Connect with us

Hi, what are you looking for?

Analizë

Ballkani Perëndimor është i qëndrueshëm, por i ngujuar

A mund ta shfrytëzojnë vendet e Ballkanit Perëndimor momentumin aktual për zgjerimin e BE-së që të ecin përpara, apo do të mbesin të ngujuar? A është rajoni i cenueshëm ndaj rindezjes së konflikteve, apo ekziston një qëndrueshmëri e cila shpesh mjegullohet nga retorika e fryrë politike?

Këto janë disa nga pyetjet e rëndësishme që preokupojnë vëzhguesit e çështjeve politike në Ballkanin Perëndimor. Sondazhi periodik rajonal për Ballkanin Perëndimor i Institutit Republikan Ndërkombëtar (IRN) ofron të dhëna kyçe, ngandonjëherë kundërintuitive, për dobësitë kryesore dhe mundësitë që vendet e rajonit të mund të ecin përpara.

Në përgjithësi të sigurt, por me sfida

Sondazhi i IRN-së i vitit 2024 sugjeron që, pavarësisht nga narrativat mbizotëruese në media, shumica e qytetarëve në Ballkanin Perëndimor janë më pak të shqetësuar për çështjet e sigurisë, duke u dhënë përparësi shqetësimeve socio-ekonomike. Ata gjithashtu besojnë në faktorë të ndryshëm të qëndrueshmërisë për të penguar konflikt të armatosur.

Veç një pjesë e vogël e qytetarëve (0-2%), në pothuajse të gjitha vendet e rajonit, mendojnë se një konflikt i brendshëm/i jashtëm është problemi më i madh me të cilin përballet vendi – Serbia bën përjashtim me 6%. Ngjashëm (0-2%) mendojnë që kjo temë duhet të jetë prioritet kryesor për qeverinë. Një pakicë qytetarësh në të gjitha vendet (14-26%) i vlerësojnë tensionet etnike në vendet e tyre si të forta, ose shumë të forta, me përjashtim të Shqipërisë, ku përqindja është vetëm 6%. 

Përgjithësisht, ndjesia publike për sigurinë kombëtare është kryesisht pozitive në të gjithë rajonin. Në pothuajse të gjitha vendet (përveç Maqedonisë së Veriut, 46%), shumica e qytetarëve të anketuar e përshkruajnë  sigurinë kombëtare si disi të mirë, ose shumë të mirë (51-74%). Shumica, apo edhe shumica dërmuese (54-70%), thonë gjithashtu se e konsiderojnë si disi të pamundur, ose krejt të pamundur, mundësinë e një konflikti të armatosur në vendin e tyre në një të ardhme të afërt. 

Arsyet e renditura nga ata që janë optimistë, sidoqoftë, dallojnë nga vendi në vend. Në Kosovë (88%) dhe Shqipëri (59%), qytetarët kryesisht ia atribuojnë komunitetit ndërkombëtar mungesën e potencialit për konflikt, andaj nënvizojnë burimet e jashtme të parandalimit. Në Bosnjë-Hercegovinë (BeH), shumica e optimistëve (59%) besojnë se qytetarët do të refuzonin të bënin një luftë të re.

Edhe në mesin e pakicës që parashikon konfliktin, shumica dërmuese (58-79%) presin një formë të ndërhyrjes ndërkombëtare në rast konflikti të armatosur, duke shpërfaqur kësisoj rëndësinë e rolit parandalues rajonal të NATO-s.

Megjithëkëtë, jo të gjithë qytetarët e rajonit ndihen të sigurt përballë një konflikti të mundshëm të armatosur. Pakicat e konsiderueshme në të gjitha vendet e shohin mundësinë e konfliktit si disi ose shumë të mundshme (19-30%), me përqindjen më të lartë (32%) në Maqedoninë e Veriut, ndjekur nga Kosova (29%). Nga ata që janë të preokupuar në Kosovë, 58% thonë se kërcënimi vjen nga vendet fqinje.

Kryesisht të pakënaqur me qeverisjen, por gjithashtu të vetëkënaqur

Sondazhi i IRN-së gjithashtu tregon se shqetësimet ekonomike janë deklaruar në masë të madhe si sfida kryesore me të cilën përballen të gjitha vendet, me një shumicë të konsiderueshme (42-61%) që shprehin këtë ndjesi, ndjekur nga korrupsioni (7-22%) dhe shqetësime të tjera socio-ekonomike, si varfëria apo shërbimet e kujdesit shëndetësor. Posaçërisht, një përqindje jashtëzakonisht e lartë e njerëzve në të gjithë rajonin (83-97%) e shohin korrupsionin si një problem shumë serioz, ose disi serioz.

Kjo tregon një cenueshmëri të konsiderueshme brenda sistemit politik, veçanërisht kur kombinohet me nivelin e lartë të mosbesimit të publikut karshi institucioneve përgjegjëse për llogaridhënien dhe sundimin e ligjit. Për shembull, në të gjitha vendet e rajonit, një numër i madh i qytetarëve (46-81%) shprehin mosbesim në sistemin gjyqësor.

Megjithatë, tani për tani, qytetarët mund të jenë të gatshëm të anashkalojnë të tilla shqetësime. Një arsye e mundshme është mungesa e alternativave të besueshme politike.

Mosbesimi në partitë politike është shumë i lartë në të gjitha vendet (65-78%), ku shumica shprehin mosbesimin e tyre edhe te parlamentet. Këto janë sfida reale për partitë opozitare në rajon. Në tri vende, shumica e të anketuarve raportuan se nuk i besojnë asnjë politikani në vend (Shqipëria 62%; BeH 62%; Maqedonia e Veriut 52%).

Nga ana tjetër, niveli i mosbesimit karshi çdo lideri politik është më i ulëti në Kosovë (28%), Serbi (29%) dhe Mal të Zi (33%). Njëkohësisht, këto vende janë po ashtu ato në të cilat shumica mendojnë që vendi është duke shkuar në drejtimin e duhur. Qytetarët në këto vende mund të mos u besojnë institucioneve, por ata kanë pritshmëri të mëdha nga udhëheqësit e tyre.

Një tjetër arsye pse status quo-ja në rajon mund të ruhet është sepse, pavarësisht se qytetarët shprehin ankesa për korrupsionin dhe ekonominë, shumica e konsiderueshme (55-78%) e vlerësojnë situatën ekonomike të familjes së tyre si disi të mirë, ose shumë të mirë. Andaj, qytetarët mund të hezitojnë të prishnin rehatinë e tyre dhe mund t’i japin përparësi stabilitetit karshi ndryshimit, pavarësisht nga pakënaqësitë ose pritshmëritë e tyre.  

Pikëpamjet antiperëndimore të pranishme gjerësisht jashtë Kosovës dhe Shqipërisë

Sa u përket marrëdhënieve ndërkombëtare, sondazhi i IRN-së tregon se ndërsa mbështetja për anëtarësimin në BE mbetet e lartë në shumicën e vendeve, pikëpamjet mbi politikën e jashtme – veçanërisht në lidhje me Rusinë dhe agresionin e saj në Ukrainë – tregojnë për mbizotërimin e qëndrimeve kundërproduktive karshi anëtarësimit në BE.

Qytetarët e vendeve të Ballkanit Perëndimor, me përjashtim të Serbisë, tregojnë mbështetje të fuqishme për anëtarësimin në BE në rast të një referendumi, me 68-92% që shprehin gatishmërinë për të votuar pro. Megjithatë, në Serbi, mbështetja është vetëm 40%.

Pavarësisht entuziazmit për anëtarësimin në BE, ka shumë pak mbështetje për një orientim të politikës së jashtme që është ekskluzivisht pro-perëndimor. Mbështetja për një kurs të tillë mbetet e fuqishme vetëm në Kosovë dhe Shqipëri (87%, respektivisht 82%), por është shumë e ulët në Serbi (10%) dhe shënjon më pak gjysmën në vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor (31-39%).

Serbia shpërfaq një ndjesi të theksuar antiperëndimore, e manifestuar posaçërisht në çështjen e pushtimit rus të Ukrainës. Veç 6% e qytetarëve serbë e shohin Rusinë si përgjegjëse kryesore për luftën. Pjesa dërrmuese e shumicës (49%) e shohin Rusinë si pak ose plotësisht të justifikuar për veprimet e saj dhe 54% mbështesin fushatën e saj. Edhe përqindjet më të larta të qytetarëve të anketuar (80%) mbajnë një pikëpamje shumë ose disi të favorshme për Putinin. 

Kjo perspektivë nuk kufizohet vetëm brenda Serbisë, por është e përhapur – edhe pse në një masë më të vogël – edhe në vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor. Shumica në Mal të Zi, Maqedoni të Veriut dhe BeH besojnë në një nga tri opsionet: që ose Ukraina, ose Perëndimi ose të gjitha palët janë përgjegjëse për luftën (shih grafikun e mëposhtëm). Kjo flet për një pranim të bollshëm të narrativave ruse për luftën dhe mund të jetë një tregues i përafërt i perspektivave më të gjera gjeopolitike.

Rajoni është i qëndrueshëm, por i paaftë për të ecur përpara

Gjetjet e sondazhit sugjerojnë që Ballkani Perëndimor ka gjasa të humbasë mundësinë aktuale për anëtarësim në BE-së, e cila u shfaq pas pushtimit rus të Ukrainës. BE-së duket se i mungon fuqia vendimtare transformuese, e nevojshme për t’i rreshtuar këto vende në një linjë. 

Një nga arsyet kryesore pse zgjerimi i BE-së ishte ndalur në dekadën e fundit ka të bëjë me skepticizmin e shumë vendeve të BE-së pranim të anëtarëve të rinj në strukturat e saj vendimmarrëse, vendime këto të cila kryesisht bazohen në konsensus. Shtimi i anëtarëve të rinj me pozicione divergjente të politikës së jashtme dhe shumë larg politikës së jashtme të BE-së dhe me standardet e dobëta të qeverisjes nuk do ta ndihmojnë rajonin të anëtarësohet në BE. 

Pranimi i përhapur i narrativave ruse në shumicën e vendeve, jo vetëm që dërgon sinjale negative për vendet anëtare të BE-së tashmë skeptike, por gjithashtu cungon qasjen e rajonit karshi kushtëzimeve të BE-së, qoftë kjo për reformat e qeverisjes, apo zgjidhjen e mosmarrëveshjeve dypalëshe/etnike. Kush do të jetë i gatshëm të dëgjojë premtimet dhe kushtet e Perëndimit nëse nuk i beson atij?

Sondazhi gjithashtu kritikon potencialin për ndryshime të menjëhershme politike në rajon, që vazhdon të ngulfatet nga vetëkënaqësia e qytetarëve, ose mungesa e besimit në alternativa. Besimi i dobët konstant tek institucionet mund të përforcojë preferencën kundërproduktive për liderët autoritarë, me fuqinë e përçudnuar për të rregulluar e ndrequr problemet, gjë që mund të pengojë tutje rrugën e rajonit drejt BE-së.

Megjithëkëtë, lajm pozitiv nga sondazhi përbën fakti se qytetarët në rajon kanë besim në qëndrushmërinë e tyre karshi kërcënimeve të sigurisë. Për këtë çështje, ashtu sikundër edhe për të tjerat, publiku mund të ketë të drejtë ose mund të jetë gabim. Por, perceptimi udhëzon sjelljen dhe, ashtu që parandalimi të jetë efektiv, qytetarët duhet të besojnë se do të ketë paqe.

Për sa kohë që këto variabla mbeten, hapësira për ndryshime politike ruan potencialin e vet. Por, tani për tani, perspektiva optimiste është disi ironike: ka edhe má zi!

Lexoni Gjithashtu

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Analizë

Memorandumi i mirëkuptimit midis Serbisë dhe BE-së, i nënshkruar më 19 korrik nën mbikëqyrjen e kancelarit gjerman, Olaf Scholz, e ka kristalizuar qasjen transaksionale...

Çelnaja

Në episodin e 30 të Çelnajës, së bashku me profesorin e antropologjisë Nebi Bardhoshin, trajtojmë disa koncepte me rëndësi që janë pjesë e korpusit...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.