Connect with us

Hi, what are you looking for?

Analizë

A po e dëmtojnë ndihmat e huaja ekonominë e Kosovës?

Na ishte një herë një fermer i vogël. Ky fermer, së bashku me anëtarët e tjerë të familjes kultivonin tradicionalisht speca në një sipërfaqe prej 0.3 hektar. Në vitet kur kishte bereqet, apo kur të mbjellat nuk dëmtoheshin nga reshjet atmosferike dhe moti jostabil i pranverës, ai arrinte të vilte një sasi solide të prodhimit. Ndonëse fermeri nuk kishte mjet modern transportues për ta dërguar prodhimin në tregun e ndonjërit prej qyteteve të mëdha, detyrohej që ta barte me traktor deri në tregun lokal më të afërt. Çmimi i produkteve të tij përcaktohej nën mëshirën e ofertës dhe kërkesës në atë treg. Në rastet kur shumë fermerë të tjerë vërshonin tregun në të njëjtën kohë, oferta e tejkalonte kërkesën dhe tregtarët e kishin shumë të lehtë ta ulnin çmimin në minimum. Shumë herë, ky çmim nuk mbulonte as shpenzimet bazë të investimit, lëre më koston e punës. Pa pritë e pa kujtu, fermeri aplikoi për donacion nga një organizatë ndërkombëtare. Si rrjedhojë, fermeri ka modernizuar fermën e tij dhe e ka rritur sipërfaqen punuese. Përveç tregun vendor, fermeri e shet prodhimin e tij edhe në tregjet ndërkombëtare. Sot, fermeri posedon një fermë të specave prej 10 hektarësh.

Së bashku me fermerin në fjalë, kanë përfituar edhe shumë kultivues të tjerë, të cilët për pak vite kanë arritur të ndërtojnë biznese të qëndrueshme. Përveç përkrahjes së bujqësisë, donacionet e huaja kanë përkrahur edhe sektorët e tjerë të ekonomisë. Paramendoni nëse u themi këtyre përfituesve se këto donacione janë duke e dëmtuar ekonominë e Kosovës. Çfarë? A je çmendë?

Ndihmat në formë të granteve dhe donacioneve janë shumë të rëndësishme për vendet të cilat përballen me varfëri ekstreme, apo që janë dalë të shkatërruara nga lufta apo konflikti civil. Mirëpo ndihmat e huaja shkojnë përtej luftimit të varfërisë. Organizatat e ndryshme ndërkombëtare janë duke e përkrahur në mënyrë të vazhdueshme zhvillimin e sektorëve të ekonomisë nëpër vende të ndryshme të botës. Kuptohet se ka shembuj nëpër botë, ku ndihmat kanë ndihmuar rimëkëmbjen e shteteve duke përkrahur investimet dhe zhvillimin ekonomik. Shembulli më i mirë për këtë është “Plani Marshall” – fond amerikan i përbërë nga më shumë se 100 miliardë dollarë që kishte për qëllim përkrahjen e vendeve perëndimore të sapo dala nga Lufta e Dytë Botërore. Këto ndihma kishin rol të veçantë në rimëkëmbjen e industrive për vendet në fjalë. Prandaj, ndihmat janë përkrahëse të fuqishme të zhvillimit ekonomik të një vendi, apo jo? Jo!

Se ndihmat mund të kenë efekt negativ në ekonomi, na e tregon fakti që në katër dekada, afro 568 miliardë dollarë ndihma janë dhënë për vendet e Afrikës, dhe ende ka shumë vende të këtij kontinenti që nuk janë më të pasura sesa kanë qenë para 40 vjetëve.

Ku është problemi dhe ku qëndron Kosova?

Nobelisti britanik Angus Deaton, gjersa kritikon ndihmat në mes tjerash thotë se “kur ekzistojnë kushtet për zhvillim, ndihmat më nuk janë të nevojshme dhe në fakt ato mund të bëjnë dëm”. Ky argumentim është thelbi për ta kuptuar dështimin e ndihmave.

Për shumëkënd mund të jetë e befasishme, por me përjashtim të disa ishujve, nga viti 2000-2012, Kosova është vendi që ka pranuar më së shumti ndihma për kokë banori në botë, me rreth 440 dhe 330 dollarë për kokë banori, respektivisht. Është e kuptueshme se në vitin 2000, ndihmat kanë qenë shumë të rëndësishme pasiqë Kosova ishte pothuajse plotësisht e shkatërruar. Por, cili është efekti i  ndihmave në vitin 2012? Dikush lehtazi mund të na i sjellë në mend projektet e financuara në infrastrukturë si ndërtimi i shkollave, rrugëve, kanalizimeve, e kështu me radhë, të cilat janë të financuara nga ndihmat e huaja. Prandaj mund të lindë pyetja, se si është e mundshme dikush me arsye të shëndoshë të mendojë se kjo përkrahje mund ta dëmtoj zhvillimin ekonomik afatgjatë?

Le ta marrim shtruar. Kur qeveria jonë planifikon të ndërtojë një rrugë që kushton 10 milionë euro, dhe papritmas vjen një donator që ofron 5 milionë, pa dijeni mbi koston totale të saj, çfarë do të ndodhë? Sigurisht se me shumë kënaqësi, Qeveria do ta pranonte ndihmën. Pastaj vjen radha e hapjes së tenderit për atë rrugë. Çuditërisht, oferta më e mirë për rrugën në fjalë del të jetë 15 milionë euro! A nënkupton kjo se ndihmat e jashtme në mënyrë indirekte dhe të paqëllimshme janë duke ndikuar mbi rritjen e korrupsionit në Kosovë? Përgjigja është po.

Shembulli i thjeshtuar më lart, lidhet me konceptin e zëvendësimit të ndihmave (ang. fungibility). Pra, kur vendet dhe organizatat e huaja i përkrahin shtetet me ndihma, ato u japin luksin qeverive që të bëjnë shpenzime të panevojshme dhe të përfshihen në afera korruptive. Për ta kuptuar drejt argumentin kundër ndihmave të huaja, nuk duhet imagjinuar një vend i varfër ose i shkatërruar nga lufta, për shkak se në këtë kontekst nuk mund të quhet dhe të jetë argument.

Ndërkombëtarët përballë problemit të zëvendësimit të ndihmave

Së fundi, ambasadori i Zvicrës në Kosovë tha se “ne financojmë projekte dhe ju [Qeveria] veteranët e rrejshëm”. Për institucione normale kjo deklaratë do të duhej të ishte një shqetësim dhe nisje për ndryshim. Me fjalë tjera, përfaqësuesit ndërkombëtarë nuk janë injorantë. Ata e dinë shumë mirë problemin e zëvendësimit të ndihmave. Për më tepër, ata japin çdo herë këshilla lidhur me rritjen e efektit të ndihmave të cilat do të duhej të ishin në harmoni me politikat e qeverisë. Mirëpo këshillat dhe rekomandimet janë të mira vetëm për njerëz që dëgjojnë, fatkeqësisht. E pasi drejtuesit e institucioneve nuk duan t’ia dinë për këshillat e miqëve të huaj, këta të fundit, duhet t’i zvogëlojnë donacionet për vendin tonë. Ndoshta për shumëkënd mund të jetë e dhimbshme, por kjo do ta pavarësonte ekonominë e vendit tonë.

Duke rikujtuar argumentimin e nobelistit të përmendur më lart, mund të vlerësojmë se Kosova i plotëson kushtet për zhvillim. Nuk jemi më një vend i shkatërruar. Kemi rrugë dhe shkolla. Prandaj, donatorët e huaj janë duke përfunduar punë që në kushte normale do të duhej të kryheshin nga vetë qeveria.

Nëse kemi 53 milionë për të paguar “dëmshpërblim” për Becthel-Enka, nëse kemi buxhet të mjaftueshëm për të dhënë pensione për mijëra veteranë të rrejshëm, nëse kemi buxhet për të pagur rrugët më të shtrenjta në rajon, atëherë pse na duhen donacione për kanalizime e shkolla.

Si një vend që ka potencial për zhvillim, ndihmat po u krijojnë hapësirë politikëbërësve për keqmenaxhim me paranë publike. Në anën tjetër, populli i përkrahur me ndihma është duke heshtur kundrejt këtij keqmenaxhimi. Po të mos kishte ndihma më të cilat do t’i ndërtonin shkollat e kanalizimet, mund të themi me bindje se populli nuk do t’i duronte veteranët e rrejshëm e as feudalët e klasës politike.

A është e dëmshme çdo formë e ndihmave?

Jo. Kemi argumente të mjaftueshme që nëpërmes ndihmave është zhvilluar demokracia dhe mendimi kritik. Përtej ndihmave në edukim, organizatat ndërkombëtare dhe vendet perëndimore kanë përkrahur dhe vazhdojnë të përkrahin shumë të rinj të vazhdojnë studimet në universitete me famë botërore. Gjithashtu, përmes shoqërisë civile, kanë financuar hulumtime që qesin në pah korrupsionin dhe krimin e organizuar. Pastaj, fatkeqësia më e madhe është kur zbulohet korrupsioni e manipulimi dhe askush nuk reagon. Bile, në rastin më të keq, personi që mundohet ta luftojë këtë fenomen, persekutohet dhe luftohet nga ata që do të duhej ta mbronin. Kujtojmë rastin e prokurorit Blakaj. Nëse s’ka bazë manipulimi i listave të veteranëve, pse duhet të persekutohet hetuesi? Nëse nuk janë të vërteta pretendimet e tij, pse duhet të shqetësohen të akuzuarit potencial?

Sidoqoftë, dizejnimi i ndihmave është mjaft kompleks. Pra nuk mund të themi që donacionet për infrastrukturë janë të dëmshme, ndërsa ndihmat për shoqërinë civile janë të dobishme. Pa kurrfarë dyshimi, ndihmat stimulojnë korrupsionin edhe në organizatat e shoqërisë civile. Nëse i shohim statistikat, në Kosovë janë të regjistruara mbi 10 mijë organizata joqeveritare, që i bie një OJQ për 180 banorë. Besoj që as dyqane ushqimore nuk ka më shumë. Prapëseprapë, besoj se dëmi që ndihmat i bëjnë ekonomisë është fakti se ato janë duke i kryer ato punë që do të duhej t’i kryente qeveria.

Për t’i rënë shkurt, zvogëlimi gradual i ndihmave të huaja në disa sektorë që duhet të jenë prioritet i qeverisë, do të ishte i rëndë në afat të shkurtër, por pivotal për një zhvillim të qëndrueshëm ekonomik. Dhe krejt në fund, argumentet kundër ndihmave, assesi nuk guxojmë t’i interpretojmë si akuza ndaj organizatave ndërkombëtare dhe shteteve mike.

Lexoni Gjithashtu

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Çelnaja

Në episodin e 30 të Çelnajës, së bashku me profesorin e antropologjisë Nebi Bardhoshin, trajtojmë disa koncepte me rëndësi që janë pjesë e korpusit...

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Analizë

Memorandumi i mirëkuptimit midis Serbisë dhe BE-së, i nënshkruar më 19 korrik nën mbikëqyrjen e kancelarit gjerman, Olaf Scholz, e ka kristalizuar qasjen transaksionale...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.