjetrin në sy, përtej ngjyrës, gjuhës e përtej historive traumatike të dëgjuara nga gyshërit tanë, për këmesat e sopatat e ngritura për t’prerë njëri -tjetrin… Nuk e di a kemi arritur ta ndryshojmë botën, por së paku vetën tonë e kemi ndryshuar. Unë po, kam ndryshuar. Më kanë ndryshuar poezitë e Kujtim Paçakut, fjalët e Borka Paviqeviqit, poezitë e Millosh Zhivanoviqit, më kanë ndryshuar tregimet e tua të mrekullueshme që i kemi botuar edhe në shqip, më ka ndryshuar entuziazmi e duartrokitjet e publikut në teatrin Bitef, në CZKD apo në Atelje 212, më kanë ndryshuar ato qindra mesazhe mbështetëse nga të njohur e të panjohur, të prekur e të lumturuar nga ky shkrim apo ajo shfaqje teatrore. Edhe kaq pak ndryshim nëse kemi prodhuar, do të mjaftonte! Por e di që është shumë më shumë, dhe për të do të flasin (ndoshta) gjeneratat e ardhshme, që bashkëpunimin e komunikimin shpresojmë do ta bëjnë në një kohë më të mirë se sa kjo e jona… Kush e di. Pra, kush e di nëse e ardhmja do të jetë “një kohë më e mirë”?

Dhe ja një pyetje e vlefshme ndoshta! Si do të duket e ardhmja? A mund ta parashikojmë çfarë do të ndodhë me shoqëritë tona në 100 vitet e ardhshme? E di, është vështirë të bëhen prognoza, por le ta provojmë. Ne s’mund të jemi aq vizionarë sa Dimitrije Tucoviqi, i cili 100 e ca vite më parë parashikonte se “me okupimin e territoreve shqiptare, Serbia ia vuri vetes lakun nacionalist e hegjemonist, për 100 vitet e ardhshme”.

Pra, si do të duket e ardhmja?

Ok, le te mbetet kjo pyetje për letrën e pestë tonën, të fundit në këtë seri.

Te fala nga Aeroporti i Prishtinës,

 

Jetoni

Prishtinë, 15 shtator 2022

Lexoni Gjithashtu

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Çelnaja

Në episodin e 30 të Çelnajës, së bashku me profesorin e antropologjisë Nebi Bardhoshin, trajtojmë disa koncepte me rëndësi që janë pjesë e korpusit...

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Analizë

Memorandumi i mirëkuptimit midis Serbisë dhe BE-së, i nënshkruar më 19 korrik nën mbikëqyrjen e kancelarit gjerman, Olaf Scholz, e ka kristalizuar qasjen transaksionale...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.