Connect with us

Hi, what are you looking for?

Analizë

A është Kosova (ende) homofobe?

Në vjeshtën e vitit që shkoi, në një trajnim për Policinë e Kosovës lidhur me rastet e personave LGBTIQ, ndërsa po flisja për homofobinë në shoqërinë tonë, iu referova, mes tjerash, sondazhit të «National Democratic Institute» (NDI), sipas të cilit Kosova më 2015 kishte dalë vendi më homofob në rajon. Një nga policët pjesëmarrës në këtë trajnim më ndërpreu duke thënë se: shoqëria kosovare nuk është më homofobe, ka përparuar shumë që nga viti 2015 kur është publikuar ky sondazh pasi që,  deri tani është mbajtur tri herë Parada e Krenarisë në Prishtinë e nuk është shënuar asnjë incident i dhunës.* Për më shumë, ky polic, shtoi se «në Serbi çdo herë ka incidente të dhunës ndaj marshuesve në Paradën e Krenarisë, prandaj nëse krahasohemi me ta, ne jemi shumë më përpara».

Njësoj, shumë prej personave që u tregoja për angazhimet e mia si avokate në përfaqësimin e rasteve të personave LGBTIQ, më thoshin se Kosova nuk është më edhe aq keq sa i takon respektimit të të drejtave të pjesëtarëve të komunitetit LGBTIQ, duke ofruar si argument mbajtjen e Paradës së Krenarisë tri herë radhazi pa incidente dhune. Ky është tejthjeshtësim i homofobisë.

Homofobia është problem i përhapur në tërë botën dhe shpesh përkufizohet si frikë e urrejtje e paarsyeshme ndaj burrave homoseksualë, grave lesbike, biseksualëve, transgjinorëve dhe personave interseks. Sipas Rezolutës për Homofobinë në Evropë të Parlamentit Evropian, homofobia në mes tjerash shfaqet në sfera private dhe publike, në forma të ndryshme si p. sh. përmes gjuhës së urrejtjes, nxitjes për diskriminim, përqeshjes, dhunës verbale, psikike e fizike, përndjekjes, vrasjes, diskriminimit dhe kufizimit të padrejtë e të paarsyeshëm të të drejtave.

Në vitin 2017 Institucioni i Avokatit të Popullit (IAP) i është drejtuar Gjykatës Themelore në Prishtinë në cilësinë e Mikut i Gjykatës (Amicus Curie), për ta njoftuar lidhur me gjendjen e homofobisë dhe transfobisë në Kosovë, përmes shtjellimit të trajtimit institucional të disa rasteve të personave LGBTI. Sipas IAP, autoritetet publike po dështojnë t’i zbatojnë ligjet në fuqi dhe t’i trajtojnë rastet e personave LGBTI në mënyrë adekuate.

Vetëm në vitin 2019, përmes bashkëpunimit me organizatën CEL, kam ofruar shërbime juridike për shtatë persona në tri komuna të Kosovës, të cilët ishin viktima të veprave penale shkaku i orientimit seksual ose identitetit gjinor. Këta persona kanë përjetuar sulme, kanosje ose dhunë në familje dhe kërkonin të dinin se çfarë mundësi ofron shteti i Kosovës për adresimin e situatave, në të cilat gjendeshin.

Shumica prej tyre i kanë denoncuar rastet në Polici, por disa nuk pranonin, ngaqë personat që duhej t’i denonconin i kishin familjarë. Rastet e tilla të dhunës në familje janë veçanërisht të rënda, sepse viktimat përjetojnë dhunë të vazhdueshme fizike e psikike dhe janë të detyruar të jetojnë me familjarë të dhunshëm, meqë janë të papunë ose nuk fitojnë mjaftueshëm për t’u pavarësuar ekonomikisht. Kosova nuk ka strehimore për personat e komunitetit LGBTIQ dhe nuk ka asnjë program që punon me prindërit e personave LGBTIQ.

Nëse i vendosim këto të dhëna përballë gjetjeve të sondazhit të NDI-së, bëhet e dukshme se shumë nga to janë ende aktuale. Një ndër pyetjet që NDI ia kishte shtruar 1,221 qytetarëve të Kosovës, mbi 18 vjeç, ishte: Nëse do ta kuptonit se fëmija juaj është homoseksual, si do të reagonit? Vetëm 3% ishin përgjigjur se do ta mbështesnin fëmijën plotësisht, ndërkaq 15% se do ta largonin fëmijën nga shtëpia, 9% se do ta ndërpritnin kontaktin me të, 6% se do ta ndëshkonin fëmijën fizikisht, 10% do ta pranonin fëmijën, por do të kujdeseshin që askush jashtë familjes të mos e marrë vesh dhe 41% se do të mundoheshin të gjenin shërim për të.

Sot janë bërë 30 vite nga vendimi i Organizatës Botërore të Shëndetësisë për heqjen e homoseksualitetit nga lista e sëmundjeve mendore. Ky vendim ishte marrë pas shumë rishikimeve e studimeve shkencore që kishin ardhur në përfundim se nuk ka kurrfarë baze shkencore, mjekësore a psikosociale për listim të homoseksualitetit si sëmundje. Megjithatë, sipas një raporti të publikuar nga YIHR në vitin 2017, tekstet shkollore në Kosovë e cilësojnë homoseksualitetin si çrregullim e devijim.

Dezinformimi dhe mosinfomimi për çështjet që lidhen me komunitetin LGBTIQ është njëri ndër elementet kryesore, që e thellon problemin e homofobisë në shoqërinë tonë. Një element tjetër që e pengon adresimin e mirëfilltë të problemit, është edhe tejthjeshtësimi i tij.

Në mesin e shtatë rasteve penale, dy prej tyre që i kam shoqëruar në Polici, kanë qenë vetë në stacion për t’i denoncuar rastet, mirëpo zyrtarët policorë nuk i kanë regjistruar denoncimet e tyre. Me gjasë zyrtarët policorë kanë vendosur që paragjykimet e tyre ndaj homoseksualëve e transgjinorëve mbizotërojnë ndaj Kodit Penal të Kosovës. Por, mund edhe të mos i kenë besuar denoncuesve duke u nisur nga supozimi se shoqëria kosovare nuk është më homofobe.

Pavarësisht motivit, mosregjistrimi i denoncimeve për krime të urrejtjes ndaj komunitetit LGBTIQ: 1) paraqet shkelje të detyrave të zyrtarëve policorë, 2) e lë viktimën në rrezik, 3) dekurajon personat e komunitetit LGBTIQ t’i drejtohen Policisë për të kërkuar mbrojtje, dhe 4) paraqet diskriminim në bazë të orientimit seksual ose identitetit gjinor. Sipas Ligjit për Mbrojtje nga Diskriminimi, krahas qëllimit për të diskriminuar, trajtim i pabarabartë është edhe mosveprimi që ka për efekt diskriminimin.

Është e vërtetë se mbajtja e Paradës së Krenarisë ka ndikuar dukshëm në nxitjen e debatit publik për të drejtat e komunitetit LGBTIQ dhe i ka bërë më të zëshme kërkesat për përmirësimin e jetës së këtij komuniteti në Kosovë. Mirëpo, Parada e Krenarisë nuk është tregues i mjaftueshëm për të nxjerrë një përfundim për gjendjen e homofobisë në Kosovë. Një pikënisje e tillë, përveç që është e tejtheshtësuar dhe e gabuar, është edhe e rrezikshme.

Gjatë trajnimit, policëve ua lëshova videon e nëntorit 2018 ku shihet sesi disa zyrtarë policorë e tallin, e ofendojnë dhe e përqeshin një person të komunitetit LGBTIQ, ndërsa e marrin në pyetje. Detyra e pjesëmarrësve ishte t’i identifikojnë të gjitha shkeljet ligjore e të drejtave të njeriut të kryera nga zyrtarët policorë në video. Megjithëqë ngurruan në fillim, arritën t’i identifikojnë të gjitha shkeljet dhe nuk e sollën më pretendimin se shoqëria kosovare nuk është homofobe.

Tejkalimin e problemit me homofobinë mund ta arrijmë vetëm kur e pranojmë si problem, pa ia nënvlerësuar përmasat.

*Supozimi se e kemi tejkaluar homofobinë për shkak se është mbajtur tri herë Parada e Krenarisë pa incidente mbështetet në një të pavërtetë por, shtjellohet këtu për hir të argumentit. Në vitin 2017, pas mbajtjes së Paradës së parë të Krenarisë, në Policinë e Kosovës janë raportuar dy raste të ndërlidhura me Paradën. Policia e Kosovës e kishte konfirmuar për Prishtina Insight që një person ishte kërcënuar dhe ishte ngacmuar verbalisht nga disa persona të panjohur. Ndërkaq, një tjetër ishte sulmuar nga një person i panjohur dhe ishte dërguar në QKUK për trajtim mjekësor për shkak të lëndimeve.

Lexoni Gjithashtu

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Çelnaja

Në episodin e 30 të Çelnajës, së bashku me profesorin e antropologjisë Nebi Bardhoshin, trajtojmë disa koncepte me rëndësi që janë pjesë e korpusit...

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Analizë

Memorandumi i mirëkuptimit midis Serbisë dhe BE-së, i nënshkruar më 19 korrik nën mbikëqyrjen e kancelarit gjerman, Olaf Scholz, e ka kristalizuar qasjen transaksionale...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.