Më 16 prill 2024, Asambleja e Përgjithshme e Këshillit të Europës votoi pro me rreth 77% të votave, duke aprovuar kështu rekomandimin për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Europës (KiE).
https://twitter.com/PACE_News/status/1780296860952911959
Me këtë votim, Kosova tejkaloi një fazë të rëndësishme për anëtarësim. Tashmë, Kosovën e ndan vetëm edhe një proces i fundit votimit në Këshillin e Ministrave nga anëtarësimi i plotë në organizatën më të vjetër të Europës.
Ky votim shpërfaqi edhe disa dinamika në Europë sa i përket çështjes së Kosovës dhe përkrahjes që ka. Procesi i votimit tregoi se ka deputetë nga vende që nuk e njohin Kosovën, por që votuan pro.
Megjithatë, në anën tjetër, pati edhe deputetë nga vende njohëse që votuan kundër apo abstenuan. Kategoria e tretë e deputetëve përbëhej nga ata që e lëshuan sallën në mënyrë që ta përkrahin Kosovën në mënyrë pasive.
Ecuria e votimit në KiE ka dërguar sinjale të rëndësishme për Kosovën, nga të cilat mund të nxirren mësime të rëndësishme për raportet e Kosovës me shtetet njohëse dhe mosnjohëse.
Përkrahja nga deputetët e vendeve mosnjohëse
Një trend shumë pozitiv për Kosovën ka qenë përkrahja e deputetëve nga vendet që nuk e njohin pavarësinë e Kosovës. Në veçanti, vlen të përmenden katër nga pesë deputetë grekë, ku bënte pjesë edhe raportuesja Dora Bakoyannis, të cilët votuan pro rekomandimit për Kosovën.
Kjo ishte hera e parë që Greqia apo përfaqësuesit e saj votojnë pro Kosovës. Vota e vetme kundër erdhi nga deputetja e Syriza, ndërsa bashkëpartiaku i saj dhe ish-kryeministri grek Alexis Tsipras mbajti një fjalim kritik ndaj aplikimit të Kosovës, por në fund e lëshoi sallën pa votuar.
Rumania, si vend mosnjohës, kishte dy vota pro Kosovës. Vlen të përmendet se deputeti rumun, Iulian Bulai, në disa raste mbronte në replika pozicionin e Kosovës. Tutje, deputetët e Moldavisë abstenuan, ndërsa ata sllovakë nuk morën pjesë fare në votim.
Një risi tjetër ishte edhe Armenia, vend mosnjohës që në të kaluarën ka pasur marrëdhënie të afërta me Rusinë. Të tre deputetët armenë të pranishëm në sallë votuan pro, ndërsa njëri nuk ishte i pranishëm. Vlen të ceket se kryeministri Kurti ishte takuar me kryeministrin Nikol Pashinyan në shkurt 2024 dhe se Armenia ka treguar qëndrim konstruktiv ndaj Kosovës.
Një vend tjetër mosnjohës që kishte dy vota pro e dy kundër ishte Bosnjë-Hercegovina. Kosova dhe Bosnjë-Hercegovina janë dy vende që në rrethana normale do të kishin një marrëdhënie të shkëlqyeshme, por njohjen e pengon Republika Sprpska, deputetët e së cilës votuan kundër.
Më në lindje, Ukraina, një shtet mosnjohës, ka përmirësuar qëndrimin e saj ndaj Kosovës, edhe pse presidenti rus Vladimir Putin shpesh e përmend Kosovën si “precedent”. Megjithatë, votimi në Asamblenë Parlamentare të KiE tregon se Ukraina ka ndryshuar qasjen karshi Kosovës. Edhe pse vetëm një deputet ukrainas, Oleksii Goncharenko, votoi pro, deputetët e tjerë e lëshuan sallën para votimit. Mospjesëmarrja në votim është gjithashtu një mënyrë e heshtur diplomatike për të përkrahur aplikimin, ngaqë, për dallim prej abstenimit, ajo rrit përqindjen e votave pro-Kosovës.
Votimi nga deputetët e vendeve njohëse
Delegacioni që dha më së shumti vota për Kosovën ishte ai i Turqisë. Të gjithë 18 deputetët votuan pro Kosovës. Është me rëndësi të ceket që, përkundër kritikave nga vendet perëndimore, Turqia ka qenë gjithmonë pro integrimit të Kosovës në strukturat euro-atlantike.
Në anën tjetër, befasi ishte Italia, deputetët e së cilës ishin të ndarë në votim. Nga gjithsej 12 deputetë, gjashtë votuan pro, gjashtë abstenuan, ndërsa një votë ishte kundër. Abstenimi erdhi pas dështimit të përfshirjes së propozim-amendamenteve italiane që të përfshihej Asociacioni i Komunave me Shumice Serbe si parakusht për Kosovën.
Deputetët e vendeve të tjera me më së shumti vota pro Kosovës ishin deputetët gjermanë me shtatë vota dhe ata francezë me gjashtë vota. Votat kundër Kosovës nga Franca ishin nga ekstremi i majtë, ndërsa nga delegacioni gjerman një abstenim erdhi nga partia e majtë die Linke, e një votë kundër nga deputeti i ekstremit të djathtë AFD.
Është me rëndësi të ceket se Kosova ka problem me të majtën dhe të djathtën ekstreme në Europë. E kjo ka reflektuar edhe në votimin në KiE. E majta ekstreme kryesisht kritikonte ndërhyrjen e NATO-s në Kosovë, ndërsa e djathta ekstreme përfshihet në narrativat absurde që e etiketojnë Kosovën si një vend mysliman që ka “zëvendësuar një vend të krishterë”.
Ndërsa përkrahje pati nga deputetët e Austrisë, Finlandës, Norvegjisë dhe Suedisë, që përkrahën Kosovën me nga pesë vota secila. Përkrahja erdhi edhe nga vende të tjera njohëse dhe mike të Kosovës, me delegacione më të vogla si Shqipëria, Lituania dhe Zvicra, mes të tjerash.
Europa ka edhe vende që njohin Kosovën, por mund të jenë bllokues në anëtarësimin e Kosovës në organizatat ndërkombëtare. Hungaria duket se politikën rajonale e ka fokusuar në Beograd.
Sinjalet e përgjithshme nga votimi në Asamblenë Parlamentare në KiE
Përjashtimi i Rusisë nga KiE i dha Kosovës një mundësi të artë për integrim në KiE. Por, Kosova gjithashtu mësoi se përkrahja nga aleatët e saj nuk është e parezervë. Edhe pse dy raportet kyçe nga juristët eminentë i raportuesja Bakoyannis vlerësuan se Kosova i plotëson kushtet për t’u pranuar, aleatët e Kosovës kushtëzuan integrimin në KiE me Marrëveshjen e Ohrit, vendimin e Gjykatës Kushtetuese për Manastirin e Deçanit, dhe së fundmi me Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe.
Megjithatë, votimi i Asamblesë Parlamentare në KiE është tregues pozitiv i lëvizjeve politike që kanë ndodhur në Europë në vitet e fundit në raport me Kosovën. Pas fillimit të luftës në Ukrainë dhe rreshtimit të Kosovës krahas Bashkimit Europian, shumë vende, si Ukraina, Moldavia, Rumania e Sllovakia, kanë zbutur qëndrimin e tyre ndaj Kosovës. Si rezultat, kjo ka hapur një derë të re bashkëpunimi për Kosovën në aspiratat e saj euro-atlantike.
Në anën tjetër, afrimi me Greqinë që ka ndodhur përgjatë viteve të fundit me vizita e bashkëpunime bilaterale dha frytin e saj përmes përkrahjes së parë greke zyrtare për një anëtarësim të mundshëm të Kosovës në KiE. Megjithatë, duhet të konsiderohet seriozisht fakti se Kosova mori edhe kundërshtimin e parë nga Hungaria, shtet njohës me ndikim të madh në rajonin e Ballkanit.
Anëtarësimi i Kosovës në KiE është rast i artë i Kosovës për konsolidimin e shtetësisë dhe legjitimitetit ndërkombëtar. Anëtarësimi i mundshëm i Kosovës në maj të këtij viti në KiE do t’i kontribuojë jo vetëm mbrojtjes së të drejtave të njeriut në Kosovë, por edhe paqes dhe stabilitetit në rajon dhe Europë.