Connect with us

Hi, what are you looking for?

Analizë

Epoka e Biden-it mund të nisë një qasje të përbashkët karshi Rusisë

Perëndimi është ngatërruar nga paqartësia fatale e politikës amerikane të Trump-it karshi Moskës

Ardhja e Joe Biden-it në krye të presidencës amerikane ka pjellë vëllime të panumërta librash lidhur me qëllimet e tij karshi Kinës, por në katër vite jashtë detyrës, Biden-i në fakt ka vënë Rusinë në qendër të betejës kundër autoritarizmit.

Tash, kur sapo ka marrë detyrën, arrestimi i disidentit rus Alexei Navalny e vë papritmas përball një testi, i cili gjithashtu mund të sjellë mosmarrëveshje me dy prej aleatëve më të afërt: Gjermaninë dhe Mbretërinë e Bashkuar.

Gjermania nën Angela Merkel-in gjithmonë ka shmangur konfrontimin e hapur me Rusinë, dhe është munduar shumë që të ruajë projektin e gazsjellësit Nord Stream 2, që sjell gazin nga Rusia në Gjermani, duke thënë se kjo është çështje komerciale e jo politike.

Por Merkel-i ka takuar Navalny-n, i cili u shërua në kryeqytetin gjerman pas helmimit të tij dhe i cili u quajt “pacient i Berlinit” nga Vladimir Putin, dhe tash qeveria e saj mund të ndjejë obligim personal që ta ndihmojë jo vetëm me fjalë.

Shpura e Putini-t tashmë është sanksionuar ashpër nga BE-ja si pasojë e shtypjes në Bellorusi dhe për shkak të helmimit të Navalny-it, kështu që opsionet e saj për të treguar indinjatë përmes sanksioneve të mëtejme individuale janë të kufizuara. Në këtë aspekt, Merkel do ta ketë parasysh projektin Nord Stream 2.

Në rastin e Mbretërisë së Bashkuar, kryeministrat atje kanë qenë retorikisht të fuqishëm për sa i përket Rusisë, porse nuk janë në gjendje që këtë retorikë ta shtrijnë më tej në shtrëngimin e avokatëve, llogaritarëve dhe ushtrisë së agjentëve të pronave që i mundësojnë kleptokratëve rusë të investojnë pasurinë e tyre të korruptuar në Londër.

Think-tanku i kthjellët Chatham House, për shembull, po organizon një ngjarje të cilën e promovon kështu: “Gjetjet më alarmuese të raportit ‘Rusia” nga komiteti për siguri dhe inteligjencë i parlamentit nuk kishin të bëjnë me shtrirjen e ndikimit dashakeq të Moskës në Mbretërinë e Bashkuar, por me mosgatishmërinë e qeverisë britanike për të ndërmarrë hapa që do ta zbulonin dhe ndalonin atë.

Raporti gjeti zbrazëtira të mëdha si në vetëdijisimin mbi problemin, ashtu edhe legjislacionin e duhur. Përgjigjja formulare e qeverisë premtonte se të paktën disa prej këtyre zbrazëtirave do të mbushen.”

Mbase rastësisht, gjërat kanë arritur pikën e vlimit. Që prej 2019, kërcënimi i sanksioneve amerikane e ka lënë gazsjellësin Nord Stream 2  të kompletuar në masën 94%. Nëse përfundohet, tubacioni prej 1230 km do të mbarojë në Lubmin, fshat bregdetar në Meklenburg – Pomerani Perëndimore, dhe më shumë se do t’i dyfishojë importet e Gjermanisë të gazit natyror rus.

Të premten e kaluar, autoriteti detar federal gjerman miratoi zgjerimin e kohëzgjatjes operacionale të projektit për shkak të “vonesave të paparapara jashtë ujërave gjermane”.

Meqë sanksionet amerikane do të shënjestronin firmat private të përfshira në projekt, qeveria e shtetit të Meklenburg – Pomeranisë Perëndimore ka bërë çmos që të themelojë një fondacion publik që do të merrte në dorë aktivitetet potencialisht të sanksionuara. Gjermania beson se SHBA-ja nuk do të shkojë aq larg sa të sanksionojë një institucion publik, edhepse ky fondacion është i financuar kryesisht nga rusët.

Ish asistent sekretari amerikan i shtetit Nicholas Burns i tha gazetës gjermane Handelsblatt javën e kaluar se nëse Gjermania suspendon ndërtimin e gazsjellësit, SHBA-ja mund të heqë sanksionet.

Njëlloj, Mbretëria e Bashkuar si nikoqir i samitit të G7 në qershor duket sikur do të ringjallë politikën kundër korrupsionit të cilën e filloi David Cameron-i herën e kaluar kur Britania organizoi këtë ngjarje.

Në katër vitet e fundit, perëndimi është ngatërruar nga paqartësia fatale e politikës amerikane karshi Rusisë. Departamenti i Shtetit ka qenë i gatshëm të ballafaqohet me Rusinë, por Donald Trump-i ishte në mënyrë të pashpjegueshme kundërshtues për çkado tjetër pos gjërave që i shkonin pë qejf Putinit.

Biden-i ka emëruar një ekip me përvojë dhe me njohuri të thella për Rusinë si:

William Burns, drejtori i CIA-s; Victoria Nuland, nënsekretare e shtetit për çështje politike; Andrea Kendall-Taylor, drejtoreshë për Rusinë dhe Azinë Qendrore në Këshillin e Sigurisë Kombëtare (NSC); Kathleen Hicks, gruaja e parë nënkryetare e Pentagonit; dhe Shanthi Kalathil, koordinatore për të drejta të njeriut dhe demokraci. Së bashku, këta do të përpiqen t’i japin sinjale të qarta Gjermanisë lidhur me politikën amerikane karshi Rusisë, dhe se si të luftohet dobësimi i demokracisë dhe përzierja ruse në Europë. Sulmi i jashtëzakonshëm kibernetik ndaj institucioneve të Uashingtonit, që u tha se erdh nga shërbimi rus i inteligjencës, është barrë e madhe në mendjet e Kongresit.

Biden-i ka premtuar se do të ketë parim kryesor të politikës së jashtme promovimin e demokracisë, përfshi organizimin e një samiti për të sulmuar armët e autoritarëve. Shumëkush është skeptik lidhur me atë se si SHBA-ja po paraqitet si bartëse evlerave liberale marrë parasysh krizën nëpër të cilën po kalon.

Sido që te jetë, sulmi mbi Kapitol në Uashington vetëm sa i ka bindur edhe më shumë aleatët e saj lidhur me këtë agjendë, dhe rëndësinë e saj në Amerikë.

Pra vija e parë e fronit e “fushëbetejës” ku do të ballafaqohen administra e re amerikane dhe Rusia ka gjasë të zgjerohet në hapësirën post-sovjetike dhe do të përfshijë së paku Ukrainën, Bellorusinë dhe Gjeorgjinë. Me gjithë zhurmën rreth ngritjes së Kinës dhe implikimeve të “shekullit aziatik” në Amerikë, së paku tash për tash, forcimi i aleancës transatlantike mund të nxitet nga kërcënimi që vjen nga armiku i vjetër i luftës së ftohtë.

***

Artikulli origjinal në The Guardian

***

 

Ky artikull mbështetet nga “Sbunker” përmes projektit të financuar nga Ambasada Amerikane. Mendimet e shprehura këtu janë të autorit dhe jo medoemos pasqyrojnë qëndrimet e Departamentit të Shtetit.

Lexoni Gjithashtu

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Çelnaja

Në episodin e 30 të Çelnajës, së bashku me profesorin e antropologjisë Nebi Bardhoshin, trajtojmë disa koncepte me rëndësi që janë pjesë e korpusit...

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Analizë

Memorandumi i mirëkuptimit midis Serbisë dhe BE-së, i nënshkruar më 19 korrik nën mbikëqyrjen e kancelarit gjerman, Olaf Scholz, e ka kristalizuar qasjen transaksionale...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.