Connect with us

Hi, what are you looking for?

Analizë

Anatomia e një dështimi: dy dekada të ShBA-së në Afganistan

Okupimi i Afganistanit përcolli katër presidentë të ShBA-së. Filloi me vendimin e George W. Bushit për intervenim ushtarak dhe rindërtim, vazhdoi me angazhimin e Barack Obamas, ndërsa gjatë presidencës së Donald Trumpit interesimi për angazhim të mëtutjeshëm në Afganistan ra dukshëm.

Ky angazhim mori fund me vendimin e Joe Bidenit për tërheqjen totale të trupave amerikanë në vend deri më 11 shtator 2021. Në të njëjtën kohë, ky vendim sinjalizoi fillimin e degradimit masiv të sigurisë në Afganistan. Talibanët iniciuan një kampanjë ushtarake duke marrë nën kontroll pothuajse tërë territorin e Afganistanit dhe duke shtyrë qeverinë e udhëhequr nga Ashraf Gani të kolapsojë brenda pak javësh.

Presidenti Joe Biden u pyet gjatë një konference për shtyp në korrik 2021 se a është e mundur që talibanët të marrin nën kontroll Afganistanin përsëri. Përgjigja e tij ishte e shkurtër: Jo, nuk është e mundur, sepse janë rreth 300,000 forca afgane të pajisura mirë.

Prandaj shtrohet pyetja: Si ka mundësi që një ushtri e trajnuar për 20 vjet nga ShBA dhe NATO, e cila numëron rreth 300,000 trupa të pajisur sofistikisht, të kolapsojë brenda pak javësh ndaj grupeve guerile të talibanëve, të cilët posedojnë armatim kryesisht të lehtë dhe numërojnë rreth 80,000 trupa nga radhët e tyre?

Për t’iu përgjigjur kësaj pyetjeje së pari duhet të marrim parasysh historikun e themelimit të lëvizjes së talibanëve, sulmet terroriste të 11 shtatorit në ShBA, okupimin e Afganistanit dhe planin e shtetndërtimit, deri te vendimi final i presidentit Joe Biden për tërheqjen e plotë të trupave amerikanë nga Afganistani.

Kush janë talibanët?

Termi “taliban” do të thotë “student” në gjuhën pashto. Pashtunët janë një grup etnik që jeton kryesisht në lindje të Afganistanit dhe në veriperëndim të Pakistanit. Tailbanët u krijuan në territorin e Pakistanit Verior, si rezultat i tërheqjes së trupave sovjetikë në fillim të viteve 1990.

Talibanët i referohen vetes si “Emirati Islamik i Afganistanit” dhe fillet e organizimit të tyre konsiderohen të jenë të bazuara në një formë të islamit radikal, të influencuar nga Arabia Saudite. Qëllimi i talibanëve është krijimi i një regjimi teokratik të bazuar në ligjin e Sheriatit Islamik.

Talibanët e zgjeruan shpejt kontrollin e tyre mbi Afganistanin duke marrë nën kontroll rreth 90% të territorit më 1998 dhe filluan të gëzojnë popullaritet në vend duke luftuar korrupsionin, duke vendosur deri diku rend dhe ligj dhe duke siguruar qarkullim të lehtë për tregti në vend.

Në të njëjtën kohë, talibanët imponuan një regjim strikt të Sheriatit Islamik duke ekzekutuar publikisht kriminelët, duke imponuar rritjen e mjekrës te burrat dhe veshjen e burkas (mbulim i plotë i trupit dhe fytyrës) te gratë. Gjithashtu, talibanët ndaluan muzikën, kinematë, televizionin dhe dekurajuan edukimin e vajzave mbi moshën 10-vjeçare.

Megjithëse avancimi i talibanëve në Afganistan nuk është se përcillej me entuziazëm në botë, sulmet terroriste të 11 shtatorit në ShBA ishin një pikë kthese. Talibanët u akuzuan për strehim të liderit të organizatës terroriste Al-Qaeda, Osama Bin Laden, përgjegjësin kryesor për sulmet terroriste në ShBA. Talibanët refuzuan kërkesën e ShBA-së për ekstradim të Bin Ladenit, vendim ky që pasoi me okupimin e Afganistanit dhe largimin e talibanëve nga pushteti.

Okupimi i Afganistanit

Më 7 tetor 2001, ShBA-ja, së bashku me aleatët e NATO-s, për herë të parë në histori iu referuan Nenit 5 të parimit të mbrojtjes kolektive të NATO-s (i cili thotë se një sulm ndaj një shteti anëtar të NATO-s është sulm ndaj të gjitha shteteve anëtare), duke deklaruar “luftë ndaj terrorizmit”.

ShBA-ja dhe aleatët e iniciuan këtë luftë me dy qëllime kryesore: mposhtjen e Al-Qaedas e celulave të tjera terroriste dhe largimin e talibanëve nga pushteti në Afganistan.

Koalicioni ShBA-NATO zhvilloi sulme të ashpra në Afganistan, duke kolapsuar kontrollin e talibanëve atje brenda pak ditësh. Talibanët u tërhoqën në zona të izoluara malore përgjatë kufirit me Pakistanin, por asnjëherë nuk u dorëzuan dhe vazhduan të operonin me kapacitete të limituara.

ShBA-ja dhe trupat e NATO-s vendosën dhjetëra-mijëra trupa dhe filluan të implementojnë planin për rindërtimin e Afganistanit. Fillimisht pati përmirësim të situatës politike dhe socio-ekonomike në vend. Mirëpo, plani për rindërtim dhe investimet enorme nuk arritën targetin kryesor, atë të shndërrimit të Afganistanit në një vend paqësor dhe stabil.

Pse dështoi shtetndërtimi në Afganistan?

Afganistani është një vend kompleks, që karakterizohet me një traditë luftërash, tensione etnike dhe fisnore, keqqeverisje, varfëri, papunësi dhe korrupsion të lartë. Gjithashtu, vlerësohet si një vend konservator dhe një ndër vendet më religjioze në botë. Sipas burimeve, 97% e qytetarëve afgan e vlerësojnë veten religjioz.

Me gjithë krijimin e kushtetutës dhe mbajtjen e zgjedhjeve, grupet e ndryshme etnike në vend nuk krijuan ndonjë sens të identitetit kombëtar. Grupet etnike në Afganistan më shumë identifikohen me fisin dhe religjionin e tyre, sesa me shtetin.

Largimi i talibanëve nga pozitat udhëheqëse rezultoi me nënpërfaqësimin e grupit etnik më të madh në vend (pashtunët), që përbën 42% të popullsisë. Kjo mund të shpjegojë avancimin e shpejtë të talibanëve dhe tërheqjen e shpejtë të forcave afgane.

Institucionet afgane nuk arritën asnjëherë efikasitetin dhe kapacitetin e duhur për të vendosur rend dhe ligj në vend. Me përjashtim të qyteteve të mëdha, këshillat e fshatit vazhdojnë të luajnë rolin mbizotërues në zgjidhjen e mosmarrëveshjeve dhe dhënien e drejtësisë.

Problem tjetër serioz është mungesa e infrastrukturës. Shumë rajone kanë probleme me furnizim të energjisë elektrike, një numër i ndërtesave mbeten të shkatërruara dhe lidhjet rrugore mes rajoneve kryesore në vend janë të papërfunduara. Gjithashtu, mungesa e një valute stabile, mungesa e një sistemi efikas të taksimit dhe niveli i lartë i kontrabandës, kanë krijuar një klimë të pasigurisë në vend.

Miliarda dollarë dhe euro të alokuara për rindërtim u keqmenaxhuan për vite me radhë dhe, si rezultat, Afganistani është një ndër shtetet më të korruptuara në botë. Sipas Indeksit të Perceptimit të Korrupsionit (Corruption Perception Index) 2020, Afganistani mban pozitën e 165-të nga 175 shtetet e listuara në këtë indeks dhe vlerësohet si një ndër 20 vendet më të korruptuara në botë. Rrjedhimisht, qytetarët afganë nuk është se u ndien ndonjëherë të përfaqësuar nga një elitë politike e korruptuar dhe një sistem institucional jofunksional. I vetmi faktor stabiliteti përgjatë këtyre viteve ishte prezenca e trupave ndërkombëtarë në vend.

Lufta më e gjatë e ShBA-së përfundon në debakël

E pakënaqur me tentimet e vazhdueshme për shtetndërtim dhe krijimin e një Afganistani stabil, ShBA-ja tentoi që për herë të fundit të vendosë paqe në vend duke zhvilluar bisedime të paqes me talibanët.

Në shkurt të vitit 2020, ShBA-ja dhe talibanët u dakorduan për disa parime kryesore, të cilat përfshijnë ndalimin e individëve dhe organizatave terroriste në territorin e Afganistanit, largimin e trupave ndërkombëtarë nga vendi, shkëmbimin e të burgosurve, ndalimin e luftimeve dhe fillimin e bisedimeve mes talibanëve dhe Qeverisë afgane.

Mirëpo, marrëveshja nuk parashikonte garanci për arritjen e ndonjë marrëveshjeje mes Qeverisë afgane dhe talibanëve para tërheqjes së trupave ndërkombëtarë. Talibanët morën pushtetin me forcë, duke anashkaluar mundësinë e negociatave.

Lufta 20-vjeçare në Afganistan tani mban primatin si lufta më e gjatë në historinë e ShBA-së. Përgjatë këtyre dy dekadave, sipas burimeve, rreth 170,000 njerëz u vranë në Afganistan, përfshirë këtu ushtarë të koalicionit, ushtarë afganë, trupa talibanë, civilë, kontraktorë, shërbyes civilë dhe gazetarë. Ndërsa kostoja e luftës, përfshirë këtu edhe koston për rindërtim, tejkalon vlerën mbi $800 miliardë.

Me gjithë investimet dhe sakrificat, situata në Afganistan po kthehet ashtu siç ishte para intervenimit më 2001. Talibanët tashmë kanë marrë kontrollin në vend dhe objektivi amerikan për ta pasur një Afganistan ligjor dhe demokratik përfundoi në fiasko.

Lexoni Gjithashtu

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Çelnaja

Në episodin e 30 të Çelnajës, së bashku me profesorin e antropologjisë Nebi Bardhoshin, trajtojmë disa koncepte me rëndësi që janë pjesë e korpusit...

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Analizë

Memorandumi i mirëkuptimit midis Serbisë dhe BE-së, i nënshkruar më 19 korrik nën mbikëqyrjen e kancelarit gjerman, Olaf Scholz, e ka kristalizuar qasjen transaksionale...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.