Pika qendrore e mospajtimeve lidhur me Asociacionin e Komunave Serbe (AKS) ka qenë nëse ai në mënyrë efektive adreson nevojat e serbëve të Kosovës, edhe pse pjesa më e madhe e dialogut të lehtësuar nga BE-ja është përqendruar në nivelin e integrimit të serbëve të Kosovës në institucionet e Kosovës. Megjithatë, ata asnjëherë nuk janë përfshirë në proces sa duhet.
Perceptimi i përgjithshëm ka qenë se AKS-ja është një strukturë e promovuar në mënyrë aktive nga Serbia e jo Kosova. Shqiptarët e Kosovës në veçanti kanë tendencë të besojnë që serbët e Kosovës janë instrumentalizuar nga Beogradi. Në këtë kuptim, qëndrimi i përgjithshëm është se marrëveshja u përgjigjet më shumë nevojave të Beogradit sesa nevojave praktike të qytetarëve në veri të Kosovës.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, gjithnjë është kapur në këtë argument për ta theksuar mospërputhjen ndërmjet qëllimeve të Beogradit lidhur me AKS-në dhe nevojave të vërteta të serbëve të Kosovës.
“Nuk ka qenë asnjëherë kërkesë e serbëve të Kosovës. Serbët e Kosovës duan drejtësi e punësim, andaj duhet t’i dallojmë kërkesat që vijnë prej poshtë dhe kanë karakter demokratik e shoqëror, prej kërkesave që vijnë prej lart e kanë karakter jodemokratik dhe hegjemonik”, pati deklaruar Kurti në një konferencë për shtyp.
Kurti më tej ka shtjelluar dallimet ndërmjet nevojave të serbëve të Kosovës dhe qëllimeve të Serbisë, duke shpjeguar: “Unë besoj që edhe serbët në Kosovë [si të gjitha komunitetet e tjera në Kosovë] kanë nevojë për drejtësi e për punësim, e jo për asociacione të cilat na shtojnë tensionet, na i prishin raportet tona dhe e gëzojnë dikë në Beograd”.
Dëmet nga Status Quo-ja
Për shkak të pamundësisë për t’u angazhuar haptazi në dialogun për fushëveprimin e AKS-së, Kosova në veçanti është parë si jo e besueshme dhe jokonsistente me detyrimet që ka marrë përsipër me marrëveshjen nga viti 2013, e titulluar “Marrëveshja e parë e parimeve që rregullojnë normalizimin e marrëdhënieve” (së cilës zakonisht i referohemi si Marrëveshja e Parë e Brukselit).
Perceptimet mbi jokonsistencën e Kosovës janë rënduar me ratifikimin e marrëveshjes nga viti 2013 dhe aktgjykimi pasues i Gjykatës Kushtetuese nga viti 2015, me të cilin AKS-ja portretizohet si “sistem i brendshëm ligjor” dhe rrjedhimisht “pjesë e rendit kushtetues” të Kosovës.
Moszbatimi i AKS-së është parë si përfitim për Serbinë. Në një intervistë me një ekspert serb nga Kosova, e realizuar në kushte anonimiteti, është theksuar se insistimi i Serbisë lidhur me Kosovën e të qenit jo e besueshme i ka lejuar që ta anashkalojë nevojën për një marrëveshje përfundimtare, pasi zgjat edhe më shumë diskutimet e pashmangshme për njohjen e Kosovës.
Nga ana tjetër, mungesa e angazhimit nga Qeveria e Kosovës lidhur me AKS-në, jo vetëm që bllokon progresin në dialog, por po ashtu rrezikon vazhdimësinë e strukturave të mbetura ilegale të cilat sfidojnë juridiksionin e institucioneve legjitime publike të vendit. Kështu, sfida më e rëndësishme më të cilën ballafaqohet Qeveria e Kosovës nuk është perceptimi i gjykuar gabimisht i realizimit të AKS-së, por gatishmëria për t’i adresuar dhe rregulluar kërcënimet nga ajo në pajtim me kornizën ligjore dhe kushtetuese të vendit.
Megjithatë, në një diskutim të brendshëm me një ekspert tjetër serb, është vënë në spikatje që adresimi i problemit të pronësisë në negociata për AKS-në do të jetë një sfidë e vërtetë, duke marrë parasysh kontekstin e ndërlikuar të përfaqësimit të serbëve të Kosovës.
Monopolizimi nga Lista Serbe i përfaqësimit politik të elektoratit të serbëve të Kosovës siguron që perspektivat e qytetarëve filtrohen efektivisht para njoftimit zyrtar të institucioneve publike të Kosovës lidhur me ato. Siç ka sqaruar një tjetër ekspert në kushte anonimiteti: “E vetmja mënyrë për të siguruar që serbët e Kosovës të dëgjohen është që Beogradi të çkyçet dhe ta mbështesë Listën Serbe për të diskutuar me Qeverinë e Kosovës”.
Sfidat praktike të shuarjes së strukturave paralele
Ndonëse Kurti me të drejtë ka deklaruar që AKS-ja nuk është kërkesë e drejtpërdrejtë e as dëshirë e serbëve të Kosovës, arsyet për animozitetin e tyre ndaj çfarëdo forme të asociacionit kanë qenë disi të keqinterpretuara nga ana e tij.
Sipas një aktivisti serb të Kosovës nga veriu, përgjatë një diskutimi të brendshëm, “kur flitet për AKS-në, serbët e Kosovës do të ishin shumë më radikalë sesa Beogradi. Ata thjesht nuk duan asnjë lloj integrimi [në Kosovë]”. Për serbët e Kosovës, AKS nënkupton integrimin e tyre të pakompromis në institucionet kosovare, duke i dobësuar efektivisht lidhjet ekzistuese dhe mbështetjen që marrin nga institucionet paralele të Serbisë, të cilat funksionojnë në veri.
Çdo tentativë për të riformësuar integrimin e serbëve të Kosovës duhet t’i adresojë faktorët që fuqizojnë varësinë socio-ekonomike të serbëve nga strukturat ekzistuese paralele. Siç ka thënë një shqiptar i Kosovës, përfaqësues i një OJQ-je, po ashtu në kushte anonimiteti: “Institucionet publike në Kosovë duhet të korrin besimin e serbëve të Kosovës për të qenë në gjendje që ta plotësojnë boshllëkun në adresimin e nevojave praktike të tyre pas shuarjes së strukturave paralele”.
Pa marrë parasysh fushëveprimin e kompetencave dhe pronësisë, integrimi i mëtejmë i serbëve të Kosovës do të ketë pasoja esenciale për formën dhe qeverisjen e shtetit të Kosovës. Integrimi i strukturave paralele, veçanërisht në fushën e arsimit dhe shëndetësisë, nënkupton një ndryshim të përgjithshëm si kanë funksionuar këto sisteme dhe si u ofrohen këto shërbime serbëve të Kosovës në veri të vendit për më shumë se dy dekada.
Në kushte anonimiteti, një tjetër eksperte serbe nga Kosova theksoi se përafërsisht 12,000 persona janë të punësuar nga këto struktura paralele dhe do të ketë nevojë për integrim në kuadër të sistemit kosovar. Në vitin 2019, projektligji i buxhetit të Serbisë kishte parashikuar përafërsisht 89 milionë euro investime në Kosovë. Numrat e saktë lidhur me nivelin e financimit të strukturave paralele në Kosovë nga Serbia mbesin të paqartë, ndonëse janë qenësorë. Po të integroheshin sistemi i arsimit dhe ai shëndetësor në sistemin kosovar, burimet buxhetore të Kosovës dhe kuotat sipas të gjitha gjasave do të çonin në shuarje të shumë vendeve të punës në kuadër të popullatës së serbëve të Kosovës.
Në kontekst të dialogut të nivelit të lartë, as Serbia e as Kosova nuk kanë iniciuar ndonjë debat substancial se si do të adresohej çështja e punëtorëve “tepricë” që do të rezultonin nga shuarja e strukturave paralele. Nga ana tjetër, buxheti shtetëror i Kosovës nuk mund të alokojë mbështetjen e nevojshme financiare për ta mbuluar humbjen e vendeve të punës nga integrimi i këtyre strukturave.
Theksi mbi substancë, jo brendim
Pasi serbët e Kosovës vazhdojnë të mbështeten te strukturat paralele për mirëqenien e tyre bazike, gjasat që ata do të ngrenë zërin lidhur me nevojat dhe kërkesat e tyre pranë Qeverisë së Kosovës janë shumë të vogla. Prandaj, çfarëdo diskutimi për AKS-në duhet të përqendrohet në substancën e çështjes, e jo parëndësinë e brendimit të saj.
Edhe nëse Qeveria në fund heq dorë nga AKS-ja, niveli i integrimit të serbëve të Kosovës do të vazhdojë të jetë sfidë kritike e cila do të duhet të adresohet në mënyrën e duhur. Sigurimi i sundimit të ligjit dhe ushtrimi i sovranitetit në veri të Kosovës në vetvete bartin adresimin e këtij realiteti të hidhur.
Përderisa me të vërtetë ka kundërthënie në pronësinë e AKS-së, minimizimi i frikave ekzistuese në mesin e serbëve të Kosovës për efektet e integrimit mbi mirëqenien e tyre bazike është i rëndësisë qenësore. Siç ka qenë rasti me integrimin e strukturave policore dhe gjyqësore, çfarëdo lloj ndryshimi i pronësisë kërkon një ndryshim të narrativit dhe ndërtimit të besimit që institucionet publike të Kosovës në mënyrë efektive mund të rregullojnë sektorët dhe të ofrojnë shërbimet të cilat paraprakisht ofroheshin nga institucionet paralele.
Ky artikull është pjesë e një projekti hulumtimi në kuadër të kornizës së Bursës Kosovare për Hulumtime dhe Analiza (KRAF), e mbështetur nga Fondacioni i Kosovës për Shoqëri të Hapur.
Mendimet e ekspertëve të cituara në tekst janë pjesë e intervistave të gjysmëstrukturuara të thella, të cilat janë zhvilluar si pjesë e kapitullit për AKS-në, i cili do të publikohet si pjesë e publikimit të përbashkët të KRAF-it.