Connect with us

Hi, what are you looking for?

Opinion

Rritja e inflacionit, importit dhe çmimeve – tregues i politikave joadekuate të Qeverisë Kurti

Ilustrimi: Big Eye

Inflacioni në Kosovë ka marrë përmasa alarmante. Sipas Agjencisë së Statistikave të Kosovës (ASK), gjatë muajit dhjetor 2022, norma vjetore e inflacionit ishte 12.1%. Situata bëhet edhe më e vështirë duke pasur parasysh shtrenjtimin e çmimeve të produkteve dhe shërbimeve, siç janë produktet ushqimore, energjia elektrike dhe karburantet, mes të tjerash.

Pandemia COVID-19 dhe lufta në Ukrainë janë dy faktorët kryesorë që kanë ndikuar në çrregullimin e tregut botëror. Në Kosovë, ky ndikim është edhe më negativ sepse ekonomia varet nga importet.

Vetëm në vitin 2021 sasia e importeve arriti në vlerën mbi 4 miliardë e 684 milionë euro, e në anën tjetër eksportet ishin mbi 775 milionë. Krahasuar me vitin paraprak, importet ishin rreth 3 miliardë e 300 milionë euro, ndërkaq eksportet afër 475 milionë.

Si rezultat i çrregullimeve në tregjet ndërkombëtare, disa biznese vendore kanë shfrytëzuar rastin që të manipulojnë me çmime në treg, duke rënduar edhe më shumë gjendjen ekonomike të qytetarëve.

Rast konkret ishte rritja e çmimit të vajit si produkt esencial ushqimor. Në mars të vitit 2022, litra e vajit, prej 2.19 euro shkoi në 3.49 euro dhe një ndryshim i tillë drastik nuk shpjegohet ndryshe pos manipulim ndaj konsumatorëve.

Ekziston mekanizmi shtetëror që i lufton manipulatorët e tregut – Autoriteti Kosovar i Konkurrencës (AKK), i cili i raporton Kuvendit të Kosovës. Në kulmin e ngritjes së çmimeve, ky institucion për një vit ishte lënë pa bord duke pamundësuar ligjërisht gjobitjen e manipulatorëve të tregut.

Bordi i ri ishte zgjedhur në qershor të vitit të kaluar, mirëpo ngritja e çmimeve ka vazhduar ndërkohë nuk ka ndonjë politikë konkrete se si të luftohet abuzimi me çmime.

Qeveria e Kosovës kishte premtuar veprime kundër abuzuesve të tregut, megjithatë praktika nuk tregoi ndonjë rezultat. Siç tregon raporti i ASK-së, çmimet kanë vazhduar të rriten në vazhdimësi.

Hapat që ndërmori Qeveria Kurti

Për ta parandaluar ngritjen konstante të çmimeve, Qeveria Kurti propozoi ligjin për çmimet tavan, por kjo politikë ka mbetur vetëm në letër. Sigurisht që kjo ishte masa më ekstreme e mundshme, pasi ka mundësi ekzistuese prej të cilave mund të luftohen manipulimet me çmime në treg.

Qeveria thirret në atë që ka subvencionuar energjinë elektrike, duke dhuruar nga 100 euro për një numër të qytetarëve, si dhe politika të tjera në përpjekje për ta luftuar inflacionin enorm.

Po ashtu, në shtator të vitit 2022 ishte prezantuar paketa anti-inflacion me vlerë 150 milionë euro, ku pos tjerash përfshihej edhe ndihma ndaj pensionistëve, studentëve dhe familjeve me asistencë sociale.

Tutje, si politikë sociale, pushteti e ka përmendur edhe politikën për ndihmën financiare për lehonat, si dhe shtesat për fëmijë deri në moshën 16-vjeçare.

Hapat që duhet të ndërmerren

Ligji për pagën minimale duhet të jetë përtej 300 euro neto, meqë inflacioni kalon në shifra dyshifrore. Ndërkaq një koeficient i Ligjit të Pagave nevojitet të jetë mbi 120 euro dhe jo më pak, përndryshe Ligji i Pagave nuk do të ketë efekt.

Për shembull, mësimdhënësit e arsimit të mesëm të ulët, pagën mesatare e kanë 530 euro me vlerën e koeficientit ekzistues 120 euro. Me Ligjin e ri të Pagave, koeficienti i tyre është 5.6, që nënkupton se nëse vlera e një koeficienti mbetet 120 euro, atëherë pagat e tyre do të rriten në 672 euro. Prandaj, ulja e vlerës të një koeficienti nën 120 euro do ta bënte Ligjin e Pagave të padobishëm për sektorin publik.

Gjithashtu, numri i inspektorëve është i domosdoshëm të shtohet. Momentalisht, Ministria e Tregtisë ka vetëm 27 inspektorë në një treg që numëron mbi 64 mijë biznese.

Përveç këtyre, nevojitet edhe krijimi i një departamenti brenda Ministrisë së Tregtisë, që do të analizojë në detaje rrjedhën e produktit deri te konsumatori. Për shembull, ka pasur rritje të biletave të autobusit gjatë shtrenjtimit të çmimit të karburanteve, por pas disa muajve çmimi i karburanteve u ul sërish. Megjithatë, nuk ka raportime se biletat e transportit ndërurban kanë shënuar ulje.

Për ta luftuar inflacionin, Qeveria mund ta ndryshojë edhe politikën e shpërndarjes së shtesave. Më 25 janar të vitit 2023, ekzekutivi vendosi që punëtorët e sektorit publik të marrin nga 50 euro shtesë, por në këtë paketë nuk përfshihen edhe punëtorët e sektorit privat që marrin paga më të ulëta sesa punëtorët e sektorit publik.

Institucionet e kanë mundësinë e fundit për të reaguar ndaj ndryshimeve ekonomike në Kosovë. Realisht ka pasur përpjekje sipërfaqësore qeveritare për t’u përballur me situatën, në disa raste edhe të gabueshme.

Lexoni Gjithashtu

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Çelnaja

Në episodin e 30 të Çelnajës, së bashku me profesorin e antropologjisë Nebi Bardhoshin, trajtojmë disa koncepte me rëndësi që janë pjesë e korpusit...

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Analizë

Memorandumi i mirëkuptimit midis Serbisë dhe BE-së, i nënshkruar më 19 korrik nën mbikëqyrjen e kancelarit gjerman, Olaf Scholz, e ka kristalizuar qasjen transaksionale...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.