Afrimi i samitit të shumëpërfolur të Parisit, po rikthen në vëmendjen e debatit publik çështjen e dialogut dhe orientimin që ky proces delikat do të marrë. Fatkeqësisht për një kohë të gjatë ky debat është fokusuar tek pozicionet kokëforta të palëve e jo tek interesat. Përpos kësaj, edhe kur është folur për interesa, më së paku është folur për interesat e Kosovës. Nga ana tjetër më së shumti është folur për interesat e Serbisë, për interesat e vendeve partnere perëndimorë përkundrejt këtij procesi apo për emrat e përveçëm të politikanëve të përfshirë në këtë proces. Për një kohë të gjatë më së shumti është folur për leverdinë e Serbisë, duke folur me indinjatë e maraz për përfitimet e mundshme që do nxirrte ky shtet nëpërmjet një marrëveshjeje me Kosovën. Ndërkohë nuk është bërë ndonjë shqyrtim i interesave të Kosovës apo ndonjë analizë e kostove dhe përfitimeve të Kosovës në varësi të skenareve.
Kjo retorikë, e ushqyer prej urrejtjes e mllefit ndaj fqinjëve tanë të kujton një fabul të vjetër ruse për sakrifikimin e interesave vetja për shkak të inatit ndaj komshiut. Ky tregim flet për një peshkatar që kap një peshk të artë i cili kur u nxor prej ujit filloi t’i përgjërohet që t’ia kursejë jetën. Në këmbim i tha peshkatarit se do ia shpërblente duke i përmbushur një dëshirë. Peshkatari fillimisht shastiset mandej e pyet peshkun -A mos ka ndonjë hile apo truk këtu?! Peshku i përgjigjet -Ka vetëm një kusht, çfarëdo që të dëshirosh ti për veten, fqinji yt do e marrë dyfish. Pra nëse më kërkon një milion ti do e marrësh milionin tënd por fqinji do marrë dy, nëse kërkon një shtëpi të madhe ti do e marrësh tënden por njëherazi komshiu do marrë dy të tilla e kështu me radhë. Atëherë çfarë dëshiron?- Peshkatari e bluan pak në mendje propozimin e papritur dhe i thotë peshkut: Ma hiq një sy!
Kjo fabul përshkruan më së miri mënyrën e të menduarit e të diskutuarit të shumë personave sot në Kosovë për sa i përket Serbisë dhe procesit të dialogut. Shumica e diskutimeve të njerëzve të zëshëm është përqendruar tek çfarë do përfitojë Serbia dhe jo tek çfarë përfiton Kosova. Madje ka propozues të shumtë të idesë së mbajtjes së status quo-së për një kohë të gjatë vetëm e vetëm që të pengohet Serbia që të hyjë në Bashkim Evropian. Pra ka nga ata që nuk duan fare negociata ose duan që ato të zvarriten pa e vrarë mendjen për koston oportune që ka Kosova me këtë konflikt të ngrirë. Pra për ta me rëndësi është që Serbia ta pësojë pavarësisht dëmit që pëson Kosova.
Gjatë gjithë kësaj kohe që është folur për një zgjidhje të mundshme, gjithë vëmendja ka qenë e përqendruar tek përfitimet që do nxirrte Serbia prej ujdisë e jo tek nevoja apo përfitimi që ka Kosova prej marrëveshjes. Madje është ushqyer masivisht një naivitet kolektiv tek publiku duke lënë me kuptu sikur Serbia ka për ta shkruar këtë marrëveshje pa marrë asgjë në këmbim për hir të fajit e përgjegjësisë për të kaluarën. Kuptohet që kjo gjë do të ishte ideale mirë është realiteti është larg kësaj situate. Mirëpo Kosova nuk e ka luksin të presë pafundësisht për një epokë (që nuk dihet a vjen apo jo ndonjëherë) kur Serbia të vetëdijësohet, demokratizohet e të shprehi pendesë të thellë sikurse e bëri Gjermania e denazistifikuar.
Kuptohet që për një shoqëri si jona, që hakmarrjen e ka sportin e dytë kombëtar pas futbollit dhe që plagët e luftës i ka ende të freskëta, është shumë e vështirë që të mendohet se me Serbinë do të bëhet lehtë një marrëveshje paqeje. Megjithatë është e rëndësishme që mos të ngelemi peng të së kaluarës por të mendojmë të ardhmen duke mos u fokusuar tek dëshira për të marrë hak por tek nevoja për të pasur një bashkëjetesë të paqtë me komshinjtë tanë. Nuk ka nevojë që t’i duam apo të kemi ndonjë përzemërsi të madhe ndaj Serbisë por njëherazi nuk ka nevojë që të mendojmë tërë kohën sesi të shpaguajmë ata që na kanë bërë. Konfuci dikur thoshte për hakmarrjen se përpara se të shkosh e të marrësh hak, gërmo dy varre. Kjo do të thotë se duke dëshiruar gjithmonë më të keqen për Serbinë ne në të njëjtën kohë dëmtojmë veten.
Logjika e shëndoshë do duhej të na bënte që të mendojmë më të mirën për të gjithë fqinjët duke treguar epërsi morale e duke mos rënë në të njëjtin nivel primitiv urrejtjeje si ajo që historikisht ka manifestuar Serbia ndaj shqiptarëve. Gjithashtu duhet kuptuar se një Serbi që integrohet në Bashkim Evropian do të thotë një Serbi më e evropianizuar, më e demokratizuar dhe më e ndjeshme për të drejtat e njeriut dhe vlerat universale. Pra sa më shpejt të europianizohet Serbia aq më shumë do bëhet distancimi nga e kaluara kriminale e aq më mirë do i kemi raportet ne me këtë vend. Këtë gjë e kuptuan aleatët tanë amerikanë me ish armiqtë e tyre pas luftës prandaj në shtetet kundërshtare që pushtuan si Gjermania, Italia dhe Japonia, ata u angazhuan menjëherë pas luftës me planin Marshall e nisma të tjera, që këto shtete me të cilat sapo kishin luftuar të rindërtoheshin shpejtë dhe të vendosnin themele të shëndosha të demokracisë e lirisë. Kjo sepse ata ishin të bindur (sikurse edhe u vërtetua nga historia bashkohore) se begatia dhe zhvillimi i vendeve të tjera i shërben edhe prosperitetit të SHBA-ve.
Mirëpo që në vend të flitet për interesat e Kosovës debati shpesh drejtohet tek qëndrimet e vendeve perëndimore ndaj marrëveshjes potenciale. Duke qenë se aleatët tanë nuk janë dëshmuar në një mendje për sa i përket negociatave të paqes, shoqëria jonë është ndarë në njëfarë mënyre në grupime pro njërit apo tjetrit aleat duke manifestuar një kompleks inferioriteti të theksuar. Debati është dominuar nga deklarata e qëndrime që të ngjajnë si tifozllëk për njërin apo tjetrin ekip në një kampionat ndërkombëtar të futbollit. Në një krah u ravijëzua ekipi pro gjerman që ishte kundër idesë së një marrëveshjeje që cenonte kufijtë përkundrejt një ekipi pro amerikan. Një situatë e mirëfilltë qesharake ku orientimi kishte më shumë të bënte me servilizmin ndaj njërit apo tjetrit aktor ndërkombëtar perëndimor e jo me besimin apo bindjen konkrete personale.
Në kuadër të këtij kompleksi inferioriteti po ashtu në Kosovë është përqafuar një e folur e drunjtë dhe distancë si të kishte ardhur prej eurokratëve të Brukselit, për sa i përket rrezikut të precedentit. Pra personalitete të ndryshme shqiptare në vend që të flasin për interesat konkret të Kosovës shprehin interesa të rajonit apo gjeopolitik të tipit: marrëveshja shkakton precedent që mund të dëmtojë mbijetesën e Bosnje Hercegovinës. Me gjithë respektin për këtë vend apo ndonjë tjetër që mund të sikletoset nga një marrëveshje mes Prishtinës dhe Beogradit, për ne më shumë rëndësi ka interesi shtetëror i Kosovës e mandej, në radhë të dytë, nëse ka mundësi e s’ka ndonjë mund të madh, të shqetësohemi edhe për vendet e treta. Përpos kësaj është akoma më qesharake kur analistë të Kosovës dalin kundër marrëveshjes sepse precedenti i Kosovës mund t’i leverdisë Putinit për Krimenë e Ukrainës apo Abkhazi e Oseti në Gjeorgji. Kjo është qesharake sepse Rusia nuk ka pyetur për precedent kur i ka pushtuar këto terrritore. Por edhe nëse me të vërtetë në ndonjë mënyrë të përciptë e të tërthortë marrëveshja e Kosovës me Serbinë lë hapësirë për t’u përdorur si precedent për ambiciet gjeopolitike të Rusisë, ne gjithsesi kemi përparësi interesin tonë shtetëror të parin. Mund të kuptohet që ndonjë vendimmarrës nga Berlini, Parisi apo Londra të shqetësohet me të drejtë për këtë dimension politik, mirëpo ne për veten tonë duhet të synojmë më të mirën e mos të lejojmë që dëmtohen interesat e Kosovës për hir të pretendimeve se mund të cenohet stabiliteti në ndonjë cep të largët të botës.
Një tjetër element që ka qenë karakteristikë e diskutimeve të dialogut, ka qenë diskutimi mbi interesat e aktorëve të përfshirë në negociata. Pra në vend që të merren me interesat e Kosovës shumë njerëz të mediave dhe shoqërisë civile janë marrë me diskutimin e interesave të liderëve lidhur me dialogun. Kjo do të thotë që nuk janë marrë nëse po veprojnë mirë apo keq përkundrejt interesave shtetërorë por është trajtuar dialogu si një telenovelë turke apo hispanike, ku shumica e vëmendjes u është dhënë personazheve dhe dramës mes tyre. U krijua një valë e mirëfilltë psiko-analistësh që zhbironin motivet e fshehta apo të dukshme për të cilin një politikan deklarohej me një qëndrim specifik. Plasi një lloj mode me gjithfarë hipotezash për sa i përket interesave që kishin aktorët në këtë lojë duke u thënë që dikush donte të siguronte një ujdi me gjykatën speciale duke u projektuar si politikan paqedashës apo dikush tjetër i servilosej aktorëve të caktuar të huaj apo dikush kishte qëllime elektorale e donte që të projektohet si patriot i vërtetë duke quajtur tradhtarë ata që uleshin në një tavolinë bisedimesh me Serbinë.
Tanimë kur analizohet në retrospektivë debati intensiv mbi dialogun gjatë këtyre dy vjetëve të fundit duket qartë se interesi i Kosovës ka qenë në fund të listës për sa i përket vëmendjes së opioninit publik. Pak janë atë që kanë folur për rëndësinë që ka marrëveshja e paqjes si mundësi që zhbllokon rrugën e integrimit drejt NATO-s dhe Bashkimit Evropian duke kapërcyer barrierën e rëndë që na kanë vendosur shtete si Spanja; si mundësi për t’u futur në OKB duke siguruar aprovimin e Rusisë në Këshillimin e Sigurimit duke patur parasysh gatishmërinë e shprehur prej lidershipit rus në rastin e një ujdije të nënshkruar; si mundësi për të çimentuar sovranitetin dhe integritetin e Kosovës; si mundësi për të mbyllur një konflikt që ka të bëjë jo vetëm me marrëdhëniet ndërkombëtare por edhe me stabilitetin e brendshëm duke integruar njëherë e mirë pakicat në Kosovë; si mundësi për të përshpejtuar e shtuar rritjen ekonomike duke e bërë Kosovën si një vend atraktiv për investime nëpërmjet eleminimit të njollës së konfliktit të pazgjidhur apo si mundësi për të qarkulluar e rifreskuar elitën aktuale politike e cila përfiton nga status quo-ja dhe frika e vazhdueshme prej fqinjëve. Pra këto interesa e shumë të tjerë nuk kanë marrë asnjëherë vëmendjen dhe përkushtimin që meriton. Prandaj vlen të thuhet, me zë të lartë, se debati publik në Kosovë duhet fillimisht të vendosë të parin interesin shtetëror. Për këtë arsye ka nevojë për një debat të brendshëm përmbajtjesor për të identifikuar dhe arritur një konsensus se cilat janë interesat e shtetit tonë e mandej të diskutohet për interesat e aktorëve apo faktorëve të tjerë.