Sot në Mitrovicë u mbajt punëtoria e radhës me temën “Paralajmërimi i hershëm dhe veprimi i hershëm kundër ideologjive ekstremiste”, një aktivitet që synon adresimin e një prej sfidave më të mëdha për komunitetin lokal dhe më gjerë. Gjatë kësaj punëtorie, u diskutuan tema të rëndësishme si ekstremizmi në shkolla, ekstremizmi fetar, etnonacionalizmi, narrativat antigjinore dhe ekstremizmi politik. Pjesëmarrësit u përqendruan në identifikimin e shkaqeve dhe faktorëve të këtyre fenomeneve, si dhe në ndërtimin e mekanizmave dhe strategjive për parandalimin e formave të ekstremizmit dhe radikalizmit.
Punëtoria bashkoi përfaqësues lokalë nga komunat e Mitrovicës, Vushtrrisë dhe Skenderajt, liderë fetarë, përfaqësues të institucioneve arsimore dhe zyrtarë nga Policia e Kosovës. Të gjithë kontribuuan me përvojat dhe njohuritë e tyre, duke ndarë perspektivat mbi sfidat dhe zgjidhjet e mundshme për t’u përballur me këto ideologji ekstremiste.
Në diskutime u theksua rëndësia e bashkëpunimit të ngushtë ndërmjet institucioneve, liderëve fetarë dhe komunitetit lokal, si dhe nevoja për rritjen e ndërgjegjësimit në shkolla dhe mjedise të tjera shoqërore. Gjithashtu, puna grupore gjatë punëtorisë ndihmoi në shkëmbimin e ideve dhe perspektivave mes pjesëmarrësve/eve, duke ofruar një pasqyrë më të gjerë të qasjeve dhe mekanizmave të mundshëm.
Kjo punëtori u vlerësua si një hap i rëndësishëm drejt fuqizimit të komunitetit për të adresuar sfidat komplekse të ekstremizmit të djathtë dhe ideologjive ekstremiste. Aktiviteti u realizua me mbështetjen e programit Matra të Ambasadës së Holandës në Kosovë.