Connect with us

Hi, what are you looking for?

Analizë

Dhjetë vjet të Republikës së Kosovës

Nota bene: Në historinë e Republikës së Kosovës ka shumë vite të cilat mund të  konsiderohen si fillim i luftës për pavarësi të shtetit të Kosovës. Këto përpjekje, këtë proces të gjatë dhe të dhimbshëm të cilin gjatë historisë, sipas rregullit, e kanë përcjellë vuajtjet e shqiptarëve të Kosovës, këto i konsiderojmë dhe për to mendojmë si një çmim të lartë të cilin qytetarët e Kosovës është dashur ta paguajnë për të arritur që këto ditë të festojnë dekadën e parë të pavarësisë së shtetit të tyre. Për këtë shtet të tanishëm, tiparet e tij, temat politike ditore dhe ngjarjet momentale shoqërore dhe politike – mbi “situatën aktuale në Kosovë” – nuk do të bëhet fjalë këtu. Në vend të kësaj, do t’i përkujtojmë disa nga ngjarjet e rëndësishme të cilat e përbëjnë kontekstin dhe i paraprijnë ditëlindjes së dhjetë të Republikës së Kosovës. Për një pasqyrë më të detajshme të ngjarjeve të rëndësishme historike nuk ka hapësirë në këtë rast, kështu që në vend të kësaj do të fillojmë nga dekada e parë e torturës në kohë moderne ndaj shqiptarëve të Kosovës, e cila ka nisur gjatë viteve ’60, prej nga do kalojmë nëpër zjarr dhe ferr, dhe vijmë tek dekada e parë e lirisë dhe e pavarësisë, të cilën Kosova e shënon me 17 shkurt 2018.   

Kosova Republikë!”, është dëgjuar për herë të parë në rrugët e qyteteve të Kosovës në fund të vitit 1968. Këtë kërkesë në atë kohë e kanë thënë pjesëtarët e “Grupit 68” të shtyrë nga fundi i regjimit të frikës të cilin e kishte drejtuar Aleksandar Rankoviç. Ndërkaq zyrtarët e atëhershëm të Kosovës, këto protesta i kanë konsideruar si të padëshirueshme, të rrezikshme dhe antijugosllave, edhe pse gjatë viteve paraprake, me shpirt në grusht, me dhjetëra mijëra shqiptarë të Kosovës ishin përzënë për në Turqi pas presioneve të tmerrshme dhe veprimeve të drejtuara ndaj tyre nga shteti.

Të paktën në Serbi, është gjerësisht i pranuar mendimi që Kushtetuta e RSFJ-së e vitit 1974 e ka avancuar statusit e Kosovës dhe asaj praktikisht i ka dhënë ingerenca të cilat i kanë pasur edhe republikat e tjera. Megjithatë, në tekstin e Kushtetutës së Serbisë dhe të Kushtetutës së KA të Kosovës së asaj kohe fshihej një detaj i rëndësishëm, i cili ka pasur ndikim kyç në të drejtat e shqiptarëve të Kosovës – këto akte më të larta ligjore nuk i kanë konsideruar shqiptarët si komb por si kombësi, dhe këtë u është hequr “e drejta e secilit popull për vetëvendosje deri në shkëputje”.

Kosova Republikë!”, herën tjetër dëgjohet në rrugët e Prishtinës në pranverën e vitit 1981. Këtë herë këtë kërkesë e bëjnë studentët e Universitetit të Prishtinës, kurse më vonë u bashkohen edhe grupet politike. Sikurse edhe në vitin 1968, drejtuesit kosovarë i kanë cilësuar edhe këto protesta të qytetarëve si “tubime kontrarevolucionare”, kurse ka pasur edhe deklarata të tilla përmes së cilave studentët janë cilësuar si “huliganë”, gjë që e ka bërë ushtrimin e dhunës ndaj tyre më të lehtë, dhe kështu protestat janë shuar. Kjo është edhe një dëshmi e tezës që në periudhën deri në fund të viteve ’80, udhëheqja e Kosovës ka qenë një vegël e dobishme në duart e klikës nacionaliste politike serbe, e cila gjatë periudhës së njëjtë i ka aktivizuar të gjitha kapacitetet me qëllim të shkatërrimit të Jugosllavisë dhe të krijimit të Serbisë së Madhe.

Në luftën propagandistike kundër shqiptarëve të Kosovës rolet kryesore i kanë luajtur pjesëtarët e elitës intelektuale, fetare, mediatike dhe politike në Serbi, të cilët gjatë luftërave agresore të Serbisë me republikat e tjera jugosllave janë shkrirë në një amalgamë të pacipë, në të cilin kanë mbetur të lidhur nyje deri në ditën e sotme. Helmi nacionalist me të cilin kanë filluar t’i ushqejnë qytetarët e Serbisë në fillim të viteve ’80 pa asnjë ndryshim shërbehet edhe sot, dhe kjo bëhet pikërisht nga njerëzit e njëjtë apo pasardhësit e tyre. Kjo mund të vërtetohet lehtë – mjafton që të shohim jo ngjashmërinë, por njëllojshmërinë e diskursit publik në Serbi në lidhje me Kosovën dhe shqiptarët e Kosovës përmes së cilit këta njerëz me intensitet të njëjtë sikurse para 30 vitesh shfaqin urrejtje ndaj shqiptarëve tek publiku dhe politika serbe.

Pra Serbia e Millosheviçit deri në mbajtjen e Mbledhjes së famshme të VIII të Komitetit Qendror të Lidhjes së Komunistëve të Serbisë në vitin 1987, dhe miratimit dhe publikimit paraprak të Memorandumit propagandues të Akademisë Serbe të Shkencave dhe Arteve SANU – kur për paqe veçse ka qenë tepër vonë – me të madhe ka punuar për të alarmuar publikun serb dhe krijuar ndjenjën e “rrezikimit të të drejtave të serbëve në Jugosllavi dhe në Kosovë” çfarë ka ushqyer fanatizmin ndaj kombeve dhe kombësive të të gjitha republikave të tjera jugosllave.

Shkurtimisht, të gjithë, në një mënyrë apo tjetër, na kanë “rrezikuar”, kurse rrezik të posaçëm ndaj “substancës serbe” kanë përbërë shqiptarët e Kosovës: “Kjo fundërrinë sociale, politike dhe morale e Ballkanit fisnor barbar”, siç do i quante në vitin 2009 racisti Dobrica Çosiç. Ai është njëri nga inspiruesit e Memorandumit të SANU dhe personifikimi i rrymës intelektuale të nacionalizmit serbomadh, njeriu i cili gjatë karrierës së tij të gjatë ka qenë njëri prej promovuesve kryesorë të racizmit ndaj të gjithë joserbëve që edhe atëherë edhe sot ka krijuar pasoja serioze për shëndetin e shoqërisë serbe.

Për shembull, në hulumtimin “Vetëdija kombëtare e rinisë” e vitit 1987, autorja Lilana Baçeviç ka konkluduar që për të rinjtë serbë, në atë kohë, ka qenë më e pranueshme që të lidhin martesa me “zezakët” apo “japonezët” sesa me “shqiptarët” apo “myslimanët”. Në bazë të hulumtimeve të fundit të opinionit publik në Serbi të cilat kanë matur edhe distancën etnike, situata nuk ndryshon shumë as sot, pasi që fara e racizmit serb e maskuar në përkatësinë etnike, sidomos tek të rinjtë serbë, është mbjellë moti dhe me dekada është ruajtur në diskursin publik, në institucionet publike, politike dhe kulturore serbe.

Para fillimit të luftërave në Jugosllavi, në Kosovë ka pasur ndryshime të konsiderueshme politike. Të përmendim krijimin e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) të Ibrahim Rugovës, i cili është përpjekur për rezistencë paqësore dhe internacionalizim të problemit të Kosovës, por edhe zgjidhje të “çështjes së shqiptarëve dhe të Kosovës” brenda kufijve të Jugosllavisë. Krijimi i LDK-së është përcjellë me themelimin e partive të tjera politike dhe organizatave të shoqërisë civile, të cilat, secila në mënyrën e vet, për gati dy dekada me radhë kanë luftuar për pavarësinë e Kosovës.

Autonomia e Kosovës është hequr me 23 mars 1989, saktë dhjetë vjet para fillimit të bombardimeve të NATO-së ndaj Jugosllavisë. Atëherë ushtria dhe policia serbe e kanë rrethuar ndërtesën e Kuvendit të Kosovës në Prishtinë përderisa deputetët shqiptar që ishin brenda, edhe përkundër shumicës në parlament, kanë votuar për heqjen e autonomisë. Në pranverë të vitit vijues, në mars dhe prill 1990, Serbia ka ndërmarrë masa edhe më konkrete në pastrimin e “fundërrinës morale dhe politike” e cila e ka “kapluar” “provincën jugore serbe”. Atëherë më shumë së pesë mijë fëmijë shqiptarë në Kosovë janë pranuar urgjentisht për trajtim mjekësor, pasi kanë qenë të helmuar me helmin sarin të gjetur në ushqimin i cili u është shërbyer në mensat e shkollave. Kur është shfaqur lajmi për helmimin e fëmijëve, janë kryer sulme të shumta ndaj serbëve lokalë, të cilët nuk ka pasur asnjë lidhje me këtë vepër të tmerrshme, por shqiptarët me të drejtë kanë besuar që fëmijët ua ka helmuar pushteti serb, i cili veçse ka qenë i instaluar në Kosovë. Ndërkaq, vetëm në mes të viteve ’90, është zbuluar që APJ e Millosheviçit, përpos armëve tjera, ka prodhuar edhe helmin sarin.

Përmes “veprimeve” të tilla në fillim të viteve ’90, Serbia veçse me të madhe e ka udhëhequr luftën propagandistike kundër shqiptarëve, kurse në këtë periudhë shembulli më dramatik i kësaj është kolumna në gazetën beogradase “Politika” me titull “Jehonat dhe reagimet”. Sikur nuk do të dinim cila ditë dhe cili vit është sot, këto shkrime për Kosovën dhe shqiptarët nga gjysma e parë e viteve ’90, do të mund t’i konfuzonim më përmbajtjet e ballinave të sotme të tabloidave dhe kolumnave serbe të individëve të “ndërgjegjësuar kombëtarisht” të cilët sundojnë në hapësirën e sotme publike serbe. Në “Jehonat”, para 28 viteve, për shqiptarët është folur si për “separatistë dhe terroristë”, “monstruma dhe fanatikë”; për Kosovën si “varrë e hapur serbe”, “djep dhe vatër”, “qendër të spiritualizmit dhe shtetësisë serbe; kurse për Serbinë si “viktimë të komplotit ndërkombëtar”.

Tingëllon si diçka e njohur? Këto vende të përgjithësuara janë ende sot prezentë tek publiku serb – në fakt, ato nuk janë larguar asnjëherë. “Jehonat” dhe pjesë tjera të makinerisë propaganduese të Millosheviçit shfaqen në mënyrë identike edhe në mediat e sotme serbe kur flitet për temat kosovare: as sot në jetën publike serbe nuk ka asnjë autor shqiptar, i cili rregullisht flet për Kosovën; në mediat më popullore nuk has në qëndrime kundërshtuese, e tëra bie nën petkun e mantrës magjike, “Kosova është zemra e Serbisë” (të cilën, meqë ra fjala, i pari në publik e ka përdorur Sllobodan Millosheviç në bisedë me agjencinë Reuters në vitin 1989); faktet, edhe nëse ka të tilla, në këto shkrime mediatike, përdoren për falsifikim të historisë dhe shtytje të këtyre narrativëve të rrejshëm; mbretëron gjuha e urrejtjes dhe animozitetit ndaj çdo gjëje që është “shqiptare”, “kosovare”, kurse kundërshtimet e rralla ndaj një gjuhe të tillë të urrejtjes konsiderohen si “antiserbe”, “antikombëtare” dhe “autoshoviniste”, kurse autorët e tyre shenjëzohen si “mercenarë të huaj dhe armiq të popullit serb”.

Të kthehemi për një moment në realitetin politik dhe shoqëror të fillimit të viteve ’90 në Kosovë. Pas miratimit të Kushtetutës së Republikës së Kosovës në vitin 1990, e cila e kishte definuar Kosovën si shtet të pavarur por brenda Jugosllavisë, janë bërë të dukshme mospajtimet e patejkalueshme në mes të grupeve të cilat kanë krijuar jetën politike kosovare. Tek publiku serb, por edhe ai kosovar, shpesh përmendet edhe referendumi i cili është mbajtur në atë kohë si “referendumi i parë për pavarësi të Kosovës”. Kjo, megjithatë, nuk është tërësisht e saktë, pasi që referendumi i vitit 1990 ka qenë i lidhur me Kushtetutën e atëhershme të Kosovës, e cila Kosovën e ka definuar si shtet sovran, por me “të drejtë të lidhjes me Jugosllavinë”. Gjatë verës së vitit 1990, LDK-ja e Rugovës dhe deputetët e Kuvendit të Kosovës e kanë shpallur pavarësinë në kuadër të Jugosllavisë. Kjo i ka shërbyer Millosheviçit si shkas për të aktivizuar edhe me tepër masat e shtetit represiv policor ndaj Kosovës – Serbia atëherë dërgon të tërë aparatin e saj të forcës në Kosovë dhe anulon organet ligjore, gjyqësore dhe ekzekutive; të gjitha institucionet publike i vendos nën kontroll, mbyll mediat kosovare, fillon fushatën e largimit masiv të shqiptarëve nga puna në institucionet dhe ndërmarrjet publike, largon nxënësit dhe studentët nga shkollat dhe Universiteti i Prishtinës.

Në tetor të vitit 1991, Kuvendi i Kosovës voton për futjen e ndryshimeve kyçe në Kushtetutë dhe ndërpret të gjitha lidhjet me Jugosllavinë, që shënon fillimin e dhjetë viteve më të rënda në historinë moderne të Kosovës. Nxënësit dhe studentët e kanë vazhduar arsimin e tyre në ilegalitet të thellë, në bodrume dhe uzina të braktisura, është krijuar sistemi paralel edhe në fusha tjera siç janë mediat, shëndetësia dhe kultura, kurse LDK e cila ka dominuar, ka filluar t’ia tërheqë vëmendjen bashkësisë ndërkombëtare për kushtet e papërballueshme të jetesës së kosovarëve për shkak të terrorit të përditshëm nga ana e pjesëtarëve të organeve të pushtetit të dhunshëm serb në Kosovë.

Me kohë, jeta është bërë gjithnjë e më e padurueshme për shkak të rrahjeve rutinore, përdhunimeve, plaçkitjeve dhe vrasjeve të shqiptarëve, rezistenca paqësore e Rugovës ndaj torturës serbe ka fituar konkurrencë së pari përmes aktivizimit politik të Adem Demaçit dhe pastaj edhe të grupeve dhe individëve tjerë, siç është Lëvizja Kombëtare për Çlirimin e Kosovës. Natyrisht tek publiku serb e vetmja e cila është e njohur gjithandej është Ushtria Çlirimtare e Kosovës, të cilën e kanë krijuar pjesëtarët e Lëvizjes Popullore të Kosovës, dhe e cila me mjete të armatosura, përmes luftës guerile kundër policisë dhe ushtrisë serbe ka luftuar për liri. Sot në Kosovë shumë flitet për “krimet kundër popullsisë civile serbe të cilat i ka kryer UÇK” gjatë diskutimit për shfuqizimin e Gjykatës Speciale e cila do duhej të merrej me këto krime. Këto janë tema shumë të rëndësishme, por ato do t’ua lëmë atyre të cilëve u përkasin – qytetarëve të Kosovës, politikanëve dhe publikut të tyre.

Në fazën përfundimtare të luftës së Serbisë kundër popullsisë së Kosovës, në një periudhë të shkurtër dyvjeçare (1998-2000), janë vrarë pothuajse tetëmijë civilë të nacionalitetit shqiptar. Ata, në vend të institucioneve shtetërore të cilat e kanë për detyrë, janë numëruar me kujdes nga bashkëpunëtorët dhe aktivistët e Fondit për të Drejtën Humanitare në Beograd dhe Prishtinë dhe janë publikuar në veprën me vlerë të pakrahasueshme “Libër Kujtimi i Kosovës 1998-2000”. Në këtë vepër memoriale në formë të librit me shumë vëllime, janë shënuar të gjitha viktimat e luftës në Kosovë. Përpos tetëmijë shqiptarëve të vrarë, në mesin e të cilëve ka shumë gra, fëmijë dhe të moshuar, me emër dhe mbiemër, me biografi të shkurtra dhe rrethana të vdekjes së tyre të dhunshme, janë cekur edhe viktimat e nacionalitetit serb të cilat në këtë periudhë kanë qenë në mënyrë disproporcionale më të pakta, edhe pse në numër të papërballueshëm të madh – bëhet fjalë për rreth njëmijë civilë.

Komuniteti ndërkombëtar në vitin 1999 më në fund ka vendosur që me forcë t’i dalë përpara Millosheviçit dhe e ka filluar fushatën 78 ditore të bombardimit të Serbisë. Arsyeja për ndërhyrje ka qenë që më në fund t’i pamundësohet regjimit të Millosheviçit që, pasi i ka humbur të gjitha luftërat e tjera, pjesërisht t’i realizojë planet e tij duket i shkatërruar shqiptarët e Kosovës. Mirëpo, tanimë për qindra mijëra viktima në ish Jugosllavi ka qenë vonë – pjesëtarët e ushtrisë dhe policisë serbe, si edhe forcat vullnetare dhe paramilitare deri në atë moment veçse kanë pastruar hapësirën multietnike jugosllave nga “fundërrina morale dhe politike” të ndryshme, përmes një serie gjenocidesh, fushatash të pastrimit etnik, përdhunimesh masive dhe torturimit të boshnjakëve, kroatëve dhe shqiptarëve, përmes vrasjes sistematike të joserbëve dhe djegies së fshatrave dhe qyteteve të tyre. Kur bëhet fjalë për Kosovën, vlerësohet se janë përdhunuar më tepër se njëzetmijë gra gjatë luftës, kurse 78 ditët e bombardimeve të Serbisë Millosheviçi i ka shfrytëzuar për kryerjen e krimeve kundër popullsisë civile dhe për exodus të kosovarëve, kur nga Kosova janë përzënë më tepër se 860 mijë njerëz.

Në dhjetë vitet e para të shekullit XXI, lajmet për Kosovën ende nuk kanë qenë të volitshme. Edhe pse lufta ka përfunduar me kapitullimin e Serbisë dhe tërheqjen e ushtrisë dhe policisë nga Kosova, dhe me krijimin e tampon zonës në mes të viktimës dhe agresorit përmes prezencës së UNMIK-ut dhe KFOR-it, “çështja e Kosovës” në Serbi edhe nga “pushteti demokratik pas Millosheviçit” është parë përmes prizmit nacionaliste.

Edhe Zoran Gjingjiç, burrështetasi më i rëndësishëm modern, i Serbisë qytetare, për ç’arsye edhe ka marrë plumb në zemër, ka menduar që Serbia “duhet të marrë iniciativë” kur bëhet fjalë për zgjidhjen e çështjes së Kosovës, pasi që në të kundërtën “organet e administratës së përkohshme ndërkombëtare natyrshëm do t’i zbresin kompetencat tek institucionet e Kosovës”, gjë që do të krijonte mundësi për shpalljen e pavarësisë së Kosovës. Serbia zyrtare pa mëdyshje ka qenë kundër kësaj edhe pas 5 tetorit të vitit 2000 dhe rrëzimit të Millosheviçit. Kryeministri i vrarë i Serbisë ka pasur të drejtë: diçka shumë e ngjashme kishte ndodhur në vitet pas atentatit ndaj tij. Gjingjiç ka pasur të drejtë kur kishte thënë që “Jugosllavia është një qiri i cili digjet nga të dy anët” – që në njërën anë të qiriut qëndron Sllovenia kurse në anën tjetër Kosova. Shpërbërja e Jugosllavisë është përmbyllur më në fund me shpalljen e pavarësisë së Kosovës, 28 vjet pas shpalljes së pavarësisë së Sllovenisë. Në fazën përfundimtare të shkatërrimit të Jugosllavisë, në vitin 2006, Mali i Zi është shkëputur i fundit nga Serbia, kurse Kosova e ka pritur momentin e saj.

Ky moment ka ardhur në mëngjes të 17 shkurtit 2008, kur Kuvendi i Kosovës e ka shpallur pavarësinë dhe ka fituar njohje ndërkombëtare të “fuqive të mëdha” dhe të një të numri të madh të vendeve tjera. Deri më sot, Republikën e Kosovës si shtet të pavarur e kanë njohur pothuajse 60% të anëtarëve të Kombeve të Bashkuara, apo 115 nga 193 vende anëtare të OKB-së. Deklaratën e pavarësisë në vitin 2008 e ka nënshkruar edhe Vlora Çitaku, deputetja e atëhershme e Kuvendit të Kosovës, kurse sot ambasadore e Kosovës në Uashington, e cila më herët kishte kujtuar fjalët e Marti Ahtisarit: “Kur hajni t’ju vjedhë portofolin, nuk kërkoni që t’ju kthejë vetëm gjysmën e parave të vjedhura”. Në këtë kuptim, ruajtja e pavarësisë dhe tërësisë së Kosovës duhet të jetë prioritet i çdokujt që dëshiron përparim të Republikës së Kosovës, por edhe të tërë rajonit të Ballkanit Perëndimor.

Gjatë dhjetë viteve të kaluara, Serbia me të gjitha forcat, duke filluar nga histeria masive e cila në momente dukej e pakontrolluar, por gjatë tërë kohës e drejtuar nga shteti, kundër pavarësisë së Kosovës në vitin 2008 (djegia e ambasadave të huaja, sulmet ndaj pjesëtarëve të sektorit joqeveritar, shkatërrimit i Beogradit, tërheqja e ambasadorëve nga të gjitha vendet të cilat kishin pranuar Kosovën dhe të tjera), sot ka arritur deri tek histeria e kontrolluar politike e cila përsëri është e drejtuar nga aparati shtetëror dhe mediat e saj dhe në përgjithësi mbizotëron në shoqëri kur bëhet fjalë për qëndrimet në lidhje me pavarësinë e Kosovës.

Në vitin e dhjetëvjetorit të pavarësisë së Kosovës, duhet pritur që kjo retorikë antishqiptare në Serbi të ashpërsohet edhe më tej, sidomos nëse i kemi parasysh rrethanat aktuale politike në Serbi, si dhe faktin që të gjitha organet e pushtetit në vend janë krijuar në bazë të ideologjisë nacionaliste të Millosheviçit. Duhet thënë që as shumica e atyre që përbëjnë opozitën serbe nuk janë aspak më të mirë – nacionalizmi dhe shovinizmi antikosovar janë të dukshëm edhe tek “forcat prodemokratike” serbe. Trendet e tilla janë normalizuar tek “qytetarët proeuropianë” gjatë kohës së pushtetit të Vojisllav Koshtunicës dhe Boris Tadiçit, Ivica Daçiçit dhe Vuk Jeremiçit, të cilët me ndihmën e shërbimeve serbe të sigurisë në territorin e Kosovës kanë krijuar një protoshtet kriminal, të cilin sot e quajmë “veriu i Kosovës”. E tërë kjo me qëllimin që Serbisë t’i mbetet ndonjë lloj municioni për luftën e vazhdueshme kundër Kosovës së pavarur.

Për momentin një trashëgimi e tillë i konvenon shumë pushtetit serb, Aleksandar Vuçiç me këtë arsenal – në krijimin e të cilit gjatë viteve ’90 dhe më vonë gjatë karrierës së gjatë opozitare ka qenë pjesëmarrës aktiv – shtënë shpesh, por kryesisht në hapësirë boshe, dhe atë për nevoja të brendshme dhe me qëllim të helmimit të mëtutjeshëm të publikut vendor, dhe me këtë nuk bën asgjë përpos që krijon dëm për qytetarët e vet, ata në Serbi por edhe ata në “veri të Kosovës dhe Metohisë”.

Është fatkeqësi që politika e tillë, e vazhdueshme, e Serbisë edhe më tutje ndikon në jetën e përditshme të qytetarëve “të shtetit më të ri të Europës”, por ekziston nevoja që ky ndikim – gjatë kalimit të kohës dhe forcimit të institucioneve demokratike të Kosovës, dhe me këtë edhe drejtimit të institucioneve dhe shoqërisë kosovare – do të jetë gjithnjë e më i vogël.

I rëndësisë simbolike dhe praktike është lajmi prej para disa ditësh, që Kosova ka fituar numrin e vet ndërkombëtar +383. Kështu për Ditën e Pavarësisë së këtij viti, shumë kosovarë, kryesisht emigrantë të rinj, tani më në fund do të mund të lajmërohen në shtëpi. Me qindra mijëra kosovarë të përzënë, të cilët jetojnë me vite nëpër botë dhe punojnë si azilantë më dëshirë apo nga detyrimi, tani kanë edhe mundësinë e lidhjes direkte telefonike me anëtarët e familjeve të tyre. Nga sot, ky numër i madh njerëzish për herë të parë do të telefonojë dhe urojë ditëlindjen e shtetit të vet, për pavarësinë e të cilit me mijëra të pafajshëm kanë humbur jetën, përveç sakrificës së të gjithë atyre të mbijetuarve jeta e të cilëve është ndryshuar përjetësisht nga traumat dhe plagët ende të freskëta, vuajtjet e pafundme dhe pikëllimi të cilin asnjë festim i pavarësisë nuk do ta mund ta zbusë.

Megjithatë, duhet parë me optimizëm drejt së ardhmes, asnjëherë të mos harrohet e kaluara dhe të luftohet për atë që liria dhe pavarësia e Kosovës e fituar me mund të mos rrezikohen nga politikat regresive të akterëve të brendshëm dhe të jashtëm të cilët kanë ndikim vendimtar në jetën politike dhe publike të Kosovës dhe Serbisë. Duhet pasur shpresë që dhjetë vitet e ardhshme do të sjellin akterë të rinj progresivë, politikë dhe shoqërorë, të cilët do të punojnë në përmirësimin e marrëdhënieve të dy vendeve përmes procesit të pajtimit të bazuar në fakte historike. Rolin më të madh në këtë do të mund ta kishte gjenerata e re e politikanëve dhe e pjesëmarrësve të jetës publike serbe të cilët duhet që më në fund të pranojnë dhe të ballafaqohen me përgjegjësinë e Serbisë për krimet të cilat i kanë paraprirë pavarësisë së Kosovës dhe nga to duhet të distancohen përmes veprave dhe politikave të reja.

Përpos kësaj, kjo “elita e re serbe” të cilën e imagjinojmë këtu do të duhet të punojë ditë dhe natë me fqinjët e vet kosovarë, për të rikthyer besimin dhe solidaritetin në mes të serbëve dhe shqiptarëve, përmes bashkëpunimit të afërt dhe respektimit të ndërsjellë të dy shteteve tona, shtytjes së rikthimit të lidhjeve të vjetra dhe krijimit të atyre të reja në mes të njerëzve përmes hapjes së hapësirës për dialog dhe ndërtimit të jetës dhe veprimtarisë së përbashkët. Për tërë këtë, parakusht është që institucionet shtetërore dhe publike të të dy shteteve, në të ardhmen, të forcojnë demokracinë dhe sundimit e ligjit, të garantojnë lirinë dhe jetën e dinjitetshme për të gjithë qytetarët e tyre, në vend të rrëshqitjeve të tanishme në nacionalizma të rinj dhe të vjetër dhe popullizëm ditor politik.

Serbia do të duhet të ishte shteti i parë i cila do t’i uronte Republikës së Kosovës Ditën e Pavarësisë, duke i përkujtuar të gjitha viktimat kosovare, për vdekjen e dhunshme dhe fatkeqësinë jetësore të të cilëve është përgjegjëse, por edhe që zëshëm të përkrahë çdo përpjekje, qoftë edhe zërit më të dobët, e cila i kontribuon pajtimit dhe së ardhmes më të mirë të përbashkët të Kosovës dhe Serbisë në jetën tonë të helmuar publike. Përpos këtij idealizimi ndoshta naiv, realiteti i ftohtë në të cilin jetojmë dëshmon që rrethanat e tanishme për diçka të tillë janë të pafavorshme pasi që në Serbi përsëri janë në pushtet autokratët, e djathta ekstreme dhe nacionalistët serbomëdhenj.

Megjithatë, ata nuk janë të vetëm në këtë shtet. Ekzistojmë edhe ne. Prandaj varet nga ne të tjerët, sidomos nga të rinjtë, që të marrin përsipër përgjegjësinë që nënkupton luftë të rëndë kundër prapambetjes, në të cilën kanë qenë të përfshirë shumë prej nesh. Është obligim i yni qytetar dhe njerëzor që t’u kundërvihemi me të gjitha forcat dhe në mënyra të reja këtyre politikave dhe retorikave të turpshme të cilat kanë përfunduar me gjakderdhje dhe vdekje të qindra mijëra njerëzve, në mënyrë që kurrë më të mos përsëriten rrethanat në të cilat rruga e vetme e mundshme për të arritur lirinë dhe pavarësinë e shtetit të tyre ka qenë ajo përmes ferrit, nëpër të cilin kanë kaluar shqiptarët e Kosovës.

Nuk është e vështirë të jemi më të mirë sesa përfaqësuesit tonë politikë dhe zëdhënësit e tyre – në fakt, a nuk ka asgjë më të lehtë se kjo?

Prandaj sot miqësisht dhe nga zemra i themi fqinjëve tanë të parë: Gëzuar ditën e Pavarësisë Kosovë, dhe paçi fat!

________

Millosh Çiriq është politolog i diplomuar me Master i studimeve në kulturë dhe Master i studimeve në media, edukator dhe aktivist për të drejtat e njeriut nga Beogradi.

Teksti është përkthyer nga shkrimi origjinal i publikuar në gjuhën serbe në faqen e Forum Ziviler Friedensdienst e. V. (forumZFD) Dealing with the Past (DwP blog). Vegëza e tekstit origjinal është këtu.

Përktheu: Bashkim Fazliu.

Lexoni Gjithashtu

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Çelnaja

Në episodin e 30 të Çelnajës, së bashku me profesorin e antropologjisë Nebi Bardhoshin, trajtojmë disa koncepte me rëndësi që janë pjesë e korpusit...

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Analizë

Memorandumi i mirëkuptimit midis Serbisë dhe BE-së, i nënshkruar më 19 korrik nën mbikëqyrjen e kancelarit gjerman, Olaf Scholz, e ka kristalizuar qasjen transaksionale...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.