Connect with us

Hi, what are you looking for?

Analizë

Dita kur gruas ju ndërlikua jeta.

Data: 8 mars 2016. Tufa lulesh dhe flokë të fryra tunden nëpër qytet, edhe pse është ditë e martë. Nuk është pushim zyrtar, po një farë atmosfere festive e lodhur po vardiset nëpër ajër. Afishe pa thellësi me oferta qesharake u drejtohen gjininisë që përbën gjysmën e popullsisë njerëzore – grave. Përmbajtja është tentativë për respekt ndaj ‘nënës dhe motrës’, por në fakt po ta lexosh dy herë, e zbërthen formulën: pjatë për kokë plus pagesa argëtuesve.

Gratë ndihen sikur kanë një ditëlindje të dytë, sidomos ato të brezave që kanë përjetuar komunizmin.

Sepse ato dhe të gjithë e dinë që 8 marsi është ndërkombëtarisht dita e grave. Se çfarë kjo do të thotë saktësisht, ka shumë dallim midis shteteve perëndimore dhe atyre lindore.  Gratë amerikane janë marrë me të drejtat e tyre dhe rritjen e pagave që në fillim të shekullit të XX; po ashtu dhe gratë në disa prej shteteve perëndimore të Europës.

Mirëpo ne na intereson çfarë ndodhi me gratë tona. Komunistët në gjithë kapin lindor e trajtuan këtë ditë si një festë në nderim të gruas si një pjesëtare e barabartë e klasës punëtore, tashmë “e çliruar” nga shtypja borgjeze. Por në qoftë se besojmë  se tek kjo ditë shënohet barazia gjinore, vetëm sa i fryjmë perversitetit që vazhdon edhe në 2016.

Komunistët i nxorrën gratë nga shtëpitë e tyre me një formulë të thjeshtë ekonomike: “na duhet krah pune, jemi shtete të varfra”. Afishe të realizmit socialist me imazhe të grave duke punuar e duke treguar fuqinë e tyre fizike pushtuan muret në qytete e fshatra. Gratë kapën kazmën, disa prej tyre ‘penën’, e të tjerat shkuan në shkollë. Gratë dolën jashtë për t’i ndihmuar kolektivit.

Ndërkohë që në pamje të parë ky gjest duket feminist duke qenë se e nxori më ne fund gruan nga konteksti shtëpiak ku ish vendosur deri sa erdhën sistemet totalitare, në fakt  s’bëri tjetër vetëm sa ia rëndoi asaj jetën në pikën ku vetvetja s’ekziston më.

Paralelisht me afishet me gra muskuloze të buzëqeshura që punojnë, nuk kishte burra duke fshirë tokën e duke na treguar dhëmbët. Nuk kishte burra me përparësen e gatimit duke u hedhur supë fëmijëve ku të gjithë janë frikshmërisht të lumtur. Nuk kishte burra duke ndërruar një foshnjë apo duke e vënë atë në gjumë. Nuk kishte asgjë drejt barazisë.

Gruaja ‘e barabartë’ tani zgjohej e para, bënte mëngjesin për të gjithë, pastronte pasi konsumohej mëngjesi, vishte fëmijët e burrin, dilte në punë e i mëshonte kazmës fort, hante atë bukë që kish marrë me vete kur kishte përgatitur gjithë racionet për gjithë familjen, vazhdonte i mëshontë kazmës pak më dobët, kthehej pasdite në shtëpi, lante, hekuroste, pastronte, vinte gati drekën për nesër, shtronte darkën për sot, pastronte sërish, flinte e fundit.

Gratë e reja mbetnin shtatëzënë, punonin deri fare pranë lindjes, dhe në krye të të gjitha këtyre punëve, shtohej dhe mirëmbajtja e foshnjës, sepse “është punë grash” për ça me i prekë burrat bebet?! Dhe pagjumësia thellohej e gruaja harronte se kush është. Gruaja sikur u çlirua pak në hapësirat publike, dhe aspak në ato shtëpiake.

“Por jo jo, s’ka problem! I gjithë ky mund, shumëfish më i lartë se i burrave, do t’ju shpërblehet! Sepse ju dhamë juve… 8 marsin!! Atë ditë ju të nderuara gra, nënat dhe motrat e dikujt, punoni me orar të shkurtuar, visheni bukur (ama me dinjitet!), krihuni, do t’ju japim lule, fëmijët do t’ju japin lule, edhe rrini me njëra tjetrën gjithë ditën si murgeshat në manastir!! Sa bukur!!”

Dhjetëvjeçarët kaluan. Duke qenë se të drejta nuk po i jepeshin grave e as barazi gjinore, 8 marsi u desh të degjenerojë në  “festën e nënës”. U desh të festohej cilësia për të cilën gratë ekzistojnë: për të lindur fëmijë.

Dhe ja ku jemi, në 2016. Sa nga ju gra lidheni me këtë realitet sot? Në mos personalisht, me sa gra të familjes e lidhni? Po ju burra, a e lidhini këtë realitet me gratë e familjes suaj?

Sot në 8 mars 2016, sasia e burrave që ndihmojnë gratë është dëshpërimisht e ulët.

Përpos në pak zona urbane, ku rrallëherë burri dhe gruaja i ndajnë gjithë detyrat bashkëshortore 50/50, asgjë nuk ka ndryshuar. Gratë shqiptare sot ndahen në shtëpiake dhe jo shtëpiake. Shtëpiaket ndjekin modelin shekullor të të ndenjurit në shtëpi por me punën me kohë të plotë të: gatimit, pastrimit, rritjes së fëmijëve, menaxhimit të shtëpise. Gratë që punojnë ndjekin modelin komunist të punës më kohë të plotë të: gatimit, pastrimit, punë tjetër me kohë të plotë jashtë shtëpisë, rritjes së fëmijëve, menaxhimit të shtëpisë.

Më thoni, me një agjendë të tillë, kush ka kohë të mendojë për veten? Kush ka kohë të mendojë për ndonjë sport, me lexu një libër, me shkrujt një libër, a me ideu një biznes, kur ndërkohë që punon për rrogën që merr, mendon për: rrobat tu u tha, drekën për nesër, frigoriferin gjys bosh, dhoma rrëmujë e fëmijëve, lulet që po vyshken, këmishat për t’u hekuros të burrit, këpucët me baltë të të gjithë familjarëve, pjesën e parapme të makinës larëse që është mbush me pluhur, dushin e bllokuar, ngrohësin e kalçifikuar, milingonat në kuzhinë, njollën që s’po ikën?

Edhe nëse je shtëpiake:

Kush ka kohë me u emancipu, ku të gjitha energjitë dhe intelekti shkojnë në punë të rëndomta pa zhvillim personal, punë që t’i ka caktu shoqeria ndër shekuj, dhe jo ti t’ia kesh caktu vetes?

Vjen darka, lodhja kaplon, sytë perëndohen, dhe gjithë ëndrrat dhe dëshirat e tua, nëse punon jashtë shtëpisë a jo, duhet të presin deri nesër, se ndoshta nesër lirohet pak hapësirë nga gjithë këto punë mekanike për të mendu për veten.  Për sonte, më mirë po shoh dashuriçkat e pakuptimta turke.

Të dashura gra! Kjo NUK është barazia gjinore. Të marrësh trajtim special një herë në vit pse je grua, NUK është respekt. Të marrësh trajtim special pse je “nëna” apo “motra” apo “gruaja” e dikujt NUK është respekt. Të ngrihesh në piedestal pse ke lindur disa fëmijë NUK i ndihmon zhvillimit tënd.

Ti nuk ke aftësi të kufizuara për shkak të gjinisë. Nuk ke patur kurrë.

E nesërmja nuk do të vijë kurrë nëse nuk ia shtron ti terrenin. E terreni shtrohet duke lëshuar gjithë përgjegjësitë që t’i ka veshur shoqëria ndër shekuj pa të pyetur hiç, vijuar me ri-përcaktimin e këtyre përgjegjësive nga vetë ti, bashkë me bashkërshortin apo njerëzit me të cilët ti ndan jetën.

Vetëm pse diçka është traditë, nuk do të thotë që është e dobishme.

– Nuk është detyrë vetëm e jotja për të ushqyer gjithë familjen. Nëse s’te josh gatimi, shih kë e josh në familje. (Në fund të fundit, shefat më të mirë janë burra!)

– Nuk është detyrë vetëm e jotja për të pastruar shtëpinë që e bën pis gjithë familja. Burrat nuk i kanë duart e paafta.

– Nuk është detyrë vetëm e jotja për të rregulluar gjithë rrëmujën që e bën gjithë familja. Burrat nuk i kanë duart e paafta.

– Nuk ëshë detyrë vetëm e jotja të grupohesh me gratë e tjera të familjes për t’i shërbyer gjithë pjesëtarëve. Burrat nuk i kanë duart e paafta.

– Nuk është detyrë vetëm e jotja të kujdesesh për foshnjet. Burrat nuk i kanë duart e paafta.

– Shprehje të tipit “vetë e kërkova” “turp, është dhe femër”, “eh po të tillë janë burrat”, janë të fëlliqta.

– Nuk e kanë të neovjshme vetëm burrat me dalë me shokë me pi birra. Neve s’na ka goja lesh.

– Fëmijët e kanë të domosodoshme prezencën e nënës vetëm sa janë në gji. Pastaj, ti je po aq e lirë sa burri yt.

Nuk të bën “nuse të mirë” fakti që je e virgjër apo se je shërbëtore e vjehrrit e vjehrrës. Nusja e mirë nuk ekziston. Ekziston vetëm respekti reciprok.

Nëse guxon e i liron pak hapësirë vetes, do të kesh kohë të mendosh, të kuptosh kush je, çka do, të duash veten, dhe mëson të mos duash ata që s’të duan.

8 marsi nuk ka pse ekziston. 8 marsi është ofendim. Ti nuk je më pak e zgjuar se burri që të mos e kuptosh. Ti nuk je e verbër që mos të shikosh.

Ajo çka duhet të ekzistojë e çka duhet të reflektosh fort në këtë ditë,  është respekti reciprok midis gruas dhe burrit,  dy njerëz që në fakt, dallojnë vetëm nga organet gjenitale.

Lexoni Gjithashtu

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Çelnaja

Në episodin e 30 të Çelnajës, së bashku me profesorin e antropologjisë Nebi Bardhoshin, trajtojmë disa koncepte me rëndësi që janë pjesë e korpusit...

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Analizë

Memorandumi i mirëkuptimit midis Serbisë dhe BE-së, i nënshkruar më 19 korrik nën mbikëqyrjen e kancelarit gjerman, Olaf Scholz, e ka kristalizuar qasjen transaksionale...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.