Janë fëmijët tanë. Të lindun në vitin e parë të plotë të Kosovës së çlirume. Fëmijë që i kemi rritë tue ia ndalue me qenë të palumtun. Sepse, kur vendosëm me pretendu që Kosova filloi me ekzistu tek mas luftës, e kurrgjo ma herët nuk ekzistojke as nuk vlejke që ka ekzistu, mbi këta fëmijë vumë barrën e nisjes së nji fati të ri, ua gdhendëm qysh në pelena në tru, që ata kanë pshtu, e qaq mjaftojke atëherë. Me pshtu.
Kujdesi jonë për ta qe i vogël. Jeni gjallë, të lindun në liri, ju rritë liria u thamë, dhe kështu nuk u interesum për të ardhmen e tyne ma shum, sepse si shoqni ma shum prej të ardhmes nuk pritëm se sa me konë gjallë. Na t’pshtumit. Tjerat vijnë vet, i folëm vetes. Na u dashtë pak mashtrim për me pushue.
Pra, këta fëmijë nuk kanë dështu. Këta janë pasqyrë e dështimit tonë si shoqni, që filloi në vitin 2000. Pra PISA asht rezultat i dështimit tonë në vitin 2000. Atëherë kur ishim të nxanun me nxanë banesa; me marru përmendore; me dalë në shehër me banim; tue i numrue kufomat; tue i qëndisë kunorat e pllastikës për dëshmorët; tue punue si përkthyes; tue mos dijtë ku i kishim të dashtunit; tue u gëzu që s’na u kish kallë shpija; tue mos u mërzitë shum që kojshisë iu kish kallë shpija; tue ushqye euforinë tonë heroike. Pra PISA asht rezultat i injorancës tonë në kombinimin me krenarinë tonë kombëtare. Mirë, krejt këto po i dijmë, çka tash? E po, pa këqyrë mbrapa mirë, nuk mujna me ecë përpara.
Këta 15 vjeçarë që morën pjesë në testimin PISA janë rrritë në xhungllën e euforisë kolektive të çlirimit në njanën anë, e në kaosin e pasigurisë për të ardhmen dhe të ballafaqimit me nji të kalume të dhimbshme të afërt, në tjetrën. Prindërit e tyne sapo i kishin pshtue luftës dhe ishin të rinj të shpërngulun në vende tjera ose të kthyem në vendin e lindjes ku gjetën ose nuk gjetën çka kishin lanë pas, as në njerëz as në material; disa erdhën prej maleve; disa të mbetun jetim; disa tue lyp nji fat ma të mirë u shpërngulën në qytete. Disa prej këtyne fëmijëve lindën jasht vendit e u riatdhesun gjatë fëmijërisë së tyne të hershme në vendlindjen e prindërve. Nuk patën fat me i marrë letrat. Nji numër modest prej tyne asht e mundshme që mban emna: Billklinton, Tonibler, Medllin, ose Ollbrajt etj..
Këta janë fëmijët e falënderimit tonë kolektiv ndaj shpëtimit. Janë gjenerata, e ardhmja e të cilëve u ba kurban për tryezën e hipokrizisë politike të diplomacisë në njanën anë, e inatit tonë ndaj Sërbisë të cilën e fitum, në tjetrën. Patëm sene ma të randësishme çdo herë, për inati të Sërbisë. Dehja na zgjati shum.
Janë fëmijë të lumtun, të dehun prej lumtunisë, fëmijë që nuk dijnë me lexue, por që nuk dallojnë prej fëmijëve të tjerë në botë sa i përket qëllimeve me u ba “diçka me shkencë”. Janë fëmijë që njëjtë si shum fëmijë të tjerë të botës, nuk e shijojnë mësimin shum. Janë fëmijë që e kalojnë vitin akademik, ditën a s’ditën, por jo pse sistemi i arsimit asht aq i mirë, sa me i pritë aty ku janë e me i përkrahë gjatë rrugës edhe nëse ngecin në mësime, por sepse sistemit nuk ia nin për ta. Sepse, sistemi e di që e kryjtën a s’e kryjtën shkollën, vendet ma të mira të punës ashtu kështu janë të rezervume për fëmijët e sistemit, të tjerët le ta thejnë qafën.
Janë fëmijë që në fëmijëri të hershme nashta kurrë nuk panë çerdhe me sy, u rritën në prehën të odave familjare. Disa me lodra, disa jo fort. Pak me dhunë, pak dashni, kaniherë me dhunë në emën të dashnisë. Nuk e dijna. S’na ka interesue shum. Po nejse, sa i përket edukimit në fëmijëri të hershme, që edukimi parashkollor, i cili në masë të madhe u mungoi fëmijëve tanë, asht i randësishëm e tregues i mirë i suksesit të matutjeshëm të njeriut në jetë por edhe i zhvillimit ekonomik të vendit, nuk diskutohet ma, asht dëshmue që asht. Por ama, para se me marrë ygjym me i regjistru krejt fëmijët e Kosovës në çerdhe, e në institucione parashkollore, ta kemi parasysh, që suksesi vjen vetëm po patën cilësi këto institucione parashkollore, se nëse diçka na ka mësue PISA asht që me ndërtue shkolla kah të mundesh, dhe me shkue në shkollë, nuk po mjaftojke.
Njëjtë s’ka me majftue as për çerdhe, kopshte a qysh do që po i quejmë tashti. E për aq sa vlen, gjendja e këtyne në Kosovë për nga cilësia, asht po aq e keqe sa shkollat e universiteti. Dhe me gjendje e kam fjalën tek aftësia e edukatorëve, cilësia e metodave pedagogjike dhe planprogrameve me të cilat operojnë këto.
Në përgjithësi, nashta krejt kjo edhe nuk asht qaq keq qysh po duket. Qysh pat thonë nji kokëlopë, pardon kokëministër nji herë, nashta veç: “nuk kemi guxim me i pa anët e mira”. Prej këtij kandvështrimi, isha tu mendu, që asht e mundshme nashta që fëmija jonë s’dijnë me lexue për nji arsye shum të fortë: sepse çka ju servohet me lexue asht plot bërllog, e me mësue përmensh dhe me e harrue sa ma shpejtë asht pshtim. Kjo mundet me qenë definitivisht nji anë e mirë.
Paramendone sa katastrofë kishte me qenë nëse fëmija jonë kishin mësue ate çka lexojnë si p.sh. në librat e historisë ku iu servohet kjo: “gjuha ilire ishte shumë e ngjajshme e gjuhën e sotme shqipe”…”shumë fjalë nga ilirishtja përdoren edhe sot, si emrat: Gent, Teutë, Agron, Bardhyl…” (Sh. Gashi. Historia e Kosovës në tekstet mësimore të historisë në Kosovë, Shqipëri, Serbi, Mal të Zi dhe Maqedoni. Prishtinë: Instituti për Studime në Shoqëri e në Kulturë “Alter Habitus”, 2016, faqe 10).
Baba jem e ka pasë emnin Shefqet. Po get, gjuha jem, shqipja, asht shum e ngjajshme me gjuhën turke. Sepse, unë ia kam dijtë babës tem emnin dhe e kam përdorë këtë emën, i cili asht emën turk. Qikjo asht logjika, të cilës nashta fëmija jonë me „përmensh“ po munohen me i ikë. Funi i funit ata e mësuen të parët, që me pshtue mjafton, dhe asht mësim i vlefshëm ky, në nji shtet që shkollën e ka tempull të idiotëve.
_______
Më shumë nga debati PISA:
Dukagjin Pupovci – PISA-tronditja dhe PISA-këndellja
Dren Pozhegu – PISA dhe fronti i fundit i shpresës