Connect with us

Hi, what are you looking for?

Analizë

Biden-i së bashku me Europën duhet t’i bëjë ballë Putin-it

Presidenti i ri përballet me testin e parë madhor në politikën e jashtme: si të reagojë ndaj trajtimit të disidentit Alexei Navalny.

Ky është testi i parë i presidencës së Joe Biden-it në politikën e jashtme. Me t’u kthyer nga shërimi tij në Gjermani pas tentimvrasjës me helm, disidenti Alexei Navalny u rikthye guximshëm në Rusi ku edhe u burgos menjëherë. Protestat shpërthyen dhe Kremlini u përgjigj me shtypje të dhunshme. Më 2 shkurt, gjykata ruse e dënoi Navalny-n me më shumë se dy vjet në kamp internimi. Situata është e tensionuar – e tillë që do të përcaktojë qasjen e politikës ndaj Rusisë dhe trajtimit të shkeljeve të të drejtave të njeriut të administratës Biden.

Përgjigjja më e mirë është që Biden-i të vë në praktikë atë që ka premtuar në fushatën zgjedhore: mbledhjen e aleatëve në përpjekjen e re diplomatike për t’i bërë presion regjimit të Vladimir Putin-it.

Nisja e një përpjekje të tillë do të jetë sfidë për administratën e re, ende të paplotësuar. Por, koha është tash. Navalny ka marrë vëmendjen e botës. Veçanërisht në Europë, ku interesat biznesore në favor të angazhimit ekonomik me Kremlinin janë të forta dhe ku instinkti i shumë ministrave të jashtëm është që të qetësojnë gjakrat dhe të ndërmjetësojnë mes Shteteve të Bashkuara dhe Rusisë. Në mënyrë që BE-ja dhe kryeqetetet e saj t’ia shtrëngojnë burgjitë Moskës, kërkohet jo vetëm shtyrja e SHBA-së, por edhe ndjenja e sinqertë e indinjatës ndaj Kremlinit.

Një indinjatë e tillë ngjau më 2014 pasi Rusia pushtoi Ukrainën dhe ishte përgjegjëse për rrëzimin e aeroplanit MH-17, ku u vranë 298 qytetarë të pafajshëm. Së bashku, BE-ja dhe Shtetet e Bashkuara- dy prej tri ekonomive më të mëdha në botë – vendosën sanksione të forta ndaj Rusisë. Alarm të ngjashëm pati në Europë më 2016 dhe 2017 kur Rusia ndërhyu në zgjedhjet amerikane dhe franceze. Prapëseprapë, administrata e Trump-it nuk bëri gjë, duke e privuar BE-në nga shtysa e nevojshme për të nxitur në veprim 27 shtetet e saj anëtare.

Indinjata e Europës për situatën e Navalny-t i ofron një mundësi administratës së Biden-it për të tejkaluar pengesën e parë të çfarëdo strategjie efektive karshi Rusisë: krijimi i një fronti të përbashkët mes Amerikës dhe Europës. Në tetor, kur administrata e Trump-it heshtte lidhur me helmimin e Navalny-t, BE-ja ndërmorri hapin e jashtëzakonshëm të vendosjes së sanksioneve ndaj gjashtë zyrtarëve të lartë rusë. Këto masa, që kishin për cak Alexander Bortnikov-in, drejtorin e Shërbimit Federal të Sigurisë (FSB), dhe Sergei Kriyenko-n, zëvendës shefin e stafit të Putin-it, iu ndalojnë zyrtarëve që të udhëtojnë në BE dhe ngrijnë asetet e tyre përbrenda juridiksionit të BE-së. Se BE-ja mund të mblidhte unitet për një potez aq të vendosur – pa ndonjë mbështetje nga Shtetet e Bashkuara – kjo dëshmon seriozitetin me të cilin kryeqytetet europiane e shohin trajtimin e Navalny-t.

Sidoqoftë, formulimi i një përgjigjeje të duhur ndaj Kremlinit do të kërkojë vepra më të fuqishme – dhe doemos lidership nga administrata e re në Uashington. Sa për fillim, Shtetet e Bashkuara duhet të nxitojnë e të bëjnë atë që bënë aleatët europianë, duke vendosur një varg sanksionesh që pasqyrojnë ato që BE-ja vendosi në tetor. Më pas, administrata e Biden-it duhet të zhvillojë bisedime të nivelit të lartë me zyrtarët e BE-së për të zhvilluar një listë opsionesh për sankisione që do të vendoseshin në shpejtësi, varësisht nga lëvizjet që do të bëjë Kremlini. Kjo listë duhet të variojë që prej sanksioneve shtesë ndaj rrjetit kleptokratik të Putin-it e deri te masat më serioze – për shembull, ngrirja e aseteve në një ose më shumë banka shtetërore ruse ose kompanive të naftës. Kremlini përfiton jashtë mase nga qasja në Perëndim, meqë oligarkia që përkrah regjimin shfrytëzon atë qasje për të ruajtur pasurinë e vjedhur nga populli rus. Për Shtetet e Bashkuara dhe Europën, ndërprerja e kësaj qasje është mënyrë e mençur për të shkaktuar dëme Kremlinit.

Njëkohësisht, zyrtarët amerikanë duhet të fillojnë menjëherë bashkëpunimin me homologët në BE dhe Britani për të forcuar rregullat që pengojnë rrjedhjet financiare të kleptokratëve. Buxheti i Pentagonit inkorporoi një dispozitë që ndalon firmat anonime joaktive [shell companies], duke i dhënë besueshmëri Shteteve të Bashkuara që të shtyjnë aleatët e tyre në këtë drejtim.

Ndërtimi i unitetit transatlantik për politikat karshi Rusisë sot, do të sillte fryte për administratën e Biden-it në të ardhmen. Qeveritë nuk munden që thjesht t’i vendosin e t’i harrojnë sanksionet. Kështu ndodhi pas inaugurimit të Trump-it më 2017, kur sanksionet e SHBA-së dhe BE-së mbeten të amullta dhe prandaj humbën efikasitetin. Firmat ndërruan emrat dhe krijuan filiale, oligarkët gjetën mënyra të reja për të fshehur asestet, dhe ekonomia u përshtat përkitazi. Duke krijuar unitet me BE-në për sanksionet që në fillim, administrata e Biden-it mund të krijojë një sistem në të cilin zyrtarët amerikanë dhe europianë mbushin rregullisht zbrazëtirat, në mënyrë që sanksionet të mbesin të forta.

Në të njejtën kohë që nis këtë përpjekje administrata e re, ajo duhet që gjithashtu të përgatitet për kundërpërgjigjet e Rusisë. Sulmi kibernetik SolarWinds i ka dhënë Rusisë pushtet dhe mundësi për t’u hakmarrë. Është e paqartë se deri ku ka depërtuar dhe çfarë dëme mund të shkaktojë. Administrata e Biden-it nuk duhet që të sosë të gjitha mundësitë që në vargun e parë të sanksioneve ndaj Rusisë. Shtetet e Bashkuara dhe BE-ja duhet t’i lënë vetës hapësirë që të shtrëngojnë e përshkallëzojnë sanksionet në rast të kundërpërgjigjes ruse. Sanksionet e mëdha sektorale – sikurse futja në listë të zezë e nyjeve qendore të industrisë financiare të Rusisë – duhet të rezervohet për më vonë. Kjo do ta detyronte Kremlinin të mendonte mirë e gjatë se si të reagojë, duke ditur që Perëndimi do të përshkallëzojë masat edhe më tej.

Futja në një angazhim të tillë të përshkallëzimit kokë më kokë me Rusinë, që është fuqi nukleare, është rrugë plot me rreziqe. Por Kremlini ka mënjanuar çdo vetëpërmbajtje që ka pasur më parë në angazhimin e tij global. Rusia përdor armë kimikë për të vrarë kundërshtarët, pushton fqinjtë dhe ndërmerr sulme kibernetike ndaj sistemeve civile. Duket se përveç pushtimit të ndonjë shteti anëtar të NATO-s, për Kremlinin nuk ka mbetur ndonjë vijë e kuqe. Prandaj është aq kritik krijimi i një strategjie për ndalimin e Rusisë. Përderisa regjimi i Putin-it mbetet i varur nga qasja në Perëndim, SHBA-ja dhe Europa kanë veglat e nevojshme që ta ndalojnë përmes presionit ekonomik, pa pasur nevojë të nisin luftë.

Sanksionet dhe riorganizimi i rregullimeve financiare nuk janë kurrsesi ilaç. Askush nuk duhet të presë që sanksionet do ta rrëzojnë Kremlinin. Nuk e kanë atë fuqi. Qëllimi është që të vendosen kostot, të zbatohen normat, dhe të detyrohet Kremlini që të ndryshojë sjelljet. Sanksionet  transatlantike menjëherë pas protestave do ta godisnin regjimin në një moment kritik. Tash është koha për një përpjekje të përbashkët transatlantike.

***

Artikulli origjinal në Politico

***

 

Ky artikull mbështetet nga “Sbunker” përmes projektit të financuar nga Ambasada Amerikane. Mendimet e shprehura këtu janë të autorëve dhe jo medoemos pasqyrojnë qëndrimet e Departamentit të Shtetit.

Lexoni Gjithashtu

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Çelnaja

Në episodin e 30 të Çelnajës, së bashku me profesorin e antropologjisë Nebi Bardhoshin, trajtojmë disa koncepte me rëndësi që janë pjesë e korpusit...

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Analizë

Memorandumi i mirëkuptimit midis Serbisë dhe BE-së, i nënshkruar më 19 korrik nën mbikëqyrjen e kancelarit gjerman, Olaf Scholz, e ka kristalizuar qasjen transaksionale...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.