Connect with us

Hi, what are you looking for?

Analizë

Astrit Deharit

Foto: EPA-EFE/VALDRIN XHEMAJ.

Te filmi i famshëm antifashist “Z” (1969), regjisori Costa Gavras rrëfen historinë e një aktivisti të majtë — njëherazi deputet i një subjekti opozitar, i cili, në një tubim paqësor kundër armatimit ushtarak dhe nuklear të vendit, qëllohet për vdekje nga “një shofer i dehur kamionete.”

Me fjalë të tjera, nga “një pijanec.”

Kështu, së paku, thuhej në raportin zyrtar të policisë.

Megjithatë, për të hetuar më në hollësi atë çfarë kishte ngjarë me aktivistin në fjalë; ose, thënë më mirë, për ta bërë versionin zyrtar të vdekjes së tij më të besueshme për qytetarët e vendit, qeveria vendos të emërojë formalisht edhe një gjyqtar hetues, me shpresën se ai do të vërtetojë saktësisht atë që thuhej në raportin zyrtar të policisë — që vdekja e aktivistit të majtë, njëherit deputet i një subjekti opozitar — kishte qenë thjesht një “vdekje aksidentale.”

Sidoqoftë, gjërat nuk shkojnë sipas planit të qeverisë, policisë dhe ushtrisë; meqë falë pavarësisë solide të gjyqtarit hetues, autopsisë së mjekëve ligjorë, dëshmive të guximshme të dëshmitarëve dhe provave të mbledhura nga një gazetar i zhdërvjelltë, zbulohet se deputeti opozitar nuk ishte vrarë aksidentalisht nga një drejtues kamionete, por, përkundrazi, ishte qëlluar politikisht nga militantë fashistë dhe zyrtarë të lartë policorë e ushtarakë të vendit.

Në ndërkohë, sidoqoftë — dhe këtu, besoj, është kthesa më e madhe që ndodh në film – ushtria arrin të marrë pushtetin nëpërmjet një puçi i ushtarak. Dhe, rrjedhimisht, zyrtarët e lartë policorë dhe ushtarakë lirohen nga akuzat. Kurse ata të cilët kanë ndihmuar zbardhjen e vrasjes politike të deputetit opozitar, si gjyqtari hetues, gazetari, dëshmitarët, bashkëpunëtorët e deputetit opozitar, përfundojnë si mos më keq: të burgosur, të deportuar, si dhe, disa prej tyre, të vdekur në rrethana krejtësisht “misterioze.”

Dashur pa dashur, ky film m’u kujtua teksa po lexoja deklaratat kontradiktore të Policisë dhe Shërbimit Korrektues të Kosovës rreth vdekjes së aktivistit politik të Lëvizjes Vetëvendosje, Astrit Deharit. Sipas Policisë, ta zëmë, thuhej se Astrit Dehari ka vdekur rrugës për në Spitalin e Prizrenit për shkak të konsumimit të barnave. Ndërkaq, sipas Shërbimit Korrektues të Kosovës, deklarohej se Astrit Dehari ka vdekur pasi ka mbërritur në Spitalin e Prizrenit.

Çuditërisht, në vend që këto deklarata të interpretohen si përpjekje e institucioneve të sistemit për të fashitur vdekjen politike të aktivistit Dehari, analistët dhe gazetarët i interpretuan ato vetëm si “mungesë profesionalizmi” nga ana e këtyre dy institucioneve, thua se bëhej fjalë për ndonjë kafshë, hajdut apo kriminel ordiner, e jo për një aktivist politik, zyrtar publik dhe anëtar i një subjekti opozitar në Kosovë—Lëvizjes Vetëvendosje.

Sigurisht, disa do të thonë:

– Vdekja e Astritit nuk ishte vrasje politike; madje nuk ishte as vrasje, por vetëvrasje.

Ndonëse për shumëkënd, po besoj, ky dallim është i rëndësishëm për t’u pasur parasysh, për mua, personalisht, ka fare pak rëndësi. Sepse, me ose pa rezultatet e autopsisë; me ose pa inçizimet e burgut; i vrarë apo i vetëvrarë, një fakt është i pandryshueshëm: po qe se nuk do mbahej në burg, Astriti nuk do shuhej në burg. Andaj, pavarësisht nëse u vra apo u vetëvra, xhelatët e Astritit janë në Qeveri, Kuvend, Polici, Shërbim Korrektues, Prokurori, Gjyqësi, e kështu me radhë.

Ndonjë halabak, sigurisht, do të më pyes se si i ditkam unë vendndodhjen e xhelatëve të Astritit.

I di, do t’i përgjigjesha halabakut, sepse kishte kohë që Astriti përndiqej politikisht.

Arrestohej politikisht.

Burgosej politikisht.

Akuzohej politikisht.

Mbahej në burg politikisht.

Dhe, në analizë të fundit, i di, sepse ata e qëlluan politikisht.

Madje po të parafrazoja një shkrim të Pasolinit, do të mund të thoja se i di edhe të gjitha emrat. Ja, ua them, po deshët: Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Isa Mustafa, Skender Hyseni, Shpend Maxhuni, Sokol Zogaj, Nexhmi Krasnqi, Vehbi Kashtanjeva, Metush Biraj, e plot emra të tjerë që, për shkak të hapësirës të këtij shkrimi, e kam thjesht të pamundur t’i përmend.

Këta janë pra xhelatët e Astritit.

Xhelatët e studentit shembullor të Mjekësisë.

Xhelatët e doktorit të ardhshëm.

Xhelatët e vëllaut të Arbnorit dhe Albanës.

Xhelatët e të birit të Xhemile dhe Avni Deharit.

Xhelatët e bashkëshortit të Artës.

Xhelatët e babasë së ardhshëm Astritit.

Xhelatët e shokut aktivist të Vetëvendosjes.

Xhelatët e bashkëqytetarit tonë.

Anipse, siç do të thoshte Pasolini, unë nuk i kam provat, dhe as shenjat. Por, i di, “sepse jam intelektual dhe shkrimtar.”

Disa, megjithatë, do të më thonë prapë se unë paskëm një talent të pazakontë për t’i ngatërruar gjërat; sepse Astriti nuk mbahej në burg për arsye politike, por si i dyshuar për sulm terrorist ndaj Kuvendit të Kosovës.

Vërtet ka njeri të shëndoshë mendërisht që e beson një insinuatë të tillë?

Vërtet?

Po të thuhej për ndonjë anëtar të ndonjë partie tjetër, po—mbase edhe do ta besoja këtë gjë; meqë, siç e dimë të gjithë, shumë prej tyre e kanë kaluar një jetë të tërë në ilegalitet, ose, më keq akoma, duke u marrë me aktivitete kriminale të nëntokës. Por ta thuash këtë gjë për Lëvizjen Vetëvendosje, kur të gjitha aksionet e saj, radikale dhe jo radikale, kanë qenë publike, është thjesht një akuzë që s’e besojnë as ata vetë që e kanë konstruktuar atë. Për t’u bindur në këtë që po them, mjafton t’i kujtoni aksionet radikale kundër administratës ndërkombëtare të Kombeve të Bashkuara në Kosovë (UNMIK-ut).

Rrëzimin e makinave të EULEX-it.

Bllokimin e pikave kufitare me Serbinë.

Rrëzimin e kamionëve me mallra dhe produkte serbe.

Hedhjen e domateve dhe vezëve ndaj përfaqësuesve të institucioneve.

Hedhjen e gazit lotsjellës në Kuvendin e Kosovës.

E sa e sa aksione të tjera radikale politike—të cilat do të duhej shkrime të tëra për t’i përthekuar.

Mirëpo, në një mënyrë, mund të thuhet se Astriti edhe ishte fajtor politik. Sepse të mos qenit fajtor politik në një regjim autoritar si ky i ynë, do të thotë, në mes të tjerash, që nuk ekziston politikisht.

Astriti nuk ishte i tillë—ishte njeri politik.

Ngaqë të thuash që nuk ishte fajtor, i bie që, përveç tjerash, ta reduktosh aktivitetin e Astritit në hiqgjë.

Aktiviteti i Astritit nuk ishte i tillë—ishte kuptimplot.

Ngaqë të thuash që nuk ishte fajtor Astriti, domethënë që aktiviteti i tij politik nuk përbënte rrezik për regjimin autoritarist.

Aktiviteti i Astritit nuk ishte i tillë—ishte kërcënim për stabilitetin e këtij regjimi.

Ngaqë të thuash që nuk ishte fajtor Astriti, nënkupton që atij i interesonte vetëm interesi individual.

Astriti nuk ishte i tillë—atij i interesonte interesi publik.

Ngaqë të thuash që nuk ishte fajtor Astriti, do të thotë që ai kishte bërë paqe me regjimin.

Astriti nuk ishte i tillë—ai i kishte shpallë luftë atij.

Ngaqë të thuash që nuk ishte fajtor Astriti, do të thotë që ai ishte i gatshëm të sakrifikojë të tjerët për të mbijetuar vetë.

Astriti nuk ishte i tillë—ai e flijoi veten e tij, për popullin, për shoqërinë, për shtetin, për kombin, për republikën.

Pra, po. Astriti ishte fajtor politik. Dhe kjo gjë duhet admiruar nga të gjithë ne, pa përjashtim.

Prandaj vdekja e Astritit është e padepolitizueshme. Prandaj vdekja e Astritit është e paharrueshme.

Të përpiqesh ta bësh të kundërtën—depolitizimin e saj—do të thotë ta vrasësh Astritin politikisht. Do të thotë t’ia vrasësh idetë dhe idealet për të cilat ka luftuar ai. E kjo vdekje, në besoni apo jo, është më rëndë se ajo e burgut. Ajo e burgut ishte fizike. Kjo e depolitizimit është politike.

Së këndejmi, në vend të depolitizimit të vdekjes së Astritit do të ishte e udhës të bënim (ri)politizimin e vetes tonë. Vetëm kësisoji, besoj, do të bëhemi të aftë për ta bërë shtetin tonë një vend të jetueshëm për të gjithë. Një vend ku bashkëqytetarët tanë—jo vetëm që nuk do të vdesën nëpër burgje më —por ku nuk do të ketë fare nevojë për to.

Më shumë rreth rastit Dehari:

Gjylbehare Murati – “Obligimi pozitiv i shtetit dhe hetimet rreth vdekjes së Astrit Deharit”

Agon Maliqi – “Rasti Dehari, test i besueshmërisë ndaj institucioneve”

Lexoni Gjithashtu

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Çelnaja

Në episodin e 30 të Çelnajës, së bashku me profesorin e antropologjisë Nebi Bardhoshin, trajtojmë disa koncepte me rëndësi që janë pjesë e korpusit...

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Analizë

Memorandumi i mirëkuptimit midis Serbisë dhe BE-së, i nënshkruar më 19 korrik nën mbikëqyrjen e kancelarit gjerman, Olaf Scholz, e ka kristalizuar qasjen transaksionale...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.