Connect with us

Hi, what are you looking for?

Analizë

Blues, melankoli, një triller i metrazhit t’gjatë, pa titra

Recension:

Criminal Immigrant nga Lyrical Son dhe MC Kresha

Kur në vitin 2016 MC Kresha dhe Lyrical Son e patën titulluar albumin e tyre ‘Rapsodët n’Rep t’sotit’ nuk është se patën pretenduar epitet të cilin veçse nuk e gëzonin: me 28 këngë sa kishte gjithsejt albumi, pra gati dy orë rima e goditje, të dy shtyllat e hiphopit shqip kishin dëshmuar se në universin kulturor ishin rapsodë të njëmendtë. Rapsodë, meqë arrijnë që socialen e përditshme ta pasqyrojnë përmes krijimtarisë tekstuale, diskursive e muzikore. (Plus që Festimi e mbajti fjalën e dhënë me 2013 kur mes 25 këngëve të albumit ZimaSamShevy kishte thënë ’25 une numrin ndryshe s’e qes’). Si një album i kompletuar në secilën aspekt, pata menduar se ishte rast i përkryer për të shkruar një recension. Besoja se do ta shkruanin të tjerët, që janë mbase më të thirrur të shkruajnë për rep. Por ja që te ne ende nuk shkruhet kritikë për muzikë. Andaj si studiues i shoqërisë dhe sidomos diskursit, po e marr guximin për të shkruar këtë recension, të cilin, duke e vërejtur degradimin e sferës publike te ne, po e kuptoj që është dashur ta shkruaja shumë më herët. Dikur, pak para shpalljes së pavarësisë, kur Festim Arifi, reperi i qendrës t’Prishtinës, ai djali që pështynte rima kudo që e takoje, në çdo rast, që nga paslufta, në çdo vend, kishte marrë vëmendjen e duhur me disa hite që ende mbahen mend. Është dashur ta shkruaja në kohën kur Kreshnik Fazliu i Tavnikut të Mitrovicës i kishte lënë pretenduesit e fronit të repit në kryeqytet “pa fllesha”. Por ja që po e shkruaj tash, e mbase më mirë vonë se kurrë. Dhe çfarë rasti më të mirë për të shkruar recension do të mund të kisha sesa kënga e fundit ‘Criminal Immigrant’ të cilën dyshja e lansoi për festat e marsit.

Kjo këngë vjen si një mozaik i subzhanreve dhe teknikave që të dy mjeshtrit e penës e mikrofonit i kanë përsosur me vite, duke ngërthyer në vete jo veç rep e trep, por edhe pop, reggeaton, dhe, mbi të gjitha, blues. Blues për shkak se përmes 2 minutave e 45 sekondave, pa ndonjë demonstrim të shpejtësisë, me rreth 200 fjalë, kjo këngë përçon tek audienca një uverturë të ndjesisë melankolike të shoqërisë, të zymtësisë individuale e kolektive. Duke e vënë në punë arsenalin e tyre të fjalëve, koncepteve dhe përsëritjeve diskursive, Kresha e Festimi e vendosin dëgjuesin në një rehati shpirtërore, në një energji vibruese, që zakonisht e ndjejmë me këngët e tyre, por kësaj radhe me mesazh melankolik. Me blues.

Me një frymë, kënga s’kishte s’i të dilte tjetër, nga kjo dyshe, të cilët, veç e veç, janë artistë të kompletuar, autentikë dhe mbi të gjitha origjinal.

Në njërën anë, e kemi Festimin, me një diapazon gjigant në muzikë, prej serenatave në reaggea, që pështynë si mitraloz e ju kthehet refreneve si bilbil e kapërcen furishëm. Festimin, poezia e të cilit është sinonim i urbanes së kryeqytetit, i një nga pikave gjeneruese të diskursit të rrugës, shpirtin e të cilit diskurs e kishte vënë në dritë, p.sh., Mirko Gashi. Festimin, i cili kurdo që ta kapë mikrofonin ka pushtetin e manipulimit të audiencës, duke mos e huqur kurrë asnjë rrahje tingulli dhe duke mos e lënë asnjë strofë pa e prishë pak rrjedhën e tij të paprecedentë me ndonjë kthesë rrokjesh, ku tregon plotninë e mjeshtërisë artistike të të rrëshqiturit tekstual nëpër ritëm. Diskursi i tij artistik është një grabitje e shpejtë guerile e kontekstit politiko-social të cilin me zig-zage e përsëritje e kthen në mishmash karizmatik, mishmash që sot njihet si diskurs i repit në Prishtinë.

Në anën tjetër e kemi Kreshën, pompoziteti i të cilit është aq i saktë, i matur dhe i përpiktë, por në të njëjtën kohë aq i ngrohtë e i këndshëm për dëgjuesin, sa që të bën të mendosh se nëse nuk e frenon veten do ta shkatërrojë çdo rrahje, çdo tingull, çdo melodi. Me një diapazon të gjerë fjalësh dhe qasjes letrare, prej romantikut të përhershëm e deri te gangsteri pa emocione, Kresha është njëmend MC meqë e kontrollon me lehtësi disponimin e audiencës gjatë gjithë kohës, në secilën varg, në secilën strofë. Gjerësia krijuese e Kreshnikut dhe modestia e tij artistike prej Mitrovice, të cilën në një kohë tjetër e rrezatonte, p.sh, Haki Misini, e bëjnë poezinë e tij të ketë referenca që e insinuojnë secilën situatë personale a sociale në një formë që sa është e pranueshme nga të gjitha sferat e shoqërisë, aq mbetet edhe origjinale në vete. Kur fuqia e vargjeve gërshetohet me mjeshtëritë interpretuese të Kreshës, me rrjedhën dhe me ngjyrat e zërit të tij, ato krijojnë një pushtet diskursiv që rrezaton shkelqësi krijuese e artistike.

E kur këta dy kombinohen, miq, dalin ato hitet e mëdha, prej limonadave verore që nuk i braktisin klubet, e deri te këngët melankolike si kjo për të cilën po shkruaj sot. Kjo për shkak se përtej individualitetit të tyre artistik, kombinimi i këtyre dyve krijon një ‘gestalt’ në rep, një tërësi që është në fakt shumë më shumë sesa shuma e të gjithë pjesëve të saj. Kresha e Festimi bashkë, janë më shumë sesa Kresha dhe Festimi veç e veç.

Këngën Ilegal Immigrant e nis Kresha me brutalitet të cilin e paralajmëron që në fillim duke e krahasuar veten me ODB, një nga ikonat e repit. Por qasja, ngjyra e zërit të Kreshës dhe pompoziteti i frenuar për t’i amplifikuar rrahjet me zanore, që në fillim tregojnë se kënga nuk do të jetë një azgan-rep i zakonshëm. Në fakt, për dallim prej disa hiteve verore që dyshja kishte vënë në krye të toplistave komerciale, që në rreshtat e parë kuptohet se këtu, në këtë këngë, nuk ka shumë vend për zbavitje. Ka vend për mllef, i cili mllef është më i thellë, më universal.

E gjithë kënga është tërësi e ilustrimeve të padrejtësive dhe thirrjeve për drejtësi sociale, të cilat, Festimi e Kresha gjithmonë i kanë prezent nëpër këngë. Mbase i keni harruar, prej video klipeve të fundit ku dominon maskuliniteti toksik dhe karakteri zbavitës, se që të dy, vazhdimisht kanë qenë poetë që kanë nxjerrë në sferë publike ofshamat e shoqërisë. Por ajo që e bën këtë këngë ndryshe nga të tjerat është se bluesi që ajo përçon nuk është më i limituar në botën e hip-hopit, në diskursin e vetëlavdërimeve dhe retorikës përsëritëse. Criminal Immigrant dhe emocionet që përçon përmes vokalit, diskursit dhe renditjes, janë universale. Ato përkojnë me ndjenjën e përgjithshme të shoqërisë njerëzore, kudo nëpër botë. Njerëz që janë të pakënaqur, të pabarabartë. Njerëz që vuajnë dënime të larta për krime të lehta, njerëz tjerë që kryejnë krime të rënda dhe nuk kalojnë asnjë ditë në burg. Protestues, e policë që thyejnë eshtra me kërbaç.

Për dallim prej krijimeve komerciale ku Kresha e Festimi zakonisht shfaqin veç fragmente të kontekstit në të cilin jetojmë, duke na katapultuar, të paktën për një çast, në një dalldisje zbavitëse  ritmesh, Criminal Immigrant ka karakter më shumë të nëntokës, ani pse kompozimi muzikor—nga K-Master – nuk  është fare i tillë. Kësisoj, në vend të lëvdatave hiperbolike, aspekti tekstual i kësaj kënge zbërthen në vete, fuqishëm, pabarazinë sociale. Prej refrenave ‘ma Vitton se Louis’ që i dëgjonim dikur, në këtë këngë kemi shprehje kundërshtuese si ajo e Kreshës që thotë “çka po m’vyn Louis kur tjetri s’ka tesha”. Louis, megjithatë, si referencë e pushtetit financiar, mbetet prezent në tekstet e tyre, njëjtë siç mbesin disa përsëritje referenciale, si p.sh. patikat e Kreshës, storjet e Festimit, stili i tyre i reprezentimit diskursiv të përditshmërisë si diçka që përjetohet mes ëndrrave dhe realitetit, mes dëshirës për të mbijetuar dhe asaj për t’u shfrenuar, mes kënaqësisë dhe ankthit, mes vizionit dhe makthit.

Po ashtu, nuk mungojnë as elementet e rebelimit ndaj kriminalizimit të marihuanës, politikë kjo që Kosova e mban ende, duke shpenzuar miliona euro të taksapaguesve për çdo vit për të burgosur të rinjtë që tymosin një bimë e cila në gjithë botën tanimë konsiderohet si ilaç.

Përkundër universalitetit, kënga është megjithatë e kontekstualizuar në Kosovë. Veç në Kosovë ekziston koncepti i pashtetës, si një ushqim patetik, i lirë e i konservuar, i pashëndetshëm e i gatshëm, i cili përkundër gjithë këtyre konsiderohet, megjithatë, si një pushtet i të papushtetshmëve ndaj atyre që kanë edhe më pak pushtet se ta. Pashteta, kësisoj, në Kosovë është lluks; sistemi i të pushtetshmëve përtej ligjit të lë të kalbesh në burg nëse i ke vjedhë disa pashteta. Kënga flet për Kosovën ku “shumë hipokrita shtrojnë hipoteza” dhe ku jeta është një film ‘triller i metrazhit t’gjatë, pa titra’ në të cilën personazhet qarkullojnë pa skenar, pa paralajmërim.

Në këtë triller, ku “e gjatë osht nata kur mbizotëron frika, gabon përpara vec mrapa t’pret thika” Festimi u kthehet problemeve të rinisë: “me hekra n ‘çantë ma para sa libra, rinia, e sotit, n’kriza, n’fajde për vija” dhe, natyrisht, vetë titullit të këngës, ‘criminial imigrant ilegal viza’ koncept ky që në dy dekadat e fundit nuk ka nevojë për sqarim. Rimat e Festimit sjellin kësisoj të vërtetat e thata për të cilat preferojmë të mos flasim: për kombinimin e narkotrafikut me fajde si pushtet që shtrihet gjithkund e gjithkah, e të cilit pushtet rinia nuk ka se si t’i ikë pos imigrimit ilegal.

Blues që kënga e sjell është storje kaotike në të cilën secili e gjen veten. Blues i cili tingëllon si një vorteks nga i cili nuk ka shpëtim. Blues i vërtetë, natyrisht, kulmon në refren, të cilin Festimi e shkrin së kënduari me një melankoli rrëqethëse, që përshkruan aq mirë sa edhe distancon.

“Thojnë koha shëron plagët, a mu shpresat m’i kanë vra,
e ardhmja moti m’ka vdekë, rrugëve tu u tretë për para,
e gjithë kur nesër çohna m’doket andërr krejt kjo dramë”

Ky Blues i këngës që u lansua një vit pas pandemisë që pothuajse e paralizoi gjithë njerëzimin, rrëqethshëm na kthen në përjetimin e artit jo veç si zbavitje, por pikë së pari si shprehje e emocioneve kolektive. Kresha e Festimi janë gjigantë sepse e kanë ndërtuar një mënyrë unike përmes së cilës e shprehin atë që të gjithë e ndjejmë. Edhe mllefin edhe zhgënjimin, edhe seksizmin edhe krimin, edhe vetëdijen por edhe tendencën njerëzore për të ikur nga realiteti. (Ani pse për seksizmin në rep duhet shkruar një shkrim, veçantë). Në këngën Ilegal Immigrant kjo arrihet për mrekulli përmes videoklipit të punuar me elegancë, kreativitet e mjeshtri, nga Berat Hasani, ai djali me flokë të gjata që duket pak si Jim Morrison e të cilin e keni parë në këto dy dekada gjithandej, herë duke pastruar lagje, herë duke organizuar festivale. Berati, të cilin mbase e keni parë edhe ne videoklipin e hitit të Kreshës ‘Lej Flleshat’ është një nga talentët që ndërlidhin kreativitetin shoqëror, emrin e të cilit e sheh gjithakah. Ndërsa, ne Criminal Immigrant, përmes skicave e vizatimeve autoriale, nëpër të cilat e shetitë lirshëm kamerën, duke treguar gjithë storjen pa asnjë shkëputje a montim.

Përderisa brenda javës, veç në YouTube këngën Criminal Immigrant e kanë dëgjuar më shumë se një milion persona, Kresha e Festimi janë në kulm të karrierës së tyre tashmë kanë dëshmuar se çka do qe prodhojnë, domosdoshmërisht shitet, pra e dëgjojmë, e han pazari. Megjithatë, karriera e tyre, për të cilën nuk ka mjaftuar veç talenti por është dashur shumë punë, i ka sjellë ata në një pikë kulmore të pushtetit poetik, ritmik e diskursiv në Kosovë. Trashëgimia e secilit veç e veç, por edhe e të dyve bashkë, përfshin qindra dhe jo dhjetëra këngë, të paktën në mendimin tim, ka ardhë në një pikë të kulmit që është njëherit edhe një moment i mirë reflektimi për kuptimin e kësaj trashëgimie. Tani që Kresha dhe Festimi dhe label i tyre PINT po sjellin në skenë shumë emra të rij që shpejt mund të bëhen bartës të skenës së hiphopit, është koha që të mendojnë nëse do të mbahen në mend më shumë për hite komerciale si “Thirri krejt shoqet” ku zbavitja e argëtimi ngërthejnë seksizëm e elitizëm, apo për këngë që gjenerojnë diskurs vetëdijesues e mobilizues për shoqërinë dhe këngë tjera që përçojnë melankolinë, pra bluesin e saj, si Criminal Immigrant. Dhe teksa ata mund të mendojnë për këtë, ose jo, unë me mezi po e pres këngën e radhës.

Kënga Criminal Immigrant mund të dëgjohet në YouTube si dhe në Spotify.

Author

  • Krenar Gashi

    Krenar Gashi është studiues i shkencës sociale, aktualisht doktorant në shkencë politike në Universitetin e Gentit në Belgjikë. Fokus i studimeve të tij janë diskursi, pushteti dhe demokracia, mirëpo si ish aktivist dhe ekspert i medias, ai poashtu kontribuon në studimet e medias dhe kritikën e sferës publike.

Lexoni Gjithashtu

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Çelnaja

Në episodin e 30 të Çelnajës, së bashku me profesorin e antropologjisë Nebi Bardhoshin, trajtojmë disa koncepte me rëndësi që janë pjesë e korpusit...

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Analizë

Memorandumi i mirëkuptimit midis Serbisë dhe BE-së, i nënshkruar më 19 korrik nën mbikëqyrjen e kancelarit gjerman, Olaf Scholz, e ka kristalizuar qasjen transaksionale...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.