Connect with us

Hi, what are you looking for?

Analizë

Balotazhi u dëshmua të jetë mjet i dobishëm dhe i domosdoshëm për demokracinë dhe qeverisjen lokale

Një shkrim analitik në përkrahje të balotazhit në sistemin elektoral në Kosovë. Përtej diskutimeve të llojit të rrjeteve sociale ku dominojnë argumentet gjysmake, selektive, dhe senzacionale kundrejt atyre përmbajtësore.

Gjatë zgjedhjeve lokale të 2017-ës, temë kyqe rreth sistemit zgjedhor ishte çështja e balotazhit për kryetar komune. Kur diskutojmë për sistem zgjedhor duhet të pajtohemi që në fillim rreth asaj se zgjedhjet janë mjet dhe jo qëllim në vete. Pasi që ka sfida të mëdha për të zbatuar demokracinë e drejtëpërdrejtë, demokracia përfaqësuese gjen zbatim më praktik. Megjithatë, modeli i sistemit zgjedhor është tepër i rëndësishëm për shkak të ndikimit të madh mbi sistemin politik në vend. Duke pranuar këtë realitet, sistemi ynë zgjedhor duhet të synoj të sigurojë nivel optimal të legjitimitetit të përfaqësimit dhe marrëdhënie të shëndoshë të llogaridhënies në mes të qytetarëve dhe udhëheqësit të Komunës. Rrjedhimisht, balotazhi duhet të shihet në dritën e këtij synimi dhe të zbatimit efikas. Në këtë analizë do të injoroj komunat me shumicë të komunitetit Sërb për shkak të ndikimit të madh, inadekuat, dhe tejet të dëmshëm në zgejdhje dhe demokracinë në këto komuna nga ana e Serbisë (për ndikimin e Serbisë lexo këtu). Do të injoroj po ashtu zgjedhjet në komunën e Istogut, ku procesi është dëmtuar rëndë për të dhënë ndonjë kontribut në analizën rreth balotazhit. Rrjedhimisht, analiza ime do bazohet në rezultatet e 27 komunave nga 38 sa ka Kosova.

Për shkak të konotacionit negativ që ia kanë veshur termit balotazh, duhet të deshifrojmë balotazhin në sistemin zgjedhor të Kosovës dhe të largojmë keqkuptimet. Që nga viti 2007 kur filloi përdorimi i sistemit mazhoritar për zgjedhjen e kryetarëve të komunave, sistemi ynë kërkon që një kandidat për kryetar të komunës të fitoj votat e mbi gjysmës së votuesve.  Ekzistimi i balotazhit nuk përjashton mundësinë për t’u zgjedhur kryetar/e në votimin në herën e parë. Kështu që politikanët me sukses edhe mund ta evitojnë balotazhin, sikurse që ka ndodhur në 10 nga 27 komuna të shqyrtuara në këtë analizë. Në zgjedhjet e fundit sukses të tillë kanë arritur Gazmend Muhaxheri në Pejë, Ramiz Lladrovci në Drenas, Imri Ahmeti në Lipjan, Bashkim Ramosaj në Deçan, Bekim Jashari në Skënderaj, Rufki Suma në Han të Elezit, e kështu me radhë. Sistemi ynë ia imponon kandidatëve që synojnë të fitojnë garën, qoftë në votimin në herën e parë apo të dytë, që të marrin besimin e një numri të konsiderueshëm të votuesve përtej militantëve dhe përkrahësve të partive të tyre. Sistemi ynë nuk është as më i komplikuar e as më i thjeshtuar sesa që duhet, respekton parimin e shumicës dhe procesi përmbyllet më së largu në herën e dytë.

Balotazhi ka ndikim pozitiv në disa aspekte mjaftë të rëndësishme të demokracisë sic janë konsensusi, kompromisi, dhe pronësia e qytetarëve në vendimmarrje. Zgjedhjet për kryetar në komunën e Prishtinës mund të merren si rast për të zbërthyer ndikimin e sistemit zgjedhor në këto fusha. Gara e Shpend Ahmetit në votimin në herën e parë nuk ishte e njëjtë sikurse ajo në të dytën. Edhe pse në të dyja herat përfundoi i pari, në balotazh atij i duhej të ndërtonte komunikim dhe besim me një grup më të gjerë të qytetarëve, duke mirëmbajtur lidhjen me ata që i besuan përfaqësimin qysh në votimin në herën e parë. Të mirat e kësaj marrëdhënie janë të dyanshme – sa i përket legjitimitetit dhe llogaridhënies. Kryetari i rizgjedhur i Prishtinës ka përshtatur profilin, programin, dhe bashkëpunëtorët që të jetë i pranueshëm për grup më të gjerë të qytetarëve. Në anën tjetër, tanimë më shumë qytetarë e ndjejnë vetën hisedarë në këtë vendimmarrje dhe rrjedhimisht ata mund të jenë më kërkues ndaj të zgjedhurit të tyre.

Duke pasur parasysh se kandidatët mund të synojnë të lidhin aleanca për balotazh, atëherë kjo kontribuon edhe në diskursin gjatë fushatës elektorale. Pasi që është e ditur se vetëm dy kandidatë do të kalojnë në balotazh, kandidatët shohin jo vetëm konkurrencë por edhe mundësi bashkëpunimi me kandidatët e tjerë. Në këtë drejtim kemi shënuar përmirësime vit mbas viti, dhe këtu mund të na shërbejnë kujtimet më të freskëta, zgjedhjet lokale 2013, dhe të krahasojmë diskursin e atëhershëm me atë të 2017-ës.  Edhe Vetëvendosje, lëvizja që rishtas po transformohet në parti politike, ka pasur diskurs të ashpër ndaj klasës politike në përgjithësi. Në fund ishim dëshmitarë që formuan koalicione me parti të ndryshme, me AKR-në në Prishtinë e në Mitrovicë, me Nisma-n e LDK-në në Prizren, me AAK-në në Klinë, e kështu me radhë. Kjo është premtuese që partitë të zhvillojnë një kulturë të bashkëpunimit dhe të debatit e të mos degradojnë nganjëherë në akuza të padobishme por vetëm kontaminuese që largojnë nga përfshirja publikun e gjerë duke u kufizuar vetëm në diskutime me militantët. Njëkohësisht dekurajon arrogancën e fituesit që dëshiron të kontrolloj gjithçka vetë.

Nëse hiqet balotazhi atëherë legjitimiteti i kryetarëve do të ishte shumë më i dobët. Në pjesën më të madhe të komunave gjenden më së paku nga tri subjekte të cilat kanë strukturë partiake dhe garojnë me kandidatë të cilët konsiderohen pretendent serioz në garë. Rrjedhimisht vota e qytetarëve do të shpërndahej në së paku tri grupe pothuajse barabartë. Në zgjedhjet e vitit 2017, vetëm në 10 komuna nga 27 që janë subjekt i analizës, pjesa dërrmuese komuna të vogla dhe vetëm një nga shtatë komunat e mëdha, kandidatët kanë fituar mbi 50 përqind në herën e parë të votimit. Në 6 komuna kandidatët më të votuar kanë fituar nga 40-49.9 përqind, në 9 komuna tjera nga 30-39.9 përqind, dhe në dy komuna kanë pasur më pak se 30 përqind. Kjo tregon qartë se po të mos ekzistonte balotazhi shumë komuna do të kishin përfunduar me kryetar të cilët do të përfaqësonin një grup të ngushtë partiak. Me kohë, përfaqësimi partiak e klientelist do të mbizotëronte dhe do të linte në hije idenë për përfaqësim të gjerë të qytetarëve.

Përtej koncepteve të lartëpërmendura të cilat kanë dhënë rezultate në të kaluarën dhe premtojnë rezultate në të ardhmen, balotazhi ka dhënë kontribut të veçantë deri më tani për opozitarët. Në vitin 2017, mobilizimi për balotazh i ka dhuruar fitoren duke përmbysur renditjen e herës së parë Mytaher Haskukës në Prizren kundër PDK-së që kishte qeverinë, Zenun Elezajt në Klinë kundër PDK-së, e Xhafer Tahirit në Vushtrri kundër PDK-së. Në vitin 2013 kishte përmbytje spektakulare gjithashtu sikurse Shpend Ahmeti kundër LDK-së në Prishtinë, Agim Bahtiri kundër PDK-së në Mitrovicë, Muharrem Svarqa kundër PDK-së në Ferizaj, Begzad Sinani kundër LDK-së në Kamenicë, Imri Ahmeti kundër PDK-së në Lipjan, e Xhafer Gashi kundër LDK-së në Obiliq. Rrjedhimisht pas votimit në herën e parë opozitarët kanë ngjizur bashkëpunimin dhe kanë artikuluar më mirë platformën e përbashkët. Një mobilizim i tillë opozitar shpeshherë mungon në herën e parë pasi që secili synon të matë peshën reale të subjektit dhe kandidatit të tyre. Pa balotazh, partitë në fron në shumicën e rasteve do të dalin fituese. Për shembull në vitin 2017, në 19 nga 27 komunat e shqyrtuara kandidatët e partive që kanë qenë fituese të zgjedhjeve të fundit kanë dalë të parët në renditje në herën e parë. Edhe ata votues të cilët votën e tyre e japin vetëm kundër dikujt, kryesisht atyre në qeveri, pozicionohen dhe bëhen hisedarë të procesit, gjë që në herën e parë edhe mund të mos jetë incentivë e tillë e pjesëmarrjes për shkak të hutisë se kush është alternativa.

Balotazhi gjithnjë i ka shtuar shumë e më shumë peshë votës, posaqërisht në këto zgjedhje kur votuesi i papërcaktuar ka qenë vendimtar.  Në një numër të komunave rezultatet në balotazh në mes të kandidatëve kanë qenë shumë të përafërta. Në Prishtinë ku janë hedhë 84,159 vota të vlefshme në kutitë e votimit, kandidati fitues ka vetëm 365 vota më shumë.  Në Prizren ku janë numëruar 51,526 vota të vlefshme, kandidati fitues ka marrë vetëm 372 vota më shumë. Rrjedhimisht, balotazhi i ka shtuar vlerë dhe rëndësi shumë më shumë secilës votë.

Përveq aspekteve politike, balotazhi kontribuon edhe në mbarëvajtjen e zgjedhjeve.  Manipulimi i votës bëhet shumë më i vështirë për shkak se duhet që në të dy herat të ketë koordinim dhe kosto shtesë për ata që synojnë të blejnë votat apo të organizojnë mekanizma për vjedhje të votës. Në balotazh, partitë të cilat janë në këtë fazë, mobilizojnë anëtarët dhe aktivistët më të zot që të mbrojnë votën.

Duke parë gjithë këto aspekte të balotazhit, argumentet të cilat janë cekur kundër tij sikurse aleancat jo-parimore, koha e gjatë për përmbyllje të procesit zgjedhor, kostoja për kampanjë, dhe çështje të tjera duken të mos kenë peshë të përfillshme. Pavarësisht partneriteteve që krijohen, votuesi në Kosovë ka krijuar një liri të theksuar, kështu që kandidatët do të detyrohen të kërkojnë votën dhe të mos bazohen vetëm në votën e porositur. Sa i përket aspekteve të efikasitetit në kohë dhe kostos së kampanjës, këto janë çmime të vogla që duhet paguar për të siguruar se procesi sjellë dobi për demokracinë dhe llogaridhënien.

Në fund të ditës në Kosovë pozitat udhëheqëse me zyrtarë të zgjedhur kërkojnë përkrahjen e shumicës, sistem mazhoritar. Zgjedhja e Presidentit bëhet me votat e 2/3 të deputetëve, apo në herën e tretë 1/2.  Zgjedhja e Kryeministrit së bashku me kabinetin qeveritar bëhet me shumicë të votave të të gjithë deputetëve. Zgjedhja e Kryetarit të Kuvendit bëhet me shumicë të votave të të gjithë deputetëve. Nuk është e qartë pse duhet të devijohet nga kjo logjikë dhe kulturë e sistemit në Kosovë duke zhdukur pragun e shumicës për Kryetar të komunave.

—-

Ky shkrim mbështetet nga D4D, si pjesë e projektit ‘Avancimi i proceseve demokratike’ financuar nga Departamenti Federal i Punëve të Jashtme të Zvicrës.

Lexoni Gjithashtu

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Çelnaja

Në episodin e 30 të Çelnajës, së bashku me profesorin e antropologjisë Nebi Bardhoshin, trajtojmë disa koncepte me rëndësi që janë pjesë e korpusit...

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Analizë

Memorandumi i mirëkuptimit midis Serbisë dhe BE-së, i nënshkruar më 19 korrik nën mbikëqyrjen e kancelarit gjerman, Olaf Scholz, e ka kristalizuar qasjen transaksionale...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.