Gati dy vite më vonë nga koha e aplikimit për anëtarësim në Këshillin e Europës (KiE), shpresat dhe mundësitë për anëtarësimin e Kosovës në këtë organizatë janë rritur pas aprovimit të rekomandimit për anëtarësim nga Komiteti për Politikë dhe Demokraci i KiE-së.
Grupi i ekspertëve, udhëhequr nga raportuesja Dora Bakoyannis, analizoi legjislacionin e Kosovës, konkretisht se sa është në përputhje me vlerat që burojnë nga KiE dhe më 27 mars 2024 rekomanduan anëtarësimin e Kosovës në KiE.
Rolin kyç për këtë rekomandim pozitiv e kishte implementimi i vendimit të Gjykatës Kushtetuese për Manastirin e Deçanit, që i jep të drejtën e pronësisë për 24 hektarë tokë. Kërkesa e Qeverisë së Kosovës drejtuar Agjencisë Kadastrale për ta respektuar këtë vendim të Gjykatës i hapi rrugën Kosovës drejt anëtarësimit.
Më tutje, kryeministri Kurti, presidentja Osmani dhe kryekuvendari Konjufca, janë zotuar përmes një letre dërguar raportueses Bakoyannis se do t’i qëndrojnë besnikë listës së zotimeve në Shtojcën 1 të Raportit, që përfshin themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, themelimi i të cilit nuk është parakusht për anëtarësim.
Anëtarësimi potencial i Kosovës pritet të vihet në rendin e ditës në mbledhjen e ardhshme të Asamblesë Parlamentare të KiE, në datat 15-18 prill 2024, ndërsa vendimmarrja kyçe i takon Këshillit të Ministrave, me ç’rast Kosovës i duhen 2/3 e shteteve anëtare për t’u anëtarësuar.
Benefitet dhe sfidat në rast të anëtarësimit në KiE
Anëtarësimi në KiE mund të jetë ndër arritjet më të mëdha të Kosovës viteve të fundit. Krahas forcimit të pozitës së Kosovës në marrëdhëniet ndërkombëtare, përfitues direkt janë qytetarët e Kosovës, të cilët do të kenë një dritare të re për të kërkuar drejtësi – përkatësisht, qytetarët do të kenë qasje në Gjykatën Europiane për të Drejtat e Njeriut (GJEDNJ), me seli në Strasburg.
Momentalisht, instanca më e lartë ku mund të ankohen qytetarët për shkeljet e të drejtave dhe lirive themelore është Gjykata Kushtetuese, por me anëtarësimin e Kosovës në KiE, GJEDNJ do të jetë një institucion tjetër – që shkon përtej Gjykatës Kushtetuese – ku qytetarët mund të apelojnë vendimet e gjykatës.
Të gjithë qytetarët që kanë sfiduar drejtësinë në Kosovë për të kërkuar një të drejtë, ndërsa besojnë se janë trajtuar padrejtësisht në proceset gjyqësore, mund të paditin shtetin e Kosovës në GJEDNJ.
Por, kusht për të aktivizuar këtë gjykatë është fakti se pala duhet të shtjerrë të gjitha mjetet juridike të brendshme, ose thënë më qartë, të kërkohet e drejta fillimisht në Gjykatën Themelore, në Gjykatën e Apelit, Gjykatën Supreme, dhe në fund në Gjykatën Kushtetuese. Pastaj, nëse pala arrin që të tregojë në hollësi se si i janë shkelur të drejtat nga gjykatat vendore, vetëm atëherë GJEDNJ do ta marrë përsipër shqyrtimin e atij rasti specifik.
Përjashtim bëjnë rastet kur pala vërteton se nuk ka pasur mjet juridik efektiv dhe që është detyruar të kalojë në instancën më të lartë, p.sh. kur kërkohet një e drejtë në një institucion, ndërsa pala nuk pranon përgjigje pavarësisht afateve ligjore, andaj është e detyruar të kërkojë të drejtën e vet në instancë më të lartë për shkak të mjetit juridik joefektiv.
GJEDNJ zbaton Konventën Europiane për të Drejtat e Njeriut (KEDNJ) – dokument i cili nënshkruhet nga të gjitha shtetet anëtare, të cilat marrin detyrime për zbatimin e saj. Kosova, edhe pse nuk është pjesë e KiE, e ka inkorporuar në Kushtetutën e saj zbatimin e saj (Neni 22 i Kushtetutës) dhe praktikën gjyqësore të GJEDNJ (Neni 53) – që kanë shërbyer deri më tash si një “parapërgatitje” për anëtarësim në KiE.
Megjithatë, në rast të anëtarësimit të Kosovës në KiE, zbatimi i kësaj konvente nuk do të mbetet më vetëm detyrim kushtetues, sepse GJEDNJ detyron shtetet anëtare që të paguajnë dëmshpërblime ndaj qytetarëve të vet, nëse konstaton se individëve që të cilët janë ankuar u janë shkelur të drejtat e garantuara nga Konventa Europiane për të Drejtat e Njeriut (KEDNJ).
Por, pavarësisht dëmeve eventuale të buxhetit të shtetit të Kosovës, këto detyrime dhe pasojat eventuale do të kenë ndikim të madh drejt përmirësimit të sistemit juridik në Kosovë. Organet e drejtësisë do të jenë më të kujdesshme në respektimin e të drejtave dhe lirive themelore, si dhe praktika e GJEDNJ-së do të jetë detyrim i domosdoshëm në inkorporimin e vendimeve gjyqësore në Kosovë.
Cilat janë gjasat që Kosova të anëtarësohet në KiE?
Kosovës i kanë mbetur t’i kalojë edhe dy faza drejt anëtarësimit në KiE. Nga mesi i muajit prill pritet të mbahet mbledhja e Asamblesë Parlamentare, ku Kosova duhet të sigurojë 2/3 e votave të shteteve anëtare dhe faza finale do të jetë votimi nga Këshilli i Ministrave – organi vendimmarrës i KiE-së, të cilin e përbëjnë ministrat e jashtëm të shteteve anëtare.
Mundësitë për anëtarësim janë rritur dukshëm që nga përjashtimit i Rusisë nga KiE. Duke marrë për bazë se KiE përbëhet nga 46 shtete demokratike europiane, ndërsa Kosovën e kanë njohur më shumë se 2/3 e shteteve anëtare apo 34 shtete. Prandaj, mundësitë për anëtarësim duken shumë reale.
Megjithatë, nuk është e qartë nëse të gjitha shtetet që e kanë njohur Kosovën do ta mbështesin anëtarësimin e saj në këtë organizatë. Përvoja e kaluar e Kosovës në tentimet për anëtarësim në UNESCO dhe INTERPOL ka treguar se jo çdo shtet njohës i pavarësisë ofron mbështetje apriori në organizata ndërkombëtare.
Ndikimi i Serbisë dhe ‘lufta’ diplomatike që ka zhvilluar, ka bërë që shtete të tjera njohëse të votojnë kundër anëtarësimit të Kosovës në INTERPOL, e disa të tjera të abstenojnë.
Kosova dhe Serbia, në shkurt 2023, arritën marrëveshjen e dytë për normalizimin e marrëdhënieve – e njohur ndryshe si Marrëveshja e Ohrit – e cila parasheh në Nenin 4 se “Serbia nuk do të kundërshtojë anëtarësimin e Kosovës në asnjë organizatë ndërkombëtare”.
Pavarësisht kësaj, Serbia ka filluar zyrtarisht fushatën agresive kundër anëtarësimit të Kosovës në KiE, duke formuar grupin punues për parandalimin e anëtarësimit të Kosovës në këtë organizatë, si dhe duke deklaruar publikisht se, në rast të anëtarësimit të Kosovës, Serbia do të largohet.
Kjo “luftë speciale” dhe shkelja e marrëveshjes e ndërmjetësuar nga BE-ja po bëhen publikisht dhe pa asnjë pengesë, me komunikatë nga Qeveria e Serbisë dhe me deklarime për media nga presidenti serb, Aleksandar Vuçiq. Me gjithë shkeljen flagrante të Marrëveshjes së Ohrit, kjo nuk po mjafton të ketë reagime nga ndërmjetësuesit apo akterët e BE-së – njëherazi garantuesit e Marrëveshjes.
Mbetet të shihet se cili do të jetë epilogu i këtij rrugëtimi shumë të rëndësishëm për konsolidimin e subjektivitetit të Kosovës. Në rast të anëtarësimit, kjo do të përbënte një fitore të madhe për Kosovën, e cila nuk është anëtarësuar në asnjë organizatë prominente ndërkombëtare në katër vitet e fundit.