Dje Sbunker, në bashkëpunim me organizatën Syri i Vizionit, mbajti diskutimin publik të radhës në qytetin e Pejës me temën “Analizë mbi ekstremizmin: Roli i tij në nivel lokal dhe qëndrueshmëria qytetare”.
Diskutimi filloi me një prezantim nga Naser Lajqi i cili dha një sqarim të përgjithshëm të konceptit të ekstremizmit, nocioneve të tij dhe ndikimin e tij në nivel lokal. Para se ta hapte diskutimin për pjesëmarrësit, Lajqi theksoi rëndësinë e ndërtimit të qëndrueshmërisë qytetare si mjeti më efektiv për ta kundërshtuar ekstremizmin, duke e nxitur kështu një diskutim të frytshëm mbi sfidat dhe zgjidhjet lokale në luftën kundër ekstremizmit.
Pjesëmarrës të këtij diskutimi publik ishin të shumtë, përfshirë qytetarë, kryetarë të bashkësive lokale, kryetarë të fshatrave, përfaqësues shkollash, të rinj e të reja, prijës fetarë, e të tjerë. Ata patën mundësi të krijojnë një diskutim të hapur, duke kontribuar dhe ndikuar drejt një ndërveprimi kuptimplotë dhe produktiv, të karakterizuar me diversitet pikëpamjesh.
Ky aktivitet u zbatua në kuadër të projektit të Sbunkerit “Luftimi i ekstremizmit në Kosovë: prirjet, sfidat dhe kundër-veprimet”, përkrahur nga Embassy of the Netherlands in Kosovo përmes programit Matra.