Shoqëria jonë duhet që urgjentisht të mobilizohet drejt “edukimit sentimental” për të drejtat e njeriut, përmes një programi serioz e të vazhdueshëm të mbështetur nga shteti, që përfshin familjen, shkollat e institucionet e tjera të shoqërisë, duke thirrë në ndihmë si edukatorë të gjithë ata nga shoqëria civile, institucionet kulturore-artistike, arsimore e fetare dhe autoritetet morale që besojnë në të drejtat e njeriut për t’i bërë thirrje, secili në mënyrën e tij, ndërgjegjes morale njerëzore për respektimin e njerëzve të tjerë.
Vetëm brenda pak ditësh në këtë fillimvit u bënë publike dy raste flagrante të majes së asjbergut të shkeljes së të drejtave të njeriut të pranishëm në shoqërinë tonë. E para kishte të bënte me një punëdhës i cili po rrihte me shuplaka punëtorin e tij në vendin e punës dhe nën syrin e kamerës, ndërsa, e dyta me një vajzë të mitur e cila, siç dyshohet, ishte yshtur në një lidhje seksuale nga hetuesi i Policisë, ku vajza kishte raportuar ngacmim seksual nga arsimtari i saj. Nuk ka diskutim se këto dy raste përbëjnë vetëm dalje në sipërfaqe të llumit nga moçali jonë moral.
Cili duhet me qenë reagimi intelektual për këtë problem?
Mendimit filozofik nuk i mungon vëllimi dhe shumësia e diskurseve mbi të drejtat e njeriut. Mirëpo, diversiteti dhe shumësia e të filozofuarit mbi këtë temë nuk i ka ndihmuar gjithaq të drejtat e njeriut. Jo se ato janë pa vlerë, porse nuk kanë ndaluar shkeljen e përditshme të të drejtave të njeriut gjithandej nëpër botë. Në radhë të parë, sepse vetë mendimtarët nuk kanë arritur në pajtim se a ka njeriu të drejta, çka janë në thelb të drejtat e njeriut (e më parë as çfarë është njeriu), si të argumentohet fiozofikisht se njeriu ka të drejta, si dhe cilat janë të drejtat e njeriut. Por, edhe sepse diskursi intelektual mbi të drejtat e njeriut nuk është përkthyer në masë të kënaqshme në praktikën morale dhe institucionale.
A nuk është thënë mirë se është e kotë që delet të marrin vendim për ndalesën e ngrënies së mishit, përderisa ujku nuk e nënshkruan një vendim të tillë. Mirëpo, një vendim i tillë i deleve—për aq sa dijmë—mungon, ndërkaq, njerëzve nuk iu mungon vetëdija dhe vendimi për të mbrojtur ujqit në mesin e njerëzve të hanë mishin e deleve në mesin e tyre. Me fjalë të tjera, njerëzit nuk janë si delet; ata mund të vetëdijësohen dhe të filozofojnë në lidhje me të drejtat. Ky është dallim i madh. Por, i pamjaftueshëm megjithatë, sepse në praktikë s’ka kuptim nëse si njeri, sado i pajisur me vetëdije filozofike, gjindesh në mal dhe, për t’u mbrojtur nga bishat, thiresh në të drejtën tënde në jetë.
Idetë për të drejtat e njeriut që kanë për bosht filozofimet mbi natyrën e njeriut—si bartës i këtyre të drejtave—preokupohen me fondacionet që synojnë të identifikojnë esencën e qenies njerëzore dhe me ndonjë karakteristikë universale të qenieve njerëzore (si për shembull racionaliteti dhe humaniteti) mbi të cilën mund të themelohen të drejtat e njeriut. Mirëpo, përpjeke të këtilla asnjëherë nuk rezultojnë në ide përfundimtare. Kjo e ka shtyer filozofin pragmatist, Richard Rorty-n të bëjë thirje që kur të flasim për të drejtat e njeriut të fokusohemi tek preokupimi me pasojat, e jo të pyesim se si e tek dallojmë nga kafshët, cila është natyra jonë esenciale që na dallon si qenie njerëzore, e të ngjashme. Ne duhet thjeshtë të pranojmë, thotë Rortry, se “mund të ndjejmë për njëri-tjetrin shumë më shumë se sa që ato [kafshët] mund” të ndjejnë për njëra-tjetrën.[1]
Ngjashëm vëren edhe studiuesi Michael Ignatieff kur konstaton se është e pamundur të shtrojmë çështjen e të drejtave të njeriut si diskutim filozofik e të mos mbarojmë në polemika e kundërthënie pa fund e krye. Andaj, mbase një qasje më efikase dhe praktike do të ishte nëse të drejtat e njeriut i shohim si të bazuara në natyrën tonë morale. Kjo domethënë se ideja e të drejtave të njeriut është më shumë projekt social që ka mundur të prodhojë njerëzimi, se sa e dhënë parasociale e tij.[2]
Pikëpamja e Rorty-t mbi të drejtat vë theks të veçantë në potencialin e prirjes njerëzore për empati dhe lidhje afektive me njerëzit e tjerë. Është pikërisht lidhja emocionale me qeniet njerëzore dhe ndjenja e përbashkësisë që ofron mundësinë për një argument për të drejtat, dhe jo ndonjë pretendim abstrakt filozofik, ngase njerëzit, në radhë të parë, janë krijesa emocionale ose sentimentale, e jo filozofë racionalë. Zgjidhja që Rortry e propozon është se vetëdijësimi për të drejtat e njeriut dhe respektimi e mbrojtja e tyre bëhet më së miri përmes një edukimi që e ushqen e forcon prirjen njerëzore për t’u identitifkuar me njerëzit e tjerë dhe lufton prirjen e përbuzjes të kategorive njerëzore dhe dehumanizimin e tyre ose përmes “edukimit sentimental” siç e emërton ai. Qëllimi është që të edukohen qytetarët, si krijesa sentimentale e jo aktorë racionalë, për zhvillimin e ndjenjës së empatisë, simpatisë dhe kujdesin për qeniet e tjera njerëzore.
Kështu, kur bëhet fjalë për çështje morale siç janë të drejtat e njeriut, Rortry propozon që në vend se të lodhemi me debate intelektuale për themelet racionale të moralit, ne duhet thjesht të provojmë të përmirësojmë shoqërinë përmes mekanizmave edukues. Për shembull, një projekt i tillë përdor literaturën klasike për t’ua mësuar fëmijëve dhe të rinjve traditën e letërsisë dhe dramës ku dilemat morale shqyrtohen sentimentalisht dhe jo me anë të filozofisë racionale. Rortry beson se tragjeditë njerëzore më tepër ka të ngjarë të zgjidhen duke mësuar dhe edukuar fëmijët të njohin e të pranojnë problemet e tragjeditë e njerëzve të tjerë, se sa duke ua mësuar atyre traditën e filozofisë kantiane. Çështja e të drejtave të njeriut është një çështje e pranimit, domethënë si t’i bëjmë njerëzit t’i pranojnë të tjerët si krijesa që meritojnë t’u kushtojmë emocion dhe kujdes.
Me fjalë të tjera, jo vetëm që qeniet njerëzore mund të vetëdijësohet për të drejtat e njeriut, por për më tepër, ato mund të konkretizojnë këtë vetëdije në kulturë e institucione që respektojnë ato të drejtat dhe ndëshkojnë shkeljen e tyre, ashtu siç kanë mundur të zhvillojnë kulturë e institucione të kundërta me këtë. Për t’iu kthyer analogjisë me dele e ujqër, themi se nuk mjaton vetëm ideja se gëzojmë të drejta të pacënueshme, as ligji që vetëm flet në favor të tyre, as instutucione zyrtare që strehojnë viktimat dhe ndëshkojnë shkelësit, e jo se jo, fushatat afatshkurtëra e sipërfaqësore “vetëdijësuese” për respektimin e të drejtave të njeriut, m’the-e-t’thashë. Na duhet të zbusim ujqërit në mesin tonë përmes edukimit që ndërton një kulturë e cila ndalon shfrytëzimin e gjendjes në të cilën delet në mesin tonë janë qenësisht të rrezikuara, qofshin ato gra, punëtorë, të pafuqishëm, të varfër, fëmijë, pleq a të rinj.
Natyrisht, jo filozofimet e pengojnë shoqërinë tonë nga të folurit dhe angazhimi për të drejtat e njeriut. Janë pretendimet për problemet “më të mëdha” e “më të ngutshme” që kanë të bëjnë me politikën e brendshme dhe të jashtme të shtetit ato që po e neglizhojnë nevojën thelbësore për kulturimin tonë me të drejtat e njeriut. Këto pretendime vetëm i japin hapësirë dhe forcojnë një kulturë të dhunës ndaj kategorive shoqërore në pozita të dobëta të gjetura në gjendje të rrezikuar që dhunën ndaj tyre e justifikon mbi vlera tradicionale të përzgjedhura me tendencë nga tradita jonë kulturore. Mirëpo, çfarë kuptimi ka shteti dhe këmbëngulja në tradita që nuk e mbrojnë njeriun dhe nuk i mundësojnë jetë të sigurtë e të dinjitetshme atij!
Prandaj, shoqëria jonë duhet që urgjentisht të mobilizohet drejt “edukimit sentimental” përmes një programi serioz të mbështetur nga shteti që përfshin familjen, shkollat dhe institucionet e tjera të shoqërisë, duke thirë në ndihmë si edukatorë të gjithë ata nga shoqëria civile, institucionet kulturore-artistike, arsimore e fetare dhe autoritetet morale që besojnë në të drejtat e njeriut për t’i bërë thirje, secili në mënyrën e tij, ndërgjegjes morale njerëzore për respektimin e njerëzve të tjerë. Mirëpo, nëse një kërkesë e tillë nuk bëhet me ngulm nga shoqëria civile, nuk kemi iluzione se kjo klasë, e cila e ndërton pushtetin e saj duke abuzuar përditë me njerëzit e qytetarët, do të përkrahë një edukim serioz, të gjerë e të vazhdueshëm për të drejtat e njeriut.
—-
[1] Richard Rortry, “Human Rights, Rationality, and Sentimentality”. Në: Shute and Hurle, (eds.) On Human Rights. Basic Books, 1993.
[2] Michael Ignatieff, Human Rights as Politics and Idolatry. Princeton University Press, 2001.