Connect with us

Hi, what are you looking for?

Analizë

A ka të drejtë njerëzore për qasje në internet?

Jesse Tomalty diskuton të drejtat e njeriut dhe si justifikohen ato.

Para ca kohësh pati një mori kryetitujsh që shpallnin se Organizata e Kombeve të Bashkuara (OKB) e ka shndërruar qasjen në internet në të drejtë të njeriut. Mirëpo, doli se kjo deklaratë ishte jo tërësisht e saktë. Ajo çfarë bëri OKB-ja ishte kalimi i një rezolute që theksonte rëndësinë e qasjes në internet në përmbushjen e shumë të drejtave të njeriut. Rezoluta i kërkonte shteteve që të marrin masa për të punuar drejt qasjes universale në internet, dhe i dënonte kufizimet ekstreme ndaj qasjes në përmbajtje në internet, si shkelje e të drejtave të njeriut (këtu).

Sidoqoftë, kjo nuk do të thotë se tash është formuar e drejta e njeriut për t’u qasur në internet. Ka elemente që mundësojnë përmbushjen e të drejtave të njeriut, edhe nëse vet nuk janë të tilla. Për shembull, të kesh këpucë mundëson një numër të të drejtave të njeriut, siç është e drejta për lirinë e lëvizjes dhe e drejta për një standard adekuat të jetesës; por do të ishte vërtet shumë e çuditshme të thuhet se ka të drejtë njerëzore për posedim të këpucëve. Në të kundërt, ndërhyrja në çështjen e posedimit të të mirave mund të jetë shkelje e të drejtave të tyre, pa pasur nevojë që ajo e mirë të jetë e drejtë e njeriut. Për shembull, do të ishte shkelje e të drejtës në privatësi po qe se qeveria do të lexonte faturat e kartave të kreditit të njerëzve pa pëlqimin e tyre; por nuk ka ndonjë të drejtë specifike të njeriut për të mos lexuar kartat e kreditit të dikujt. Sido që të jetë, po të ishte qasja në internet aq e rëndësishme sa sugjeron rezoluta e OKB-së, ndoshta do të duhej të konsiderohej si e drejtë njerëzore. Opinioni popullor duket se e përkrah këtë pikëvështrim. Sipas një hulumtimi të bërë në vitin 2012 nga Internet Society, 83% e më shumë se 10000 respondentëve nga njëzet vende të ndryshme pajtohen se qasja në internet duhet të konsiderohet si e drejtë e njeriut. .

Për dallim me opinionin popullor, unë dyshoj se qasja në internet do të mund të karakterizohej në mënyrë të pështatshme si e drejtë e njeriut (e lëre më si e drejtë themelore). Për të kuptuar pse, ne duhet të shohim se çfarë janë të drejtat e njeriut dhe si arsyetohen ato.

Të drejtat natyrore dhe ligjore

Ne mund të fillojmë me sqarimin e dykuptimësisë në përdorimin e termit ‘e drejtë e njeriut’. Ndonjëherë kur njerëzit flasin për të drejtat e njeriut, ata e kanë fjalën për të drejtat ligjore apo kuaziligjore të artikuluara në dokumentet ndërkombëtare të të drejtave të njeriut, sikurse Deklarata Universale e të Drejtave të Njeriut e Kombeve të Bashkuara, Konventa Ndërkombëtare për të Drejtat Civile e Politike, dhe Konventa Ndërkombëtare për të Drejtat Ekonomike, Sociale e Kulturore. Le t’i quajmë këto ‘të drejta ligjore të njeriut’. Herëve tjera kur njerëzit flasin për të drejtat e njeriut, ata e kanë fjalën për të drejtat natyrore – të drejtat morale universale që konsiderohet se i mbajnë të gjithë njerëzit thjesht në saje të të qenit njerëz. Shumicën e kohës kur njerëzit flasin për të drejtat të njeriut, ata në fakt janë duke keqkuptuar këto dy koncepte të dallueshme. Është më rëndësi që ky gabim të shmanget, sepse të drejtat ligjore të njeriut dhe të drejtat natyrore janë lloje të ndryshme të koncepteve morale, me role të ndryshme. Ne prandaj mund të pyesim edhe se a ka të drejtë natyrore për qasje në internet dhe se a duhet të ketë një të të drejtë ligjore e njeriut për të.

Siç u tha, të drejtat natyrore janë të drejta morale universale që ju takojnë të gjithë njerëzve thjesht në saje të të qenit njerëz. Si të tilla, ato duhet të bazohen në ndonjë tipar të rëndësishëm moral për atë se çfarë do të thotë të jesh njeri. Edhe pse nuk ka konsensus mbi atë se cilat janë këto tipare, pikëpamja më dominante dhe më e pranueshme është se të drejtat natyrore janë të bazuara në intereset themelore të të gjithëve, ose të paktën shumicës dërrmuese të njerëzve. Në këtë pikëpamje, ka një të drejtë natyrore për të mos u vrarë në mënyrë arbitrare, sepse secili e ka një interes të rëndësishëm për të mos u vrarë; ka një të drejtë natyrore për të mos u torturuar, sepse secili e ka një interes të rëndësishëm për të mos u torturuar; ka një të drejtë natyrore për të mos u detyruar për t’u bërë skllav, sepse secili e ka një interes të rëndësishëm për të mos u skllavëruar; e kështu me radhë.

Me këtë parasysh, është e vështirë të shihet sesi mund të ketë të drejtë natyre për qasje në internet, sepse interesi për të pasur qasje në internet nuk është mjaftueshëm themelor. Si mund të jetë kjo, duke pasur parasysh kontingjencën e saj historike? Mijëra vjet më parë, njerëzit kishin interes për të mos u vrarë, torturuar, apo skllavëruar, dhe është e arsyeshme të supozohet se njerëzit do të kenë interesa të tilla edhe pas mijëra vjetësh (duke supozuar se atëherë do të ketë ende njerëz). Por është tepër të thuhet se grekët e lashtë, për shembull, kishin interes për të pasur qasje në internet, duke pasur parasysh se ata as që mund të konceptonin këtë teknologji. E ne nuk mund të dimë se a do të kenë njerëzit interesa të tilla në të ardhmen: mund të mos kenë po qe se interneti do të zëvendësohej nga ndonjë teknologji edhe më e re, më e fuqishme. Të drejtat natyrore do të duhej të mbahen në mënyrë universale nga të gjithë njerëzit thjesht në sajë të të qenit njerëz. Prandaj nuk ka kuptim të thuhet se ka të drejtë natyrore për qasje në internet.

Megjithatë është interesante që kjo nuk do të thotë se nuk duhet të ketë një të drejtë ligjore për qasjen në internet. Përkundër të drejtave natyrore, të drejtat ligjore janë konstrukte shoqërore. Të drejtat natyrore o ekzistojnë o nuk ekzistojnë. Nuk ka sens të vihet në pyetje se a do të duhej të ekzistojë një e drejtë e veçantë natyrore, meqë kjo nuk na takon neve që të vendosim. Të drejtat natyrore kanë një realitet moral që është përtej mundësisë sonë për t’i manipuluar. Në kontrast me këtë, përmbajtja e të drejtave ligjore është punë e jona. Natyrisht, jo të gjithë nga ne kemi ndonjë mendim lidhur me atë se çfarë janë të drejtat ligjore, por ajo që vlen këtu është se përmbajtja e tyre vendoset, e nuk zbulohet, nga njerëzit. Pra edhe pse e drejta për qasje në internet nuk është e përfshirë për momentin në legjislaturën e të drejtave ndërkombëtare të njeriut, prapëseprapë ka kuptim të shtrohet pyetja se a do të duhej të bëhej kjo. Dhe në mënyrë që të konstatohet se a do të duhej të kishte një të drejtë ligjore të njeriut për qasje në internet, ne duhet të marrim parasysh sesi justifikohen të drejtat ligjore të njeriut.

Të drejtat ligjore nuk janë të drejta natyrore

Ndonjëherë nënkuptohet se të drejtat ligjore të njeriut janë veç shprehje ligjore të të drejtave natyrore, dhe pyetja se a do të duhej të kishte të drejta ligjore ndaj ndonjë të mire varet tërësisht mbi atë se a ka ndonjë të drejtë natyrore mbi të. Në këtë pikëvështrim, fakti se nuk ka të drejtë natyrore për qasjen në internet zgjidh çështjen se a do duhej të kishte një të drejtë ligjore që korrespondon me të. Pra, ne do të duhej ta refuzojmë këtë pikëvështrim. Së pari, kur shohim përmbajtjen e tashme të legjislaturës ndërkombëtare të të drejtave të njeriut, ne gjejmë se ajo është më e gjerë edhe më specifike sesa ajo e të drejtave natyrore. Për shembull, Deklarata Universale e të Drejtave të Njeriut përfshin të drejtën mbi nënshtetësinë si dhe të drejtën për të formuar dhe për t’iu bashkuar sindikatave. Nënshtetësia dhe sindikatat janë që të dyja historikisht kontingjente, dhe prandaj nuk mund të jenë objekte të të drejtave natyrore. Mund të argumentohet që këto të drejta nuk duhet, pra, që të bëjnë pjesë tek të drejtat ligjore të njeriut. Por pse do të duhej ta mendojmë këtë në mungesë të ndonjë arsyeje të shëndoshë për t’i kuptuar të drejtat ligjore të njeriut si thjesht shprehje ligjore të të drejtave natyrore?

Për më tepër, të drejtat ligjore të njeriut kanë një rol të ndryshëm prej të drejtave natyrore, dhe prandaj nuk është e qartë se pse do të duhej të mendojmë se ato kanë përmbajtje identike. Të drejtat natyrore janë kërkesa morale që mbahen prej secilit njeri kundrejt të gjithë agjentëve moralë. Për kontrast, të drejtat ligjore janë kërkesa ligjore që kanë individët specifikisht kundrejt shteteve, pushtetit të së cilave ata u nënshtrohen, dhe të cilat veprojnë si kufizime mbi sovranitetin e atyre shteteve. Të thuash se të drejtat ligjore të njeriut janë veç shprehje ligjore e të drejtave të njeriut është sikur të thuash se vetëm të drejtat natyrore mund të kryejnë këto funksione. Por pse duhet ta pranojmë këtë? Nuk duket veçanërisht problematike që të supozohet se të gjithë individët duhet të kenë kërkesa ligjore kundrejt qeverive që të mos u merret nënshtetësia apo që të mos ju ndalohet formimi dhe bashkimi të sindikatave. Por më herët e pamë se të drejtat e tilla nuk mund të jenë të drejta natyrore.

Edhe pse të drejtat ligjore të njeriut nuk janë thjesht shprehje ligjore e të drejtave natyrore, atëherë, mes tyre ka një lidhje të rëndësishme: si të drejtat natyrore ashtu edhe të drejtat ligjore të njeriut janë të bazuara në interesat themelore që u përkasin të gjithë njerëzve. Dallimi është se të drejtat ligjore të njeriut mund të përfshijnë të drejta që rrjedhin nga kontekste të veçanta shoqërore e historike nga të drejta më bazike. E drejta ligjore mbi nënshtetësinë, për shembull, nuk është e bazuar në një interes themelor mbi nënshtetësinë që ndahet nga të gjithë njerëzit, meqë nuk është se ka pasur gjithmonë kombe dhe mund të mos ketë gjithmonë kombe. Në vend të kësaj, njerëzit kanë interes që të kenë nënshtetësi sepse në botën bashkëkohore të kesh nënshtetësi është instrumentale për përmbushjen e interesave tjera, më bazike, ku disa prej të cilave janë të drejta natyrore. Pa nënshtetësi nuk mund të kesh pasaportë, për shembull; dhe pa pasaportë, liria e lëvizjes është jashtëzakonisht e kufizuar. Liria e lëvizjes është me gjasë një interes themelor që u përket të gjithë njerëzve, e cila më këtë rast i jep të drejtë natyrore lirisë së lëvizjes. Ky interes po ashtu ofron baza për një të drejtë ligjore bazike ndaj lirisë së lëvizjes, prej së cilës mund të derivojmë një të drejtë më specifike ligjore mbi nënshtetësinë.

Të drejta për qasje në internet?

A mundet që e drejta ligjore e njeriut për qasje në internet të arsyetohet në këtë mënyrë? Interesi në të pasurit qasje në internet është i bazuar sigurisht në interesa më parësore, dhe disa prej këtyre interesave janë të llojit që i jep baza të drejtave natyrore; për shembull, interesi për lirinë e shprehjes dhe lirinë e asociimit. Sot interneti është mbase platforma më e rëndësishme e të shprehurit të opinioneve dhe të shpërndarjes së informacionit, dhe ai ofron një shumësi të mundësive për një llojshmëri të gjerë të asociimit.

Mund të argumentohet se pa qasjen në internet njerëzit ende mund ta gëzojnë lirinë e shprehjes dhe të asociimit, duke supozuar se ata ende mund të mblidhen në vende publike, të botojnë opinionet e tyre në gazeta, e kështu me radhë. Sidoqoftë, të drejtat për lirinë e shprehjes dhe lirinë e asociimit nuk kërkojnë thjesht që poseduesit e së drejtës të kenë së paku disa mundësi për t’u shprehur dhe për të themeluar shoqata. Në fakt, ata përmbushën vetëm deri në atë masë që njerëzit kanë mundësi adekuate për t’u shprehur dhe për t’u mbledhur. Të parandalosh njerëzit në mënyrë arbitrare së botuari opinionet e tyre në të gjitha përveç njërës gazetë më pak të lexuar, do të konstituonte shkelje të së drejtës së tyre të lirisë së shprehjes, pa marrë parasysh se ata kanë disa mundësi për të shprehur vetveten. Njëlloj, që të parandalosh njerëzit në mënyrë arbitrare që t’i bashkohen të gjitha përveç njërës prej shoqatave, organizatave, partive, apo klubeve, do të ishte shkelje e së drejtës së tyre për lirinë e asociaciimit, përkundër faktit se ata kanë disa mundësi për t’u asociuar me të tjerët. Se çfarë saktësisht përbën mundësinë adekuate dhe aftësinë për të ushtruar lirinë e shprehjes dhe të asociimit është një pyetje e rëndësishme dhe e vështirë; por në pikëpamje të rëndësisë së jashtëzakonshme të internetit duket e arsyeshme që të konstatohet se të parandalosh dikë që të ketë qasje në internet është që t’i deprivosh ata prej mundësive adekuate për të ushtruar lirinë e tyre të shprehjes dhe të asociimit. Duket sikur të drejtat ligjore të njeriut për qasje në internet do munden pra të jenë të derivueshme nga të drejtat më bazike natyrore të lirisë së shprehjes dhe të lirisë së asociimit, në të njëjtën mënyrë që një e drejtë ligjore e njeriut për nënshtetësi mund të jetë e derivueshme nga e drejta më bazike natyrore e lirisë së lëvizjes.

Megjithatë, ekziston një dallim i rëndësishëm mes nënshtetësisë dhe internetit. Është jopraktike që të ketë ligje ndërkombëtare që kanë nevojë të freskohen vazhdimisht. Si të tilla, të drejtat ligjore të njeriut jo vetëm që duhen të jetë të një rëndësie shumë të madhe tash, por po ashtu edhe në të ardhmen e parashikueshme. Kështu, progresi teknologjik që përparon me shpejtësi të dritës e bën internetin, dhe rrjedhimisht edhe të drejtën ligjore për të, edhe më të pasigurt. Fakti se nuk ka të drejtë natyrore për qasje në internet nuk e përjashton mundësinë se do të duhej të kishte një të drejtë ligjore njerëzore për të, meqë në ditët e sotme qasja në internet është shumë e rëndësishme për përmbushjen e të drejtave të tjera të njeriut. Por meqë ekziston probabiliteti që në të ardhmen jo shumë të largët interneti mund të dalë nga përdorimi, unë jam e prirë të mendoj se qasja në internet nuk e përligj tamam statusin e një të drejtë ligjore ndërkombëtare të njeriut.

___________

Jesse Tomalty është profesore e asocuar në Universitetin e Bergenit në Norvegji. Ajo ligjëron Etikë dhe Filozofi Politike.

Artikulli origjinal

Përktheu: Bardhi Bakija

Lexoni Gjithashtu

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Analizë

Memorandumi i mirëkuptimit midis Serbisë dhe BE-së, i nënshkruar më 19 korrik nën mbikëqyrjen e kancelarit gjerman, Olaf Scholz, e ka kristalizuar qasjen transaksionale...

Çelnaja

Në episodin e 30 të Çelnajës, së bashku me profesorin e antropologjisë Nebi Bardhoshin, trajtojmë disa koncepte me rëndësi që janë pjesë e korpusit...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.