Connect with us

Hi, what are you looking for?

Analizë

Bota dhe ndryshimet klimatike – Parisi 2015

Kurt Vonnegut duke komentuar fotografitë që NASA ia kishte dërguar: “Toka është perlë e bukur, ngjyrë blu, rozë, dhe bardhë. Duket aq e pastër! Poshtë atje nuk shihen Tokësorët e uritur e të zemëruar – as tymi, kanalizimi, bërllogu dhe armatimet e sofistikuara.”

Pak kohë ka kaluar prej vargsulmeve terroriste në kryeqytetin (botëror) francez. 13 Nëntori  ishte diçka e paparashikuar, ani pse të nesërmen autoritetet franceze u prononcuan për media se kishin qenë të vetëdijshëm se diçka e keqe po vjen drejt tyre. Kjo ngjarje ishte tejet e tmerrshme dhe e dhimbshme. Derisa Franca dhe bota po vuan dhe bashkëndjen me këtë tragjedi, Parisi zyrtar po përgatitet  për Samitin e Klimës – Paris 2015 ose Konferenca e Palëve (COP21) si pjesë e Konventës Kornizë për Ndryshimin Klimatik (UNFCCC) që është instanca më e lartë e politikave klimatike. I pyetur nga gazetarët se a do të shtyhet ose anulohet COP21 pas sulmeve terroriste Ministri i Jashtëm francez,  z. Laurent Fabius u prononcua:  Jo, jo, jo, jo, jo, jo COP21 do të mbahet”.

Samiti i Klimës në Paris fillon këtë javë, dhe që në ditën e parë afro 150 liderë botërorë do të marrin pjesë  për të gjeneruar momentumin  politik para fillimit të negociatave teknike për të arritur një konsensus global. Në këto negociata marrin pjesë anëarë të delegacioneve shtetërore, profesionistë e ekspertë, shkencëtarë e akademikë, reprezentuesë të shoqërisë civile, obzervuesë, dhe mediat – teksa synohet që për herë të parë pas më shumë se 20 vjet negociata ndërkombëtarë, të konkludohet një marrëvshje universale për ndryshimet klimatike, me qëllim që të mbahet rritja e mëtejme e temperaturës globale përfundi 2° Gradë Celsius.

Krahas organizmit së Asamblesë Gjenerale së OKB-së në Nju Jork çdo vit, COP21 është njëra ndër ngjarjet më të mëdha diplomatikë në botë dhe që nikoqirët francezë po e organizojnë. Padyshim së për këto që do të jetë pjesë direkt ose indirekt, është një nga ngjarjet më të rëndësishmë botërorë që (do duhej) të përcaktonte një kahe të re që civilizimi jonë do të marrë pas vitit 2020.

Sot, 97% e shkencëtarëve që trajtojnë Ndryshimet Klimatike pajtohen se jetesa jonë dhe gjeneratave të ardhshme në Tokë, është direkt e rrezikuar nga ndryshimet ekstreme të klimës që vetëm sa kanë filluar të shfaqen. Për vite me radhë, është observuar ngritja e temepraturës së planetit tonë, ngritje e nivelit të oqeanëve, termete dhe uragane të paprecedentë, shterrja e ujërave të ëmbël, etj. Të gjitha këto, nëse jo direkt të shkaktuara, janë të amplifikuar nga “ndotja anthropogjenike” ose emitimi i lartë i gazërave serrë në atmosferën tonë si rezultat i aktiviteteve njerëzore siç origjinojnë nga rritja ekonomike e shteteve, rritja enorme e popullatës botërore dhe fakti që shumë njerëz po dalin nga varfëria me më shumë kërkesa dhe rritje të konsumit; rritja e sipërfaqeve tokësore për shfrytëzim agrikulturor, kërkesa gjithmonë e më të mëdha për energji, etj.

Shkenca është thuajse njëzëri për faktin që ndryshimet klimatike po shkaktohen për shkak të gjurmëve tona në planet, dhe kjo tashmë ështe e pamohueshme, ani pse në vende të ndryshme kemi të bëjmë ende me “skeptikët klimatikë” ata njerëz të cilët menduan se debati për ndryshimet klimatike është një konspiracion i madh apo një përrallë. Këta njerëz ndoshta përbëjnë vetëm 3% të spektrit, por që reprezenton koorporatat më të fuqishme të botës në sektorin energjetik (të naftës, gazit, etj.), blloqet e politikanëve, të cilët kanë si donatorë të kampanjave të tyre këto kompani, dhe kuazi-shkencëtarë të cilët paguhen për të qitë në dritë përfundime që kundërshtojnë kolegët e tyre nga 97%-shi.

Adaptimi

Kemi humbur shumë kohë! Përgjatë dy-tri dekadave të fundit më shumë ka qenë çështje debati se a ekziston kjo dukuri, sesa fokusimi në ato çfarë janë vërtetë me rëndësi,  adaptimi (si individë dhe si shoqëri në kushtet e reja të jetesës ne tokë, që përfshin nevojën e krijimit të shprehive të reja ku jemi të vetëdijshëm për impaktin tonë në planet dhe të mundohemi të jemi sa ma të përgjegjshëm duke shpenzuar më pak ujë, të hamë mish më rrallë osë hiç, dhe të furnizohemi për ushqim vetëm nga furnizuesit dhe ato të mira që i ofron vetëm realiteti jonë lokal, duke mos dëshiruar për të mira që vijnë nga kontinente më larg, dhe për të cilat kërkohet transport për të arritur në raftet e marketit në lagjen tonë, etj.)

Zbutja

Nëna Tokë që është zemëruar! Tashmë veç kemi krijuar dëm të madh në planetin tonë, dhe kështu që kemi filluar të shohim një ‘planet të nervozuar’ e të shfaqur nëpërmjet ngjarjeve klimatike dhe fatkeqësive natyrore, të cilat njerëzimi nuk i ka parë më heret. Zbutja e konsekuencave që rezultojnë nga ndryshimet klimatike, nënkupton krijimin e sistemeve më efektive për reagim në emergjenca, implementimi i zgjidhjeve inovative për afate të ndryshme kohore që do të minimizonin dëmin në këto raste, dhe do të rrisnin qëndrueshmërinë dhe elasticitetin e komuniteteve tona.

Kjo e fundit na lejon të aludojmë se shumë çka varet nga arritjet shkencore dhe teknologjike, dhe kjo qëndron. Por deri në çfarë përmase? Autori për çështjet mjedisore, Kenneth Brower, në një shkrim të tij na thotë, se nocioni që shkenca do të na shpëtojë është iluzion që lejon gjeneratën e tanishme të konsumojë të gjitha resurset që do, sikurse nuk do të ketë gjenerata të ardhshme. Është qetësuesi që e lejon civilizimin të marshojë drejt katastrofës mjedisore dhe që e parandalon zgjidhjen e vërtetë, që është puna e vështirë dhe joteknike e ndryshimit të natyrës së njeriut. Ndërsa në polin tjetër. Autori Derrick Jensen në një shkrim të tij të titulluar “Të Harrojmë Dushat e Gjatë” shpreh si kundërthënie idenë se nësë njerëzit do të kishin dushe më të shkurtra do të ishte më mirë për planetin tonë. Padyshim se kjo qëndron si një tipar që do të ndikontë në prezervim të ujit, por teza e tij është se edhe nëse të gjithë njerëzit në Botë do të ndryshonin mënyrën e jetesës së tyre, përsëri nuk do të ishte e mjaftueshmë që të përballojmë rrethanat e reja klimatike në planetin tonë, si dhe ato që do të rezultojnë në dekadat në vijim.

Ai thotë, se përgjatë 15 viteve të fundit, mediat na kanë prezentuar një diskurs gjeneral ku problemi dhe zgjidhja varet në veprim ose mosveprim të individit. Konsumi individual — nga banimi, veturat private, e të tjera — përbëjnë vetëm një fraksion të të gjithë konsumit global, që realisht dominohet nga faktorët megaloman: komercial, industrial, koorporativ (energjetik, agrikulturor), shtetëror (duke përfshirë aspektin e mbrojtjës dhe ushtrisë). Kështu që edhe nëse të gjithë do të vendosim për biçikleta si mjet kryesor për transport, apo të bëhemi vegjetarianë, një lloj ndryshimi (sado drastik që është) përsëri do të rezultontë në impakt neglizhent në shfrytëzim të energjisë, parandalimin e ngrohjes globale, dhe ndotjes atmosferike.

Simbas do njohësve të çështjeve ndërkombëtare, ndryshimet klimatike po ndikojnë edhe në rrënimin e stabilitetit shoqëror në vende të ndryshme, po shohim krijimin e vatrave të dhunës, sidomos në Lindjen e Mesme dhe në Afrikë. Për shembull kur lufta në Siri filloi, vendi vetëm ishte kapluar nga një thatësi dhe që shtyu shumë fermerë në cepin e humnerës, që edhe rezultoi në shumë familje që migruan në qytete nga vendet rurale për shkak skamjes. Ngjashëm para Pranverës Arabe, thatësira shkaktoi shumë probleme për fermerët egjiptianë, që rezultoi në rritje enorme të çmimit të bukës, që është një nga komponentët kryesorë të sofrës, dhe jo vetëm në atë pjesë të botës.

Ngjashëm, shumë pjesë të Afrikës po bëhën të pabanueshme. Për shembull me ngritje të vazhdueshme të nivelit të oqeanëve, një uragan i fuqishëm në cilindo vend që ka lartësi mbidetare të ulët siç është Bangladeshi, Egjipti, Kina, ShBA, Holanda, do të shkaktojë dëme të paimagjinueshme. Është e kjartë se asnjë shtet nuk do të jetë i mundur të përballojë dhe përbijë ngjarjet ekstreme klimatike, çfarë na duhet është të bashkohemi dhe të pozicionohemi strategjikisht për atë që është e nevojshme për të krijuar një të ardhme më të sigurtë dhe të qëndrueshme. Nuk kemi më kohë të presim, Ishujt Maldive, Ishujt Marshall, Tuvalu, Kiribati dhe të gjitha shtetet ishuj në Oqeanin Paqësor, të cilët tanimë i kanë ditët e numëruara deri në evakuim, nuk e kanë luksin të presin.

Nesë jo tash në Paris, atëherë kur? Miliona njerëz ikin nga horrori e fatkeqësia, një botë tej mase e disbalancuar. Kohë më parë, Sekretari Gjeneral i OKB-së Ban Ki Moon, tha se ndryshimi klimatik nuk njeh pasaportë. Ne të gjithë do duhemi të lëvizim më shpejt.

 

Lexoni Gjithashtu

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Çelnaja

Në episodin e 30 të Çelnajës, së bashku me profesorin e antropologjisë Nebi Bardhoshin, trajtojmë disa koncepte me rëndësi që janë pjesë e korpusit...

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Analizë

Memorandumi i mirëkuptimit midis Serbisë dhe BE-së, i nënshkruar më 19 korrik nën mbikëqyrjen e kancelarit gjerman, Olaf Scholz, e ka kristalizuar qasjen transaksionale...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.