Me datën 31 gusht ishim në Ferizaj për diskutimin e radhës publik me qytetarë, në kuadër të projektit “Luftimi i ekstremizmit në Kosovë: prirjet, sfidat dhe kundërveprimet” pëkrahur nga programi MATRA i Ambasadës së Mbretërisë së Holandës në Kosovë. Ky diskutim u organizua në bashkëpunim me organizatën e të rinjve ferizajas Rin’on. Kjo ngjarje filloi me diskutimin se çka është ekstremizmi politik, çfarë kërcënimi përbën për shoqërinë e veçanërisht për të rinjtë, si dhe për dallimin mes gjeneratave në të kuptuarit e këtyre fenomeneve shoqërore.
Mes tjerash, gjatë këtij takimi u bisedua për problemet në shkolla, bullizimin e të rinjve, keqpërdorimin e rrjeteve sociale, si dhe ideologjizimin e të rinjve përmes këtyre rrjeteve e lojërave online ku shpërndahet gjuha e urrejtjes, nxiten të rinjtë për dhunë ndaj të tjerëve por edhe ndaj vetes.
Për t’i adresuar këto probleme u diskutuan edhe mënyrat e angazhimit të të rinjve kundër ekstremizmit, si p.sh.: hapja ndaj kulturave e mënyrave të tjera të të jetuarit si dhe rëndësia e ngritjes së zërit dhe aktivizmit të tyre social e politik.
Diskutimi ishte i gjallë për shkak të pjesëmarrjes aktive të të rinjve dhe dhënies së kontributit të tyre për krijimin e një shoqërie të hapur dhe demokratike.