Connect with us

Hi, what are you looking for?

Analizë

Çmimi i jetës

Sa kushton jeta e njeriut? A kemi mundësi t’i vendosim qenies së njeriut çmimin me barkod? A ekzistojnë sikur në supermarkete  “aksion” dhe “zbritje” për jetën? A mund të shitemi më lirë nëse jetën njerëzore nuk e “rrumbullakojmë” po e lëmë në ato 99 centët e famshëm? Vetëm ngritja e pyetjeve të tilla të jep një ndjenjë pështirosëse. Secili që e ka parë “Listën e Shindlerit”, besoj e kujton skenën, në fund të filmit, kur në stacion të trenit, hebrenjtë e mbetur gjallë i dhurojnë Oskar Shindlerit unazën në të cilën ishin gravuar fjalët e nxjerra nga Talmundi: “Ai që shpëton një njeri, ka shpëtuar gjithë njerëzimin”. Që logjikisht nënkupton se në një shkallë të caktuar, jeta e një njeriu dhe i gjithë njerëzimi janë të barabartë në peshore. Thjesht, jeta e njeriut është e paçmuar!

Por a është në realitet kështu? Për ne, personalisht, sigurisht se po. Shumica e njerëzve do të hiqnin dorë menjëherë nga të gjitha pasuritë tokësore në këmbim të shmangies së vdekjes për vete dhe për njerëzit e dashur, pavarësisht asaj se a besojnë në jetën e përtejme apo jo.  “Paratë ose jetën” thonë në filmat Western dhe menjëherë shtrohet pyetja a kemi mjaftueshëm para.

Megjithkëtë, e vërteta e vrazhdë është kjo: jo vetëm që jeta ka çmim, por ai çmim varet nga mundësitë e tregut dhe ato sociale. Krejtësisht sikur çmimi i apartamenteve, i televizionit, i bukës, i heroinës, i mjedrës, i pastës së dhëmbëve, i gozhdëve apo i gomës së çezmës së ujit. E për më tepër menaxhimi i një shteti është i pamundur nëse nuk dihet vlera e jetës së atyre të cilët menaxhohen. Andaj, për shembull, Agjencia Amerikane për Mbrojtje të Mjedisit vlerëson jetën e një amerikani me 7.5 milionë dollarë. Ministri e Mjedisit në Britani të Madhe pohon se një vit i jetës së shëndoshë të një britaniku ka vlerën e 29 mijë funteve. Në një studim të vitit të kaluar të Bankës Botërore vlerësoi se një qytetar i Indisë “ kushton” rreth 3,162 dollarë në vit, një kosto prej 95 mijë dollarësh për jetë.

Shembull tjetër, pas sulmeve terroriste të 11 shtatorit 2001, Amerika krijoi një fond humanitar prej të cilit do të kompensoheshin familjet e viktimave të cilat humbën jetën në këtë tragjedi, po ashtu prej atij fondi do të paguheshin edhe viktimat e tjera eventuale të ndonjë tragjedie të tillë ose katastrofe natyrore. Dhe këtu lindën komplikimet, sepse kompensimi për 2996 viktima të këtyre sulmeve ishte vlerësuar në mënyrë individuale. Edhe atëherë është shtruar pyetja e njëjtë, sa saktësisht kushton secila jetë e këtyre 2996 personave? A ka qenë, për shembull, më e shtrenjtë jeta e një të riu apo të moshuari? Apo e kundërta? Sa kushton jeta e njeriut që ka lënë pas fëmije për dallim nga ai që nuk la? Edhe më kontradiktore, a më shumë vlen jeta e një drejtori banke apo e një shërbyesi që humbën jetën në Kullat Binjake? Në fund, Fondi pagoi mesatarisht rreth 2 milionë dollarë për çdo viktimë të sulmit, sepse në fund u pranua perspektiva e cila vlerësoi produktivitetin ekonomik të së cilës viktimë. Kështu, jeta e njerëzve që ishin rreth të 30-tave u vlerësua rreth 2,8 milionë dollarë, ndërsa e atyre mbi 70 vjeç u vlerësua “ vetëm” 600 mijë dollarë. Familjet e viktimave “më produktive” morën kompensimin prej 6.4 milionë dollarësh derisa familjet e viktimave “më të lira” morën 250 mijë dollarë për produktivitetin e tyre të mëhershëm. Gratë, edhe në vdekje sikurse në jetë, u vlerësuan më pak.

Dhe tani para se, falë socializmit, të mendojmë se secili njeri duhet të marrë sasinë e njëjtë të parave për viktimizimin e vet tragjik dhe të pafajshëm, sepse secila jetë njerëzore është e barasvlershme, mendoni dy herë. A seriozisht e besojmë këtë? Çka thotë Dostojevski, a është më e vlefshme jeta e një të riu apo ajo e plakës? A është jeta e një narkomani më e vlefshme se jeta e një profesori universitar? A kushton jeta e një laureati të çmimit Nobel po aq sa e një njeriu i cili po pin birrë në barin skaj rruge, para se ta dhunojë gruan e vet? Cili është ndryshimi i çmimit mes jetës së një duhanpirësi dhe joduhanpirësi? Sa kushtojnë – njerëzit? A duhet të llogariten të gjitha veset dhe çrregullimet? Dhe pse jo, kur këtë tani më veç e praktikojnë të gjitha agjencitë e sigurimeve shëndetësore. Në rast se të gjitha këto llogari ju duken jo normale, të ftohta, të vrazhda dhe imorale, atëherë kujtoni pyetjen e studiuesit të etikës, ndër më të shquarit e kohës, Peter Singer. Sa para do të vendosnim të ndanim për sigurim shëndetësor, në mënyrë që secili anëtar i shoqërisë sonë të ketë më pas mundësi të drejtohet në institucione shëndetësore, edhe për dhimbjen më të vogël, për të marrë shërbim falas? 20 euro? 30? 50? Apo 100 euro në muaj? Dhe në momentin që themi “epo, kaq është mjaftueshëm prej nesh” urime, sapo e vendoset çmimin e jetës së njeriut.

Por, të kthehemi te Kosova, si qëndrojmë ne me çmimin e jetës njerëzore? Jeta e një qenie njerëzore në vendin tonë vlen afërsisht 5-10 mijë euro. Kaq kushton jeta e një punëtori në Kosovë. Vetëm vitin e fundit në Kosovë kanë humbur jetën 22 persona të cilët punonin në ndërtimtari. Që të gjithë këta punëtor kanë punuar në “ të zezën” e versionit specifik të kapitalizmit kosovar dhe/ose shfrytëzimit brutal të cilin as Mançesteri i Engelsit të shekullit XIX nuk do ta kishte perceptuar. Sipas Ligjit të punës, shkeljet për punësim në të zezë dënohen disa mijëra euro por asnjëherë duke kaluar 5 shifroren.

Pra, jeta e një punëtori në Kosovë kushton mesatarisht 6-7 mijë euro. Kaq janë edhe ndëshkimet e vetme të shqiptuara në ndonjë rast të rrallë ndaj sipërmarrësve. A po ju duket e lirë apo e shtrenjtë? Ky çmim i jetës, është për shembull, çmimi i një veture të prodhuar në vitin 2010 apo e 3-4 metrave katrorë të ndonjë apartamenti në Prishtinë. Kështu pra një jetë e një punëtori në Kosovë kushton sa 18 televizorë Samsung 40 inch ( full HD!) ose rreth 16 lavatriçe BOSCH me 1200 rrotullime. Nuk është pak në gjithë këtë shtrenjtësi apo jo? Kaq do të thotë vlen jeta e një punëtori në këtë vend, i cili punon në të zezën dhe vdes në vend pune. Në anën tjetër, amerikanët e kompensojnë jetën e viktimave me miliona dollarë. Ndoshta kjo është një farë tregu i lirë. Njerëzit e Kosovës janë disi më të lirë, për këtë vend.

A janë punëtorët kosovar mall i lirë, i cili pin duhan, nuk e lidh rripin e sigurisë, harron plloçën lëshuar dhe nuk e vendos kapelën mbrojtëse? Derisa vajton e veron jashtë vendit, në vend se të dërrmohet sipas etikës protestante? Apo ndoshta është shteti ai i cili përmes ligjeve, rregulloreve e vendimeve brutalisht i zhvlerëson?

Pra, ju pëlqen apo jo, jeta njerëzore (dhe puna) në realitet kanë çmim. Por, megjithkëtë, çmimi i jetës nuk është i thjeshtë për ekonominë globale apo për këtë shoqëri siç është përcaktimi i rang listave të bizneseve, të cilat me progresin e tyre prapëseprapë e krijojnë masën reale për çmimin tonë sesa është çmimi real i jetës e tregon masa e kualitetit të jetës sonë dhe shoqërisë. Andaj, le ta pyesim veten dhe le ta llogarisim sa kushton jeta jonë në Kosovë?

Lexoni Gjithashtu

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Çelnaja

Në episodin e 30 të Çelnajës, së bashku me profesorin e antropologjisë Nebi Bardhoshin, trajtojmë disa koncepte me rëndësi që janë pjesë e korpusit...

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Analizë

Memorandumi i mirëkuptimit midis Serbisë dhe BE-së, i nënshkruar më 19 korrik nën mbikëqyrjen e kancelarit gjerman, Olaf Scholz, e ka kristalizuar qasjen transaksionale...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.