Shpesh thuhet se burimi më i rëndësishëm ekonomik i Kosovës është rinia e saj. Me gjysmën e popullsisë nën moshën 25 vjeçare, brezat e udhëheqësisë së vendit që nga mbarimi i luftës e kanë llogaritur rininë si burim i zhvillimit ekonomik.
Por një raport i ri nga Banka Botërore na tregon se qeveria nuk po i përcjellë fjalët me vepra. Sipas raportit për Kapital Njerëzor të publikuar javën e kaluar, Kosova renditet e 80-ta në botë për shëndetësinë dhe arsimin e të rinjve.
Më 11 tetor, Banka Botërore publikoi raportin e Indeksit të Kapitalit Njerëzor (Human Capital Index – HCI), që rangon shtetet duke u bazuar në përparimin e zhvillimit të tyre njerëzor. Indeksi mat performancën e shteteve në shëndetësi dhe arsim për njerëzit nën moshën 18 vjeçare. Më specifikisht, HCI mat sasinë e kapitalit që një fëmijë i lindur sot pritet ta arrijë deri në moshën 18 vjeçe: 1 është rezultati më i mirë i mundshëm dhe 0 më i keqi. Një mënyrë tjetër për ta parë këtë indeks është si matje e produktivitetit që një fëmijë pritet ta ketë kur të bëhet 18 vjeç.
Indeksi është pjesë e projektit të Bankës Botërore për Kapitalin Njerëzor i cili zhvendos fokusin e Bankës nga rezultatet, të tilla si vitet e arsimit, tek inputet si cilësia e arsimit. “Për njerëzit më të varfër, kapitali njerëzor shpesh është kapitali i vetëm që kanë,” tha Presidenti i Grupit të Bankës Botërore Jim Yong Kim. “Kapitali njerëzor është një nxitës kyç i rritjes ekonomike të qëndrueshme dhe gjithëpërfshirëse, por investimi në shëndetësi dhe arsim nuk ka marrë vëmendjen që meriton. Ky indeks krijon një lidhje të drejtpërdrejtë midis përmirësimit të rezultateve në shëndetësi dhe arsim, produktivitetit dhe rritjes ekonomike. Shpresoj se do t’i shtyjë shtetet të ndërmarrin masa urgjente dhe të investojnë më shumë – dhe më efektivisht – në popullin e tyre.”
Masa përfshin tre tregues: mbijetesa – probabiliteti i mbijetesës deri në moshën 5 vjeçare; shkollimi – vitet e shkollimit dhe rezultatet e mësimit, dhe shëndeti në moshë madhore. Sipas Bankës Botërore, rezultati mesatar i HCI-së në mbarë botën është 0.56 – vendet aziatike si Singapori, Korea dhe Japonia udhëheqin me rezultate më të larta se 0.84, ndërsa vendet sub-sahariane si Çadi, Sudani Jugor dhe Nigeria kanë rezultatet më të ulëta, rreth 0.3. Sipas raportit, globalisht “56 për qind e të gjithë fëmijëve të lindur sot kur të rriten do të jenë, në rastin më të mirë, përgjysmë më pak produktivë sesa do të mund të ishin; 92 për qind kur të rriten do të jenë, në rastin më të mirë, 25 për qind më produktivë sa do të mund të ishin.”
Indeksi ka për qëllim nxitjen e konkurrencës mes vendeve, ngjashëm me projektin e famshëm të Bankës Botërore, Raporti i të Bërit Biznes (Doing Business Report). Natyrisht, nënkuptohet se vendet duhet ta krahasojnë performancën e tyre me vendet me pasuri të ngjashme ekonomike, dhe duket se ka një ndryshim të madh në rezultatet midis shteteve me PBB të ngjashme për kokë banori.
Me një rezultat prej 0.56, fëmijët në Kosovë kur të mbërrijnë moshën 18 vjeçe do të jenë 44 për qind më pak produktivë sa do të mund të ishin nëse do të kishin gëzuar arsimim dhe shëndet të plotë. Sipas përllogaritjeve nga Banka, një rezultat shtetëror prej 0.5 do të thotë se shteti po heq dorë nga gjysma e potencialit ekonomik të së ardhmes, që përkthehet në një humbje vjetore prej 1.4 për qind në rritjen e PBB-së përgjatë 50 viteve. Rezultati i Kosovës është më i ulët se mesatarja rajonale (0.65), por më e lartë se mesatarja e grupit të të ardhurave të ulëta – të mesme (0.49) në të cilin bën pjesë Kosova.
World Bank, Human Capital Index, 2018
Në krahasim me mesataren globale, Kosova performon më mirë në treguesit e shëndetësisë, por ka vështirësi në treguesit e arsimit. Norma e mbijetesës nën moshën 5 vjeçare në Kosovë është 99 për qind, 2 për qind më shumë se mesatarja globale, ndërsa shkalla e mbijetesës së të rriturve, e përcaktuar si pjesa e 15-vjeçarëve që mbijetojnë deri në moshën 60 vjeçare, është 91 për qind, 6 për qind më shumë se mesatarja globale.
Arsimi është dimensioni në të cilin Kosova është shumë prapa. Megjithëse vitet e pritshme të shkollimit janë 12.8, 1.6 më shumë se mesatarja globale, kur bëhet përshtatja me arritshmërinë, kjo pritshmëri zbret në 7.7 vjet. Arritshmëria llogaritet duke përdorur rezultatet e testeve të standardizuara siç është PISA, në të cilin 300 pikë paraqesin arritje minimale dhe 625 paraqesin arritje të avancuar. Me një rezultat mesatar prej 375 pikësh, Kosova radhitet shumë poshtë mesatares evropiane prej 495 pikësh dhe madje edhe mesatares globale prej 431 pikësh. Kjo arritje e ulët arsimore përkthehet në 5 vjet të humbura të shkollimit. Ngjashëm me trendet globale, vajzat në Kosovë i tejkalojnë djemtë vetëm nga pak në të gjithë treguesit përveç viteve të pritshme të shkollimit. Dallimi më i rëndësishëm gjinor është në rezultatet e arritjeve të mësimit, ku vajzat në Kosovë mesatarisht shënojnë 381 pikë, kurse djemtë 369.
Një shpjegim i arsyeshëm për një rezultat kaq të ulët të HCI është shpenzimi i ulët për arsimin dhe shëndetësinë si pjesë e PBB-së. Që nga viti 2008, shpenzimi mesatar për arsimin dhe shëndetësinë si pjesë e produktit të brendshëm bruto (PBB) në Kosovë ka qenë 3.3 dhe 1.5, respektivisht. Këta janë numra shumë të ulët në krahasim me mesataret rajonale dhe evropiane. Nga 2008 deri në 2014, shpenzimi mesatar për shëndetësi si pjesë e PBB-së në BE ishte 9.5 për qind, ndërsa në Evropën Juglindore 7.3 për qind. Në vitin 2016, shpenzimi mesatar për arsimin si pjesë e PBB-së në BE ishte 4.6 për qind.
Ka pasur disa kritika në metodologjinë e përdorur nga Banka për të renditur vendet në bazë të kapitalit të tyre njerëzor. Veçanërisht, Qeveria e Indisë tha se e hedh poshtë raportin, duke përmendur çështje metodologjike siç është mungesa e një treguesi të të ardhurave dhe diskutueshmëria e të dhënave mbi arritjet arsimore. Derisa kritikat për metodologjinë shpesh janë të vlefshme në përdorimin e treguesve të tillë, pasi shpesh janë subjektivisht të ndërtuara, vlefshmëria e renditjes qëndron në kuptimin që metodologjia është e njëjtë për të gjitha shtetet.
Në rastin e Kosovës, mësimi është i thjeshtë: rritja e investimeve në arsim dhe shëndetësi është shumë e vonuar, dhe është hapi i parë në mbylljen e hendekut të mundshëm të produktivitetit të të rinjve. Politika të tjera më të ndërlikuara që përmirësojnë cilësinë e shëndetit dhe arsimit dhe qasjen në to janë gjithashtu të nevojshme. Në dritën e këtij raporti, përgjigjja e menjëhershme e qeverisë duhet të jetë shprehje e interesit për t’iu bashkuar projektit për Kapitalin Njerëzor të Bankës Botërore, për të marrë mbështetje në përmirësimin e progresit në këto dimensione.