Connect with us

Hi, what are you looking for?

Analizë

Faktorët e shikushmërisë së lartë të telenovelave turke në Ballkan

Edhe pse në disa vende nuk janë në pikun e tyre, telenovelat turke duket se po vijojnë me suksesin e tyre jo vetëm brenda Turqisë, por edhe në shumë vende të ndryshme të botës.Vendet e Ballkanit Perëndimor janë ata ku këto telenovela po ndiqen pothuajse më shumë se kudo tjetër. Nisur nga ky fakt, shtrojmë pyetjen se cilat janë karakteristikat kryesore të telenovelave turke, të cilat përcaktojnë edhe nivelin e lartë të ndjekshmërisë së tyre?

Sipas një anketimi të zhvilluar në verën e vitit 2015 nga studiuesi Alban Tartari me 1058 qytetarë nga Shqipëria, Maqedonia, Kosova dhe Mali i Zi, rezulton se 68 për qind e tyre ndjekin shumë shpesh telenovela turke. Ky fakt ka shtyrëoperatorët televiziv që t’i transmetojnë këto telenovela në oraret më të rëndësishme të mbrëmjeve, duke zëvendësuar edhe shumë programe që dikur transmetoheshin në prime time. I intervistuar në lidhje me këtë temë, Albert Dumani, Drejtori i Programacionit të TV Klan, ndër më të mëdhenjtë në Shqipëri, shprehet se përcaktimi i programacionit ditor dhe javor bëhet sipas një studimi të tregut të audiencës për fasha të caktuara oraresh, dhe më pas programet më të rëndësisshme dhe më të kushtueshme vendosen në prime-time, duke nënkuptuar se shitja e kohës televizive për reklama gjatë transmetimit të këtyre telenovelave është shumë fitimprurëse.

Nga një monitorim i bërë për katër javë në kuadër të projektit të titulluar “Strategjitë e programacionit dhe sfidat e transmetimeve televizive në Shqipëri”, të implementuar nga Departamenti i Gazetarisë dhe Komunikimit në Universitetin e Tiranës në verën e vitit 2018, në rastin e TV Klan, transmetimi i telenovelave zë 28 përqind të hapësirës së transmetimit, më e madhja kjo në krahasim me kategoritë e tjera tëprogramacionit. Ndërkohë që hapësirat publicitare janë janë ndër më të kushtueshmet, çmimi i blerjes së një serie që zgjat 40-50 minuta varion nga 800 në 1200 euro.

Interesant mbetet fakti se këto telenovela kanë gjetur shumë pak, ose aspak hapësirë, në vendet e zhvilluara perëndimore. Ka një qasje të përbashkët të studiuesve nga vende të ndryshme përsa i përket suksesit që këto produksione kanë pasur brenda dhe jashtë vendit: temat dhe subjektet (historitë) e trajtuara në to përfaqësojnë jetën e shumicës së shoqërisë në vendin e origjinës dhe në vendet ku transmetohen. Interesi i madh i treguar ndaj tyre, lindte pikërisht nga që njerëzit gjenin tek personazhet të shkuarën e tyre.

Tiparet dalluese të telenovelave turke që ndikojnë tërheqjen e audiencave

Pikëtakimet historike midis Turqisë dhe vendeve mikpritëse të telenovelave turke: I intervistuar në kuadër të kësaj teme, Irfan Arik, një studiues nga Kirgizistani, i cili ka hulumtuar karakteristikat e telenovelave turke gjatë studimeve të tij doktorale, shprehet se këto produksione kanë gjetur më shumë interes në ato vende që ndajnë histori dhe kulturë të përbashkët me Turqinë. Këtë gjë e vëmë re edhe në vendet e rajonit tonë, të cilat shfaqin ngjashmëri sociale dhe kulturore me kulturën turke, varësisht kjo edhe të shkuarës së përbashkët me Turqinë gjatë sundimit të Perandorisë Osmane.

Skenare të mbështetura në kulturën Pop: Nëse analizojmë historitë dhe skenaret e telenovelave turke, duket se mes tyre ka shumë ngjashmëri. Brenda tyre gjen përsëritje të temave dhe formateve që kanë ndjekshmërinë më të lartë ndër audienca. Për studiuesin turk Ekmel Geçer, rëndësia që i kushtohet familjes në telenovelat turke është një faktor shumë i rëndësishëm që rrit interesin e audiencave ndaj tyre. Sipas tij, edhe në personazhet më negative brenda një telenovele, pas tyre gjendet një familje dashamirëse dhe që i mbështet vazhdimisht ato.

Drama si tipar karakterizues i telenovelave turke: Shumica e telenovelave turke karakterizohen nga drama që zhvillohen brenda grupeve të vogla, si familja, mjediset e punës, etj. Kjo formë realizimi duket se është edhe një nga dallimet më thelbësore midis tyre dhe telenovelave perëndimore.  Sipas studiuesit shqiptar Alban Tartari, në këto telenovela e keqja dënohet, por edhe e mira nuk fiton. Ky trend i ‘fundit të palumtur’ i bën të ndryshme serialet turke nga ato latino-amerikane apo edhe ato amerikane. ‘Happy end’ mungon thuajse në të gjitha serialet duke i bërë ato më realiste.

Elementet romantikë: Në pothuajse të gjitha telenovelat turke, qofshin ato që përcjellin histori bashkëkohore, apo edhe ato që mbështeten në historinë e Perandorisë Osmane, vihet re prania e një niveli të lartë të romantizmit. Urat e komunikimit të vendosura përmes lidhjeve shpirtërore, sakrificat që bëhen për hir të dashurisë, dashuritë platonike, por edhe mos vënia e një ekuilibri midis vendimmarrjes të mbështetur nëndjenja dhe asaj që buron nga racionaliteti mendor, duket se janëtipare të kulturave tëvendeve të Lindjes, të cilat karakterizojnë edhe brendinë e këtyre telenovelave.

Teknikat e realizimit: Niveli i romantizmit mbështetet edhe nga disa teknika të përdorura në realizimin e këtyre telenovelave. Disa karakteristika kryesore të tyre janë siç është theksuar më poshtë.

Vështrimi i pareshtur i personazheve ndaj njëri tjetrit. Ky është tipar i rëndësishëm i këtyre telenovelave, ku karakteret përgjithësisht komunikojnë me njëri tjetrin përmes gjuhës joverbale. Ata vështrojnë njëri tjetrin, shikojnë në horizont, kujtojnë momente të caktuara, apo i rikthehen skenave të mëparshme. Në këto skena mungon aksioni dhe ulihet më shumë hapësirë elementëve romantik.

Reagimet emocionale në vend të dialogut. Edhe problemet më të vogla që mund të zgjidhen përmes një dialogu të shkurtër, në telenovelat turke shoqërohen me reagime emocionale të karaktereve, të cilët arrijnë deri në ekstrem.

“Problemet e gjithë botës” rëndojnë mbi një familje. Është karakteristikë e skenareve të këtyre telenovelave që ta përfshijnë familjen në qendër të vëmendjes në një seri problemesh që s’kanë të sosur. Tek i njëjti karakter mund të gjesh problemet me partnerin, me familjen, me punën, apo me shëndetin.

Për hir të shikueshmërisë më të madhe, personazhet nuk bashkohen dhe e vërteta nuk zbulohet kurrë. Përdorimi i tepërt që shpesh herë bëhet përmes këtyre metodave, i kthen këto telenovela edhe në të mërzitshme për syrin kritik të studiuesve.

Përzgjedhja e kujdesshme e aktorëve: Interesant mbetet fakti se shumica e këtyre aktorëve nuk kanë një edukim të mirëfilltë për kinamatografi, por kanë gjetur hapësira varësisht angazhimit të tyre në industrinë e reklamave, konkurseve të ndryshme të bukurisë, etj. Pas nisjes së realizimit të telenovelave, aktorët që marrin pjesë në to, më shumë se sa për aftësitë e tyre profesionale, diskutohen në media dhe publik për paraqitjen e tyre fizike. Ndërkohë, duhet theksuar fakti se rrogat e aktorëve variojnë nga 20 deri në 30 përqind të buxhetit total të një telenovele.

Politizimi i telenovelave turke: Dinamika e zhvillimeve të brendshme politike në Turqi duket se është reflektuar edhe në historitë që trajtohen në industrinë e prodhimit kinematografik. Periudha pas viteve ’90, u karakterizua edhe nga dorëzimi i hegjemonisë nga elitat Kemaliste tek partia konservatore për Drejtësi dhe Zhvillim (AKP), e cila ndoqi një agjendë politike në rregullimin e përmbajtjes mediatike. Studiuesja turke Kumru Berfin Emre Çetin vlerëson katër trende të politizimit të dramave televizive turke: 1.Trajtimi i historive që prekin aktualitetin e Turqisë; 2.Zgjidhja e problemeve që kanë ekzistuar më parë; 3.Qasja mbi neo-otomanizmin; 4.Devocioni dhe qasja religjioze islame. Këto tendenca përputhen kryesisht me axhendat ose projektet e veçanta politike.

Ndjekshmëria e telenovelave turke në vijim

Si përfundim, mund të themi se vendet e Ballkanit Perëndimor, edhe pse më të prirura për të përqafuar kulturën perëndimore, ata shfaqin lidhje të ngushta me kulturën dhe traditën turke, gjë kjo që ndikon në ndjekshmërinë e lartë telenovelave turke.

Së dyti, nisur nga karakteristikat e mësipërme, telenovelat turke preferohen nga audiencat, pasi ato janë shumë të thjeshta për t’u kuptuar, e krahasuar kjo me dinamikën që shoqëron produksionet e ngjashme perëndimore. Në to mungon aksioni dhe mbizotëron romantizmi, intriga dhe drama.

Së treti, në një moment kur industria e prodhimeve kinematografike në rajon është në vështirësi ekonomike dhe nuk ofron produksione origjinale vendase, por edhe teksa një seri telenovalash turke kushton mjaft lirë dhe shoqërohet me shumë reklama dhe madje të shtrenjta, prania e tekenovelave turke në ekranet tona do të vijojë edhe për një kohë të gjatë.

—-

Shkrimi origjinal është botuar në Respublica.

Lexoni Gjithashtu

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Çelnaja

Në episodin e 30 të Çelnajës, së bashku me profesorin e antropologjisë Nebi Bardhoshin, trajtojmë disa koncepte me rëndësi që janë pjesë e korpusit...

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Analizë

Memorandumi i mirëkuptimit midis Serbisë dhe BE-së, i nënshkruar më 19 korrik nën mbikëqyrjen e kancelarit gjerman, Olaf Scholz, e ka kristalizuar qasjen transaksionale...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.