Kjo fundërrinë sociale, politike, morale dhe barbare e Ballkanit [është fjala për shqiptarët] bëhet aleat i Amerikës dhe BE-së në luftën kundër popullit më demokratik, më të civilizuar dhe më të arsimuar të Ballkanit – popullit serb”. Ky fragment, me tone shoviniste jo-ekuivoke, si në kuptimin pezhorativ ashtu dhe përmbajtjësor, është ekstraktuar nga libri “Koha e Gjarpërinjve”, i shkruar nga Dobrica Qosiq – shkrimtar, president i ish-Republikës Federale Jugosllave, ish-anëtar i Akademisë së Shkencave të Serbisë dhe teoriticent politik – në Serbi i quajtur “Baba i Kombit”.
Me gjithë këto epitete, krijova përshtypjen se do ta madhëroj figurën e tij. Jo, përkundrazi. E bëra që ta nxjerr në pah shpërputhjen në mes të citimit dhe kredencialeve të tij. E bëra që me një logjikë induktive t’ju rikujtoj juve lexues që shovinizmi serb në fund të 80-ave dhe në 90-ave, që kulmoi me luftën ndaj Kosovës, nuk ka qenë i reduktuar vetëm tek Millosheviqi dhe kabineti i tij, por ka pasur përkrahjen e pothuajse e të gjitha strukturave të shoqërisë: akademisë së shkencave, kishës ortodokse dhe masës në përgjithësi.
Nuanca mendimesh në realizim e shovinizmit së tyre natyrisht se kishte, por mendësia që dominonte në atë kohë gjithsesi se unanimisht do t’i subordinohej citimit me doza fashiste të Qosiqit. Nuk dyshoj që e gjithë kjo fotografi është e freskët tek lexuesit, vrazhdësinë e së cilës shumë prej tyre e kanë përjetuar në lëkurën e tyre. Ishte e domosdoshme kjo hyrje, megjithatë. Ma trasoi rrugën që përmes thjerrëzës së psikologjisë së masave të trajtoj qëndrimin koheziv anti-shqiptar të serbëve në fund të 80-ave dhe në 90-at. Qëndrimin që kolektivisht e legjitimonte edhe vrasjen e foshnjave.
Dikush mund të thotë se qëndrimi i tyre nuk ka ndryshuar as sot, veçse ka marrë trajta të ndryshme; është kamufluar disi. Unë, megjithatë, fokusin do ta kem në atë periudhë për dy arsye. Së pari, për faktin se përmasa gjenocidale e krimeve në atë kohë konsiderohet ekzemplare për historinë e re të Evropës. Së dyti, distanca kohore që është krijuar ma mundëson të jem më objektiv në dekompozimin e karakteristikave të masave. Sidoqoftë, lexuesi mund ta replikojë atë në vende, kohë, dhe kontekste të ndryshme.
Ekziston një konsensus pothuajse i përgjithshëm në mes të psikologëve të kësaj fushe se masa në momentin e konstituimit shndërrohet në një krijesë provizionale, e cila ndonëse e kompozuar nga individë heterogjenë, manifestohet me karakteristika të ndryshme nga situatat kur individët veprojnë të pavarur. Këto karakteristika kryesisht udhëhiqen nga impulset, e pak nga logjika apo racionalja. Si pjesë e masës, individët, pavarësisht nivelit të arsimimit, profesionit apo statusit, i nënshtrohen një mendësie të përbashkët. Në këtë frymë shihet veprimi i një mase, përfshirë edhe ato të serbëve ndaj shqiptarëve në atë kohë.
Serbët ishin të bindur se ata ishin viktimat në relacion me shqiptarët e Kosovës. Ekzistonte tendencë e pashoq për ngritje mitesh duke qarkulluar lajme të fabrikuara gjithandej. Megjithatë, realiteti ishte ndryshe. Logjikisht, është e pamundur që të kesh në diskresion që ta suprimosh autonominë e një vendi dhe ta kesh gjithë ushtrinë e policinë mbrapa dhe në anën tjetër të konsiderosh që je viktima. Është kontradiktë dhe është tipike mendësi masash. Masa është e prirur të pranojë informacione në formë të imazheve, të cilat nuk i dekompozon më tutje dhe nuk i ballafaqon mes vete, andaj edhe tendenca për të besuar në informacione kontradiktore. Për më shumë, shpesh herë masa bie viktimë e gjendjeve emocionale të skajshme dhe pa kontroll, dhe e ka të vështirë t’i desubjektivizojë informacionet që i pranonin – duke krijuar kështu distancë me realitetin, pra distancë me të vërtetën.
Të gjithëve ju kujtohen rrahjet, vrasjet, përdhunimet, dhe persekutimet në baza ditore. Këto akte mizore bëhen më të lehta kur agresori operon si masë. Mendimtari francez, Gustav Le Bon, mes tjerësh, e shtjellon këtë fenomen. Sipas tij, njerëzit i kanë ruajtur disa instinkte të dhunës përgjatë evolucionit. Duke qenë pjesë e masës dhe duke u fshehur pas saj, individët i kanë gjasat më të vogla që të dënohen. Si rrjedhojë, të njëjtët lëshohen në përmbushjen e atyre instiktive primitive – e aq më shumë kur janë të bindur së po e bëjnë për hir të një “vërtetë”.
Konfliktet e fqinjëve për çështje banale pronësore, që ishin dhe ende janë tipike tek popujt e Ballkanit, kur ndodhnin në mes serbëve dhe shqiptarëve, menjëherë merrnin konotacione nacionaliste. Karakteristikë ishte që iu faturoheshin shqiptarëve dhe shpërndaheshin brenda ditës nëpër Serbi, edhe pse “mass media” nuk ekzistonin në atë kohë. Lajmet e deformuara, kështu, përhapeshin dhe etabloheshin me një shpejtësi hipnotike. Ekzagjerimi i sentimenteve dhe tendenca e përhapjes së informacionit brenda natës është karakteristikë e masave. Duke qenë pjesë e masës, individi është i verbër ndaj detaleve dhe ndaj fazave të ndërmjetme të informacionit, duke e pranuar kështu informacionin si tërësi. Si i tillë, pra i pa komplikuar, informacioni është më lehtë të internalizohet dhe përhapet eksponencialisht.
Dëshmitarët e 80-ave e kujtojnë kthjellshëm lajmin famoz se gjoja dy shqiptarë të maskuar i paskëshin futur një shishe në anus një bujku serb. Kjo me synimin që ai ta shpërngulej dhe ta lironte tokën. S’kishte të bëjë me të vërtetën. Gjatë hetimeve dhe marrjes në pyetje u zbulua se ai e kishte vet-shkaktuar për qëllime kënaqësie. Pavarësisht kësaj, serbët nuk e besonin dhe e shpallën hero. Kishin rënë pre e një halucinacioni kolektiv që shpesh ndodh tek masat. Përkundër fakteve evidente, masat rëndom nuk e dyshojnë autenticitetin e lajmit, e sidomos kur shumica e legjitimon atë.
Të gjitha këto akte tregojnë se serbët kishin hyrë në një cikël vet-ushqyes manipulues. Se si është konstituuar dhe fuqizuar kjo mase kriminale e manipuluar, meriton një trajtim të detajuar historik; andaj, të paktën në këtë shkrim, nuk do të lëshohem në atë dimension.
Për hir të korrektësisë, dua të theksoj se jo gjithë herë masat janë të predispozuara për akte destruktive. Gjatë historisë, masat kanë nxitur akte vet-sakrifice që kanë rezultuar me rrëzim të regjimeve totalitare.
Sidoqoftë, mësimi që mund të nxjerrim nga ajo periudhë shoviniste është se lëvizjet e masave duhet trajtuar me kujdes. Manipulimi që mund të bëhet me to, qoftë për interesa politike, përfitime materiale apo përfitime të natyrave tjera të ndryshme mund të prodhojë pasoja afatgjate shoqërore, politike dhe ekonomike vështirë të riparueshme për një vend. Duke pasur parasysh krizën e përgjithshme shoqërore nëpër të cilën për një kohë të gjatë po kalon Kosova, lehtë një mendësi dhe filozofi e tillë skajshmërish destruktive, ndonëse me trajta dhe në domene të ndryshme, mund të gjejë terren të përshtatshëm të afirmimit dhe etablimit. Kujdes, masa lehtë mund të shndërrohet në një monstrum që nuk falë!