Connect with us

Hi, what are you looking for?

Analizë

Autoritarët kundrejt liberalëve: një ndarje ideologjike në lindje e sipër në Ballkanin Perëndimor?

Është e qartë se autoritarët tanë janë pengesa kryesore në transformimin politik të shoqërive të Ballkanit Perëndimor, që është i domosdoshëm për evropianizim. Duke parapëlqyer bindje të rreptë ndaj autoritetit të tyre, madje edhe në kurriz të reformave të evropianizimit, autoritarët e Ballkanit kanë dhe vazhdojnë të shfrytëzojnë sisteme të dobëta demokratike për të ruajtur dhe zgjeruar pushtetin e tyre mbi shoqëritë përkatëse. Botëkuptimet e tyre politike, motivet bazë dhe sjelljet e tyre kanë formësuar një narrativ që është gjithnjë e më shumë në konfrontim të hapur me atë të evropianizimit. Prandaj, sa më e gjatë kjo e fundit dhe sa më i gjatë pushteti i tyre i koniunkturuar në institucione politike, ekonomike e shoqërore, aq më shumë një hendek ideologjik në lindje e sipër – ndërmjet autoritarëve dhe liberalëve – pritet të zë vend në politikën e Ballkanit Perëndimor. Kjo është një ndarje ndërmjet autoritarëve të vërtetë që mbizotërojnë politikën tonë qe mbi një çerekshekull dhe liberalëve idealë që akoma nuk i kemi gjetur mes nesh për të na udhëhequr.

Këta dy janë të kundërt në kuptimin se u shkojnë për shtati epokave të ndryshme të zhvillimit politik. Autoritarët i përkasin një epoke politike etatizmi, të ndërtuar rreth nocionit të sovranitetit të kombit etnik mbi tokën e vet kombëtare dhe komb-shtetasit e vet, mbi ligjet dhe të gjitha llojet e institucioneve, mbi çfarëdo forme të pushtetit politik, brenda vendit dhe në skenë ndërkombëtare. Liberalët i përkasin një epoke politike të shteteve ‘post-etnike’, ku shteti, si një prej shumë burimeve të autoritetit politik, është i ndërtuar rreth nocionit të sovranitetit të përbashkët të kombeve qytetare, dhe ushtrohet nga dhe përmes qytetarëve, ligjeve e institucioneve, jo mbi ta.

Autoritarët e shohin qeverinë si instrument të sundimit të shtetit mbi individin; liberalët si formë të organizimit politik. Autoritarët duket se i kanë vënë në veprim shtetet e tyre si instrumente për të kufizuar fushëveprimin e lirisë individuale dhe kolektive, për të rritur pabarazinë para ligjit në një kornizë të sundimit të arbitraritetit të shtyrë nga pretendimet për autoritet që fitohen vetëm përmes demokracisë elektorale. Liberalët e shohin qëllimin e shtetit si konstrukt shoqëror për të forcuar dhe mbrojtur liritë individuale e kolektive dhe barazinë para ligjit në një kornizë të shtetit ligjor të institucionalizuar.

Në botëkuptimin e autoritarëve, evropianizimi nuk ka të bëjë fare me vlerat dhe normat politike. Ata i konsiderojnë ato thjesht si retorikë e optimizmit të rrejshëm për t’i bërë ata të duken ‘normalë’ në sytë e Evropës dhe të qytetarëve të tyre, në të vërtetë të projektuar ekskluzivisht për të shtënë në dorë, mbajtur dhe zgjeruar pushtetin. Ata proklamojnë idenë se mund të jesh çfarëdo në aspektin e identitetit politik dhe megjithatë të besosh në anëtarësimin në BE, thjesht duke ‘bërë çfarë thonë ata’, edhe nëse njëherësh vepron në kundërshtim me vlerat e normat evropiane. Për liberalët vlerat dhe normat evropiane janë fakte themeltare të pakontestueshme, të formësuara në shoqëri të shumëllojshme që i janë bashkuar me sukses BE-së. Ata janë të bindur se identiteti dhe besimet e tyre politike çojnë në mënyrën më të sigurt në zhvillim të bazuar në forcimin e lirisë.

Autoritarët kanë të përbashkët një pikëpamje monolite mbi institucionet: ka vetëm institucione formale dhe shoqëritë duhet të organizohen nga ato dhe sipas shëmbëlltyrës së tyre. Liberalët kanë të përbashkët një pikëpamje pluraliste mbi institucionet: ato janë të shumëllojshme, formale dhe joformale, dhe qytetarët e veçantë e grupet e tyre janë të lirë të organizohen bazuar në rregulla që i zgjedhin vet, pa ndërhyrjen e pushtetit qeveritar. Si oportunistë politikë pa norma që janë, për autoritarët institucionet dhe rregullat e funksionimit të tyre janë të lakueshme dhe të ndryshueshme sipas dëshirës së tyre, madje edhe pas çdo cikli zgjedhor, dhe se rregulla të tilla shërbejnë vetëm për konstituimin e institucioneve formale pas zgjedhjeve. Për liberalët institucionet dhe rregullat e funksionimit të tyre janë të definuara mirë dhe duhet të respektohen nga akterët politikë, dhe konstituimi i institucioneve formale është vetëm një mjet i raison d’être të institucioneve politike: qeverisje që funksionon. Për autoritarët reformat e evropianizimit duhet t’u imponohen shoqërive të tyre nga ana e institucioneve formale, nga lart, ashtu siç ‘imponohen’ ato nga ana e BE-së. Dhe nëse ato nuk funksionojnë, BE ka faj. Për liberalët, evropianizimi ka të bëjë me reforma që formësohen e zbatohen në një proces pjesëmarrës, duke sjellë kështu ndryshim në sjellje në shoqëritë në tërësinë e tyre.

Autoritarët e shohin konkurrencën politike thjesht si mjet për shtënë në dorë pushtet, si të shkëputur nga qeverisja. Ata janë të mendimit se besimi u jepet atyre, si pakicë ‘të zgjedhurish’, në kutitë e votimit dhe se vetëm ata janë të pajisur me ‘agjenci’ (kapacitet për veprim) për pjesëmarrje politike. Kjo është pikëpamje elitiste e hierarkike e pjesëmarrjes politike, premisa e së cilës është pabarazia politike. Për liberalët konkurrenca politike është pjesë integrale e qeverisjes. Ata besojnë se besimi gjithashtu mund t’u merret dhe se duhet vazhdimisht t’u dëshmohet qytetarëve dhe të kontrollohet nga ana e tyre, e këta të fundit duhet të pajisen me ‘agjenci’ për pjesëmarrje politike. Ata e kanë të përbashkët një pikëpamje barazimtare të pjesëmarrjes politike, premisa e së cilës është barazia politike.

Ndonëse në të vërtetë besojnë në shtetet etnike, autoritarët veprojnë si ‘kalorës të lirë’ (akterë pa përgjegjësi për të marrë përsipër obligime), duke pretenduar, vetëm si mjet për të mbajtur pushtetin, se gjithashtu besojnë se evropianizimi sjell shtete ‘post-etnike’. Sidoqoftë, duke mos qenë të lidhur me përgjegjësi nga vlera, norma e rregulla që rregullojnë sjelljen politike, për ta kjo nuk ka fare rëndësi, sepse çdoherë mund t’i kthehesh shtetit etnik. Për liberalët evropianizimi është edhe mjet e edhe qëllim për të sjellë shtete ‘post-etnike’ si rezultat i mirëpritur i epokës aktuale të zhvillimit politik, sepse kthimi në shtetet etnike nënkupton kthimin në një epokë të vjetruar të zhvillimit politik.

Prandaj, në vend se të proklamojnë atë në të cian nuk besojnë, vetëm për të mbajtur pushtetin, autoritarët do të ishin më të sinqertë të pranonin para qytetarëve të tyre përkatës dhe BE-së atë që e besojnë vërtet: që BE është thjesht një klub të pasurish që mund të ndihmojnë zhvillimin ekonomik të vendeve të tyre. Kjo do të nënkuptonte reduktimin e marrëdhënieve me BE-në në shkëmbime interesash ekonomike me vendet e saj anëtare, gjë që do të nënkuptonte faktikisht të promovonin dhe bëheshin aleatë me akterët politikë ‘sovranistë’ brenda BE-së dhe me shumë gjasë të mos anëtarësoheshim ndonjëherë në BE. Kjo gjithashtu do të nënkuptonte të na privonin nga vlera e shtuar e kushtëzueshmërisë politike të BE-së si stimulin më të madh për reforma.

Është në dorën tonë si qytetarë të Ballkanit Perëndimor, si evropianë apo jo, të zgjedhim, për veten tonë dhe brezat e ardhshëm, se ku duam të jetojmë. Kjo ka të bëjë me një zgjedhjen e pashmangshme mes liberalëve dhe autoritarëve, mes Evropës dhe jo-Evropës.

*Pikëpamjet e shprehura këtu janë vetëm të autorit

—–

Bashkëpunimi në mes të platformave online Remarker dhe Sbunker është duke sjellur një seri analizash që kanë për qëllim nxitjen e debatit të hapur e kritik mbi situatën aktuale në rajonin e Ballkanit Perëndimor.

Pas qëndrimeve të fundit nga Franca, një ndër shtetet anëtare me më së shumti ndikim në BE, rajoni po përballet me një ndër sfidat më të vështira të tri dekadave të fundit, prej kur shtetet e Ballkanit Perëndimor filluan rrugën e tyre të vështirë, fillimisht duke kaluar nëpër konflikte dhe pastaj në procesin e demokratizimit dhe integrimit evropian.

Qëllimi i Remarker dhe Sbunker është të krijojë njohje më të mirë të çështjeve aktuale në vendet e Ballkanit Perëndimor, dhe rritjen e vetëdijes mbi proceset e integrimit evropian, atë të demokratizimit dhe sundimit të ligjit, si kushtet kryesore për arritjen e paqes afatgjatë dhe stabilitetit në rajon. 

—–

Shkrimin në gjuhën serbe mund ta gjeni këtu, ndërsa në gjuhën angleze këtu.

Lexoni Gjithashtu

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Analizë

Memorandumi i mirëkuptimit midis Serbisë dhe BE-së, i nënshkruar më 19 korrik nën mbikëqyrjen e kancelarit gjerman, Olaf Scholz, e ka kristalizuar qasjen transaksionale...

Çelnaja

Në episodin e 30 të Çelnajës, së bashku me profesorin e antropologjisë Nebi Bardhoshin, trajtojmë disa koncepte me rëndësi që janë pjesë e korpusit...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.