Mbrojtja e Demokracisë
Kjo lloj qasjeje kërkon që politikbërësit në Shtetet e Bashkuara dhe Evropë të rimendojnë nocionin e “promovimit të demokracisë”. Në të shumtën e rasteve, ai term është përdorur për të përshkruar përpjekjet e admirueshme në përkrahje të lëvizjeve demokratike në vendet autokratike ose demokracitë e njoma. Por me raste, Shtetet e Bashkuara dhe të tjerët kanë abuzuar me të, duke e keqaplikuar në përpjekjet shkatërruese për të imponuar demokracinë me forcë. Sido që të jetë, problem më i thellë është se vetë ideja e promovimit të demokracisë qendron mbi supozimin se e ardhmja do të jetë më demokratike se sa e kaluara.
Nga përvoja e fundit e ringjalljes autoritare, liderët duhet të kthejnë përmbys këtë supozim. Sigurisht se është e mundshme që disa autokraci do të demokratizohen në të ardhmen, e kur të vijnë këto mundësi, demokracitë e zhvilluara duhet të bëjnë çmos për t’i ndihmuar. Por, qëllimi kryesor i politikës së jashtme amerikane dhe evropiane nuk duhet të jetë promovimi i demokracisë në vendet ku ajo veçse nuk ekziston. Në vend të kësaj, qëllimi duhet të jetë mbrojtja e demokracisë në ato vende, ku ajo është e rrezikuar seriozisht.
Ashtu siç promovimi i demokracisë u zhvillua gradualisht, mbrojtja e demokracisë do të marrë kohë për t’u zhvilluar. Sidoqoftë, ka disa hapa të menjëhershëm që mund të ndërmarrin Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e saj. Përderisa Varshava kufizon lirinë e shtypit, Radio Evropa e Lirë duhet të rifillojë transmetimin në polonisht, siç bëri me transmetimin në hungarisht në vitin 2020. Me radhë, Zëri i Amerikës duhet të mbikëqyrë ndryshimet në Indi që mund ta arsyetojnë programin në gjuhën hindi. Organizatat si National Endowement for Democracy (NED) duhet të shtojnë aktivitetet e tyre në vende të tilla – një kthesë e resurseve që është gjithnjë e më kyçe, përderisa qeveritë në ato vende ngulfasin shoqërinë civile dhe shtypin organizatat joqeveritare.
Një përkushtim serioz ndaj mbrotjes së demokracisë do të thotë gjithashtu përdorim i mjeteve diplomatike për të bërë presion mbi aleatët në prapakthim. Kjo doemos do të thotë përdorim i shkopave, po aq sa edhe karrotave. Një shkop i mundshëm do të mund të ishte përdorimi i zgjeruar i sanksioneve të caktuara kundër zyrtarëve që dëmtojnë institucionet demokratike. Një tjetër do të ishte shtyerja ose anulimi i nismave të planifikuara që do të përforconin qeveritë antidemokratike, sikurse synimi i Pentagonit që të dërgojë mijëra ushtarë amerikanë në Poloni.
Mbrojtja e demokracisë do të kërkojë gjithashtu përqendrim në lidhjen mes politikës së jashtme dhe politikës së brendshme. Së fundmi, komentues e politikbërës kanë filluar të vënë theksin mbi atë se si çështjet ndërkombëtare si tregu i lirë ndikojnë mbi politikën vendore: për sa kohë që qytetarët e rëndomtë nuk besojnë se rendi liberal ndërkombëtar do të përmirësojë jetën e tyre, nuk do të jenë të gatshëm të mbajnë barrën e tij mbi supe. Në anën tjetër, lidhja është poaq e fortë në drejtimin e kundërt: qytetarët që humbin besimin në vlerat demokratike, ose që nuk besojnë më në sistemin e tyre politik, vështirë se mund të jenë avokues të efektshëm të demokracisë.
Liderët e vendeve demokratike duhet të ballafaqohen me sfiduesit autokratë në mesin e tyre, por këtë duhet ta bëjnë duke shmangur mjetet joliberale. Kjo mund të jetë fije e hollë: për shembull, shumë demokraci janë gjithnjë e më të gatshme të ndalojnë partitë ekstremiste, të kufizojnë atë që e konsiderojnë gjuhë të urrejtjes, e të censurojnë platformat e mediave sociale. Efikasiteti i këtyre masave është i dyshimtë. Megjithatë, ajo që është e sigurt është se autokratët shpërthyes shpesh përdorin ligje dhe rregulla shumë të ngjashme, si mbulesë për grumbullimin e pushtetin në duart e tyre.
Lidhja mes politikës së jashtme dhe të brendshme është arsye për t’u ndaluar autokratët jashtë vendit atë çfarë qytetarët e demokracive mund të thonë në vendet e tyre. Përgjatë viteve të fundit, Kina ka mobilizuar një fushatë të madhe për të shkurajuar qytetarët, komunat dhe korporatat e vendeve të tjera që të kritikojnë politikat e tyre të të drejtave të njeriut. Për shembull në vitin 2019, qyteti i Hajdelbergut në Gjermani largoi një flamur tibetian nga godina e bashkisë pas presionit nga diplomatët kinezë. Po të njejtin vit, pas kërcënimeve ekonomike nga qeveria kineze, NBA kritikoi menaxherin e Houston Rockets Daryl Morey, për përkrahjen e protestuesve prodemokratikë në Hong Kong.
Edhe pse me gjasë do të dëshmohet si e pamundshme që ky lloj i gojëmbylljes të parandalohet plotësisht, Ligji për Praktikat e Korruptuara të Huaja i vitit 1977 mund të shërbejë si model për një përgjigje të efektshme. Ai ligj amerikan krijon një parandalues madhor të ryshfetit, duke përcaktuar ndëshkime të ashpra për korporatat që i japin mito zyrtarëve të huaj. Një parandalues i ngjashëm mund të krijohet përmes ligjeve në Shtetet e Bashkuara dhe në Evropë, që do t’i ndalonte koroporatave dh organizatave të tjera ndëshkimin e punëtorëve për shkak të kritikës ndaj politikave të regjimeve autokrate. Duke u lidhur duart organizatave si Nike, Volkswagen dhe Houston Rockets, ligjet e tilla do t’ua bënin shumë më të lehtë që të rezistojnë presionin nga jashtë për t’i mbyllur gojën punëtorëve të tyre.
Reformë ose shuarje
Hapi final në ndaljen e ringjalljes autoritare do të ishte reforma e dy institucioneve themeltare të rendit liberal ndërkombëtar: BE-së dhe NATO-s. Amerikanët dhe Evropianët që kanë dizajnuar këta trupa kanë supozuar se vendet e tyre nuk do të përjetojnë kurrë prapakthime demokratike serioze. Për pasojë, asnjëra organizatë nuk posedon mjete të drejtpërdrejta për të suspenduar ose përjashtuar një anëtar, karakteri i të cilit ka ndryshuar thelbësisht.
Kjo është posaçërisht problematike për Bashkimin Evropian, i cili kërkon që anëtarët e saj të sakrifikojnë një masë të madhe të sovranitetit për t’iu bashkuar bllokut. Ndonëse politikanët vendorë ndonjëherë e kanë të vështirë t’u shpjegojnë votuesve të tyre, megjithatë ka arsye bindëse për këtë ujdi. Më vete, vendet e BE-së janë shumë të vogla për të trajtuar problemet transnacionale si ndryshimi klimatik, ose të ndikojnë substancialisht politikën botërore. Meqë këto vende kanë të përbashkët përkushtimin ndaj demokracisë dhe sundimit të ligjit, dorëzimi i një mase të pavarësisë u mundëson që të promovojnë vlerat e përbashkëta.
Megjithatë, sipas të njejtës logjikë, ngritja e liderëve autoritarë përbrenda shteteve të BE-së e dëmton seriozisht legjitimitetin e bllokut. Mund të jetë e arsyeshme për qytetarët në Hollandë që të bashkojë një copë të sovranitetit të vendit me atë të demokracive fqinje, sikurse Greqia ose Suedia, ngase interesat e tyre janë me sa duket të përbashkëta. Gjithsesi, është e vështirë të shpjegohet politikisht ose të arsyetohet moralisht pse rregullat e vendosura pjesërisht nga ata që aspirojnë të bëhen diktatorë në Budapest dhe Varshavë, të jenë të detyrueshme për qytetarët holandezë. Nëse politikbërësit në Bruksel nuk e adresojnë këtë kundërshti, BE-ja do të përballet me një krizë te legjitimitetit me proporcione ekzistenciale – e tillë që institucionet e tanishme janë tërësisht të papërgatitura për ta zgjidhur.
NATO përballet me një problem të ngjajshëm. Ashtu si BE-ja, siç shkruhet qartë në hyrje të traktatit, aleancë u themelua me vendosmërinë “që të mbrojë… parimet e demokracisë, lirisë indivuale dhe sundimit të ligjit.” Megjithatë, meqë qëllimi parësor i aleancës ka qenë gjithmonë ushtarak, ajo ka toleruar për një kohë të gjatë shkeljet e këtyre parimeve. Një prej anëtareve fillestar të NATO-s Portugalia, ishte diktaturë në kohën e themelimit të aleancës. Në dhjetëvjeçarët pas vitit 1952, kur u bashkuan Greqia dhe Turqia, të dy vendet mbeten në pozicion të mirë, përkundër kontrollit të kohëpaskohshëm nga diktaturat ushtarake.
Problemi me të cilin përballet NATO sot është, prapesprapë, i ndryshëm. Edhe kur Greqia, Portugalia dhe Turqia ishin diktatura, ato mbeten anëtare të besueshme të aleancës; gjatë Luftës së Ftohtë, ato mbajtën anën e vendeve demokratike si Shtetet e Bashkuara, e jo fuqive komuniste si Bashkimi Sovjetik. Tash, disa vende anëtare, përfshi Republikën Çeke, Hungarinë, Slloveninë, dhe Turqinë, duken se mbajnë anën e Kinës dhe Rusisë, para Shteteve të Bashkuara. Ushtria turke madje mund të ketë sulmuar një bazë komandosh amerikane në Siri më 2019. Këto kundërshti të brendshme janë të paqëndrueshme. Një pakt i mbrojtjes së ndërsjellë që përfshin vende të gatshme për të shtënë zjarr mbi trupat e një anëtari tjetër, do të humb besueshmërinë shumë shpejt. Përjashtimi i një anëtari nga NATO është edhe më i vështirë se përjashtimi i një vendi nga BE-ja. Ndonëse disa juristë kanë propozuar zgjidhje të mençura, traktati nuk përmban shprehimisht ndonjë mekanizëm për suspendimin ose përjashtimin e një shteti anëtar.
Për të dy organizatat, mënjanimi i këtyre të metave do të kërkonte kapital të pamasë politik, presion serioz diplomatik dhe mundësisht riformësim të plotë ligjor dhe organizativ. Të gjitha këto janë arsye të forta pse liderët demokratikë kanë mungesë apetiti për të bërë reformat e nevojshme. Megjjithatë, pa mekanizma që sigurojnë që shtetet anëtare ose mbesin në linjë me secilin mision të organizatës ose largohen, BE-ja dhe NATO do të rrëshqasin në mosfunksionim dhe irrelevancë.
Politikanët të cilët janë seriozë rreth mbrojtjes së demokracisë, duhet të prioritizojnë reformimin e këtyre institucioneve, edhe nëse kjo çon drejt një konflikti të brendshëm serioz. Shtetet anëtare, veprat e të cilëve nuk janë më në linjë me misionin themelor të BE-së ose NATO-s, duhet o të ndryshojnë kurs o të pranojnë rregullat që e bëjnë të mundur përjashtimin e tyre. Nëse këto reforma dëshmohen si të pamundura, do të ishte më mirë që të dy organizatat të rithemelohen mbi baza më të qendrueshme, se sa të kalben.
Liderët europianë kanë filluar të zgjohen nën kërcënimin e prapakthimit demokratik në mesin e tyre. Administrata e re amerikane është zotuar të mbrojë demokracinë kundrejt kanosjeve joliberale. Që kjo vendosmëri të përkthehet në vepra kuptimplote, burrat e shtetit dhe diplomatët duhet të shikojnë përtej rregullave diplomatike tradicionale. Për të adresuar këtë kërcënim që paraqesin autoritarët e ringjallur, demokracitë e botës duhet t’i përkushtohen veprave të guximshme. Nëse e bëjnë këtë, ato padyshim do të përballen me një rrugë të mundimshme e të pasigurt – e tillë që do t’u kushtojë me kapital politik dhe do të frymëzojë kundërshti të ashpra. Megjithëkëtë, alternativa është pakrahasimisht më e keqe.
***
Artikulli origjinal në Foreign Affairs, edicioni mars/prill 2021.
***
Ky artikull mbështetet nga “Sbunker” përmes projektit të financuar nga Ambasada Amerikane. Mendimet e shprehura këtu janë të autorit dhe jo medoemos pasqyrojnë qëndrimet e Departamentit të Shtetit.