Sot u mbajt diskutimi i parë publik në qytetin e Gjakovës me temën “Drejtësia tranzicionale, sfidat lokale dhe arritja e drejtësisë për viktimat”. Ky është një nga aktivitetet publike me qytetarë në serinë e një sërë aktivitetesh në kuadër të projektit “Luftimi i ekstremizmit në Kosovë: prirjet, sfidat dhe kundër-veprimet”, përkrahur nga Ambasada e Mbretërisë së Holandës në Kosovë përmes programit Matra.
Ligjërata u mbajt nga Ideal Zhaveli, i cili ngriti pyetje kritike lidhur me drejtësinë tranzicionale në kontekstin lokal. Pjesëmarrës në këtë diskutim ishin të rinjtë nga komunitetet e ndryshme të Gjakovës, duke reflektuar kështu përbërjen etnike dhe gjinore të qytetit. Diskutimi u përqendrua në analizën e sfidave të drejtësisë tranzicionale dhe në përpjekjet për të siguruar drejtësi për viktimat, pa marrë parasysh se cilit grup a komunitet i përkasin.
Përveç temave të trajtuara, pjesëmarrësit gjithashtu ndanë edhe përvoja personale lidhur me sfidat që kanë përjetuar në këtë aspekt deri tani nga mjediset shkollore, familjare e deri te ato shoqërore. Diskutimi promovoi një reflektim të thelluar si dhe hapi një dialog konstruktiv mbi këto çështje të rëndësishme për komunitetin lokal.