Connect with us

Hi, what are you looking for?

Analizë

Dy rrëfime për dy planete ose teoria e konstruktimit shoqëror

Teoria e konstruktimit shoqëror me anë të një leximi sociologjik të “Solarisit” të Stanislaw Lem-it.

Bashkohesh brënda me përjashtësi,

Bashkohesh jashta me përbrëndësi

Lasgush Poradeci

Rrëfimi i parë

Në kozmos është një planet i mistershëm, krejt i mbështjellë nga një oqean i paskaj, me ditë të kuqe e të kaltra që shkaktohen nga dy diejt të cilët e ndriçojnë atë. Aq shumë i ka intriguar planeti shkencëtarët e të gjitha disiplinave saqë studimet e tyre kanë rezultuar në shumë teorina, e më në fund në zhvillimin e një shkence të posaçme për planetin e mistershëm. Planeti quhet Solaris, kurse shkenca mbi të, solaristikë. Njerëzit nga toka jo vetëm që kanë çu fluturake në Solaris, por kanë ndërtuar në të një stacion ku disa astronautë e shkencëtarët janë vendosë për të studiuar më afër misteret e planetit.

Çka dimë për Solarisin? Dimë se Solarisi është mbështjellë nga një cipë inteligjente, si njëfarë truri. Shkencëtarët po punojnë pa ia nda për të komunikuar me këtë planet inteligjent, me shpresë që një ditë kanë me ia dalë me i vnu në kontakt dy planetet, Tokën dhe Solarisin.

Për fat të keq, solaristika,  me gjithë shumësinë e teorive, metodologjive, aparatit të sofistikuar konceptual, analizave të shumanshme, vëllimit të madh të shkrimeve, sasisë së madhe të botimeve të specializuara: vjetarë, periodikë, libra, e çkamos, nuk ka arritë ta shpjegojnë misterin e mistereve të Solarisit. Askush prej solaristëve nuk di për Solarisin nga përvoja, por nga bibliotekat e laboratoret, veç shkencëtarëve që banojnë në stacion ku kanë provuar gjëra të çuditshme dhe të pashpjegueshme në sjelljen e Solarisit. Sado të shkolluar e të njohur me gjetjet e teoritë solaristike, kjo nuk i ka përgatitë banorët për atë që do të përjetonin në planetin e mistershëm. Mirëpo, ata kanë përjetuar diçka që solaristika si shkencë e naltë dhe serioze, nuk mund ta marrë si material në studimet e saj, e as që mund të pranojë si provë valide dëshmitë e banorëve të stacionit në Solaris. Për çka bëhet fjalë?

Banorëve të stacionit, oqeani ua pasqyron mendimet më të thella, dëshirat më të fshehura, kujtimet dhe të pavetëdijshmen e tyre, duke i mishëruar ato në ekzistencë objektive e materiale. Për shembull, Krisit—astronautit psikolog që e kanë çu aty për të hetuar se çfarë po ngjan me banorët në stacion—një natë i erdhi në dhomë gruaja e tij, Hari, e cila kishte vdekë dhjetë vjetë ma parë! Me të parën tha se po andrronte, se Krisit nuk iu kishte heqë prej mendjes Hari qysh prej ditës kur e kishte gjetë të vetëvrarë në banesën ku e kishte braktisë dhe ku ajo ishte vetëvrarë duke injektuar një helm në krahun e saj. Por, jo. Ishte aty. Ky e shihte. Edhe të tjerët mund ta shihnin. Ishte në kajde të saj, por jo vetë Hari e Tokës, por një si ajo. Ishte Hari e Solarisit. Më saktë, ishte Hari që rëndonte ndërgjegjen e Krisit dhe jetonte në kujtimin e tij, person i dashur dhe me krahun e mavijosur nga injektimi, e që oqeani e kishte mishëruar në stacion. Duke e ditë se nuk ishte Hari e vërtetë, Krisi kishte provuar ta largonte në pakthim nga stacioni. Kot!

Po kështu edhe banorëve të tjerë në stacion, oqeani ua kishte mishëruar mendimet më të thella që mbanin të fshehta në mendje: dofarë krijesash të çuditshme që veç mendja e njeriut di me i përfytyru. Banorët e stacionit vendosën që këto krijesa t’i quanin “vizitorë” për t’i dalluar nga njerëzit. Madje, gjetën një mënyrë për të dalluar njerëzit nga “vizitorët”: të parët mund të vriteshin, ndërsa të dytët jo. (Një banor e kishte vrarë veten, se kurrqysh me u çliru prej “vizitorëve” të tij që jetonin bashkë me të në stacion.)

Si mund të pranojë solaristika—si shkencë pozitiviste, racionale, fizike, demonstrative, matematikore, lëndore e astronomike—këso hokus-pokusa astrologjike!

Rrëfimi i dytë

Një dukuri e ngjashme nodh edhe në një planet tjetër. Planeti në fjalë pasqyron të brendshmen e njeriut: dëshirat e frikën, shpresën e brengat, dashurinë e urrejtjen, ëndrrat e imagjinatën njerëzore, duke mishëruar këto në institucione e kulturë që bashkë përbëjnë shoqërinë njerëzore. Më pas shoqëria bëhet botë më vete, pavarësohet prej njerëzve, sillet jo qysh dojnë njerëzit, por sipas ligjeve ose tekave të saj. Rrëfimi s’mbaron këtu. Shoqëria do jo vetëm të pavarësohet prej njeriut, por ta fusë njeriun nën varësinë e saj, ta formojë psikologjinë e tij. Me fjalë të tjera, njeriu krijon shoqërinë, e shoqëria krijon njeriun; shoqëria të cilën njerëzit si kolektiv e konstruktojnë si realitet të jashtëm, ushtron ndikim dhe detyrim tek individët dhe grupet. Planeti quhet Toka, kurse shkenca që merret me studimin e kësaj dukurie është sociologjia. Kjo në Tokë ndodh që kur ekziston njeriu e deri më tash. Njeriu ka ndërtuar institucione shoqërore, kulturë materiale e shpirtërore me shumë nge përgjatë historisë, e më pas ato kanë ndërtuar njeriun.

Peter Berger dhe Thomas Luckmann kanë shkruar një libër mbi dukurinë e pasqyrimit të njeriut në realitetin shoqëror dhe kanë shpjeguar se si ky realitet më pas formon personin njerëzor. Teoria e tyre shpjegon marrëdhënien ciklike të njerëzve me botën shoqërore. Cikli përbëhet nga tre faza: së pari, shoqëria është krijim e materializim i gjendjes njerëzore, dhe në fund, shoqëria krijon njerëzit. Me një fjalë, njeriu krijon shoqërinë, pastaj shoqëria krijon njeriun. Ndërmjet këtyre dy momenteve, është një proces vendimtar që e mundëson këtë, e që autorët e quajtën “objektifikim i realitetit shoqëror” që domethënë se bota shoqërore të cilën e krijojnë njerëzit bëhet një realitet objektiv i pavarur prej njeriut.

Në fillim të këtij cikli njeriu e jashtëson veten në shoqëri dhe e materializon atë jashtë tij, domethënë ndërton kulturën shpirtërore dhe materiale, institucionet, strukturat, vlerat, besimet e normat shoqërore, për të ndërtuar kështu realitetin shoqëror. Së këndejmi, edhe titulli i librit në fjalë: The Social Construction of Reality [Konstruktimi shoqëror i realitetit]. Me fjalë të tjera, njeriu e qet jashtë brendësinë e tij duke e mishëru atë në formë të realitetit shoqëror.

Më pas, ky realitet objektifikohet, domethënë pavarësohet dhe ekziston si entitet më vete, i pavarur nga kontrolli njerëzor. Ky realitet na paraqitet si i mirëqenë, i padiskutueshëm, i pamenduar dhe ndikon në ne, na imponohet, na kufizon lirinë dhe na cakton mundësitë e mendimit dhe alternativat e rregullat e veprimit, na formon identitetin, ndjenjat, mendimin dhe praktikat, pra na formëson personin e secilit prej nesh.

Individi lind në shoqëri në të cilën mbretërojnë institucionet, strukturat, normat, vlerat, besimet, alternativat e veprimit e rregullat e sjelljes, dhe kështu deri në vdekje ekziston në shoqëri dhe në sisteme shoqërore që janë etabluar shumë kohë para se ai të vinte aty. Në fund, njeriu e përbrendëson këtë realitet shoqëror përmes procesit të shoqërizimit, domethënë pranimit të vlerave të jashtme shoqërore dhe përvetësimit të tyre si të ishin të tijat. Në këtë mënyrë, siç shprehet Peter Berger në një libër të popullarizuar sociologjik, Invitation to Sociology [Ftesë në Sociologji]: njeriu ekziston në shoqëri e shoqëria ekziston në njeriun.

Për shembull, në një moment historik dhe në një vend të caktuar një grup njerëzish krijojnë norma e besime të tilla që të vrasësh për nder (familjar, fisnor, kombëtar, etj.) quhet vlerë, si dhe institucione që e nxisin këtë sjellje. Në këtë fazë, norma e tillë vlen vetëm për grupin që e ka krijuar. Por, më pas ajo merr natyrë të ekzistencës objektive dhe bartet te grupet e tjera: te brezat e mëvonshëm dhe në vende të tjera. Personalitetet e individëve në grupet e tjera ndërtohen duke përbrendësuar, domethënë përvetësuar ato si vlera të tyre dhe si sjellje të natyrshme dhe të vetmet të mundshme, dhe kështu edhe ata vrasin për nder.

Bota jonë ka të jashtmen e saj që është realiteti shoqëror, siç ka edhe të brendshëm e saj që është njeriu në të. Çfarëdo që ka në mendjen kolektive të grupeve njerëzore jashtësohet duke u materializuar si realitet shoqëror në institucione, vlera e norma. Ky realitet i materializuar objektifikohet, domethënë fiton jetë të pavarur nga ne krijuesit e saj. Më pas, realiteti i objektifikuar na imponohet dhe prej saj as mund të ikim, as ta vrasim me një “bam” (siç nuk mund të vriten “vizitorët” në Solaris). Në fund të ciklit, ne e përbrendësojmë këtë botë duke u bërë miniatura të saj. Dhe cikli vazhdon: jashtësim, objektifikim, përbrendësim… Njeriu e shfaq veten (jashtë) në shoqëri dhe shoqëria e shfaq veten (brenda) në njeriun. E jashtmja është, në të vërtetë, e brendshjma e jashtësuar, kurse e brendshmja është e jashtmja e përbrendësuar.

Lexoni Gjithashtu

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Çelnaja

Në episodin e 30 të Çelnajës, së bashku me profesorin e antropologjisë Nebi Bardhoshin, trajtojmë disa koncepte me rëndësi që janë pjesë e korpusit...

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Analizë

Memorandumi i mirëkuptimit midis Serbisë dhe BE-së, i nënshkruar më 19 korrik nën mbikëqyrjen e kancelarit gjerman, Olaf Scholz, e ka kristalizuar qasjen transaksionale...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.