Connect with us

Hi, what are you looking for?

Analizë

Autoritarët e rinj

Artikulli origjinal në Aeon

Diktatorët e shekullit të kaluar donin të rishpiknin nënshtetasit e tyre në ‘njerëz të rinj’. Diktatorët e këtij shekulli thjesht s’e çajnë kokën. Përse?

Mund të marrim shembullin e rënies demonstrative të diktatorëve si Nicolae Ceausescu në Rumani, Saddam Hussein-i në Irak dhe Fidel Castro-s në Kubë për të dëshmuar se, në masë të madhe, epoka e diktatorit ka kaluar. Për fat të keq, autoritarizmi po inskenon rikthimin. Megjithatë, është e qartë si për poetët edhe shkencëtarët politikë se autoritarët e rinj – Vladimir Putin-i në Rusi, Recep Tayyip Erdogan-i në Turqi, e Viktor Orban-i në Hungari – nuk janë si të vjetrit. Në poezinë e tij ‘Ca këshilla për qeverinë e re’, poeti Adam Zagajewski i jep kabinetit të sapozgjedhur të Polonisë ca këshilla tallëse se si të bëhesh autoritar i ri:

Të gjithë profesorët e së drejtës kushtetuese duhet të internohen për jetë.

Poetët mund të lihen rehat. Kështu e ashtu, s’i lexon njeri.

Do iu duhen kampe izolimi, aso të këndshme që të mos bezdisin Kombet e Bashkuara.

Shumica e gazetarëve duhet të dërgohen në Madagaskar.

Këta burra të fortë duken më të butë, më pak hapurazi brutal se sa tipat si Stalini apo Hitleri. Me fjalët e publicistit dhe historianit austriak Hans Rauscher: ‘dhuna brutale dhe e hapur ndaj nënshtetasve nuk shpallet hapur, përderisa Putinët, Erdoganët dhe Orbanët qeverisin me pëlqimin e një pupulli të fashitur, “të liruar” prej të gjithë zërave kritikë.’

Megjithatë, dallimi shkon përtej zgjedhjes se tyre se kë ta shtypin dhe si. Autokrati i mesit të shekullit 20të ishte një baba i ashpër dhe kërkues që dontë të të formësonte në një ideal. Ai dontë të të modernizonte, të të mësonte vetëdisiplinën dhe mbi të gjitha, vetësakrificen. Kur Mustafa Kemal Ataturk-u iu drejtua ushtarëve gjatë sulmit të Aleatëve mbi Galipoli-n e otomanëve më 1915, ai iu tha: ‘S’po iu urdhëroj të luftoni. Po iu urdhëroj të vdisni.’ ‘Në ushtrinë sovjetike,’ thoshte Stalin-i, ‘të duhet më shumë kurajë të tërhiqesh se sa të shkosh përpara.’

Dashuria e ashpër pra, qe vetia kryesore e diktatorit të shekullit të 20të. Edhe atëherë kur nuk kërkonte sakrificën absolute, të kërkonte që të humbësh ca kile, të pastrosh qeleshen, të palosësh ca tulla, t’i bashkohesh një (a pesë) organizatave rinore, të mësosh alfabet (a ndonjë gjuhë) të ri dhe ta quash tëndin, të mësosh përmendsh ca poema, këngë a fragmente të shkruara nga udhëheqësi suprem dhe t’i quash ‘histori’. Madje, dikur edhe kryetarët demokratikë të shtetit kishin pritje me të madhe nga qytetarët e tyre. Ajo fjali e John F Kennedy-t në fjalimin inaugurues të vitit 1961 –‘Mos pyet çfarë mund të bëjë vendi për ty, por çfarë mund të bësh ti për vendin’ – tash tingëllon si vërejtje prej një shekulli më të largët.

Në mënyrë të pamohueshme, diktatorët ushtruan më shumë pushtet për të transformuar vartësit e tyre gjatë asaj epoke të pritjeve të mëdha. Titujt që iu mvesheshin e bënin të qartë se kush ishte shefi: Mussolini quhej Il Duce, Hitler der Fuhrer dhe Stalini Vozhd (udhëheqësi), vet emri i Ataturkut, që iu dha atij në veçanti më 1934, do të thotë ‘baba i turqve,’ dhe pikturat e statujat paraqitnin figura të idealizuara të të gjithëve prej tyre. Si një baba i rreptë, diktatori duket se ishte çdoku përnjëherë: i gjithëdijshëm, i plotëfuqishëm, i kudondodhur, surrogat i zotit po të kishte ndonjëherë të tillë. Figura e tij ishte në muret e secilës zyrë të qeverisë dhe secilës shkollë, statujat e bustet e tij zbukuronin bankat shkollore, kthinat e sheshet dhe gjithçka prej rrugëve, qyteteve e shkollave merrnin emrin e tij.

Për dallim, autoritarët e sotëm presim shumë pak prej ‘fëmijëve’ të tyre. Ata nuk orvaten të shndërrojnë nënshtetasit e tyre apo t’i modelojnë sipas një ideali. Mund t’iu tërheqin vërejtjen me të butë që të lënë duhanin e alkoolin (Erdogani), ose që të kenë më shumë fëmijë (Orban-i, Putin-i, Erdogan-i), por përgjithësisht nuk do t’i dërgojnë nëpër kampe apo burgje, e as t’iu thonë troç se çfarë të bëjnë a çfarë të mendojnë. Natyrisht se disa gjëra janë të ndaluara: të përpiqesh të krijosh çifligje alternative, të nisesh grushtet, të tradhtosh të tutë, etj. Provo njërën nga këto dhe shpejt do të mësosh se tirania e kohës së vjetër ende ka hapësirat e veta të operimit. Megjithatë, po e kritikove qeverinë, politikat e saj, ose vet udhëheqësin (posaçërisht në vende si Twitter ose mediat ndërkombëtarë, ku dikush mund ta lexojë), ke më shumë gjasë që të ngacmohesh e të sulmohesh nga përkrahësit (shpesh të paguar) të autoritarit të ri, se sa të dërgohesh në miniera.

Në të shumtën e rasteve, autoritarët e sotëm janë më shumë si baballarët e kohës tonë të cilët, në vend se të kërkojnë që fëmijet e tyre të jetojnë sipas pritjeve idealiste, janë më të prirur që të dërgojnë porosi të tipit: “Mos i dëgjo se çfarë thonë për aty ata pisa! Boll të kanë keqkuptuar e keqtrajtuar. E di cili je i vërteti dhe do të sigurohem që të mos iu përshtatesh pritjeve të tyre.’ Babi e kupton se çfarë ndjen e mendon i vogli: sa i fyer është.

Në mënyrë të jashtëzakonshme, edhepse këta diktatorë të rinj përpiqen të vënë veten e tyre mbi politikën e përditshme duke siguruar përjetë pozitën e lidershipit, ose të paktën për një periudhë të pacaktuar, ata veprojnë me kujdes kur vjen puna te kulti i personalitetit. Asnjë prej tyre nuk pretendon tituj të rinj dhe madje, autoritari i ri i Polonisë Jaroslaw Kaczynski, duket i kënaqur të mos mbajë kurrfarë pozitë formale udhëheqësie përtej asaj të liderit të partisë. Për më tepër, asnjëri prej këtyre burrave nuk duket se ka ndonjë vizion për ‘njeriun e ri’, e as ‘për shoqërinë e re’. Përkundrazi. Ata janë çfarë ndodh kur aspiratat e përmirësimit shkrihen me utopizmin e korruptuar: vdesin.

Çfarë vdekje se! Përpjekjet e shekullit të njëzetë për të krijuar ‘njeriun e ri’ nuk përfunduan mirë dhe kjo trashëgimi i ka bërë europianët dhe trashëgimtarët e tyre posaçërisht kundër politikës vizionare. Përtej Übermensch-it të nacistëve, të cilët ndiheshin se në sajë të superioritetit të tyre racor kishin të drejtë që të pushtonin e skllavëronin ose ndryshe të nënshtronin tërë botën, aty ishte edhe ‘njeriu i ri’ sovjetik, i cili kish për qëllim të riprodhohej në të gjithë botën, pararendës i një bote të bashkuar nën diktaturën e proletariatit.

Übermensch-i vdiq një vdekje të palavdishme me disfatën e Gjermanisë në Luftën e Dytë Botërore. Sipas standardeve të Hitlerit, një ushtri humbëse meritonte të humbte. ‘Në këtë luftë s’mund të ketë kompromis, mund të ketë vetëm fitore dhe shkatërrim,’ tha ai më 1944. “Dhe nëse populli gjerman nuk mund të rrëmbejë fitoren nga armiku, atëherë do të shkatërrohet. Po, atëherë ai meriton të zhduket.’ Për ironi, disfata e Gjermanisë në duart e Aleatëve dhe mbi të gjitha sovjetikëve, la të paprekur një aspekt kyç të botëkuptimit nacist: Übermensch-i i vërtetë nuk humb. Gjermania humbi. Pra, në fund të fundit gjermanët nuk mund të kenë qenë edhe aq ‘über alles’.

‘Njeriu i ri’ sovjetik pati fatin që të vdiste një vdekje më të ngadaltë por më domethënëse. Në fakt, për aq sa autoritarizmi i ri ka rrënjët në ish vendet socialiste, mes tyre Jugosllavia e Rusia, tregimi i rënies së veçantë e ironike të ‘njeriut të ri socialist’ ndihmon në të shpjeguarit e tipit të ri të liderit që shohim në Europë dhe rrethinë.

‘Njeriu i ri’ ka histori të gjatë në Rusi, që prej idealit të ‘popullit të ri’ të imagjinuar nga socialisti utopik rus i shekullit 19-të Nikolai Chernyshevsky, e deri te shkrimtari bolshevik Maxim Gorky, i cili deklaroi se Lenini dhe bolshevikët po ‘prodhonin eksperimentin shkencor më të ashpër mbi trupin e Rusisë’, qëllimi i së cilit ishte “modifikimi i materialit njerëzor’. Më 1919, kineasti Dziga Vertov shkroi një manifesto që përshkruante mënyrat e tij për të krijuar ‘njeriun më të përsosur se Adami’:

Krijoj mijëra njerëz të ndryshëm në përputhje me planet dhe diagramet e llojeve të ndryshme … Prej njërit person marr duart, më të fortat e më të zhdërvjelltat; prej tjetrit marr këmbët, më të shpejtat e më të formësuarat; prej të tretit, kokën më të bukur e më ekspresive – dhe përmes montazhit krijoj njeriun e ri e të përsosur.

Njeriu i ri i Vertovit ishte abstraksion: pjellë e montazhit vizionar. Por nën diktaturën e Stalin-it, që zgjati prej 1922 deri në vdekjen e tij më 1953, ‘njeriu i ri’ u bë mish e shpirt. Ai madje kishte emër: Alexei Stakhanov, minatori i cili thuhet se më 1935 nxori 227 ton qymyr në një turn gjashtëorësh, duke e dyfishuar rekordin e tij të mëhershëm. Ai emër u bë sinonim i lëvizjes (punëtorët stakhanovitë që tejkaluan kuotat e punës dhe prodhimit në margjina të stërmëdha), si dhe i tipit të personalitetit (Stakhanovit: ‘person jashtëzakonisht punëtor dhe i zellshëm’). Edhe për Stalin-in thuhej se rrallë flinte dhe shpesh portretizohej i kërrusur mbi tavolinën e punës.

Më 1940, dama e madhe e kinemasë sovjetike Lyubov Orlova luajti në mjuzikllin Udha e Ndriçuar. Personazhi i saj ishte një Hirushe sovjetike që ngritet mbi shërbimin shtëpiak për t’u bërë tezgjahiste rekordmene stakhanovite. Në një skenë kulmore, një fabrikë plot me tezgjahë të trazuar japin ritmin për himnin e saj ngadhënjimtar për personin e ri sovjetik:

Shok, mos u dorëzo

Ti vetëbesim dhe krijo tregimin tënd

Puna është nderi ynë, nderi është lavdia jonë

Stalinizmi shënoi pikën më të lartë të manisë së ‘njeriut të ri’, por gjithashtu fillimin e fundit të idesë. Propaganda shtetërore rreth Stakhanov-it dhe punëtorëve heronj të tjerë, pati për qëllim t’i jepte fytyrë trimërore çmimit njerëzor të Planit të dytë Pesëvjeçar (1933-37), i cili vendosi ritëm të egër për industrializimin. Vështirë se qe rastësi që spastrimi stalinist filloi më 1935, vitin kur si minator Stakhanovi theu rekordin kombëtar dhe pastaj edhe të tijin. Përgjatë viteve pasuese, disa prej stakhanovitëve të mirënjohur kundërshtuan menaxherët, duke lehtësuar përhapjen e spastrimeve ku u burgosën më shumë se një million njerëz, e u vranë qindra mijëra sosh. Në atë kohë, i kundërt me një stakhanovit ishte ‘sabotuesi’, emërtim që, në kulmin e spastrimeve, praktikisht garantone burgosjen dhe shpesh ekzekutimin ose deportimin për në gulag. Edhe te Udha e Ndriçuar, në skenën pas turnit rekord e frymëzues prej një gruaje, personazhi i Orlova-s – bashkë me tezgjahistet tjera – i gëzohet lajmit të pushimit nga puna të menaxherit të fabrikës dhe zëvendësimit të tij me një inxhinier.

‘Njeriu i ri’ po bëhej ‘puthador’, figurë jo fort guximtare dhe vizionare. Dhe nuk u ndal me kaq. Më 1956 në kongresin e 20të të Bashkimit Sovjetik, pasardhësi i Stalinit Nikita Khrushchev denoncoi diktatorin e vdekur në një ‘fjalim të fshehtë’ që nuk mbeti i fshehtë për shumë gjatë. ‘Jemi të brengosur me pyetjën që ka rëndësi të jashtëzakonshme për Partinë tash dhe në të ardhmen,’ iu tha të mbledhurve, ‘si u bë kulti i Stalinit… në një fazë të caktuar specifike, burimi i një serie të tërë të perverzioneve gjithnjë e më të rënda e serioze të parimeve të Partisë, demokracisë së Partisë, të ligjshmërisë revolucionare.’

Nënteksti i fjalimit të Khruschev-it ishte që, nëse ‘njeriu i ri’ donte të mbetej në sy të mirë të partisë, ai duhej të kthente përmbys të gjitha bësimet dhe përkushtimet e mëparshme, duke hequr dorë nga vet babai që e kishte sjellë në jetë. Kjo është pikërisht çfarë bëri ‘njeriu i ri’, duke marrë pjesë rregullisht dhe me entuziazëm në spastrimin e spastruesit: duke shkatërruar statujat e Stalinit, riemëruar rrugët dhe sheshet të quajtura sipas Stalinit, dhe duke rehabilituar ish viktimat e tij. Ndërkohë që Khruschev-i po zhvendoste theksin e ekonomisë sovjetike prej industrisë së rëndë në të mirat e konsumit, stakhanovitët u shndërruan nga prodhues model në ‘konsumatorë model’.

Deri në vitet 1970, ‘njeriu i ri’ u duk se ishte bërë prapësimi ironik i gjithçkasë që kishte qenë dikur. Sociologu dhe shkrimtari Alexander Zinoviev popullarizoi një emër për ‘njeriun e ri’ 2.0: Homo sovieticus, ose ‘Homosos’ shkurt. Zinoviev shkroi Homo Sovieticus (1982), që përshkruan marrëdhënien dashuri-urrejtje me idealizmin e kombinuar me servilizëm të ‘njeriut të ri’:

Unë vet jam Homosos. Prandaj jam i pamëshirshëm e mizor kur e përshkruaj.

Na gjykoni, sepse vet ju do të gjykoheni prej nesh.

Homososi ishte i vetëdijshëm se po përmbushte më të paktën që pritej prej tij, ishte cinik në lidhje me pushtetin e paranë dhe e dinte si të picërrohej drejt një ekzistence të pranueshme. Shkurt, ai ishte ‘reaksionar ekstrem që marshon në trenin e progresit ekstrem. Si mund të jetë? Për Homosos-in, asgjë nuk është e pamundur.’ Filozofi dhe historiani polak Lezsek Kolakowski shkroi më 1978 për këtë ‘njëri të ri sovjetik’ se ishte ‘skizofren ideologjik, gënjeshtar që besonte në atë që thoshte, njeri i aftë për vepra të pareshtura e të vullnetshme të vetëgjymtimit intelektual’.

Trajektorja personale e Zinoviev-it zbulon poashtu dilemën e ‘njeriut të ri’. Pasi kaloi shumë vjet në ekzil në Mynih, duke shkruar libra e duke bërë emisione radiosh që kritikonin komunizmin sovjetik (si dhe atë perëndimor), Zinoviev-i më vonë u orvat të mbronte komunizmin sovjetik – përfshi Stalin-in – dhe të fajësonte Perëndimin për fundin e tij. Më 1999, ai u kthye në Rusi, ku qëndroi deri sa vdiq më 2006. Njëra prej kauzave të tij të fundit politike qe mbrojtja e flaktë dhe e zëshme e liderit serb Slobodan Milosevic, i akuzuar për krime lufte në tribunalin ndërkombëtar në Hagë më 2002. Zinoviev-i formoi Komitetin Kombëtar Rus për Mbrojtjen e Slobodan Milosevic-it, që e cilësoi tribunalin si ‘gjykatë linçimi’.

Mbrotja që Zinoviev-i i bën Milosevic-it është treguese për një tjetër arsye: Milosevic-i qe më gjasë njëri prej pak autoritarëve që kaloi prej formës së vjetër të diktaturës vizionare e transformative te autoritarizmi i ri. Trajektorja e tij është një prej shembujve më të ankthshëm se çfarë i ndodhi idesë së ‘njeriut të ri’ në fund të shekullit të kaluar. Është e mundur madje të vihet gishti te momenti i saktë kur tipi i vjetër iu nënshtrua të riut: fjalimi që Milosevic-i mbajti më 1987 në Fushë Kosovë, në përvjetorin e betejës epike së vitit 1389. Shumica e fjalimit kishte të bënte me socializmin dhe mbrojtjen standarde të idesë së shumëkombësisë jugosllave, solidaritetit mes popujve jugosllavë, duke kërkuar sjellje ‘heroike’ dhe një botë progresive të re, e më të mirë.

Megjithatë, në një moment gjatë ditës, Milosevic-i tha diçka ndaj së cilës turma reagoi me entuziazëm të vërtetë, e jo vetëm më duartrokitje të sjellshme. Qe një frazë e cila ndryshoi tonin në një drejtim krejtësisht tjetër, dhe Milosevic-i e shoqëroi. Një grup serbësh që kishin provuar të arrinin te Milosevic-i dhe ishin kthyer mbrapsht me pendrekë nga policia, filluan të thirrnin: “Po na rrahin!’ Milosevic-i, i cili nuk ishte në podiumin prej ku kishte dhënë fjalimin, por qëndronte mes turmës, tha: “Askush nuk guxon t’iu rrahë!’ Kjo deklaratë pati dy kuptime – njëri kishte të bënte me situatën konkrete me policinë, tjetri me deklaratën e përgjithshme për mbrojtjen e kombit – dhe ishte ura prej autoritarizmit të vjetër utopik tek i riu.

Paskëtaj, fjalimet e Milosevic-it erdhën u bënë gjithnjë e më të përqëndruara në çështjen e sovranitetit dhe mbrojtjes kombëtare, temë e parapëlqyer e autoritarëve të rinj dhe ato u fiksuan te ideja e huazuar nga retorika sovjetike se Perëndimi, domethënë Shtetet e Bashkuara dhe Europa, ishte problemi i vërtetë: një shtypës i përfshirë në konspiracion për të dobësuar dhe shkatërruar kombin. Ai fjalim ishte gjithashtu një prej të fundit në të cilin Milosevic-i foli për ‘një të ardhme të re e më të mirë’. Në fjalimin që dha më 24 dhjetor 1996, lideri serb deklaroi se ‘Serbia e fuqishme nuk i pëlqen shumë forcave përtej vendit tonë dhe prandaj i bashkojnë forcat me tradhtarët këtu që kërkojnë ta dobësojnë Serbinë. Natyrisht se nuk do ta lejojmë këtë.’

Milosevic-i e bëri të qartë se autoritarizmi i ri nuk do të drejtohej më kah e ardhmja dhe krijimi i ‘njeriut të ri’, por kah e shkuara: lavditë e shkuara, disfatat dhe ‘mësimet’ e historisë. E ardhmja kishte të bënte me të mbrojturit kundër armiqve të ‘sovranitetit popullor’ dhe demonstrimin e forcës përmes projekteve mburrëse të liderit: pallat gjigand presidencial (Erdogan-i), stadium futbolli (Orban-i), ceromoni të begata inaugurimi që pikojnë ar (Putin-i), dhe parada ushtarake të madhësive të papara (përsëri Putin-i).

Edhe pse historia është elementi i tyre, autoritarët e rinj nuk janë historianë. Diktatorët e shekullit të kaluar prireshin edhe të lexonin edhe të shkruanin histori: Stalini me Historia e Partisë Komuniste të Bashkimit Sovjetik (Bolshevikët): Kurs i Shkurtër [History of the All-Union Communist Party (Bolsheviks): Short Course ](1938), Hitileri me Mein Kampf (1925), Ataturku me Nutuk (1927) dhe bashkërendimi i datëlindjës së tij të zgjedhur me fillimin e Luftës Turke për Pavarësi, Mao me Citime nga Kryetari Mao Tse-tung (1965), i njohur poashtu si “Libri i Vogël i Kuq’. Autoritarët e sotëm, përkundrazi, nuk janë ideologjikë dhe madje sipas dëshirës nuk do të marrin parasysh skena të tëra prej manualit historik nacionalist (antisemitizmin, revizionizmin territorial, rivalitetet e kahershme kombëtare). Siç shkroi Kolakowski te Moderniteti në Gjyqin e Pafund (1990), si rrejdhim i të gjithë atyre turbullurave rreth ‘totalitarizmit’ është gati e pamundur të ndërtosh një kult të ideologjizuar personaliteti:

Ka shumë më pak gatishmëri për të ofruar përkrahje pa kushte ndaj idelogjive ekzistuese dhe më shumë     prirje për të qëndruar larg çështjeve politike, me tendencë pasuese për t’u tërhequr në fusha më të sigurta e më të specializuara. Si pasojë, me gjasë tash kemi më pak të çmendur dhe batakçinj me influencë, por gjithashtu më pak mësues intelektualë.

Në vend të ideologjisë, autoritari i ri ofron paradoksin e disidencës së miratuar nga shteti. Liberalizmit mbizotërues që e sheh në BE, ai i kundërvë joliberalizmin. ‘Kombi hungarez nuk është thjesht shumë individësh,’ thotë në një fjalim të vitit 2014 disidenti i dikurshëm antikomunist, tash kryeministri Orban, ‘por komunitet që duhet të organizohet, forcohet dhe zhvillohet dhe në këtë kuptim, shteti i ri që po ndërtojmë është shtet joliberal.’ Kjo retorikë ka të bëjë më pak me frymëzimin e qytetarëve për arritje të mëdha se sa me të shpjeguarit e asaj se kush ka penguar popullin që të arrijë gjëra të mëdha. ‘Ekziston një problem vetëbesimi në anën e popojve të rajonit që në parim dëshirojnë sundimin demokratik, por mbeten dyshues si ndaj mënyrës në të cilën prezentohet demokratizimi, ashtu edhe qëllimeve të botës demokratike,’ tha Erdogani në një fjalim të vitit 2003.

Autoritarët e rinj pra janë produkt i flakërimit epik të kultit ideologjik të ‘njeriut të ri’, çiftuar me suksesin e disidentëve të Luftës së Ftohtë. Nga libri Antipolitika (1982) i disidentit hungarez Gyorgy Konrad: ‘Një shoqëri nuk bëhet e vetëdijshme politikisht kur ndan mes vete diçka prej filozofisë politike, por kur refuzon të mashtrohet nga cilado prej tyre.’ Në një tjetër kthesë ironike, disidenti antipolitik fillon t’i shëmbëllejë Homo sovieticus-it. Te Homo Sovieticus – i botuar në të njejtin vit me Antipolitikën – Zinoviev-i shkruan: ‘Ja ku është një tjetër mister për ju: çfarë them këtu nuk shpreh bindjet e mia. Dhe, për të më tepër, vetëm sa duket si mister: Nuk kam bindje fare.’ Homosos-ët, deklaronte ai, ishin njëherësh ‘administratorë të lindur, kritikë të regjimit dhe agjentë të shërbimit sekret’. Mbase ky kombinim i të kundërtave në një, të puthadorit dhe disidentit, është arsyeja pse Zinoviev-i përshkruajti Rusinë e Putin-it si ‘hibrid’ dhe ‘lepur me brinj’.

Zinoviev-i urrënte egërsisht Putin-in, por Homosos-i qe tashmë i xhindosur prej pabindjeve, skepticizmit ideologjik dhe ndjenjës së ankesës që e bëri pre të lehtë për autoritarin e ri. U shfaq një stazë entropike: i ati pushoi së prituri gjë më shumë se dashuri të vakët nga fëmija, ndërsa fëmija pushoi së prituri gjë më shumë se dashuri të vakët nga i ati.

Autoritari i ri nuk pretendon që të të bëjë më të mirë, por vetëm të të bëjë të ndihesh më mirë që nuk do që të ndryshosh. Në këtë drejtim, ai ka derdhur fontanën e Zeitgeist-it që arrin larg e përtej domenit të socializmit shtetëror, qëndrim që shkrimtarja Marilynne Robinson e nënçmon si “mosdështim’, dhe që shkrimtari Walter Mosley e lartëson në virtyt: ‘Na duhet t’i ngrisim papërsosuritë tona në platformë politike që thotë: “Të metave të mia iu duhen vëmendje gjithashtu.” Kjo është ajo që e quaj “çutopi”.’ Mirëse erdhet në jo më të mirën prej botëve.

—-

Holly Case është profesore e historisë në Universitetin Brown dhe autore e Mes ShtetevePyetja Transilvane dhe Ideja Europiane gjatë Luftës së Dytë Botërore (2009).

Përkthyer nga Bardhi Bakija

Lexoni Gjithashtu

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Çelnaja

Në episodin e 30 të Çelnajës, së bashku me profesorin e antropologjisë Nebi Bardhoshin, trajtojmë disa koncepte me rëndësi që janë pjesë e korpusit...

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Analizë

Memorandumi i mirëkuptimit midis Serbisë dhe BE-së, i nënshkruar më 19 korrik nën mbikëqyrjen e kancelarit gjerman, Olaf Scholz, e ka kristalizuar qasjen transaksionale...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.