Connect with us

Hi, what are you looking for?

Analizë

E parezistueshme?

Kina përparon atëherë kur nuk arrijmë ta ndalim.

Nëse NATO ngacmon Kinën, Kina do të ngacmojë NATO-n. Ky ishte nënteksti i vizitës së ministrit të mbrojtjes Wei Fenghe në Beograd javën e kaluar.

“Disa anëtarë të NATO-s po përpiqen të luajnë role të caktuara të sigurisë në rajonin e ‘Indo-Paqësorit’. Kina mund të përgjigjet duke u përfshirë në çështjet e sigurisë në Evropë dhe të bëjë NATO-n të kuptojë më shumë për Kinën si aktore e sigurisë globale,” komentoi eksperti i politikës së jashtme Cui Hongjian për gazetën nacionaliste Global Times.

Të kërcënosh është një gjë. Të zbatosh kërcënimet është gjë tjetër. Autoritetet kineze mund të pëlqejnë profesionet e besnikërisë. Nuk mjafton të ndalosh kritikën; të kënaqësh partinë-shtet duhet të përqafosh aktivisht politikat e saj shtypëse dhe agresive. Si ndëshkim, ajo mund të vendosë sanksione vizash. Edhe më shqetësues është fakti se mund të ushtrojë presion mbi diplomatë, gazetarë, e biznesmenë të huaj që jetojnë brenda kufijve të Kinës. Fati i dy “Micheal-ve”, Kovrig dhe Spavor, qytetarë kanadezë të mbajtur në kushte të rënda për dy vite në bazë të akuzave të rreme e të motivuara politikisht, është përkujtim i atij fakti. Evropianët mund të jenë pengje të radhës.

Por, të projektosh pushtetin në anën tjetër të botës është shumë më e vështirë. Në sipërfaqe, Serbia është mikja më e afërt e Kinës në Europë. Me t’u shqyrtuar për së afërmi, del se marrëdhënia është sipërfaqësore. Vizita e Wei-t u përmbyll me një marrëveshje për të themeluar një qendër për mjekësinë tradicionale kineze në akademinë mjekësore ushtarake të Serbisë – një fitore simbolike, ndoshta, por jo ndonjë tërmet gjeopolitik. Marrëveshje të tjera kanë të bëjnë me stërvitjet ushtrake të forcave speciale të nivelit të ulët dhe ndihmat me programin e dronëve të Serbisë. Investimet e Kinës në Serbi – shumica në industritë ndotëse – marrin vëmendjen e mediave, por lidhjet e Serbisë me Gjermaninë janë shumë më të forta. E njejta mund të thuhet për Hungarinë, Maqedoninë e Veriut dhe Greqinë, që janë vendet e tjera që do t’i vizitojë Wei.

Kinës i pëlqen të ndërtojë marrëdhënie me individë dhe institucione përgjatë shumë viteve. Dikur, kjo edhe mund të shpaguhet. Për shembull, ajo ka fituar mbulesë të favorshme në mediat serbe. Megjithatë, marrë parasysh kohën dhe paratë e shpenzuara në dhjetëvjeçarin e fundit, përfitimet duken të dobëta. Mbase aspekti më brengosës i pranisë kineze në Europën juglindore është ai kibernetik: thithja e informatave personale nga vendasit dhe të huajt për të fryrë magazinat e stërmbushura të të dhënave në Kinë. Megjithkëtë, entuziazmi për teknologjinë kineze mund të bjerë përderisa rritet vetëdija për atë se çfarë nënkupton përdorimi i saj.

Kina ka disa karta për të luajtur. Ka shumë gjasë që të dërgojë së paku disa forca në stërvitjet ushtarake Zapad-21 në fund të vitit. Përparësia ushtarake e Rusisë në rajonin e Detit Baltik është kokëçarje për NATO-n. Pajisjet kineze (dronët ajrorë dhe detarë, për shembull) mund të përkeqësojnë situatën.

Kryesisht, Kina ka sukses kur Perëndimi dështon. Diplomacia e vaksinave është shembulli më i fundit. Koprracia dhe keqorganizimi perëndimor i ka frikësuar dhe zemëruar njerëzit – që tash janë të gatshëm që të pranojnë vaksinat nga Rusia dhe Kina. Huqja e madhe ngjau më herët kur Bashkimi Europian u mbylli dyert anëtarëve të rinjë: vendeve të Ballkanit Perëndimor (Shqipërisë, Bosnjes dhe Hercegovinës, Kosovës, Malit të Zi, dhe Maqedonisë së Veriut); vendeve të “Partneritetit Lindor”, kryesisht Ukrainës, Moldavisë, dhe Gjeorgjisë; dhe Turqisë. Kostoja e kësaj qasjeje të turpshme, shkurtpamëse, dhe vetjake qe e rëndë. I demoralizoi forcat properëndimore në këto vende, dobësoi ndikimin tonë, ndezi cinizmin publik, dhe krijoi hapësira për telashexhinjtë. Nuk mund të fajësojmë Kinën për këtë: vetëm e kemi fajin.

Poashtu, askush nuk i detyroi vendet e mëdha të Perëndimit si Britania dhe Gjermania që të hapen ndaj parave kineze, apo që të bëjnë investime aq të mëdha atje. Firmat zgjodhën ashtu, dhe politikanët i inkurajuan, ngase ishin lakmitarë dhe të vetëkënaqur.

Çmimi i këtyre gabimeve është i jashtëzakonshëm – dhe do të paguhet vetëm pjesërisht nga ata që gabuan.

***

Artikulli origjinal në The Center for European Policy Analysis (CEPA), më 29 mars 2021.

***

Image

 

Ky artikull mbështetet nga “Sbunker” përmes projektit të financuar nga Ambasada Amerikane. Mendimet e shprehura këtu janë të autorit dhe jo medoemos pasqyrojnë qëndrimet e Departamentit të Shtetit.

Lexoni Gjithashtu

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Çelnaja

Në episodin e 30 të Çelnajës, së bashku me profesorin e antropologjisë Nebi Bardhoshin, trajtojmë disa koncepte me rëndësi që janë pjesë e korpusit...

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Analizë

Memorandumi i mirëkuptimit midis Serbisë dhe BE-së, i nënshkruar më 19 korrik nën mbikëqyrjen e kancelarit gjerman, Olaf Scholz, e ka kristalizuar qasjen transaksionale...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.