Përpjekja e Riçard Grenellit për ta ringjallur dialogun mes Kosovës e Serbisë është mbase mundësia e fundit që do të na vijë për një kohë të gjatë për ta zgjidhur nyjën kyçe në rrjetën e ngatërruar të problemeve ballkanike. Por, gjasat e nismës nuk janë të mira.
I dërguari i posaçëm i Donald Trampit për dialogun Kosovë-Serbi, Riçard Grenell, na befasoi javën e kaluar duke e ndezur një shkëndijë në procesin e dialogut që ka mbetur i vdekur prej më shumë se një viti. Ai na njoftoi për arritjen e dy marrëveshjeve të paqarta mbi fluturimet dhe transportin hekurudhor mes dy shteteve. Ai po ashtu vizitoi dy kryeqytetet, ku e vuri theksin te marrëdhëniet ekonomike si çelës për t’i zgjidhur edhe çështjet e tjera.
Këto zhvillime sinjalizuan një nismë të re diplomatike, si dhe orvatjen e fundit nga Shtëpia e Bardhë e Trampit për të bërë diçka rreth çështjes Kosovë-Serbi. Tani për tani flitet vetëm për marrëveshje ekonomike të cilat, duke i pasur parasysh pengesat, nuk kanë rrugë të qartë zbatimi (Kosova ka qeveri në detyrë!). Kjo mbase edhe mund të dalë të jetë veçse një dredhi e marrëdhënieve me publikun, për ta krijuar përshtypjen e një suksesi në politikën e jashtme. “More big wins!”
Por, ka arsye për të besuar se marrëveshjet e transportit janë vetëm një shkallë për t’u ngjitur drejt një marrëveshjeje më e madhe, e cila me sa duket është qëllimi dhe mandati i Grenellit. Në këtë kontekst, marrëveshjet e shpallura janë më të rëndësishme për sinjalet që ato i përçojnë sesa për përmbajtjen e tyre (sepse ato në vetvete nuk kanë kuptim).
Së pari, ato e japin sinjalin se së paku gjatë këtij viti ekziston një ofertë për ta zhvendosur dialogun Kosovë-Serbi në Ambasadën e ShBA-së në Berlin, dhe larg zyrës së shefit për politikë të jashtme të BE-së në Bruksel. Ky është hap i logjikshëm: BE-ja e ka humbur thuajse gjithë besueshmërinë dhe peshën, dhe e ka mënjanuar veten në një rol dytësor.
Kosova nuk ka perspektivë drejt BE-në (shto fyerjen me mosliberlizimin e vizave) dhe nuk do të ishte në një pozitë kaq të dëshpëruar dhe të izoluar po të mos ishin shtetet mosnjohëse që e minojnë peshën e BE-së. Kosova natyrisht i beson më shumë ShBA-së si partner kyç të sigurisë dhe si garant të pavarësisë. Po ashtu, Serbia nuk është aq afër anëtarësimit në BE që kjo e fundit të mund t’i bëjë trysni për Kosovën. Por, së paku gjysma e personalitetit të Vuçiqit mëton të zhvillojë lidhje më të afërta me NATO-n dhe ta zvogëlojë varësinë e fortë prej Rusisë, kështu që një marrëveshje e ndërmjetësuar nga ShBA-ja do ta ndihmonte Serbinë në atë drejtim.
Përfshirja publike e Këshilltarit për Siguri Kombëtare, Robert O’Brien, dhe vetë Donald Trampit (përmes Twitter) po ashtu duket të ketë synuar t’ua sinjalizojë të gjitha palëve peshën politike të Grenellit. Për ne në Balllkan, përfshirë qeverinë në ardhje të Kosovës, bëhet fjalë gjithashtu për një kërcënim për t’i ndalur masat sabotuese. Duke e pasur parasysh qasjen e ashpër të Grenellit si dhe paparashikueshmërinë e Trampit, individët dhe shtetet kanë frikë se mos hyjnë në listen e tyre të zezë dhe përballen me pasoja.
Përfshirja e Lufthansa-s në ujdinë e fluturimeve Prishtinë-Beograd po ashtu duket si sinjal për mundësinë e një procesi të bashkëpunimit bilateral mes Uashingtonit dhe Berlinit. SHBA-të dhe Gjermania ashtu kështu janë lojtarët me më së shumti peshë dhe fuqi në rajon. Fakti se Grenelli është me bazë në Berlin dhe ka hise personale në këtë marrëveshje i mundëson atij që t’i japë prioritet kësaj çështjeje në portofolin e çështjeve mes ShBA-së dhe Gjermanisë. Është e paqartë se si mund t’ia dalë kësaj pune duke marrë parasysh sa shumë ka arritur t’i irritojë gjermanët.
Krejt në fund, duke e vënë theksin te ekonomia, lëvizjet e Grenellit sinjalizojnë se, në mungesë të perspektivës së shpejtë për anëtarësim në BE (sidomos për Serbinë), ShBA-ja mund të hyjë në lojë me një pako ekonomike për ta bërë marrëveshjen më të pranueshme, ose së paku për t’i ulur palët në një tavolinë. Nuk e kam lexuar librin, por “The Art of the Deal” i Donald Trampit duhet ta ketë shprehjen ”Money talks” diku në listën e urdhëresave të veta.
Nisma e Grenellit mbase edhe ka gjasa për të pasur sukses, por ato duken vetëm teorike. Ajo përballet me disa pengesa të mëdha dhe është e paqartë se si mund t’i zgjidh së paku tri prej më të mëdhave.
Së pari, në mënyrë që palët të mund të ulen dhe të bisedojnë për gjëra përtej marrëveshjeve simbolike, Grenelli duhet ta gjejë një mënyrë për ta bindur Kosovën që ta pezullojë taksën ndaj mallrave serbe, së paku përkohësisht. Në Beograd, ai me të drejtë përmendi nevojën që Serbia ta ndal fushatën kundër njohjeve të Kosovës. Por, refuzimi publik i Vuçiqit tregon se kjo është më e lehtë të thuhet sesa të bëhet. Në fund të fundit, kush do të mund ta ndalte Rusinë për t’ia kryer këtë punë Serbisë?
Së dyti, nëse riniset dialogu i madh, nuk ka qartësi se cila do ishte pritja prej tij. Methju Palmer ka ndryshuar frazën e zakonshme se “njohja e ndërsjellë” është pjesë qendrore e marrëveshjes. Tani thotë se “njohja e ndërsjellë do të ishte ideale, por…” Nëse njohja e drejtpërdrejtë s’është më në tavolinë doemos, cili është motivi i Kosovës për të hyrë në proces dhe pse duhet ta bëjë ajo ndonjë kompromis?
Shtysa e vetme për Kosovën për ta nënshkruar një marrëveshjeje të normalizimit e cila nuk përfshin njohje të drejtpërdrejtë (pra vetëm një njohje implicite) do të ishte një marrëveshje e cila nuk përfshin kompromise pëbajtësore, por së paku një garanci për njohje të shtetit nga vendet e mbetura të NATO-s dhe BE-së, duke ia mundësuar Kosovës minimalisht një rrugë më të shpejt drejt anëtarësimit në NATO, si dhe duke i dhënë hapësirë për ndërtimin e marrëdhënieve kontraktuale me BE-në (mos ta përmendim anëtarësimin në Këshillin e Evropës që nënkuptohet). Por edhe kjo do të linte shumë çështje dhe tensione të pazgjidhura.
Nëse është në lojë njohja e drejtpërdrejtë, a i kanë ShBA-ja dhe pjesa tjetër e Perëndimit mjetet për ta përmbushur insistimin e Serbisë se ajo duhet “të marrë diçka në këmbim,” pa e detyruar Kosovën që të zgjedh mes ndryshimeve të kufirit apo një entiteti të kontrolluar prej Serbisë brenda Kosovës? Madhësia e “ëmbëlsuesit ekonomik” do të duhej të ishte e përmasave epike, sepse Kosova është në kufirin e kompromiseve që mund t’i bëjë.
Dilema e tretë është nëse nisma e Shengenit Ballkanik, e cila po promovohet nga disa liderë rajonalë dhe po mbështetet nga disa qarqe të Perëndimit, mund të shërbejë si pjesë e pakos së “stimulit ekonomik”? Serbia është qartazi pala më e interesuar për këtë nismë, por nuk mund të ketë asnjë marrëveshje nëse Kosova nuk trajtohet si e barabartë.
Do të ishte gabim trashanik i të gjitha palëve të përfshira, përfshi Edi Ramës dhe liderëve të tjerë rajonalë, nëse e mbështesin pa kushte këtë nismë (parimisht pozitive), pa e përdorur atë fillimisht si levë për ta detyruar Serbinë për marrëveshjen me Kosovën. Kjo natyrisht do të kërkonte që qeveria e re e Kosovës të angazhohej në mënyrë më konstruktive me idenë, si dhe t’i shqyrtonte mundësitë politike që krijohen prej saj.
Krejt në fund, suksesi i nismës së Grenellit do të varet nga aftësia e Vuçiqit për t’u rezistuar përpjekjeve të Rusisë për ta parandaluar me çdo kusht ndonjë marrëveshje. Tani për tani, Vuçiqi ndodhet në pozitën e rehatshme ku mund t’ia lë fajin Kosovës për vonesat, pavarësisht faktit se ka bërë çdo gjë të mundshme për ta ngujuar Kosovën në këtë pozitë.
Duke i sabotuar tërthorazi të githa mundësitë për një marrëveshje (në mënyrë që ta shmangë trysninë e parehatshme nga ShBA-së) si dhe duke e u paraqitur si konstruktiv, Vuçiqi ka treguar se është politikani më i mprehtë i rajonit dhe shembull se si dikush mund t’i ketë të gjitha të mirat e një situate. Nga prizmi i nacionalistëve serbë, izolimi i zgjatur i Kosovës shkon në favor të Serbisë dhe ia forcon asaj pozicionet, duke ia dhënë njëkohësisht Vuçiqit mundësinë për ta shmangut nënshkrimin e asaj që do konsiderohej si “tradhti historike”.
Tani për tani gjithçka varet nga qasja e qeverisë së re të Kosovës ndaj problemit – më saktë, nëse ajo do të tregohet mjaftueshëm e mençur për ta vënë në sprovë Vuçiqin para Grenellit (përmes suspendimit të taksës). Vonesat në krijimin e qeverisë mund të jenë shkaktuar nga problemet si ndarja e pushtetit, por pamundësia e partive për t’i dhënë përgjigje kësaj çështjeje është me gjasë elefanti më i madh në dhomë.
Kur vjen puna te sektori i patundshmërive ku ka bërë karrierë Trumpi, Arti i Marrëveshjes duhet ta ketë parasysh një numër të kufizuar ndryshoresh. I dërguari i Trampit shpejt do ta kuptojë se Arti i Marrëveshjes Ballkanike është në fakt më i përafërt me fizikën kuantike.
—–
Në muajt në vijim, bashkëpunimi në mes të platformave online Remarker dhe Sbunker do të sjellë një seri analizash që kanë për qëllim nxitjen e debatit të hapur e kritik mbi situatën aktuale në rajonin e Ballkanit Perëndimor.
Pas qëndrimeve të fundit nga Franca, një ndër shtetet anëtare me më së shumti ndikim në BE, rajoni po përballet me një ndër sfidat më të vështira të tri dekadave të fundit, prej kur shtetet e Ballkanit Perëndimor filluan rrugën e tyre të vështirë, fillimisht duke kaluar nëpër konflikte dhe pastaj në procesin e demokratizimit dhe integrimit evropian.
Qëllimi i Remarker dhe Sbunker është të krijojë njohje më të mirë të çështjeve aktuale në vendet e Ballkanit Perëndimor, dhe rritjen e vetëdijes mbi proceset e integrimit evropian, atë të demokratizimit dhe sundimit të ligjit, si kushtet kryesore për arritjen e paqes afatgjatë dhe stabilitetit në rajon.
—–
Shkrimin në gjuhën serbe mund ta gjeni këtu, ndërsa në gjuhën angleze këtu.