Historia gjithnjë nënkupton të shkuarën. Por që të jemi të qartë, para se t’i hyjmë ndonjë debati për të, duhet sqaruar se në cilin kuptim e përdorim fjalën histori. Atë e përdorim thuajse çdo ditë të jetës kur duam të kujtojmë diçka, kur duam të tregojmë përmbajtjen e një filmi apo libri, etj. Pra historia nuk lidhet vetëm me të shkuarën si të tillë, por në radhë të parë, e mbi të gjitha, me ecurinë, zhvillimin dhe rrjedhën e ngjarjeve individuale, të një grupi shoqëror, të një ndërtese apo rruge, të një mendimi apo koncepti.
Prej kësaj rrjedh një përfundim shumë i rëndësishëm, pra që historia është proces.
Nëse flasim për histori popujsh, siç është fjala në rastin konkret për popujt e Ballkanit, atëherë duhet të kuptojmë se çfarë janë popujt si kategori kolektive. Ndërsa diskutimi për këtë është sigurisht i gjatë dhe shpesh herë i nxehtë, e sigurtë është që popujt përbëhen nga individë dhe nga grupe të ndryshme shoqërore, kulturore e politike. Shumë individë dhe grupe kanë nga një histori për çdo marrëdhënie të krijuar, kjo jo vetëm brenda kategorisë së mbivendosur nga studiuesit si popull, por edhe shumë më gjerë. Kështu për shembull në Ballkan kemi një të kaluar të pasur migrimi dhe emigrimi, të përhershëm ose sezonal, brenda viseve të Ballkanit, por edhe jashtë tij, për të cilën shumë pak flitet në tekstet e historive zyrtare të shteteve të Ballkanit, por që është indikacion i faktit që përcaktimi popull na paraqitet në mënyrë të padrejtë si një substrat statik që evoluon vetëm brenda vetvetes por që thelbin kulturor nuk e ndryshon. Ky është edhe një nga problemet kyçe që kanë versionet zyrtare të historive në vendet e Ballkanit, përpiqen të paraqesin një histori me thelb të pandryshueshëm, pra një histori ahistorike.
Përfundimi i dytë që rrjedh nga kuptimi i rëndësisë së historive individuale si dhe të grupeve, që i presin përmes kufinjtë etnikë, është se në të vërtetë nuk ka vetëm një të kaluar, por ka pluritet të kaluarash në varësi të dinamikave të këtyre grupeve, e për pasojë nuk mund të ketë vetëm një histori, por një pluritet historish gjithnjë në marrëdhënie me njëra-tjetrën.
Vendet e Ballkanit që sot janë shtete të veçanta, kanë jetuar përreth 1000 vjet nën Perandorinë Bizantine, që mbetej në një farë mënyre frymëzuesi i legjislacionit dhe i kulturës edhe për perandoritë maqedone e serbe më vonë. Ndërsa për 400 – 500 vjet të tjera kanë qenë pjesë e Perandorisë Osmane. Kështu që vënia e kufinjve etnikë në tregimin dhe shkrimin e historisë, si dhe unifikimi në dëm të pluralitetit të historive mbi vende të caktuara, është një proces krejt politik, etnocentrik, e për pasojë krejt përzgjedhës, ku synim nuk janë më të vërtetat historike, por përdorimi i fakteve të përzgjedhura historike për të legjitimuar: a. Pronësinë mbi një territor (nën termin “të drejtat historike” të popullit serb mbi Kosovën, “të drejtat historike” të popullit shqiptar mbi trojet etnike të tyre, “të drejtat historike të popullit grek” mbi territorët e ish-Perandorisë Bizantine, etj.) b. Duke mohuar ose minimalizuar rolin e migrimeve, tregtisë, martesave apo shpërnguljeve në ndryshimin e përbërjes etnike, vetvetiu minoritetet jo vetëm që nuk përfaqësohen në narracionin e historisë së një populli të caktuar në Ballkan, edhe pse jetojnë në të njëjtat shtete me të drejta të barabarta, por madje një ndjenjë armiqësie krijohet përmes këtyre teksteve ndaj tyre, si diçka e huaj në truallin etnik, apo si ‘popullata që sigurisht nuk gëzojnë të drejta historike territoriale në vendin tonë’.
Për pasojë shkrimi etnocentrik i historisë – dhe jo historia në vetvete – me ngjyrime të forta shoviniste në Ballkan, është kthyer në armën kryesore legjitimuese të politikave të genocidit dhe spastrimit etnik. Në vende që nuk e kanë kryer diçka të tillë ajo gjithsesi është kthyer në faktor kryesor të homogjenizimit kulturor, si dhe të krijimit të një ndjenje armiqësie thuajse të pakompromistë ndaj vendeve fqinje.
Një tjetër problem i shkrimit të deritashën të historisë në vendet e Ballkanit është se ai bëhet të mënyrë që narracioni në fund të dali tepër viktimizues. Thuajse në çdo vend të Ballkanit fëmijët e shkollave të mesme janë të bindur se populli i tyre është një popull hero, që i ka mbijetuar sulmeve të jashtme në shekuj, kur armiqtë më të mëdhenj grabitqarë kanë qenë fqinjët. Për pasojë në disa sondazhe që janë bërë në vendet e Ballkanit me nxënës të kësaj moshe, rezultatet kanë qenë alarmuese – fqinjët janë armiq të përhershëm, minoritetet janë armiqtë e brendshëm.
Për këtë arsye mendoj se është nevojë e urgjente e vendeve të Ballkanit që të rikonsiderojnë metodologjinë e punës kur shkruajnë tekste historike. Këtu duhet bërë një tjetër dallim, mes historisë si kërkim shkencor, dhe teksteve mësimore të historisë.
Kërkimi shkencor në fushën e historisë duhet më në fund të lihet i lirë nga çdo presion politik dhe ideologjik i imponuar. Sigurisht që edhe vetë historianët janë njerëz me subjektivitet të caktuar, të cilin duhet ta kontrollojnë, por më e rëndësishmja është që nuk duhet të ketë më presion për të shkruar “një version zyrtar të historisë”. Nëse është “zyrtar”, nuk mund të jetë profesional, dhe anasjelltas.
Shkrimi i teksteve të historisë për arsimin parauniversitar është një tjetër proces. Ai duhet të bëjë bashkë tregimin e historive të caktuara, me qëllimet didaktike të edukimit të qytetarit të ardhshëm. Në mënyrë që të evitohet krijimi i një qytetari të ardhshëm etnocentrik, me prirje shoviniste, qe tek tjetri i ndryshëm sheh vetëm negativitet, tekstet e historisë në Ballkan, të manipuluara prej politikës, duhet të çlirohen po prej politikës. Një historian mund të jetë i pavarur kur boton një studim historik, mund të hyjë në debat të hapur me cilindo historian koleg, për sa kohë është në gjendje të argumentojë tezat e tij. Por një historian nuk mund të bëjë shumë personalisht nëse politikat shtetërore i kërkojnë atij të shkruajë tekstin shkollor në një varjant të caktuar. Për këtë arsye, nëse shtetet ballkanike janë të sinqertë në qëllimin e tyre për krijimin e një qytetari që respekton larminë kulturore, dhe tolerant ndaj të ndryshmes, misintritë e tyre të arsimit duhet të hyjnë në dialog për shkrimin e teksteve të historisë. Të paktën trajtimi i periudhës sonë të përbashkët historike, e gjithë periudha bizantine dhe osmane, kërkon komunikim të vazhdueshëm mes autorëve të teksteve. Por edhe periudhat e konflikteve të mëvonëshme kombëtare duhet të jetë çështje negocimi, sigurisht nëse synimet e sipërshtruara janë të sinqerta. Por hapi i parë gjithsesi mbetet çlirimi i kërkimit shkencor në lëmin e historisë nga prangat e instrumentalizimit politik dhe ideologjik.
_______________
Autorja është ligjëruese në Institutin e Antropologjisë Kulturore dhe Studimit të Artit