Connect with us

Hi, what are you looking for?

Analizë

Diplomacia kosovare: bartje e skandaleve nga Ministria nëpër misione

Në epokën me hovin më të madh teknologjik, shtetet u kushtojnë rëndësi të veçantë prezencës së tyre digjitale në rrjetet sociale, si dhe kualitetit të postimeve. Përdorimi i teknologjisë për të komunikuar në nivel diplomatik njihet me termin diplomaci digjitale

Përderisa Kosova dikur rangohej lart në diplomacinë digjitale, konform rrethanave kohore të atëhershme, me ardhjen e Donika Gërvalla-Schwarz në krye të diplomacisë kosovare, diplomacia digjitale mori një kahe të kundërt. 

Sot, komunikimi publik i Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe misioneve diplomatike është vazhdimisht përplot gabime gramatikore dhe me gabime protokolare. I njëjti avaz po i përcjell edhe misionet diplomatike e konsullore të Kosovës nëpër botë – veçanërisht ato që udhëhiqen nga njerëz që i ka emëruar ministrja Gërvalla-Schwarz.

Ambasada e Kosovës në Emiratet e Bashkuara Arabe

Së fundmi, Ambasada e Kosovës në Emiratet e Bashkuara Arabe bëri një postim në Facebook në të cilin u shpërnda një postim i partisë në pushtet. Ky postim më pas u fshi pas reagimeve që pati kundër tij, mirëpo realisht asnjëherë nuk do të duhej të vinte puna deri te një postim i tillë, për shkak se ambasadat e vendit nëpër botë përfaqësojnë Kosovën dhe jo partinë në pushtet. 

Gjithashtu, kjo gjë bie në kundërshtim me vetë idenë e shërbimit të jashtëm, i cili për qëllim primar ka përfaqësimin e vendit dhe qytetarëve si tërësi dhe jo grupe të caktuara partiake. Partizimi i këtij shërbimi, në mënyrë automatike, i bën të gjithë ata qytetarë të cilët nuk e mbështesin partinë në pushtet të ndihen të lënë anash. 

Megjithatë, mungesa e njohurive elementare mbi diplomacinë fillimisht dhe rregullave të etabluara diplomatike, rezultojnë në gafa të tilla, që dalin në pah vazhdimisht. 

Tutje, në postimet e kësaj ambasade, vazhdimisht vihen re gabime elementare drejtshkrimore, e shkrime në vetën e parë – që lë të nënkuptohet se personi i cili i bën ato postime është vetë ambasadori atje, Xhabir Hamiti. 

Ky i fundit ka marrë detyrën e shefit të misionit në dhjetor 2021, gjatë vitit të parë të Gërvalla-Schwarz në krye të diplomacisë. Por, Hamiti në këtë pozitë ishte emëruar pa ndonjë njohuri dhe përvojë paraprake diplomatike. 

Megjithatë, mirënjohja për partinë në pushtet vërehet fare qartë dhe është mjaftueshëm e madhe sa për të lënë publikisht të nënkuptohet që ai as nuk tenton të dalë përtej linjave partiake.

Ambasada e Kosovës në Kroaci

Edhe kolegu i Hamitit në Zagreb, ambasadori Martin Berishaj, në mbledhjen me bashkatdhetarë për nder të 16-vjetorit të Pavarësisë së Kosovës, mbajti një fjalim politik për sukseset e qeverisë në krye me Lëvizjen Vetëvendosje.

Kjo nënkupton se ambasadori Berishaj nuk e ka të qartë as minimalisht rolin e tij si përfaqësues i Kosovës në Kroaci. 

Ngjashëm si Hamiti, edhe Berishaj është emëruar ambasador në vitin e parë të Gërvalla-Schwarz në krye të Ministrisë së Jashtme dhe njihet si person shumë i afërt i Albin Kurtit.

Te rasti Berishaj, megjithatë, problemi është akoma më i thellë se në cilindo mision diplomatik të Kosovës. Problemi qëndron te hija e keqe që skandali i tij korruptiv ka lënë mbi të, e nëpërmjet tij edhe mbi gjithë politikën e jashtme të Kosovës. Për ta thelluar edhe më tej problemin, Berishaj ka gëzuar mbështetje e mbrojtje të plotë nga të gjithë krerët institucionalë të vendit dhe i njëjti po vazhdon t’i kryejë detyrat e tij pa asnjë pengesë.

Skandali në të cilin Berishaj është i përfshirë nuk limitohet vetëm në kufijtë e Kosovës; ai ka karakter rajonal dhe në të përfshihen të gjitha shtetet ish-jugosllave, e kjo ngre shumë pikëpyetje edhe për qëllimet e pushtetit, që vazhdon ta mbrojë këtë individ. 

Konsullata e Përgjithshme e Kosovës në Poloni

Në fund të vitit 2023, u bë publik lajmi se Kosova do të hapte misionin e parë diplomatik në Poloni. Ky lajm përbën një hap të rëndësishëm për Kosovën, sepse Polonia paraqet një vend kyç në rrethanat aktuale gjeopolitike, sidomos karshi agresionit rus në Ukrainë.

Ngjashëm si Hamiti dhe Berishaj, konsulli i emëruar në Poloni, Drilon Gashi, nuk ka fare përvojë në shërbimin e jashtëm. Kjo mund të vërehet edhe nga substanca e postimeve në rrjetet sociale.

Nga faqja zyrtare e këtij misioni në rrjetin social X shpërndahen postime nga më të ndryshmet, duke filluar nga ato më të panevojshmet si intervista të Dua Lipës, e deri tek ato më patetiket si ajo me rastin e 16-vjetorit të Pavarësisë, ku konsulli i përgjithshëm, Drilon Gashi, e kishte ripostuar në profilin e tij një video të postuar fillimisht nga presidentja Vjosa Osmani, ku shihen ushtarët e FSK-së teksa këndojnë këngën “Mora Fjalë.” Këtë postim të Gashit më pas e kishte ripostuar Konsullata e Përgjithshme në profilin e saj zyrtar.

Materialet folklorike nuk duhet të shfaqen në faqet zyrtare të misioneve diplomatike e konsullore të Kosovës. Misionet diplomatike duhet ta ruajnë profesionalizmin – aq më tepër kur kemi parasysh se Kushtetuta e Kosovës e përcakton Kosovën si shtet multietnik, e jo shtet të shqiptarëve.

Por, ky nuk është postimi më skandaloz i këtij misioni. Para disa ditësh, ky mision, duke paralajmëruar vizitën në Kosovë të zëvendëskryeministrit dhe ministrit të Mbrojtjes së Polonisë, kishte shpërndarë edhe një artikull ku thuhej se të dyja palët (shqiptarët dhe serbët) kishin kryer spastrim etnik ndaj njëri-tjetrit. Kjo është skandaloze dhe e pavërtetë, sepse shqiptarët nuk kanë kryer spastrim etnik ndaj serbëve në Kosovë.

Të gjitha këto lëshime janë shndërruar në normë në diplomacinë kosovare. Kjo vjen për shkak se, që nga kabineti i ministres e tutje, nuk kanë përvojë profesionale në diplomaci dhe nuk janë persona adekuatë për të shërbyer në këto misione. Prandaj, ky dikaster me urgjencë duhet të fillojë një seri trajnimesh për këtë fushë, në mënyrë që ky avaz të mos vazhdojë më.

Ministria e Punëve të Jashtme i ka kapacitetet e nevojshme për të pasur një diplomaci digjitale efektive. Brenda strukturës së MPJ-së ka persona të cilët janë të kualifikuar për këtë gjë, e të cilët dikur Kosovën e kanë bërë të dallohet nga vendet përreth në diplomacinë digjitale. Por, për të ndodhur ky ndryshim, këtyre diplomatëve duhet t’u jepet hapësira dhe mundësia për të punuar.

Lexoni Gjithashtu

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Çelnaja

Në episodin e 30 të Çelnajës, së bashku me profesorin e antropologjisë Nebi Bardhoshin, trajtojmë disa koncepte me rëndësi që janë pjesë e korpusit...

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Analizë

Memorandumi i mirëkuptimit midis Serbisë dhe BE-së, i nënshkruar më 19 korrik nën mbikëqyrjen e kancelarit gjerman, Olaf Scholz, e ka kristalizuar qasjen transaksionale...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.