Connect with us

Hi, what are you looking for?

Analizë

Biden-i sjell nje sfidë të re amerikane në oborrin e Putin-it

Reagimi i Rusisë ndaj shpalljes së fitores nga Joe Biden-i në zgjedhjet amerikane ka qenë shumë i heshtur. Presidenti rus Vladimir Putin, ende nuk e ka uruar zyrtarisht presidentin e zgjedhur. Në anën tjetër, kundërshtari politik i Putin-it Alexei Navalny, nxitoi që të ofronte urimet e tij në Twitter, duke vërejtur me ngërdheshje se zgjedhjet e lira dhe të ndershme janë “privilegj i disponueshëm jo për të gjitha vendet.”

Heshtja e Rusisë dallon dukshëm nga entuziazmi që e kishte kapluar pas fitores së Trump-it më 2016. Kutitë e sheqerit u dekoruan me fytyrën e Trump-it, ndërsa dyqani i Ushtrisë Ruse ofroi 10% zbritje për qytetarët amerikanë në ditën e përurimit të Trump-it. Lideri i Partisë Liberal Demokrate të Rusisë, Vladimir Zhirinovsky u shfaq duke pirë shampanjë me anëtarët e partisë së tij për të festuar fitoren e Trump-it në zgjedhje.

Heshtja e Putin-it nuk është befasuese. Gjatë fushatës zgjedhore, Biden-i përmendi Rusinë si “kërcënimin më të madh” ndaj sigurisë dhe aleancave amerikane. Ai premtoi se do të mblidhte një samit të demokracive për t’i bashkuar forcat kundër ngritjes së autoritarizmit nëpër botë.

Kremlini mund të mos e mirëpresë kahjen e politikave të administratës së Biden-it, por parashikueshmëria dhe qartësia e qëllimit gjithsesi se do të jetë ndryshim i mirëpritur pas katër viteve sjelljesh tekanjoze të Trump-it.

Dy çështje janë me rëndësi të veçantë për ndryshimin që po vjen në Shtëpinë e Bardhë: përkushtimi i Biden-it për të rikthyer demokracinë në qendër të politikës së jashtme amerikane, dhe dëshira e tij për të riparuar marrëdhënien e Amerikës me Nato-n, duke forcuar aleancën euro-atlantike. Kremlini i sheh të dyja këto si sfida potenciale ndaj sigurisë kombëtare.

Trazira te pragu

Premtimi i Biden-it për të rikthyer një politikë të jashtme të bazuar në vlerat demokratike perëndimore do të ketë shqetësuar Kremlinin. Ky i fundit ka qenë thellësisht dyshues ndaj përpjekjeve të Uashingtonit që prej 1990ave për të promovuar demokracinë dhe përkrahur përpjekjet për demokratizim nëpër botë.

Në hulumtimin tim kam vëzhguar se Rusia i sheh protestat kundër qeverisë dhe kryengritjet popullore që kërkojnë të përmbysin regjimet si pjesë të një strategjie më të gjërë të ndryshimeve të regjimit të sponsorizuara nga ShBA-ja, të krijuara qëllimisht për të minuar shtetet rivale. Ngjarje të tilla sikurse të ashtuquajtuarët “revolucione me ngjyrë”, kryengritjet popullore që ndodhën përgjatë hapësirë post-sovjetike në fillim deri në mes të viteve 2000 në vende si Ukraina dhe Gjeorgjia, shihen si kërcënime të mëdha ndaj sigurisë kombëtare dhe stabilitetit të regjimit në Rusi. Kremlini beson se Rusia është e ndjeshme ndaj ndërhyrjeve të huaja në çështjet e saj të brendshme përmes përpjekjeve perëndimore për të promovuar format demokratike të qeverisjes.

Në muajt e fundit, hapësira post-sovjetike është shkundur nga protestat pro-demokratike dhe kryengritjet popullore në Bellorusi, Kirgistan, dhe së fundmi, Gjeorgji, si dhe luftimet mes Armenisë dhe Azerbajxhanit lidhur me territorin e kontestuar të Nagorno-Karabakut dhe konfliktin e zgjatur në Ukrainën lindore.

Bellorusia mund të bëhet pikëndezje e përplasjes mes Uashingtonit dhe Moskës. Vendi ka pasur protesta ditore dhe shtypje të dhunshme policore që prej zgjedhjeve presidenciale në gusht, në të cilat presidenti Alexander Lukshenko shpalli fitoren përkundër akuzave të përhapura për vjedhje votash. Biden-i ka kritikuar heshtjen e Trump-it rreth dhunës së regjimit të Lukashenko-s ndaj aktivistëve prodemokratikë. Ai premtoi se do të mbështeste popullin e Bellorusisë dhe do të përkrahte aspiratat e tyre demokratike dhe të zgjeronte sanksionet ndaj regjimit të Lukashenko-s.

Bellorusia është aleat kyç i Rusisë dhe zotimi i Putin-it për mbështetje financiare dhe ushtarake për Lukashenko-n e vë Rusinë në mosmarrëveshje me ShBA-në. Vështirë se Kremlini do të qëndrojë pasiv në rast se adminstrata e Biden-it shton përkrahjen për grupet e opozitës. Minsku dhe Moska mund të bashkëpunojnë në një përpjekje tjetër për t’i dhënë fund protestive para përurimit të Biden-it në janar 2021 për të parandaluar çfarëdo ndihme amerikane ndaj lëvizjes pro demokratike.

Ukraina është një tjetër pikëndezje e mundshme. Biden-i është zotuar të shtojë përkrahjen amerikane për vendin, përfshi furnizimin me armë, ndërkohë që i ka bërë thirrje Rusisë t’i japë fund “agresionit” dhe “okupimit” të Ukrainës.

Shtytje për Nato-n

Sfida e dytë themelore për politikën e jashtme ruse ka të bëjë me Nato-n. Moska ka kundërshtuar vazhdimisht shtrirjen globale dhe zgjerimin e Nato-s. Ajo thotë se aleanca është relikë e Luftës së Ftohtë që kërcënon interesat kombëtare ruse.

Aftësitë, shtrirja globale, dhe zgjerimi i Nato-s u identifikuan si rreziku parësor ndaj sigurisë kombëtare ruse në Doktrinën Ushtarake 2014 të Kremlinit. Strategjia e Sigurisë Kombëtare gjithashtu i referohet disa herë Nato-s, përfshi përparimet e saj në infrastrukturën ushtarake buzë kufijve të Rusisë.

Përgjatë karrierës së tij politike, Biden-i ka qenë i zëshëm në përkrahjen e tij për zgjerimin e Nato-s, përfshi anëtarësinë e Ukrainës. Gjatë fushatës zgjedhore ka qenë shumë i qartë në shprehjen e dëshirës për të ndrequr marrëdhëniet e Amerikës me Nato-n. Mendohet se ka për qëllim të ripërtërijë multilaterizmin dhe të forcojë aleancën, e cila është dëmtuar nga zënkat publike gjatë kohës së Trump-it.

Çarjet e brendshme e të dukshme lidhur me zgjerimin dhe financimin kanë dëmtuar sigurinë dhe kohezionin e Nato-s. Kundërshtarët si Rusia janë të vetëdijshëm se kohezioni – ose mungesa e tij – është pika e dobët kryesore e aleancës. Një aleancë e rigjallëruar dhe e bashkuar euroatlantike paraqet sfidë të jashtëzakonshme për Moskën, e cila do të kundërshtojë çdo përpjekje për të nisur procesin e zgjerimit në shtete si Gjeorgjia apo Ukraina.

Rusia dhe fqinjtë e saj post-sovjetikë zor se do të jenë prioritete të politikës së jashtme për administratën në ardhje të Biden-it. Por disa prej prioriteteve të administratës në ardhje, siç është përforcimi i Nato-s dhe promovimi i demokracisë, janë sfida për Moskën. Mosveprimi i regjimit të Trump-it përgjatë rajonit post-sovjetik, e cila mund të interpretohet nga Moska o si mosinteresim o si pajtim i heshtur, me gjasë do të zëvendësohet nga një qasje më proaktive.

Kjo do të thotë se marrëdhëniet mes Moskës dhe Uashingtonit do të bëhen me sa duket edhe më antagoniste dhe konfrontuese, përsa kohë që ShBA-ja intensifikon zgjerimin në oborrin e Rusisë.

***

Artikulli origjinal në The Conversation.

***

 

Ky artikull mbështetet nga “Sbunker” përmes projektit të financuar nga Ambasada Amerikane. Mendimet e shprehura këtu janë të autores dhe jo medoemos pasqyrojnë qëndrimet e Departamentit të Shtetit.

Lexoni Gjithashtu

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Çelnaja

Në episodin e 30 të Çelnajës, së bashku me profesorin e antropologjisë Nebi Bardhoshin, trajtojmë disa koncepte me rëndësi që janë pjesë e korpusit...

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Analizë

Memorandumi i mirëkuptimit midis Serbisë dhe BE-së, i nënshkruar më 19 korrik nën mbikëqyrjen e kancelarit gjerman, Olaf Scholz, e ka kristalizuar qasjen transaksionale...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.