Cenimi i së drejtës për të abortuar nuk përmbyllet brenda kufijve shtetërorë të një vendi, pavarësisht ndërhyrjes së dhunshme në jetët e personave atje. Kthimi i ligjit “Roe v. Wade” nga Gjykata e Lartë Amerikane, përtej SHBA-së, ngre shqetësim në Europë dhe më gjerë.
Në të gjithë Ballkanin, përfshirë Shqipërinë, e drejta për të abortuar mbrohet përmes ligjit. Ajo nuk ka qenë realisht pjesë e diskutimit publik deri së fundmi. Papritur, kjo çështje që deri dje në Shqipëri është marrë për e mirëqenë, tashmë është kthyer në vëmendje. (Shih gjithashtu këtu, këtu i këtu.) Diskursi mbi të, rëndom i dominuar vetëm nga burrat, është manipuluar përmes ofrimit të të dhënave të rreme, që vënë në rrezik sigurinë dhe mirëqenien e vajzave dhe grave.
Aborti nuk mund të jetë objekt spektakli mediatik dhe as debat me dy kahe, që zhvillohet në varësi të “opinioneve” që mund të kenë palët, veçanërisht ata në pozita pushteti. Siguria shëndetësore femërore dhe jetët e grave nuk mund të jenë debat i odave të burrave, që rrezikojnë të na kthejnë në praktika mesjetare e të na marrin jetën.
Ky shkrim lind si nevojë e përpjekjes për autonomi dhe drejtësi në hapësirën e përbashkët publike, aktualisht një monopol patriarkal. Një përsiatje që reflekton sesi dhunimi i grave diku, përbën njëkohësisht dhunim të secilës grua kudo tjetër.
Një histori e shkurtër e ligjit “Roe v. Wade” në SHBA
Më 22 janar 1973, Gjykata e Lartë e SHBA-së, bazuar në Amendamentin 14 të Kushtetutës, ku citohet se “…asnjë shtet nuk do të privojë asnjë qytetar/e amerikan/e nga e drejta për jetën, lirinë dhe pronën” dhe Amendamentin 9 ku citohet se “...të drejtat që nuk i parashikon kushtetuta nuk i përkasin qeverisë federale por qytetarëve”, vendosi se liria e një gruaje për të abortuar do të mbrohej përmes ligjit në të gjithë vendin.
Rasti e kishte pikënisjen në vitin 1970 kur Norma McCorvey, nën pseudonimin ligjor “Jane Roe”, asokohe shtatzënë për të tretën herë dhe në pamundësi ligjore për të abortuar, me ndihmën e avokateve, paditi përfaqësuesin e qarkut të Dallas-it Henry Wade, nën pretendimin se ligji i Teksasit ishte jokushtetues.
Fillimisht, çështja e Roe-së, sikurse ajo e “Doe v. Bolton” (Georgia), gjithashtu mbi të drejtën për abort dhe e paditur në të njëjtën kohë, nuk u trajtuan me prioritet nga gjykata. Kjo e fundit refuzoi të vepronte nën pretekstin se duhej t’i jepte zgjidhje të tjera çështjeve në radhë.
Si përfundim, padia e Roe-së e pati dëgjesën e parë më vonë nga gjyqtarët Sarah T. Hughes, William McLaughlin Taylor Jr. i Irving Loeb Goldberg të Gjykatës së Apelit të SHBA-së për qarkun e pestë. Pas një sërë seancash dhe një procesi tri vjeçar, Gjykata e Lartë i dha të drejtë McCorvey-it. Së bashku, edhe çështjes shoqëruese “Doe v. Bolton”. Ligji i Teksasit për abortin u deklarua se shkelte Amendamentin 9 dhe 14 të SHBA-së, dhe u shpall jokushtetues.
Paçka se McCorvey prej ngritjes së padisë dhe në muajt që e pasuan atë iu nënshtrua ndjekjes së shtatzanisë së padëshiruar dhe më pas lindjes, fitimi i çështjes tri vite më vonë, i ofroi asaj të drejtën e mohuar si grua dhe njëkohësisht çeli një perspektivë për vajzat dhe gratë e tjera amerikane, veçanërisht vajzat dhe gratë e varfra, të zeza, latine, etj.
Pesë dekada më vonë, përkatësiht, më 24 qershor, Gjykata e Lartë e SHBA-së, përmes rastit “Dobbs v. Jackson Women’s Health Organization” zhbëri 49 vite progres, duke e kthyer ligjin “Roe v. Wade” me 5 vota në favor. Ishin gjykatësit konservatorë Amy Coney Barrett, Brett M. Kavanaugh, Neil M. Gorsuch, Samuel A. Alito Jr. i Clarence Thomas ata që (ri)përcaktuan “fatin” e “Roe v. Wade” dhe kësisoj, atë të miliona grave në SHBA.
Ky vendim vjen në kundërshtim me bindjen e më shumë se gjysmës së popullsisë amerikane, e cila shprehet në favor të së drejtës së grave, burrave transgjinorë dhe personave me gjini jo normative për të abortuar. Paçka se qëndrimi mbi abortin ndryshon nga njëri shtet në tjetrin, shumica dërrmuese e qytetare/ëve në SHBA e përkrahin atë.
Tri nga gjyqtarët që votuan kundër “Roe v. Wade” janë zgjedhur në krye të Gjykatës së Lartë viteve të fundit nga Presidenti Donald Trump, i cili fitoi zgjedhjet presidenciale, pavarësisht humbjes së votës popullore në zgjedhjet 2016.
Vendimi aktual i Gjykatës së Lartë të SHBA-së për abortin ka shkaktuar protesta dhe reagime anembanë. Teksa një pjesë e konsiderojnë këtë vendim “të drejtë”, nën perspektivën konservatore se “aborti është vrasje”, pjesa tjetër e konsideron atë shkelje të së drejtës bazike të shëndetit riprodhues femëror, duke argumentuar se kriminalizimi i abortit nuk e ndalon abortin, por ai thjesht ndalon abortin e sigurt, duke rrezikuar kësisoj jetët e vajzave dhe grave.
Kush ishte Ruth Bader Ginsburg?
Ruth Bader Ginsburg (R.G.B.) ishte Gjyqtare e Asociuar në Gjykatën e Lartë të SHBA-së, prej vitit 1993 deri në 18 shtator 2020, kur edhe ndërroi jetë.
Qëndrimi i saj për abortin ka qenë gjithnjë i qartë. Sipas saj: “E drejta për të pasur ose jo fëmijë është thelbësore në jetën e një gruaje, për mirëqenien dhe dinjitetin e saj. Kur qeveria ndërhyn te ky vendim, atëherë gruaja trajtohet si person gjysmë i rritur, e paaftë për të zgjedhur vetë.”
Megjithatë, teksa diskursi dhe praktika e Ginsburg kanë respektuar gjithnjë autonominë e grave mbi trupin e tyre, refuzimi i saj për të dhënë dorëheqjen nga Gjykata e Lartë (një karrierë e përjetshme për të gjithë gjyqtarët e kësaj gjykate) është kritikuar vazhdimisht, përfshirë kritikat që ajo ka marrë post-mortum, sidomos pas zëvendësimit me Amy C. Barrett.
Në moshën 77-vjeçare, R.G.B. u shndërrua në gjykatësen më të vjetër në detyrë. Pavarësisht të qenit e diagnostikuar disa herë me kancer ajo sërish refuzoi të hiqte dorë nga Gjykata e Lartë.
Por, refuzimi për t’u dorëhequr nga Gjykata e Lartë është praktikë e njohur mes gjykatësve në SHBA, rëndom në situata të ngjashme me R.G.B., sikurse arrin në përfundime ky studim.
Disa besojnë se vendimi i R.G.B. për t’u dorëhequr do t’i kishte hapur rrugën Demokratëve për të emëruar nga radhët e tyre dikë me një botëkuptim progresiv, teksa Partia Demokratike zotëronte ende Senatin. Megjithatë, shumica demokrate zgjati deri në zgjedhjet 2014, në mes të mandatit të Obamës, çka i ofroi këtij të fundit vetëm një afat dy vjeçar për të nominuar, hipotetikisht, një gjykatës/e progresiv/e.
Megjithatë nuk është e sigurt nëse Obama do të kishte nominuar dikë vërtetë progresiv. Nominimet e tij të mëhershme, si për shembull, Elena Kagan, aktualisht pjesë e Gjykatës së Lartë apo Merrick Garland, vështirë se mund të konsiderohen zgjedhje “progresiste”. Në anën tjetër, vetë R.G.B. ishte skeptike që një nominim i mundshëm nga Obama për zëvendësimin e saj, do të kalonte pa u rrëzuar nga Republikanët.
Çfarë ndryshon pas vendimit të 24 qershorit në SHBA?
“Roe v. Wade” i ndalonte shtetet federale të aplikonin kufizime mbi të drejtën për të abortuar deri në tremujorin e parë të shtatzanisë. Tashmë që ky ligj është vendosur të kthehet, me ekzekutimin e mëtejshëm të vendimit, shteteve iu lind e drejta që të marrin masa kufizuese ose ta ndalojnë plotësisht abortin brenda juridiksionit të tyre.
Shtete si Alabama, West Virginia dhe Wisconsin kanë ende në fuqi kufizime mbi abortin, që ekzistojnë përpara marrjes së vendimit mbi “Roe v. Wade”. Në anën tjetër, shtete si Arkansas, Idaho, Kentucky, Louisiana, Mississippi, Missouri, North Dakota, Oklahoma, South Dakota, Tennessee, Texas, Utah dhe Wyoming janë të pajisura me ligje të njohura si “trigger laws”, të cilat ose hyjnë menjëherë në fuqi ose 30 ditë më pas, numërim që nis nga data 24 qershor. Aktualisht, aborti është i mbrojtur me ligj në SHBA vetëm në 20 shtete nga 50 në total.
Ndërsa ekzistojnë mundësi alternative për ndalimin e shtatzanisë në fazë të hershme, siç është pilula me dy doza e abortit, qasja te ky medikament mund të variojë nga njëri shtet në tjetrin dhe ajo ofrohet vetëm nga një mjek/e, infermier/e, klinikë aborti ose qendër për planifikimin familjar.
Me kthimin e “Roe v. Wade”, gjasat janë që qarkullimi i kësaj pilule të kufizohet ose ndalohet. Kontraceptivët e emergjencës, nga ana tjetër, nuk janë alternativë ndaj pilulës së abortit ose abortit që kryhet në klinikë sepse ata thjesht kufizojnë mundësinë për të mbetur shtatzënë por nuk e ndërpresin dot shtatzaninë, nëse kjo tashmë ka ndodhur.
E ndërsa vajzat dhe gratë lejohen të udhëtojnë drejt shteteve ku aborti është i ligjshëm, kjo mundësi në vetvete nënkupton ekskluzivitet klasor, social, racor dhe ableist. Jo të gjitha gratë gëzojnë mundësinë fizike ose ekonomike për të udhëtuar, sidomos në një kontekst gjeografik ku distancat janë të mëdha, pa llogaritur shpenzimet për qëndrimin, ushqimin dhe ç’është më e rëndësishmja, përftimin e shërbimit të abortit dhe të tjera shërbimeve mjekësore lidhur me të.
Gjithashtu, kur një grua vidhet nga e drejta për të zgjedhur mbi trupin e saj, ajo detyrohet të sjellë në jetë një fëmijë, i cili nëse qëllon të jetë pakicë, vazhdimisht do të diskriminohet. Në ato kontekste amerikane ku mbizotëron supremacia e bardhë, fëmijët kanë gjasa të pranohen vetëm nëse ata janë në përshtatje me standardin e paracaktuar për ta: heteronormativ, të krishterë dhe patriarkal.
Nga ana tjetër, cenimi i abortit nuk vjen gjithashtu me një alternativë shoqëruese, të mbështetur mbi parimin e së ashtuquajturës “të drejtë për jetë”. E drejta për jetë do të duhej minimalisht të garantonte edhe të drejtën për një jetë dinjitoze: qasjen falas në shërbime cilësore mjekësore dhe edukative; pushim prindëror të paguar; pajisje të rregullt me formulë për foshnjet; përkushtim të njëmendtë në uljen e shkallës së vdekshmërisë gjatë lindjes, veçanërisht te komunitetet me ngjyrë dhe të të zinjve.
Padyshim, një plan i tillë nuk përbën njëmend alternativë sepse e vetmja alternativë kundër abortit të sigurt është sëmundja dhe vdekja. Dinjiteti për jetën nënkupton garancinë e të gjitha shërbimeve jetike, përfshirë qasjen në shërbimet profesionale dhe të sigurta të abortit.
Për pasojë, “e drejta për jetë”, në rrethana ku jeta vlen kaq pak dhe rreziku që ajo të humbë është gjithnjë i pranishëm, mbetet një thirrje boshe, në mos hipokrite. Çfarë e drejte qenkësh kjo kur për shembull, shteti akomodon koorporata si Shoqata Kombëtare e Armëve (NRA) shitja en masse e armëve së të cilave, shpesh me çmimin e një laptopi, u merr jetën jo vetëm fëmijëve të dëshiruar dhe të imponuar, por çdokujt tjetër në këtë shoqëri? SHBA-ja është ndoshta i vetmi realitet ku e drejta për t’u pajisur me armë, përfshirë armë të kalibrit ushtarak, vlen më shumë se jetët e grave dhe e drejta e tyre për të zgjedhur mbi trupin e tyre.
Si mund të ndikojë në Europë një vendim i tillë?
Në pjesën më të madhe të vendeve europiane, aborti lejohet brenda tremujorit të parë të shtatzanisë, me përjashtim të Suedisë, ku kjo e drejtë shtrihet deri në javën e 18 dhe Hollandës, që e garanton atë deri në javën e 24.
In the latest Irlandën e Veriut aborti u dekriminalizua në tetor 2019 dhe shërbimet e ligjshme të abortit hynë në fuqi prej datës 31 mars 2020. Ndërsa në San Marino e drejta për abort u garantua pas një referendumi popullor në shtator 2021.
Megjithatë, Andorra, Monako, Lihtenshtajni i Polonia janë të vetmet vende ku aborti lejohet vetëm në rastet kur shtatzania ka ardhur si pasojë e përdhunimit apo kur jeta e gruas është në rrezik. Malta është i vetmi vend europian ku aborti është plotësisht i ndaluar, pavarësisht të gjitha rrethanave.
Në Poloni për rreth tri dekada, aborti është lejuar në rast përdhunimi, incesti, anormaliteti të fetusit, ose kur jeta e gruas ndodhej në rrezik si pasojë e shtatzanisë. Megjithatë, në 2015 kur partia “Prawo i Sprawiedliwość” (PiS) u ngjit në pushtet, ajo u zotua për tkurrjen e mëtejshme të së drejtës për abort, duke përjashtuar nga ligji (edhe) rrethanën e “anormalitetit të fetusit”. Në 2020 qeveria polake ndërmori masa drakoniane për ligjin mbi abortin, duke imponuar kësisoj një ndalimin pothuajse të plotë të abortit çka në tetor i nëntor 2020 nxiti protesta masive në mbarë vendin.
Izabela Sajbor vdiq një vit më parë, në moshën 30-vjeçare, nga shoku septik sepse mjekët nuk mund t’i performonin ndërhyrjen cezariane, për aq kohë sa fetusi nuk konsiderohej ende i vdekur. Ky është vetëm një nga rastet e grave që kanë humbur jetën në Poloni, si pasojë e refuzimit të mjekve për të ndërhyrë nga frika e heqjes së liçencës dhe ndëshkimit të mëtejshëm me burgim. Vdekja e Izabelës nxiti të tjera protesta masive në Poloni.
Situata nuk është më premtuese as në Hungari, ku paçka se aborti është i ligjshëm, burokracitë e panevojshme e vështirësojnë qasjen në të. Mbi të gjitha, autoritarizmi i Viktor Orban dhe qëndrimet konservatore të qeverisë që ai përfaqëson, siç ishte edhe sjellja e papritur në vëmendje e çështjes së abortit në tetor 2020 dhe propaganda e vazhdueshme mbi familjen e vlerat e krishtera ngjallin pasiguri, jo vetëm ndaj të drejtës së grave hungareze për abort, por gjithashtu edhe ndaj individëve LGBTQ+, të cilët në një kontekst të tillë gjenden vazhdimisht në shenjestër.
Ndonëse në Europë dominon e drejta për të abortuar dhe vetë europianët janë qartësisht pro abortit, kjo nuk nënkupton se të drejtat e grave janë të sigurta, sikurse dëshmohet në rastet e Polonisë, Maltës, Monakos etj. Nga ana tjetër, ekziston gjithmonë mundësia që kthimi i “Roe v. Wade” në SHBA, të motivojë më tej grupet e ekstremit të djathtë në Europë, për të ecur në të njëjtën rrugë, veçanërisht teksa viteve të fundit këto grupe kanë gjetur gjithmonë e më shumë terren, në një bashkësi thellësisht të polarizuar.
Të drejtat riprodhuese në Ballkanin Perëndimor
Në të gjitha republikat ish-jugosllave, aborti është i ligjshëm dhe garantohet deri në tremujorin e parë të shtatëzanisë. Kjo e drejtë ka qenë fillimisht e mundësuar gjatë regjimit socialist jugosllav, fillimisht në 1952, më pas në 1974 dhe së fundmi në 1978. Më pas, vendet përkatëse e kanë përditësuar ose rregulluar atë.
Në Bosnjë dhe Hercegovinë aborti lejohet gjatë dhjetë javëve të para të shtatzanisë. Nga java e dhjetë deri në të njëzetën, kërkohet që paraprakisht, aborti të miratohet nga një komision i posaçëm mjekësor dhe në këtë fazë, ai lejohet vetëm në rast ndërlikimesh shëndetësore ose për arsye të veçanta psiko-sociale. Pas javës së 20-të, aborti lejohet vetëm për të shpëtuar jetën e gruas. Problemi në rastin e Bsonjës qëndron te fakti se ligji jo gjithmonë gjen zbatim pasi në disa raste, ofruesit e ligjshëm të këtij shërbimi refuzojnë ta zbatojnë këtë të drejtë.
Në Serbi, aborti është legalizuar plotësisht më 1978. Ai lejohet deri në javën e dhjetë të shtatzanisë, ndërsa pas kësaj jave deri në të njëzetën, aborti lejohet në bazë të rrethanave të veçanta, njëlloj si në Bosnjë dhe Hercegovinë. Madje, më herët, aborti ka funksionuar si masë mbizotëruese kundër shtatzanisë, në vend të formave paraprake profilaktike. Ky realitet gjen shtrirje edhe tjetërkund në ish-Jugosllavi (e njëjta gjë vlen edhe për Shqipërinë) dhe arsye për këtë ishte mungesa e edukatës seksuale. Duke mos patur njohuri ose rëndom qasje në forma kontraceptive për marrëdhënie seksuale të sigurta, partnerët përfundonin në marrëdhënie të pasigurta, që shpesh rezultonin në shtatzani të padëshiruara dhe për pasojë, në aborte të shpeshta.
I njëjti ligj i vitit 1978 vlen edhe për Maqedoninë e Veriut. Por ndryshe nga vendet e tjera të rajonit, ky ligj u tkurr në vitin 2013, në bazë të vendimit konservator të qeverisë së kohës dhe mbeti i tillë deri në 2019 kur u liberalizua sërish.
Në Mal të Zi, ligji i vitit 1978 është përditësuar në 2009 dhe ai e shtrin të drejtën për të abortuar pas javës 32 të shtatzanisë. Gjithsesi, ndërmjet javës 20 dhe 32, aborti kërkohet të miratohet nga një komision i posaçëm dhe vetëm për rrethana të veçanta mjekësore, si për shembull, anomali të fetusit. Ndërsa pas 32 javësh aborti lejohet vetëm për të shpëtuar jetën e gruas në rast ndërlikimesh shëndetësore. Ndërkohë, aborti selektiv është i ndaluar. Sipas këtij rregulli, testet për të mësuar seksin e fetusit janë gjithashtu të ndaluara gjatë tremujorit të parë të shtatzanisë.
Në Kosovë, paçka se aborti garantohet njëlloj me ligj si në vendet e tjera të rajonit, shpesh, kjo e drejtë cenohet nga norma të moralit patriarkal, ku rëndom, gratë që abortojnë turpërohen shoqërisht. Në një kontekst që e redukton gruan te roli i nënës dhe shërbimi riprodhues, të sfiduarit e këtij roli pritet me përbuzje. Përsa i përket moshës, deri në 18 vjeç kërkohet miratim prindëror në rast zgjedhjeje për të abortuar, ndryshe nga periudha e ish-Jugosllavisë, ku miratimi prindëror kërkohej deri në moshën 16 vjeç.
Në Shqipëri, aborti është legalizuar fillimisht në vitin 1989 dhe ligji njihte të drejtën për të abortuar vetëm në rast përdhunimi, incesti ose kur pacienti ishte nën moshën 16-vjeçare. Në 1991 e drejta për abort u zgjerua, por megjithatë ajo mbeti e kufizuar te vendimi i një bordi mjekësh dhe jo ai i vetë gruas. Aborti u legalizua vetëm në 7 dhjetor 1995. Nga ky vit, aborti lejohet brenda tremujorit të parë dhe më pas, në rrethana të veçanta të parashikuara nga ligji (për shembull, nëse jeta e nënës është në rrezik, në rast anormaliteti të fetusit, etj.).
Aborti: Një e drejtë e pakompromis
Sa herë që qeveritë mohojnë të drejtën e personave për të abortuar, ato jo vetëm cenojnë lirinë e grave për të zgjedhur mbi trupat e tyre por gjithashtu i infantilizojnë gratë, duke i paraqitur ato si të paafta për të bërë zgjedhje të matura.
Ndër të tjera, pamundësia për të abortuar në klinika gjinekologjike të akredituara për ofrimin e këtyre shërbimeve nga mjekë/e profesionistë/e, i ekspozon vajzat dhe gratë te sharlatanë të mjekësisë, që pretendojnë se kanë njohuritë e duhura pa një edukim dhe praktikë profesionale mirëfilli. Aborti i pasigurtë shton rrezikun për infeksione dhe sëmundje të tjera afatgjata e po aq, kërcënimin e jetës së gruas.
Historia ka treguar se gratë nuk kanë ndaluar asnjëherë së abortuari, pavarësisht nëse aborti është kriminalizuar. Ato thjesht kanë gjetur mënyra rrethanore për të bërë një zgjedhje, që mbetet kaq personale.
Shkenca dhe teknologjia kanë përparuar mjaftueshëm për të ndikuar në mirëqenien dhe jetëgjatësinë tonë. Aborti, një tjetër aspekt i shëndetit riprodhues femëror, nuk mund të shihet përtej perspektivës së shkencës së mjekësisë. Qasjet fantastike, të bazuara në mitologji të kohës së gjyqeve të shtrigave dëmtojnë jo vetëm gratë, por shoqërinë mbarë.
Përpjekja për të ndërhyrë te trupat e grave është thellësisht dashakeqe dhe mizogjine. Ajo nuk qëmton fakte mbi “të drejtën për jetë”, por intensifikon instrumentet e kontrollit dhe të pushtetit. Përndryshe, si është e mundur që qeveritë dhe shoqëritë gjenden ende të ngërthyera mes brekëve të grave? Atyre nuk u ka vajtur asnjëherë ndërmend që për “mbrojtjen e jetës”, të proprozojnë për shembull, vasektominë si zgjidhje, përpara së të kriminalizojnë abortin e lëngut veshtullor amniotik, të ngjizur padashje brenda mitrës.
Pavarësisht arsyeve që një grua mund të ketë për të abortuar, aborti mbetet një liri dhe e drejtë e pakompromis, që meriton të mbrohet plotësisht me ligj, si kusht për shoqëri më të drejta dhe të barabarta.
Manipulimi i diskutimit publik sikurse ka ndodhur ditëve të fundit në Shqipëri meriton kritikë sistematike dhe përpjekje kolektive për rifitimin e hapësirës publike nga gratë për gratë. Për abortin zgjedhim dhe flasim vetë!