Connect with us

Hi, what are you looking for?

Analizë

Ekstremizmi i dhunshëm në Kosovë

Në filmin kult italian Ladri di biciclette, personazhit Antonio (Lamberto Maggiorani) ia vjedhin biçikletën, me të edhe mundësinë për të punuar dhe siguruar bukën familjes. Antonio, që për zot kishte punën, e quante budallaqe gruan e tij që shpresën për një të ardhme më të mirë e mbështeste në vizionet e një fallxhoreje që vetëquhej e shenjtë. Duke jetuar në Italinë e mjerueshme të pas Luftës së Dytë Botërore me sistem të shkatërruar shtetëror, për ta gjetur biçikletën s’i ndihmonte dot policia. Pasi e kërkon ngado, shpresat se do ta gjente iu thyhen. Me mendjen e droguar nga nevoja, trupin e rraskapitur nga lodhja dhe frikën nga mjerimi që pikturohej veë me ngjyrën e zezë, ai i drejton shpresat nga qielli. Kështu, duke mos pasur tjetër shteg, viziton fallxhoren dhe i lutet t’i tregojë nëse ndonjëherë do ta gjente biçikletën, e përmes saj të ardhmen.

Në Kosovën e pasluftës mbase pak kush mund ta ketë njohur Antonion, por shumë kush mund të ketë qenë një i tillë. Duke jetuar në këtë vend, ku shteti është hipotetik, mirëqenia ngadalë u shndërrua në metaforë, ndaj e ardhmja e pasigurt duket e qartë si vepër arti.

Derisa në shtetin e munguar, varfëria, pasiguria, shpresa e vdekja shkëmbejnë replika, fallxhorët me ideologji të shtrembëruara presin si spektatorë të privilegjuar për t’iu dhënë qiellin, atyre që s’i mbanë toka.

Një herë, duke shëtitur nëpër botën pacensura të internetit, pata hasur në një video kur një pseudoimam u shpjegonte atyre që, fatkeqësisht, e dëgjonin se si është parajsa, xheneti. U tregonte se si atje, kudoqoftë ai vend, do të kishin krejt çfarë u mungonte këtu në tokë dhe do ta kishin pambarimisht. Do kishin shumë seks, me 72 femra të mahnitshme, do të kishin bollëk në gjithçka duan, mjafton ta kërkonin.

Por, i ashtuquajturi hoxhë që fliste sikur të kishte qenë atje, parë gjithçka dhe kthyer përsëri, rrëshqiste nganjëherë duke e tokëzuar parajsën. Ai përmendte se në xhenet do të ketë edhe shtëpi prej ari – material ky që njerëzit i dhanë vlerë, jo se është i vlefshëm vetvetiu. Materializonte aq shumë sa në një moment prisja të thoshte se do të ketë edhe vetura super të shpejta. Por, dëgjuesve të marrosur nga të mirat që i përmendte maniaku, tashmë logjika u kishte shkuar për lesh, në vend se ta dyshonin kishehoxhën që po fliste për tulla ari, ata ishin zhytur në ëndërrime dhe mbase po frikësoheshin se a do të mund t’u bënin ballë gjithë atyre të mirave, derisa Nostradamusi u foli përsëri, duke u treguar që të mos kenë merak se atje do ishin në kapacitete absorbuese të jashtëzakonshme.

Pra, në mendjet e tyre, ekziston një vend ku do të kenë gjithçka çfarë nuk e kanë dhe shumë më tepër. Ata krejt çfarë duhej të bënin ishte të vdisnin, pse pra të mos vdisnin – dhe atë sa më shpejtë.

Derisa politikano-hajdutët ishin të zënë me tullat e tyre prej ari të siguruara në tokë – disa të rinj tashmë po mendon si t’i fitonin ato duke shkuar në qiell.

Arsyet që çojnë tek indoktrinimi janë të shumta, që shpesh kanë një bazament të sigurt – varfëria, mospasja.

Kosova është vendi më i varfër në Europë, pashmangshëm ka edhe numrin më të madh për kokë banori të njerëzve që u janë bashkuar grupeve terroriste të tilla si ISIS e Al-Nusra[1].

Kështu, varfëria që theksohet edhe në raporte të ndryshme si arsye ndër më kryesoret për indoktrinim ekstremist [2], plotësohet më pas edhe me angazhim filozofik dhe doktrina mbrohet me gjuhën ekstremiste e me veprimin e dhunshëm, për shpërblimet materiale e shpirtërore. Prandaj, vakumin institucional e plotësojnë shpëlarësit e trurit që me konkurse lehjesh injektojnë me fanatizëm kokat e mbushura me urrejtje, ndonjëherë për shkak të barkut të thatë.

Symbyllja sistematike e shtetit mundëson që të tjerë njerëz të flasin, nisur nga të tjera pikëpamje dhe normalisht duke synuar të tjera efekte, me ligjërime që i vendosin si detyrë themelore të indoktrinuarit përgjegjësinë për ta bluar në mullirin e fjalës çdo gjë që ka të bëjë me tolerancën dhe të menduarit ndryshe.

Meqë letërsia e vetme e shumë të rinjve në Kosovë u bënë tregimet e hoxhallarëve ekstremistë, mendimet për një bashkëjetesë me ekstremitete fetare në mendjet e tyre u bënë si mobilie të rënda që refuzojnë të lëvizin.

Veprimet, çfarëdo qofshin ato, ratifikoheshin me shpërblimin e përtejshëm.

Idetë për pastërti fetare dhe dënim e ndëshkim të gjithçkaje që del jashtë saj nuk janë të reja, ato kanë jetuar pranë të gjitha feve qysh në fillimet e tyre [3]. Prej kryehere ka pasur të tillë që kanë përgjakur trupa, për të “pastruar” mendje.

Por, në Kosovë gjetën “tokën e pëlleshme” [4], për shkak të jetës së gërryer nga vështirësitë e neveritshme të ekzistencës, të shënjuara me ndrydhjet e njerëzve si harta rrugësh që nga koka deri tek gishtërinjtë e këmbëve.

***

Para dy vjetësh, tek isha ndalur dhe po prisja në radhë në një aeroport në Gjermani, një polic me një anglishte të dobët ma bëri me shenjë për t’u spostuar në një pjesë ku s’ishte askush tjetër. Për shkak të mjekrës më të gjatë, fesë time dhe faktit se vija nga Kosova isha i dyshuar potencial për të qenë një ekstremist, islamist, radikalist, apo çkado tjetër në karvanin e madh të fjalëve që përshkruajnë njerëzit e padëshiruar në vendet perëndimore.

Gënjehet kush mendon se ekstremizmi i dhunshëm ka prekur vetëm të indoktrinuarit. Fenomeni na ka prekur të gjithëve.

_________

[1] Komisioni Europian, Raporti i Kosovës* 2016, (2016), 70.

[2] UNDP in Kosovo*, Public pulse analysison prevention of violent extremism in Kosovo, (Prishtinë, qershor 2017), 5.

[3] Shih p.sh, Aslan, Reza; No God but God: The Origins, Evolution, and Future of Islam, (New York, 2005).

[4] Gall, Carlotta; HowKosovoWasTurnedIntoFertileGroundfor ISIS, (NewYorkTimes, 2016).

________

Ky artikull është shpërblyer me vendin e parë në garën për ese “Ekstremizmi i dhunshëm në Kosovë – Storia jote”, mundësuar me përkrahjen bujare të popullit amerikan përmes Agjencisë së Shteteve të Bashkuara për Zhvillim Ndërkombëtar – USAID. Përmbajtja është përgjegjësi e Sbunker dhe nuk pasqyron pikëpamjet e USAID-it apo të Qeverisë së Shteteve të Bashkuara. Artikulli dhe gara janë pjesë të projektit “Parandalimi i ekstremizmit përmes Programit për Mendimin Kritik” që implementohet nga Sbunker, përmes Programit Angazhimi për Barazi – E4E, i financuar nga Agjencia e Shteteve të Bashkuara për Zhvillim Ndërkombëtar – USAID dhe realizuar nga Qendra e Trajnimeve dhe Burimeve për Avokim -ATRC.

Lexoni Gjithashtu

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Çelnaja

Në episodin e 30 të Çelnajës, së bashku me profesorin e antropologjisë Nebi Bardhoshin, trajtojmë disa koncepte me rëndësi që janë pjesë e korpusit...

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Analizë

Memorandumi i mirëkuptimit midis Serbisë dhe BE-së, i nënshkruar më 19 korrik nën mbikëqyrjen e kancelarit gjerman, Olaf Scholz, e ka kristalizuar qasjen transaksionale...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.