Connect with us

Hi, what are you looking for?

Analizë

Sasha & Jeton: Letra IV

Kjo letër është shkruar në serbisht

Shok i dashur, Jeton,

Letra jote më gjeti në lartësi mbidetare prej 782 metrash, në një pallat të vendosur në bjeshkët e Gorskikotarit [Gorski Kotar] në Kroaci. Aty jam duke e udhëhequr, si mysafir, një program të të shkruarit krijues, ku i kam nja dhjetë vijuese dhe vijues me të cilët me ditë të tëra i zhvilloj konceptet e romaneve të tyre, i ushtrojmë dialogjet, përshkrimet, thurjet, dhe stilet e ndryshëm. Njëri ndër ta, një vijues i ri nga Beogradi dhe i dashuruar në letërsi distopike, u paraqit me temë interesante të romanit i cili do të fillojë me fjalinë “Saktësisht para shtatë vitesh u suprimua shteti i Sërbisë”. Pas kësaj, personazhi kryesor fillon të vetëdijesohet mbi një botë të privatizuar globalisht e cila i takon një kompanie fuqiplote ndërkombëtare që i përngjet kompanisë Google dhe e cila e inkorporon pushtetin në strukturë të ekonomisë: në të manaxhuesit afaristë janë edhe funksionarë administrativë, punëdhënësit edhe mbikqyrës, bankierët janë pjestarë të armatës, pronarët e kompanive pak më të vogla janë pjesë të udhëheqësisë globale e cila ka hierarki të plotë. Njeriu i asaj bote i paguan të gjitha me kohën që e kalon në punë, gjegjësisht, nëse blen atlete, ajo kohë i zbritet nga kartela plastike kohore, si numër i orëve të punës. Po të mos ketë mjaft orë të deponuara në kartelë, atëherë hyn në gjendje negative, ose në zonë të kuqe, për të cilën është i detyruar të punojë, ose t’ua përcjellë borxhin fëmijëve të tij. Metafora është shkëlqyese, e sidomos pjesa e cila folë mbi privatizimin e kishës dhe fesë nga korporata, kur, në vend të kryqit ose gjysëmhënës, në kulme të faltoreve vehet logotipi shëndritës i një kompanie fuqiplote, në pronësi të së cilës është bota e tërë. I bëra pyetje se çfarë do të jetë ideologjia e lëvizjes së rezistencës por ai me të nuk u gjet aq lehtas. Tha se mbetet t’u jipet kuptimi atyre elementëve të romanit. Tani për tani e di vetëm se kjo lëvizje e rezistencës ka të bëjë me libra, muzikë, dhe art në përgjithësi. Në atë botë nuk ekzistojnë shtetet, por vetëm ndërmarrjet dhe çdo shtet që ka ekzistuar dikur e ka vetëm numrin e vet: Sërbia dhe Kosova janë firmat me numër 191 dhe 192.

Festivali Polip ishte pjesë e një lëvizjeje urbane dhe artistike në tërësinë e rezistencës botërore, e cila në kulme të institucioneve të saja politike, kulturore, dhe ekonomike, si dhe të faltoreve, për logotipe të kombeve vendosi flamuj. Sikurse që thua ti, edhe bjeshkëtarët e shkathtë i merrnin me vete këta flamuj të njejtë në majat Mont Everest dhe Popokatepetëll [Popocatepetl], për t’u fotografuar atje me ta. Rrjeti i këtyre flamujve po përhapej dhe, sa më shumë që përhapej, ashtu përhapej edhe përshtypja e cila kinse fitohej mbi gjithmbërritjen e shtetit kombëtar i cili tashmë fitoi rëndësi mbi çdo gjë tjetër, e sidomos mbi vet qytetarët. Mu ashtu vendosën ta zgjëronin frontin e “çështjes sërbe” edhe tipat e veshur në bluza të Shesheljit dhe Mlladiqit, duke bartur marrina të atilla në gjoks kur shkonin për udhëtime zyrtarë për Kongo ose Suedi. Katastrofa e plotë ndodhi kur kultura filloi të përkufizohet përmes logotipëve të tillë, meqë i morën të dashuruarit në Sheshelin, Karaxhiqin, dhe Millosheviqin, në duar të veta manifestimet e kulturës dhe produksionin kulturor në Sërbi. Pastaj kaluan vitet e millosheviqizmave dhe shesheljizmave të ngurtë që u manifestuan me trendin e modës në Skupshtinë, kur Vuçiqi me Nikolliqin, bashkë me të gjithë radikalët tjerë, bartnin parreshtur distinktivë dhe bluza me çehre të kriminelit të luftës, prijsit të tyre, asokohe në burg të Hagut. Ashtu siç ndërronte moda e radikalëve, ndërronte edhe politika e kulturës në Sërbi, kështu që ish-radikalët, në krye me Vuçiqin, ia behën në kostume të Versaqes, i hodhën shesheljdistinktivët edhe filluan të deklarohen si eurofanatikë dhe vijues të rrugës së Zoran Gjingjiqit. Megjithatë, të gjithëve u mbeti, përfundi Versaqes, bluza me çehre të Shesheljit, sikurse që e pranuan këtë mimikri edhe shumë prej tyre që gjer dje ishin punëtorë të pavarrur kulturorë, dhe filluan të bashkpunojnë me këtë elitë “të re të vjetër” politike.

Duke vendosur të marrin pjesë në programin tonë, autoret dhe autorët që kaluan nëpër Festivalin Polip i dhanë kontribut përhapjes së “lëvizjes së padukshme të rezistencës”, përkthimit të sa më shumë teksteve letrarë, udhëtimit përtej Merdares, ardhjes në të paharrueshmin Hotel Begolli i cili u bë pjesë e programit përcjellës të festivalit, kurse recesionistët e tij shkëlqyes—pjesë e personelit të gjërë të programit. Më është bërë shumë i dashur momenti në të cilin dal nga furgoni, jolarg nga stacioni, dhe dalë-ngadalë, duke e tërhequr zvarrë valixhen nëpër këmbësore shkoj së pari gjer te Qendra e vjetër, e pastaj te Hoteli Begolli, ku gjithmonë më pritte një fytyrë e buzëqeshur te recepsioni, një dorë e shtrirë, dhe një muhabet mbi sezonën turistike të sapokaluar. Në holl të Hotelit Begolli zhvilloheshin programe të Polipit që kishin poaq rëndësi, sepse aty njerëzit takoheshin pa formalitete, njoftoheshin ndërmjet vete, dhe i planifikonin disa gjëra që do t’i bënin së bashku në letërsi. Dhe as që kishte kush vetëdije mbi një efekt të tillë, në kohën kur po ndodhte, por rezultatet do t’ia shohim në të ardhmen. Disa ndër ta i shohim qysh tash, sepse njerëzit po komunikojnë, po shkruajnë mbi udhëtimet dhe dashuritë e tyre. Gjithsesi kishte edhe çaste të tillë, disa njerëz mbetën përgjithmonë në kontakte të cilët nuk ishin vetëm të natyrës letrare. Ata një ditë do t’na dorëzojnë libra mbi ato pika të takimit që pashmangshëm do të kenë lidhje me Polip, Hotelin Begolli, ose edhe Hotelin Grand, në të cilin ishim të vendosur njëherë gjatë festivalit. Njerëzit e tillë janë të lirë, veprojnë jasht logotipit kombëtar, ata nuk do ta përfillin politikën e Vuçiqit, Thaçit, Kurtit. Do t’i shkruajnë librat e vetë dhe do ta vijojnë rrugën e cila pa ndërprerje i shpje jasht firmave 191 dhe 192.

Natyrisht, sikurse edhe që pata shkruar, kishte artista që e kundërshtonin këtë lloj të shkëmbimit letrar polipor. Në Sërbi shumë më tepër se në Kosovë. Ishte në secilin vit hall i vërtetë të vendosej se kush të ftohej për Prishtinë. Disa e kishin kalendarin të mbushur plot, të dytët për arsye të ndryshme nuk udhëtonin dot, të tretët “duheshin t’ia siguronin tezes barnat” prandaj nuk kishin kohë. Ndër të rinj kishte më së shumti të atillë që ishin haptas për këtë lloj të kontakteve, gjë që ishte më e bukura, sepse e ardhmja mu atyre u takon. Pleqtë mbetnin në logoret e tyre që i kishin hapur në Shoqatën e Shkrimtarëve të Sërbisë, ku ishin tubuar në tabor qysh në mesin e viteve të tetëdhjetë kur u shpartallua organizata e kulmit që kishte dukje të Shoqatës së Shkrimtarëve të Jugosllavisë.

Rrëfimet mbi dashuritë dhe takimet, ndonjë poezi të lexuar apo të shkruar, sikurse që ishin veprat e Arben Idrizit dhe Millosh Zhivanoviqit [Miloš Živanović], Dragana Mlladenoviqit [Mladenović] dhe Ervina Halilit, mbesin përgjithmonë. Një ditë nënat do t’ua recitojnë të bijave, e bijt të etërve, kur të kujtohen në një botë totalisht të privatizuar se ekziston edhe diçka tjetër pos kuletës dhe kombit. Tani për tani jetohet në një harresë kronike, megjithse inflacioni është në rritje rapide, çmimet kërcejnë mbrenda ditës, sa vjen e ulet edhe më shumë çmimi i punës, sidomos i asaj intelektuale, e cila në këto hapësira as që ka patur vlerë ndonjëherë, pos gjatë çlodhjeve të shkurtëra nëdrmjet konflikteve, kur duhej bërë diçka humane dhe që kishte rëndësi.

Këtu në pallat të vjetër, ku po zhvillohen programe të punëtorisë së të shkruarit krijues, njëra ndër vijueset është edhe Branka Smoje, artiste rilindase nga Spliti, e cila shkruan prozë dhe poezi, këndon dhe pikturon. Mbrëmë e pat një ekspozitë në ngjyra uji të cilën e hapi me lexim të teksteve të saj letrarë. Ndër ta ishte edhe një rrëfim udhëpërshkrues mbi qytetet dhe dashuritë: Meksiko Sitin, Zanzibarin, Njudelhin, Parisin… Megjithatë, fragmenti i fundit prozaik e kishte titullin “Kosova”. Ishte fjala, në fakt, mbi takimin e kësaj autoreje me një kosovar të moshës së re në një firmë të Splitit, ku Abdullahu, i cili ishte nga rrethina e Prizrenit, kishte mbërritur duke kërkuar punë. Ai e lypi për fejesë, por jo për vete, po për të birin, duke i premtuar që do ta “mbështillte me ar”.  Natyrisht, aty ishte edhe një kusht—vetëm ta linte duhanin, prej të cilit Branka nuk mund të hiqte dorë. Por nuk mundi ta harronte Abudllahun, i cili iu kujtua shumë vite më vonë, gjersa po e shkruante letërsinë e saj mbi dashuritë marroçe.

Megjithatë doli se në Polip nuk kishin ardhur me dëshirë të gjithë. Disa ishin aty vetëm për honorar, ose për referenca në biografi të tyre letrare. Më kujtohen disa që bënin negociata mbi të hollat e, kur të vinin në festival, me ditë të tëra nuk dilnin nga dhoma, përpos në kohë të shujtave ose gjatë atyre pesëmbëdhjetë minutave të prezentimit që e jepnin në Qendër. Nuk kishin interesim për askend tjetër, as që tregonin mirëkuptim për të tjerët, për letërsinë dhe kulturën fqinje, për atë që ishte qëllimi kryesor i nismës dhe ekzistencës së Polipit ndër gjithë këta vite. Kishte edhe të atillë që e anulonin paraqitjen si mysafirë të festivalit në vet ditën e hapjes së tij.

Të tillë, besoj, kishte më së paku.

Kishte shumë më tepër të atillë që besonin se në letërsi megjithatë ekziston bashkësia e kryengritësve. Në sajë të tyre, ky rrëfim do të vazhdojë edhe në të ardhmen në shumë mënyra të ndryshme.

Me shpresë që të gjen kjo letër në disponim të mirë në fund të verës.

Përshëndetje miqësore,

Sasha

P.S. Këtë letër do të ta nis për Prishtinë posa të rrëmbej pak internet në këtë pejzazh të pyllit jolarg qendrës Bishat e Mëdha [Centar Velike Zvjeri] për bishat që këtu në Sushicë të Vjetër [Stara Sušica] janë me shumicë, para së gjithash arinjt, ujqit, dhe rrëqebujt (mu sikur edhe në jetën letrare). Shpresoj se të arrin me kohë.


Përktheu nga serbishtja: Florent Rizvanolli

Lexoni Gjithashtu

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Çelnaja

Në episodin e 30 të Çelnajës, së bashku me profesorin e antropologjisë Nebi Bardhoshin, trajtojmë disa koncepte me rëndësi që janë pjesë e korpusit...

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Analizë

Memorandumi i mirëkuptimit midis Serbisë dhe BE-së, i nënshkruar më 19 korrik nën mbikëqyrjen e kancelarit gjerman, Olaf Scholz, e ka kristalizuar qasjen transaksionale...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.