Sesioni i dytë i ligjëratave në kuadër të projektit “Rinia Kosovare e Bashkuar Kundër Radikalizmit” u mbajt me datën 3 tetor. Ligjërata e udhëhequr nga Alban Bokshi kishte si qëllim të ofronte informacione të thelluara mbi sfidat e ekstremizmit dhe radikalizmit sot dhe mënyrat për t’i adresuar ato. Kjo ligjëratë e dytë e pasoi atë mbi historinë e ekstremizmit të djathtë, ku u fol për vijimësinë historike mes fashizmit të periudhës së mes dy luftërave botërore dhe formave të ekstremizmit të djathtë sot. Me gjithë dallimet dhe format e ndryshme që ideologjitë ekstreme marrin sot, ato edhe tani karakterizohen nga racizmi, ksenofobia, nacionalizmi ekstrem, autoritarianizmi, anti-imigracioni, lajmet e rreme dhe propaganda, teoritë e konspiracionit, etj.
Pas ligjëratës së prezantuar, u zhvillua një diskutim dinamik mes pjesëmarrësve, ku ata ngritën pyetje të ndryshme dhe ndanë mendime rreth temave të trajtuara. Ky shkëmbim idesh me njëri-tjetrin ndihmoi në thellimin e kuptimit të problemeve dhe ofroi perspektiva të reja mbi çështjet e lidhura me ekstremizmin.
Ligjërata u përmbyll me një ushtrim të vogël dhe kreativ, që i inkurajoi pjesëmarrësit të fillojnë t’i rishikojnë mendimet e tyre dhe të reflektojnë mbi artikujt që do t’i shkruajnë në kuadër të projektit.
Ky projekt përkrahet nga YIHR-KS, financuar nga USAID Kosovo, dhe implementohet nga Sbunker ne bashkëpunim me organizatën Alternativna.